Scroll Top
19th Ave New York, NY 95822, USA

Udhëtimi Apostolik i Shenjtërisë së tij Françesku në Emiratet e Bashkuara Arabe (3˗5 shkurt 2019)

TAKIM NDËRFETAR

LIGJËRATA E ATIT TË SHENJTË FRANÇESKU

Founders’s Memorial (Abu Dhabi)

E hënë, më 4 shkurt 2019

Al SalamòAlaikum! Paqja qoftë me ju!

Falënderoj nga zemra Madhërinë e Tij Sheikun Mohammed bin Rashid Al Maktoum dhe Doktor Ahmad Al˗Tayyib, Imami i Madh i Al˗Azhar, për fjalët e tyre. I jam mirënjohës Këshillit të Pleqve për takimin që pak më përpara kemi pasur, tek Xhamia e Sheikut Zayed.

Përshëndes përzemërsisht edhe Zotin AbdAl˗Fattah Al˗Sisi, President i Republikës Arabe të Egjiptit, tokë e Al˗Azhar˗it. Përshëndes përzemërsisht Autoritetet civile dhe fetare dhe Trupin diplomatik. Më lejoni edhe një falënderim të sinqertë për mikpritjen e ngrohtë që të gjithë kanë rezervuar për mua dhe për delegacionin tonë.

Falënderoj edhe të gjithë personat që kanë kontribuar që ta bëjnë të mundshëm këtë udhëtim dhe që kanë punuar me përkushtim, entuziazëm dhe profesionalitet për këtë ngjarje: organizatorët, personeli i Protokollit, ai i Sigurisë dhe të gjithë ata që në mënyra të ndryshme kanë dhënë kontributin e tyre “në prapaskenë”. Një falënderim të veçantë për Zn. Mohamed Abdel Salam, këshilltar i Imamit të Madh.

Nga atdheu juaj u drejtohem të gjitha Vendeve të këtij Gadishulli, të cilave dua t’u drejtoj përshëndetjen time më të përzemërt, me miqësi dhe vlerësim.

Me shpirt mirënjohës ndaj Zotit, në tetëqindvjetorin e takimit mes Shën Françeskut të Asizit dhe sulltanit al˗Malik al˗Kāmil, kam pranuar mundësinë të vij këtu si besimtar i etur për paqe, si vëlla që kërkon paqen me vëllezërit. Të dëshirojmë paqen, të nxisim paqen, të jemi instrumente paqeje: për këtë jemi këtu.

Logoja e këtij udhëtimi paraqet një pëllumb me një degë ulliri. Është një imazh që na sjell ndër mend tregimin e përmbytjes së zanafillës, i pranishëm në tradita të ndryshme fetare. Sipas tregimit biblik, për ta ruajtur njerëzimin nga shkatërrimi, Hyji i kërkon Noehut të hyjë në arkë me familjen e tij. Edhe ne sot, në emër të Hyjit, për të mbrojtur paqen, kemi nevojë të hyjmë së bashku, si një familje e vetme, në një arkë që mund të çajë detet në stuhi të botës: arkën e vëllazërisë.

Pika e nisjes është të njohim se Hyji është në zanafillën e familjes së vetme njerëzore. Ai, që është Krijuesi i gjithçkaje dhe i të gjithëve, do që të jetojmë si vëllezër e motra, duke banuar shtëpinë e përbashkët të krijimit që Ai na e ka dhuruar. Themelohet këtu, në rrënjët e njerëzimit tonë të përbashkët, vëllazëria, si «thirrje e përmbajtur në planin krijues të Hyjit»[1]. Ajo na thotë se të gjithë kemi dinjitet të barabartë dhe që askush nuk mund të jetë padron apo skllav i tjetrit.

Nuk mund të nderohet Krijuesi pa ruajtur shenjtërinë e çdo personi dhe të çdo jete njerëzore: secili është njësoj i çmueshëm në sytë e Hyjit. Sepse Ai nuk e shikon familjen njerëzore me një shikim preference që përjashton, por me një shikim dashamirësie që përfshin. Ndërkaq, t’u njihen të gjitha qenieve njerëzore të njëjtat të drejta është t’i japësh lavdi Emrit të Hyjit mbi tokë. Në emër të Hyjit Krijues, pra, duhet dënuar pa ngurrim çdo formë dhune, sepse është një përdhosje e rëndë e Emrit të Hyjit nëse e përdorim për të justifikuar urrejtjen dhe dhunën kundër vëllait. Nuk ekziston dhunë që të mund të justifikohet nga ana fetare!

