Scroll Top
19th Ave New York, NY 95822, USA

Urim për 7 Marsin 2020

7 Mars 2020

Të dashur mësuese e mësues,

ndjehem i privilegjuar t’Ju përcjell urimet e mia dhe në tërësi të Komisionit Kombëtar të Edukimit Katolik në Shqipëri në këtë ditë të veçantë për ju si ajo e 7 Marsit, ditë që simbolizon dhe njohjen e vlerave të veçanta të rolit tuaj në gjithë historinë ndërtuese të brezave në vatrat e Shkollave dhe jo vetëm.

Të Edukosh, në leksikun e përditshëm na vjen me domethënien, nga latinishtja educĕre, “të nxjerrësh në pah në dritë, të rritësh, të shoqërosh” e përkthyer në promovimin dhe zhvillimin e aftësive intelektuale, estetike dhe morale të personit nëpërmjet shembullit dhe mësimdhënies.

Në këtë mision të rritjes së brezave, ju si mësues, gjithashtu keni privilegjin të jeni të thirrur si një dritë në jetët e fëmijëve që ju janë besuar nga prindërit e familjet me vullnetin e një pune të përbashkët për mirërritjen në të gjithë dimensionin e personit të tyre njerëzor. Këto krijesa të dashura e unike, presin edhe nga Edukuesit e vet të kuptojnë e të mësojnë se si do të jetojnë, të kuptojnë ç’burra e ç’gra dëshirojnë të bëhen në të ardhmen.

Ndaj dhe përveç privilegjit të madh, ne, si ambiente edukative, bashkë me Ju të dashur mësues, kemi detyrën dhe përgjegjësinë të mos e tradhtojmë këtë pritshmëri të fëmijëve në bashkëpunim të ngushte me prindërit, familjen dhe me komunitetin, sepse siç edhe Papa Françesco shpesh na e sjell ndërmend, një proverb afrikan thotë “për të edukuar një fëmijë duhet një fshat i tërë”. Duke u nisur nga kjo, Ati i Shenjtë, që në shtator të vitit 2019 ka shpallur një iniciativë: “Paktin Edukativ Global”, e cila do të konkretizohet më datë 14 maj 2020 kur të gjithë personat e përfshirë në fushën e edukimit dhe të formimit, sikurse dhe të rinjtë, do të takohen me Atin e Shenjtë në Romë për një ditë dialogu mbi këtë temë.

Fokusi dhe konteksti do të jetë mbi ndryshimet e vrullshme epokale, fryt i teknologjisë së kohës sonë tashmë të digjitalizuar, ndryshime të cilat, për shpejtësinë e tyre, nuk respektojnë ngadalësinë e evolucionit biologjik natyral të njeriut dhe prandaj gjenerojnë dhe çorientim psikologjik për shkak të ndryshimit të vazhdueshëm të pikave të referimit.

Gjithashtu ka dhe një tjetër efekt të cilin e përmend Ati i Shenjtë, ai i eliminimit në mënyrë të pa diskriminuar të asaj që historia na ka dorëzuar, besuar, si mësim. Si rrjedhojë bartim të madh rrezikun që të përsërisim të njëjtat gabime të rënda të ndodhura dhe më parë.

Dëshira e Papa Franceskut është që të mund të hapet një debat midis të gjithë subjekteve edukuese, përfshirë dhe mësuesit, duke realizuar atë që ai e quan “fshati i edukimit”, një vend marrëdhëniesh njerëzore të hapura duke u nisur nga eliminimi i të gjitha formave të diskriminimit e duke e zëvendësuar atë me vëllazërinë.

 Papa na jep dhe një metodë me disa hapa që duhen ndjekur në këtë rrugëtim:

  1. Vënia në qendër e personit. Që do të thotë të kemi një mënyrë të re me të cilën kuptojmë ekonominë, politikën, rritjen dhe progresin, duke e kapërcyer kulturën e skartimit.
  2. Të investojmë energjitë më të mira me kreativitet dhe përgjegjësi, duke e kapërcyer ngutin dhe duke i dhënë hapësirën dhe kohën e mjaftueshme dialogut dhe reflektimit.
  3. Formimi i personave të gatshëm t’i shërbejnë komunitetit, duke kapërcyer individualizmin dhe egoizmin në të gjitha fushat.
  4. Nuk mungon në brendësi të “fshatit edukues” ajo që Ati i Shenjtë e përcakton si “shtëpia e përbashkët”, bota e krijuar që duhet ta duam dhe ta mbrojmë.

Qëllimi i së tërës në fund është të krijojmë një botë më të mirë me persona më të mirë.

Lë të provojmë të imagjinojmë se ç do të thotë e gjitha kjo për kontekstin tonë shqiptar që, më tepër se shumë vende të tjera, ka bërë një hov nga “asgjëja” në “gjithçka” në erën digjitale, pa përjetuar kalimet që popujt e tjerë i kanë përjetuar në kohë të ndryshme.

Më tepër se shumë popuj të tjerë, i yni, është subjekt i rreziqeve që Papa Francesku na paraqet, e ndaj me tepër se çdo popull tjetër kemi nevojën e një Pakti Edukativ që gjeneron dialog per identifikimin e risqeve që na kanosen (e që mbase tashme dhe po i jetojmë) dhe të jemi të hapur ndaj skenareve të reja të mundshme, që nuk janë ato të zakonshmet me të cilët jemi mësuar, ku personi njerëzor është viktimë e logjikave dhe i interesave politike dhe ekonomike, ku burimet njerëzore më të mira largohen nga vendi, dhe angazhimi i individëve ka në fokus vetëm arritjet e menjëhershme dhe egoiste në kurriz të së mirës së përbashkët, ku jemi larg me mijëra kilometra nga përkujdesja dhe vlerësimi i burimeve natyrore në dispozicion, veçse për një shfrytëzim, madje, hera herës,  i “shesim lirë” dhe tek të tretë.

Ende nuk po flitet për të gjitha këto por shpejt, jemi të sigurt, “fshati i edukimit” do të jetë subjekt diskutimi dhe vemendje për të gjithë, përfshirë dhe ne, si Kishë në Shqipëri. Shpejt do të dimë të përfshihemi në këtë iniciativë të bukur të Franceskut.

Urime dhe njëherë në misionin tuaj e Ju përcjell bekimin tim atëror.

+ ANGELO MASSAFRA OFM

Arqipeshkëv Metropolit i Shkodër-Pult

President i Komisionit për Shkollat Katolike në Shqipëri