Të dashur vëllezër e motra,
Gjatë kohës së kreshmeve jemi përgatitur në menyrë më intensive për Pashkët. Kisha na ka ftuar me leximet biblike, lutje, këngë që Zoti ta pastrojë zemrën tonë; na ka ftuar të ripërvetësojmë përmasat e pagëzimit tonë dhe ta jetojmë më fuqimisht jetën tonë si të krishterë dhe besimtarë dhe të rivishemi me Të, me Krishtin, për të dashur si Ai, për të falur si Ai, për të qenë të dhimbshëm e të mëshirshëm si Ai, duke bërë mirë si Ai.
Kjo ecje arrijnë kulmin e vet në kremtimin e madh të Pashkëve që shpërthen nga gëzimi sepse Krishti, Pashka jonë, pra çlirimi dhe shpëtimi ynë, e ka mposhtur vdekjen dhe është Ngjallur. Shën Gjoni në Ungjillin e vet na thotë se Jezusi “i deshi deri në fund” (Gjn 13,1). Edhe ne duhet ta bëjmë tonën zgjedhjen e Jezusit, pra, atë që të duam Hyjin deri në fund.
Një legjendë shumë e njohur tregon se zogu nënë, si çdo ditë, i la në çerdhe të vegjlit e vet që të shkonte të gjente ushqim për ta. Ndërsa ishte në fluturim, pa në majë të një mali tre kryqa dhe një turmë njerëzish. Kureshtare, u afrua dhe mbi kryqin në qendër pa të kryqëzuar një njeri me një kurorë ferrash në kokë: ishte Jezusi. E zuri trishtimi duke parë gjithë atë dashakeqësi dhe kërkoi një mënyrë që ta lehtësonte një vuajtje kaq të madhe. Atëherë u ul mbi kokën e Jezusit dhe me sqep u mundua të shkulte ferrën më të madhe. Ia arriti, por gusha e saj u njollos me gjak. U kthye te çerdhja, u tregoi bijve të vet për atë gjë të trishtuar që kishte parë dhe, ndërsa i përqafonte, e njollosi me gjak edhe gushën e tyre. Që atë ditë ata zogj quhen “gushëkuqë”, në kujtim të gjestit bujar të asaj nëne.
Sa bukur do të ishte sikur secili prej nesh të angazhohej të donte me të vërtetë, të donte gjithmonë, pa kushte, t’i donte të gjithë. Dhe kjo dashuri na bën t’i ndihmojmë vëllezërit tanë, sidomos ata që janë në nevojë. Dashuria shprehet edhe në gjeste të vogla, sikurse të vizitojmë një person të moshuar, të vizitojmë një të sëmurë, të japim lëmoshë. Sa ferra të vogla apo të mëdha do të mund t’u hiqnim vëllezërve e motrave tona, pra Jezusit. Sepse, le ta kujtojmë këtë gjithmonë, edhe veprën më të vogël të dashurisë që bëjmë ndaj një vëllai, një motre, e bëjmë ndaj Jezusit. Kjo dashuri shprehet edhe në gjeste më të mëdha e shumë fisnike, siç është dhënia e pranimi i faljes. Sa familje vazhdojnë të jetojnë të robëruara në shtëpitë e tyre për shkak të vrasjeve. Vëllezër e motra, ju lutem në emër të Krishtit, të mos vritet më askush, të jemi të gatshëm ta japim e ta pranojmë faljen. Ta heqim prej familjeve tona këtë plagë që helmon jetën tonë dhe atë të bijve tanë.
Vëllezër e motra, ju uroj të gjithëve, të mëdhenj e të vegjël, të rinj e të moshuar, që Jezu Krishti i Ngjallur t’ju dhurojë paqe, gëzim, kthjelltësi e shpresë.
Gëzuar dhe për shumë vjet Pashkët Katolikëve, Ortodoksëve dhe Krishterëve, brenda e Jashtë Shqipërisë!
Per shume mot pashket 2014!
Imzot Angelo Massafra OFM