Armik i vëllazërisë është individualizmi, që përkthehet në vullnetin për të pohuar vetveten dhe grupin personal mbi të tjerët. Është një rrezik që kërcënon të gjitha aspektet e jetës, madje edhe të drejtat më të larta dhe të lindura të njeriut, siç janë hapja ndaj transhendentes dhe religjozitetit. Religjoziteti i vërtetë qëndron në dashurinë për Hyjin me gjithë zemër dhe në dashurinë si për vetveten për të afërmin. Sjellja fetare ka, pra, nevojë te pastrohet vazhdimisht nga tundimi i herëpashershëm për të gjykuar të tjerët si armiq dhe kundërshtarë. Secili besim është i thirrur të kapërcejë hendekun mes miqve dhe armiqve, për të marrë perspektivën e Qiellit, që i përqafon njerëzit pa privilegje dhe diskriminime.

Dëshiroj, prandaj, të shpreh vlerësim për angazhimin e këtij Vendi për tolerimin dhe garantimin e lirisë së kultit, duke përballuar ekstremizmin dhe urrejtjen. Duke bërë kështu, ndërsa nxitet liria themelore për të shpallur besimin personal, nevojë e brendshme për realizimin e vetë njeriut, vigjilohet edhe që feja të mos instrumentalizohet dhe të rrezikojë, duke pranuar dhunën dhe terrorizmin, duke mohuar vetveten.

Vëllazëria, sigurisht, «shpreh edhe larminë dhe ndryshimin që ekziston mes vëllezërve, megjithëse të lidhur nga lindja e duke pasur të njëjtën natyrë dhe të njëjtin dinjitet»[2]. Larmia fetare vjen si rrjedhojë. Në një kontekst të tillë qëndrimi i drejtë nuk është as uniformiteti i detyruar, as sinkretizmi pajtues: ajo që jemi të thirrur të bëjmë, si besimtarë, është të angazhohemi për dinjitetin e barabartë të të gjithëve, në emër të Mëshiruesit që na ka krijuar e në emër të të cilit duhet kërkuar shërimi i kontrasteve dhe vëllazëria në larmi. Do të doja këtu të ritheksoj bindjen e Kishës Katolike: «Nuk mund të thërrasim Hyjin si Atë të të gjithë njerëzve, nëse refuzojmë të sillemi si vëllezër ndaj disave prej njerëzve që janë krijuar në përngjasimin e Hyjit»[3].

Pyetje të ndryshme, gjithashtu, imponohen: si të mbrohemi në mënyrë të ndërsjellë në familjen e vetme njerëzore? Si të ushqejmë një vëllazëri jo teorike, që të përkthehet në vëllazëri autentike? Si të bëjmë që të fitojë përfshirja e tjetrit mbi përjashtimin në emër të përkatësisë personale? Si, pra, fetë mund të jenë kanale vëllazërie në vend që të jenë barriera ndarjeje?

Familja njerëzore dhe guximi i tjetërsisë

Nëse besojmë në ekzistencën e familjes njerëzore, vijon fakti se ajo, si e tillë, duhet ruajtur. Si në çdo familje, kjo ndodh para së gjithash nëpërmjet një dialogu të përditshëm dhe efektiv. Ai presupozon identitetin personal, nga i cili nuk duhet hequr dorë për t’i pëlqyer tjetrit. Por në të njëjtën kohë kërkon guximin e tjetërsisë[4]që përbën pranimin e plotë të tjetrit dhe të lirisë së tij, dhe angazhimin pasues që të shpenzohem që të drejtat e tij themelore të mbrohen gjithmonë, kudo dhe nga kushdo. Sepse pa liri nuk jemi më bij të familjes njerëzore, por skllevër. Mes lirive do të doja të nënvizojë atë të fesë. Ajo nuk kufizohet vetëm me lirinë e kultit, por sheh në tjetrin me të vërtetë një vëlla, një bir të vetë njerëzimit tim që Hyji e lë të lirë dhe që ndërkaq asnjë institucion njerëzor nuk mund ta detyrojë, as në emër të tij.

