Historike vizita e të dielën 27 shkurt 2022 në Famullinë e San Donato-s në Livizzano, e Imzot Angelo Massafra-s Arqipeshkëv Metropolit i Shkodër-Pultit dhe President i Konferencës Ipeshkvnore të Shqipërisë. Arqipeshkvi ndodhej në Itali, në Firence, për të marrë pjesë në konferencën ndërkombëtare “Mesdheu kufi paqeje”, takim midis ipeshkvijve dhe kryetarëve të bashkive, promovuar nga Konferenca Ipeshkvnore Italiane.
Imzot Massafra, para se të kthehej në Ballkan, vizitoi Famullinë e Montespertolit, ku u prit nga famullitari Dom Cristian Meriggi dhe ku të pranishëm ishin Presidenti dhe anëtarët e Shoqatës Kombëtare të Karabinierëve vendorë.
Arqipeshkvi takoi shumë besimtarë shqiptarë, të cilët kishin ardhur nga krahina të ndryshme të Toskanës për të takuar kardinalin Ernest Simoni, i cili vjen pikërisht nga Arqidioqeza e Shkodër-Pultit.
Emocionues përqafimi mes Kardinalit Simoni dhe Arqipeshkvit Massafra, i cili me përzemërsi vëllazërore përshëndeti “Dom Ernestin”, të cilin e kishte njohur në fillim të viteve ’90, pak kohë pasi ky kishte dalë nga burgu, falë rënies së regjimit ateist komunist shqiptar, që për dekada me radhë kishte përndjekur klerin dhe të gjitha besimet fetare të pranishme në vend.
Imzot Massafra, kujtoi ardhjen e tij në Shqipëri, kur nga Italia, atdheu i tij, mbërriti mes popullit shqiptar, duke takuar Imzot Nikollë Troshanin, i cili një muaj para se të kthehej në shtëpinë e Atit, kishte shkuar për vizitë në San Donato në Livizzano, në pranverën e vitit 1994. Imzot Troshani, i vetmi Arqipeshkëv shqiptar që i mbijetoi përndjekjes së regjimit, u prit me dashuri dhe devocion nga Dom Mario Boretti, i cili u emocionua së bashku me besimtarët, pasi dëgjoi çfarë kishte hequr gjatë viteve të burgut.
Kardinali Simoni dhe Imzot Massafra gjatë kremtimit solemn u lutën për paqen dhe për reshtjen e konfliktit në Ukrainë, në mënyrë që t’i jepet fund çdo lufte në botë, në mënyrë që çdo njeri të jetojë në paqe, bashkim dhe harmoni. Hirësia e tij, para se të mbërrinte në San Donato, në mëngjes, kishte marrë pjesë në Meshën e shenjtë solemne për mbylljen e kuvendit, në Bazilikën e Santa Croce-s në Firence, ku u prit me shumë dashuri nga patriarkët dhe ipeshkvijtë e shumtë, që kishin ardhur në qytetin toskan për kuvendin.
Një përqafim i ngrohtë mes kardinalit të cilësuar nga Papa Françesku si “martir i gjallë” dhe Presidentit të Republikës Sergio Mattarella, të cilin e kishte njohur tre vjet më parë gjatë një vizite private në rezidencën e tij zyrtare.
Nga: www.gonews.it