Shumë të dashur vëllezër e motra,
përkujtimi liturgjik i shën Markut ungjilltar ka për ne, këtë vit, shijen e përkujtimit mirënjohës ndaj Zotit për rilindjen e Kishës Katolike në Shqipëri kur, 25 vjet më parë, shën Gjon Pali II rithemeloi episkopatin shqiptar duke shuguruar ipeshkvijtë e parë pas periudhës së trishtuar dhe të errët të diktaturës komuniste. Dhe ky jubile arrin, në mënyrë provanore, një vit pas kujtimit të trishtueshëm të 50-vjetorit të dekretit të mbylljes së kishave të zbatuar nga diktatori.
Të dashur, edhe 20 vjet përpara, si sot, kam filluar t’i shëbej kësaj Arqidioqeze si Arqipeshkëv, për këtë falënderoj, së bashku me ju, Krishtin “Bariu i Mirë” dhe Papa Shën Gjon Palin e Dytë qoftë për shugurimin Ipeshkvor qoftë për këtë emërim.
Nga Pashka e Krishtit kemi sigurinë e vërtetësisë së misterit pashkor që Kisha dhe të Krishterët jetojnë gjithmonë: pra misterin e vdekjes dhe i lavdisë, në një alternim që ritmon ekzistencën tonë në ecje drejt Atdheut qiellor.
Por për përkujtim e lumë të Ardhjes së Papës, do të kemi rastin të flasim nesër, kur së bashku, si bashkësi kishtare e gjithë Shqipërisë do t’i shprehim falënderimin tonë Zotit në kremtimin solemn eukaristik që do të përjetojmë pranë Shenjtërores së Zojës së Këshillit të Mirë.
Sot duam të ndalemi të reflektojmë në lidhje me gjallërinë e Kishës sonë në ditët tona që, në shëmbëlltyrë të Kishës së parë, është e thirrur gjithmonë që “të rithemelohet” mbi elementet përbërëse që e karakterizojnë. Në fund të fundit, pikërisht këtë jemi duke u përpjekur të bëjmë në Kishën tonë:në Letrën Baritore që ju kam dërguar përmbahet Projekti Baritor Trevjeçar që, edhe një herë, ju ftoj ta merrni në duar për ta aktualizuar; si dhe nëpërmjet reformës së zyrave të Kuries dioqezane dhe funksionalitetit të tyre nuk dëshirojmë të bëjmë një operacion thjesht burokratik, por një veprim të frymëzuar prej Ungjillit dhe prej Traditës së Kishës së gjithëmbarshme.
Ungjilli që shpallëm, megjithëse bëhet fjalë për një shtesë në bërthamën origjinale të Ungjillit të shën Markut që duhej ta përfundonim me shpalljen e centurionit: “Ky njeri paska qenë me të vërtetë Biri i Hyjit!”, na flet për natyrën misionare të Kishës. Nuk ekziston dishepullat, pra nuk ekziston Kishë, pa mision. Prandaj Projekti baritor që kemi përgatitur për këta tre vjet shtjellohet përreth rifitimit të identitetit tonë të krishterë, të mbështetur në njohjen e Jezusit, dhe do të përfundojë pikërisht me angazhimin misionar që jemi të thirrur të marrim përsipër të gjithë personalisht: një ecje pas personit të gjallë të të Ringjallurit që, sot, na ka përsëritur: “Shkoni, predikoni, pagëzoni që të shëlbohen!”.
E megjithatë duhet të bëjmë kujdes që të mos e ngatërrojmë urdhrin e Zotërisë me një ftesë për të bërë proselitizëm: veprimi misionar buron, siç po thoshim, prej kuptimit të identitetit tonë si të Krishterë duke iu referuar Krishtit. Prej këtu buron jeta e re në të Ringjallurin që bëhet për jo besimtarët një dëshmi e gjallë që i mahnit dhe i tërheq njerëzit nga Krishti. Detyra e besimtarit është të dëshmojë dhe të sjellë Krishtin. Të tjerat do t’i bëjë Ai me fuqinë e Shpirtit Shenjt.
Dhe se cila është jeta e re e të Krishterit na e ka përshkruar qartë shën Pjetri në leximin e parë: para së gjithash përvujtëria që është garanci e dashurisë vëllazërore, e vetmja formë me të vërtetë e fuqishme e dëshmisë. Vetë Jezusi ka thënë: “Nëse e doni njëri-tjetrin të gjithë do t’ju njohin se jeni nxënësit e mi”. Pra, jo zotësia e besimtarit si individ (qoftë ai laik, i kushtuar apo meshtar) por forca e një bashkësie të karakterizuar prej dashurisë vëllazërore.