Dialogu dhe lutja

Guximi i tjetërsisë është shpirti i dialogut, që bazohet mbi sinqeritetin e qëllimeve. Në fakt, dialogu është i rrezikuar nga shtirja, që rrit largësinë dhe dyshimin: nuk mund të shpallet vëllazëria e pastaj të veprohet në kahun e kundërt. Sipas një shkrimtari modern, «kush e gënjen vetveten dhe dëgjon gënjeshtrat e veta, arrin në pikën sa të mos dallojë të vërtetën, as brenda vetes, as përreth vetes, e kështu fillon të mos ketë më vlerësim as për vetveten, as për të tjerët»[5].

Në gjithë këtë lutja është e domosdoshme: ajo, ndërsa mishëron guximin e tjetërsisë në lidhje me Hyjin, në sinqeritetin e qëllimit, pastron zemrën nga përkulja mbi vetveten. Lutja e bërë me zemër i jep fuqi vëllazërisë. Prandaj, «lidhur me të ardhmen e dialogut ndërfetar, gjëja e parë që duhet të bëjmë është të lutemi. Dhe të lutemi për njëri˗tjetrin: jemi vëllezër! Pa Zotin, asgjë nuk është e mundur; me Të, gjithçka bëhet e mundur! Dashtë Zoti që lutja jonë ˗ secili sipas traditës së vet ˗ të mund të përputhet plotësisht me vullnetin e Hyjit, i cili dëshiron që të gjithë njerëzit të pranohen si vëllezër e të jetojnë si të tillë, duke formuar familjen e madhe njerëzore në harmoninë e larmisë»[6].

Nuk ka alternativë: o do të ndërtojmë së bashku të ardhmen ose nuk do të ketë të ardhme! Fetë, në mënyrë të veçantë, nuk mund ta mohojnë detyrën urgjente për të ndërtuar ura mes popujve dhe kulturave. Ka ardhur koha në të cilën fetë duhet të shpenzojnë energji më aktivisht, me guxim dhe zell, pa shtirje, për të ndihmuar familjen njerëzore që të pjekë aftësinë e pajtimit, vizionin e shpresës dhe itineraret konkrete për paqe.

Edukimi dhe drejtësia

Le të kthehemi kështu në imazhin fillestar të pëllumbit të paqes. Edhe paqja, për t’u ngritur fluturim, ka nevojë për krahë që ta mbështesin.  Krahët e edukimit dhe të drejtësisë.

Edukimi ˗ në latinisht tregon veprimin e nxjerrjes, nxjerr jashtë ˗ është të sjellësh në dritë pasuritë e çmueshme të shpirtit. Është ngushëlluese të konstatohet se si në këtë Vend nuk investohet vetëm për nxjerrjen e pasurive të tokës, por edhe mbi ato të zemrës, mbi edukimin e të rinjve. Është një angazhim që uroj të vazhdojë e të përhapet tjetërkund. Edhe edukimi ndodh në marrëdhënie, në ndërsjellshmëri. Parimit të famshëm antik “njih vetveten!” duhet t’i vëmë pranë “njih vëllain!”: historinë e tij, kulturën e tij dhe besimin e tij, sepse nuk ka njohje të vërtetë të vetes pa tjetrin. Si njerëz, e akoma më shumë si vëllezër, t’ia kujtojmë njëri˗tjetrit se asgjë prej asaj që është njerëzore nuk mund të na qëndrojë si e huaj[7]. Është e rëndësishme për të ardhmen të formojmë identitete të hapura, të afta që ta mundin tundimin për t’u përkulur mbi vetveten e për t’u ashpërsuar.

Të investohet mbi kulturën favorizon një rënie të urrejtjes dhe një rritje të qytetërimit e të mirëqenies. Edukim e dhunë janë në përpjesëtim të anasjelltë. Institutet katolike ˗ mjaft të vlerësuar edhe në këtë Vend e në rajon ˗ nxisin një edukim të tillë për paqen e për njohjen e ndërsjellë për të parandaluar dhunën.

Të rinjtë, shpeshherë të rrethuar nga mesazhe negative dhe fake news, kanë nevojë të mësojnë të mos u nënshtrohen joshjeve të materializmit, të urrejtjes dhe të paragjykimeve; të mësojnë për të reaguar ndaj padrejtësisë dhe edhe përvojave të dhembshme të së kaluarës; të mësojnë për të mbrojtur të drejtat e të tjerëve me të njëjtën forcë me të cilën mbrojnë të drejtat e veta. Do të jenë ata, një ditë, që do të na gjykojnë: mirë, pra, nëse do t’u kemi dhënë atyre baza të forta për të krijuar takime të reja qytetërimi; keq, nëse do t’u kemi lënë atyre vetëm disa mirazhe dhe perspektivën e shkretë të përplasjeve të kobshme të mungesës së qytetërimit.

Drejtësia është krahu i dytë i paqes, e cila shpesh nuk është e kompromentuar nga episode të veçanta, por gllabërohet ngadalë nga kanceri i padrejtësisë.

Nuk është e mundur, pra, të besohet në Hyjin e të mos bëhen përpjekje për të jetuar drejtësinë me të gjithë, sipas rregullës së artë: «Gjithçka dëshironi t’ju bëjnë juve njerëzit, bëjuani edhe ju atyre! Ja, vërtet Ligji e Profetët!» (Mt. 7, 12).

Paqja dhe drejtësia janë të pandashme! Profeti Isaia, thotë:  «Fryti i drejtësisë ‑ paqja do të jetë» (Is. 32, 17). Paqja vdes kur ndahet nga drejtësia, por drejtësia rezulton e rremë nëse nuk është universale. Një drejtësi e drejtuar vetëm ndaj familjarëve, bashkëatdhetarëve, besimtarëve të së njëjtës fe është një drejtësi që çalon, është një padrejtësi e maskuar!

Fetë kanë edhe detyrën që të vënë në pah se lakmia e përfitimit i bën zemrat të pajetë dhe se ligjet e tregut aktual, duke kërkuar gjithçka dhe menjëherë, nuk e ndihmojnë takimin, dialogun, familjen, dimensionet thelbësore të jetës që kanë nevojë për kohë dhe durim. Fetë le të jenë zëri i atyre që janë të fundit, që nuk janë statistika, por vëllezër, e të jenë nga ana e më të varfërve; të rrinë zgjuar si rojtarë të vëllazërisë në natën e konflikteve, të jenë kujtime vigjiluese që njerëzimi të mos mbyllë sytë përballë padrejtësive e të mos dorëzohet kurrë përballë dramave të shumta të botës.

Shkretëtira që lulëzon

Pasi kam folur për vëllazërinë si arkë e paqes, do të doja tani të frymëzohem nga një imazh i dytë, ai i shkretëtirës, që na mbështjell.

Këtu, në pak vite, me largpamësi dhe dije, shkretëtira është shndërruar në një vend të lulëzuar dhe mikpritës; shkretëtira është bërë, nga pengesë e pakalueshme dhe e paarritshme, vend takimi mes kulturave dhe feve. Këtu shkretëtira ka lulëzuar, jo vetëm për disa ditë në vit, por për shumë vite në vazhdim. Ky Vend, në të cilin rërë dhe qiellgërvishtës takohen, vazhdon të jetë një udhëkryq mes Perëndimit dhe Lindjes, mes Veriut dhe Jugut të planetit, një vend zhvillimi, ku hapësira, dikur të pabanueshme, rezervojnë vende pune për persona nga kombe të ndryshme.

Edhe zhvillimi, gjithashtu, ka kundërshtarët e vet. Dhe nëse armik i vëllazërisë ishte individualizmi, do të doja të tregoja se si është pengesë për zhvillimin indiferenca, që arrin të shndërrojë realitetet e lulëzuara në rrënoja të shkreta. Në fakt, një zhvillim krejtësisht utilitar nuk jep progres real dhe që zgjat. Vetëm një zhvillim i plotë dhe i ndërlidhur ka një të ardhme të denjë për njeriun. Indiferenca pengon që të shikohet bashkësia njerëzore përtej përfitimeve dhe vëllain përtej punës që zhvillon. Indiferenca, në fakt, nuk shikon për të nesërmen; nuk kujdeset për të ardhmen e krijimit, nuk ka kujdes për dinjitetin e të huajit dhe për të ardhmen e fëmijëve.

Në këtë kontekst përgëzohem se pikërisht këtu në Abu Dhabi, në nëntorin e kaluar, është zhvilluar Forumi i parë i Besëlidhjes ndërfetare për Bashkësi më të sigurta, mbi temën e dinjitetit të fëmijës në erën dixhitale. Kjo ngjarje ka mbledhur mesazhin e hedhur, një vit më parë, në Romë në Kongresin ndërkombëtar mbi të njëjtën temë, së cilës i kisha dhënë gjithë mbështetjen dhe inkurajimin tim. Falënderoj, pra, të gjithë udhëheqësit që angazhohen në këtë fushë dhe siguroj mbështetjen, solidaritetin dhe pjesëmarrjen time e të Kishës Katolike në këtë çështje tejet të rëndësishme të mbrojtjes së të miturve në të gjitha shprehjet e saj.