Në radhë të dytë besimi në dorën provanore të Hyjit, vazhdimisht të shtrirë drejt bijve të vet për të cilët ka kujdes dhe të cilët nuk i lë kurrë vetëm në vështirësi. Pas çdo veprimtarie tonë, qoftë si individë qoftë si bashkësi të krishtera, duhet, pra, t’i lejojmë Hyjit të veprojë me fuqinë e vet dhe jo me demostrimet tona të forcës. Ta kujtojmë gjithmonë atë fjalë të Jezusit që thotë: “Pa mua nuk mund të bëni asgjë”.
Në radhë të tretë përndjekja. Po, vëllezër e motra: përndjekja! Është diçka e vështirë për t’u pranuar që për të qenë nxënës të Krishtit duhet edhe të pësojmë përndjekje, por është një realitet: një dëshmi e mirë nuk mund të jetë e tillë nëse nuk kalon nëpër përndjekje. Jezusi thotë: “nëse mua më salvuan, edhe ju do t’ju salvojnë”. Shën Pjetri i nxit besimtarët të jenë të qëndrueshëm përballë përndjekjeve të pësuara për shkak të Jezusit. Dhe, nga ana tjetër, ne kemi disa shembuj shprehës në figurat e Martirëve tanë. Nuk mundemi vetëm ta mbushim gojën me fjali të gatshme si ato që kemi përdorur me rastin e lumnimit të tyre: “Gjaku i martirëve është fara e të krishterëve”. Kjo është një e vërtetë që ka lidhje me secilin prej nesh dhe që duhet të jemi të gatshëm e të kujdesshëm ta pranojmë në jetën tonë si individë dhe si bashkësi.
Kush ka sy dhe veshë të hapur ndaj fesë do të dijë t’i lexojë të gjitha format e përndjekjes të cilave u nënshtrohemi sot dhe që shpesh nuk janë aq të dukshme… e megjithatë, ekzistojnë, duke filluar nga ato që shoqëria na imponon kur, për shembull, do të donte të na bënte të bëjmë kompromise me stile jete që nuk kanë asgjë ungjillore. Edhe përballë këtij lloji përndjekjeje jemi të thirrur të japin përgjigjen tonë si të krishterë të bindur dhe të qëndrueshëm në fe.
Por, përveç përndjekjes, Ungjilli i sotëm na ka përshkruar edhe disa veprime që karakterizojnë besimtarin: “Në emër tim do t’i dëbojnë djajtë, do të flasin gjuhë të reja; në duar do t’i marrin gjarpërinjtë e, nëse do të pijnë ndonjë gjë që sjell vdekjen, nuk do t’u bëjë keq. Do t’i vënë duart mbi të sëmurë, e këta do të shërohen”. Fitorja mbi të keqen dhe realizimi i së mirës janë mundësi konkrete që secili prej nesh mund t’i vërë në veprim në jetën e vet.
Por edhe në bashkësinë e krishterë kjo fitore mbi të keqen është e mundur kur jetojmë jetën sakramentale: pagëzimin me heqjen dorë prej së keqes dhe prej mëkatit, rrëfimin që na vë përsëri në bashkim me Hyjin dhe me Kishën, vajimin e të sëmurëve për faljen e mëkateve dhe shëndetin e trupit e, mbi të gjitha, Eukaristinë. Edhe Sakramentet janë rast për të dëshmuar fenë tonë në Zotërinë e Ringjallur, por, në atë masë në të cilën jetohen mirë. Kujdesi për kremtimet tona liturgjike, edhe kur nuk bëhen me solemnitet, e lejon gjithë këtë. Nuk duhet të harrojmë se shën Agustini shkruan në Rrëfimet e tij se pjesëmarrja në liturgjinë e Kishës ka qenë një prej dëshmive më të bukura që ka marrë dhe që e ka lehtësuar kthimin e tij nga Krishti.
Vëllezër e motra, ndërsa po bëhemi gati të kremtojmë përvjetorët tanë të mos lëmë pa u kujdesur për bashkimin tonë me Krishtin, pra, për rifitimin e identitetit tonë dhe misionin e mrekullueshëm që na takon pikërisht pse jemi nxënës të tij dhe anëtarë të Kishës. Nëse do të mbajmë parasysh të gjitha këto elemente në kremtimet tona, do të kemi edhe mundësinë të dëshmojmë dhe t’i tërheqim të gjitha nga Krishti; vetëm të cilit i qoftë lavdi e ndera për të gjithë shekujt e shekujve. Amen.