Këtu, në shkretëtirë, është hapur një udhë zhvillimi pjellore që, duke filluar nga puna, iu ofron shpresë shumë personave nga popuj, kultura dhe besime të ndryshme. Mes tyre, edhe shumë të krishterë, prania e të cilëve në rajon shkon pas në shekuj, kanë gjetur mundësinë dhe kanë sjellë një kontribut domethënës në rritjen dhe në mirëqenien e Vendit. Përveç aftësive profesionale, sjellin pastërtinë e besimit të tyre. Respekti dhe tolerance që takojnë, ashtu sikurse edhe vendet e nevojshme të kultit ku luten, u lejon atyre atë pjekuri shpirtërore që është pastaj në të mirën e krejt shoqërisë. Inkurajoj të ecet në këtë rrugë, në mënyrë që të gjithë ata që jetojnë këtu ose që janë kalimtarë të ruajnë jo vetëm imazhin e veprave të mëdha të lartësuara në shkretëtirë, por të një kombi që përfshin dhe përqafon të gjithë.

Është me këtë shpirt që, jo vetëm këtu, por në të gjithë rajonin e dashur dhe nevralgjik të Lindjes së Mesme, uroj mundësi konkrete takimi: shoqëri ku persona nga fe të ndryshme të kenë të njëjtën të drejtë nënshtetësie dhe ku vetëm dhunës, në çdo formë të saj, t’i hiqet një e drejtë e tillë.

Një bashkëjetesë vëllazërore, e themeluar mbi edukimin dhe mbi drejtësinë; një zhvillim njerëzor, i ndërtuar mbi përfshirjen mikpritëse dhe mbi të drejtat e të gjithëve: këto janë fara të paqes, që fetë janë të thirrura që t’i bëjnë të mbinë. Atyre, mbase si asnjëherë në të kaluarën, u takon, në këtë ngushticë delikate historike, një detyrë jo më e kthyeshme: të kontribuohet aktivisht për çmilitarizuar zemrën e njeriut. Vrapimi drejt armatimeve, zgjerimi i zonave personale të ndikimit, politikat agresive në dëm të të tjerëve nuk do të sjellin kurrë qëndrueshmëri. Lufta nuk di të krijojë tjetër përveçse mjerim, armët asgjë tjetër përveçse vdekje!

Vëllazëria njerëzore kërkon prej nesh, përfaqësues të feve, detyrën për të dëbuar çdo nuancë të aprovimit të fjalës luftë. Le t’ia dorëzojmë mizorisë së saj të mjerueshme! Në sytë tanë janë rrjedhojat e kobshme. Mendoj në mënyrë të veçantë për Yemen, Sirinë, Irakun dhe Libinë. Së bashku, vëllezër në familjen e vetme njerëzore të dashur nga Hyji, të angazhohemi kundër logjikës së forcave të armatosura, kundër kthimit në para të marrëdhënieve, armatosjes së kufijve, lartësimit të mureve, mbylljes së gojës së të varfërve; gjithë kësaj i kundërvihemi me forcën e ëmbël të lutjes dhe angazhimin e përditshëm në dialog. Të qenurit tonë së bashku sot le të jetë një mesazh besimi i plotë, një inkurajim për të gjithë njerëzit me vullnet të mirë, që të mos dorëzohen ndaj përmbytjeve të dhunës dhe shkretimit të altruizmit. Hyji është me njeriun që kërkon paqen. Dhe nga qielli bekon çdo hap që, në këtë rrugë, kryhet mbi tokë.

Përktheu: Nikolin Sh. Lëmezhi

[1] Benedikti XVI, Discorso a nuovi Ambasciatori presso la Santa Sede, 16 dhjetor 2010.

[2] Mesazhi për kremtimin e Ditës Botërore të Paqes, 1 janar 2015, 2.

[3] Dichiarazione sulle relazioni della Chiesa con le religioni non cristiane Nostra aetate, 5.

[4] Krh.Ligjërata drejtuar pjesëmarrësve në Konferencën Ndërkombëtare për Paqen, Al˗Azhar Conference Center, Kairo, më 28 prill 2017.

[5] F. M. Dostojevski, Vëllezërit Karamazov, II, 2, Milano 2012, 60.

[6] Udienza Generale interreligiosa, 28 tetor 2015.

[7] Krh. Terenzio, Heautontimorumenos I, 1, 25.