Scroll Top

Përvjetori i 30° i kremtimit të meshës së parë në Varrezat të Rremaj – Shkodër

PËRVJETORI I 30° I KREMTIMIT TË MESHËS SË PARË

 NË VARREZAT TË RREMAJ – SHKODËR

04/11/1990 – 04/11/2020

(Imzot Angelo Massafra OFM)

             Në këtë Kishë Katedrale, më 25 prill 1993, Papa Shen Gjon Pali II ka kremtuar meshën, në të cilën shuguroi katër ipeshkvij, ndër të cilët ishin Imzot Fran Illia dhe Imzot Zef Simoni, ipeshkvi ndihmës. Në homelinë që Papa bëri në atë meshë ka cituar pesë herë fjalët e Psalmit 118: Kjo është dita që na e dhuroi Zoti.

            Kishte arsye të gëzohej Papa Shen Gjon Pali, duke parë këtë Kishë Katedrale, që vetëm deri tri vite më parë shoku diktator e kishte shndërruar në Pallat sporti, por tani ishte plotë me besimtarë të lumtur të pranishëm për ngjalljen e hierarkisë së Kishës së Krishtit në Shqipëri.

            Të gjithë jeni në dijeni për urrejtjen e madhe që diktatori kishte ndaj Kishës Katolike, për dy arsye. Së pari, sepse, sipas tij, katolikët ishin spiunët e Vatikanit (kinse Vatikani ishte një super fuqi!). Së dyti, sepse, në vetë fjalët e tij, “katolikët, sidomos klerikët e tyre, janë më të pasur në libra, më të ngritur dhe ata, atje ku mundin vazhdojnë ta zhvillojnë fenë katolike”. Dhe, në një fjalim tjetër, tha: “Të gjithë hierarkët e kishës katolike, nga më kryesori deri te xhakoi e te famullitari, ishin të mësuar, të shkolluar me shkollë teologjike”. Si çdo diktator, ai kishte frikë nga intelektualët, dhe e dimë sa shumë intelektualët katolikë kanë ndikuar pozitivisht në kulturën e këtij vendi. Por nderi ynë i madh si Kishë Katolike është fakti se klerikët tanë kanë duruar torturat e vdekjen pa pranuar asnjë kompromis me xhelatët komunistë. Nderi ynë është fakti se nuk i jemi përgjigjur mizorisë komuniste me shpirt hakmarrjeje, por me shpirt të krishterë. I ndjeri Imzot Zef Simoni diku ka shkruar: “Ndaj atyre që më kanë arrestuar dhe burgosur s’kam asnjë detyrë tjetër përveç faljes:i fal”.

            Sot po përkujtojmë atë ditë kur, para tridhjetë viteve, në kapelën e varrezave të Rëmaijt, Dom Simon Jubani me disa meshtare dhe besimtare te guxinshem sfiduan regjimin komunist duke kremtuar meshën e parë. Atë ditë, varrezat janë bërë dëshmitare të varrit të Krishtit, i cili, atë ditë të ngjalljes së Jezusit, ka marrë një fizionomi të re. Nga vendi i vdekjes u transformua në vend të ngjalljes. Atë ditë të meshës së parë, nga ato varre doli ajo këngë e këndshme: “Aleluja!”

            Në homelinë që Dom Simoni bëri në atë meshë ai tha: “Asht krejt logjike që Shkodra, e cila ka bajtë peshën ma të randë, të bahet nismëtare e të thejnë akullin e lirise te fesë, që ështe burimi i të gjitha të mirave materiale dhe shpirtnore”. Dhe pastaj vazhdoi: “Le t’i lusim shpirtnat e burgatorit që të na ndihmojnë me rindertue gjithshka asht shkaterrue dhe fitue gjithshka kemi humbë”. Dhe sot le ta falënderojmë Zotin, sepse kjo lutje u pranua dhe sot po shohim se kërkesa që ka bërë Dom Simoni atë ditë u krye. Sigurisht, shumë prej jush keni qenë deshmitarë duke parë se si monumente madhështore që armiqtë e Kishës kishin ndërtuar për veten tani po shkatërroheshin, ndërsa kishat që ata kishin shkatërruar po rindërtoheshin, madje po ndërtoheshin kisha të reja. Keni qenë dëshmitarë kur kjo kishë e madhe, tempull i Hyjit, vendi ku bashkohet familja e Krishtit për t’i kremtuar misteret e shenjta, u transformua, nga armiqtë e Zotit, në një fushë sportive.

            Në të njëjtën homeli në atë meshë të kremtuar tek varrezat, Dom Simoni tha: “Në ket Fush’ Rëmajit ka martirë, shejten të njoftun dhe të panjoftun”. Këto fjalë na kujtojnë martirët tanë, viktimë të atij sistemi komunist të Enverit që nuk ishte vetëm ateist, por më i keq se kaq: ishte anti-teist, ishte me të vërtetë një luftë kundër Zotit. Por, si ka thënë Papa Shen Pali VI, “një humanizëm pa Zotin është një humanizëm çnjerëzor, sepse pa Zotin njeriu mund ta ndërtojë botën, por në këtë rast do ta ndërtonte për shkatërrimin e vet”.

            Nesër do të jetë përvjetori i katërt kur Kisha ka shpallur të Lumët 38 martirët tanë, Vinçenc Prenushi dhe shokët. 34 prej tyre ishin meshtarë (ose klerikë), tre ishin burra, besimtarë laikë, dhe një vajzë njëzet e dy vjeçare, Marie Tuci, e vrarë barbarisht 70 vjet më parë, sepse ajo ishte një katekiste, postulante me Motrat Stigmatine.

            Renditur i pari në mesin e martirëve është Vinçenc Prendushi, ipeshkvi i fundit i Durrësit. Ai vdiq në burg, pasi kishte pësuar shumë tortura. Ai u akuzua si “armik i popullit”, “reaksionar”, “spiun i Vatikanit”, dhe u dënua me njëzet vjet burg, ku ai u torturua, fye dhe poshtërua në shumë mënyra të ndryshme, derisa vdiq.

            Papa Shen Gjon Pali II ka deklaruar se martirizimi i krishterë “i ka shoqëruar gjithmonë dhe vazhdon të shoqërojë jetën e Kishës, edhe sot”. Ai ka shkruar këto fjalë në vitin 1993, shumë kohë para lindjes të lëvizjeve anti-krishtera që janë shfaqur në këto dy dekadat e fundit.

            Në shoqërinë bashkëkohore, martirizimi merr një rëndësi akoma më të madhe dhe të veçantë. Në një botë që është ushqyer nga një mentalitet i shekullarizuar, martirizimi i tregon kësaj bote se ka vlera të vërteta që e bëjnë të vlefshme sakrificën e jetës së dikujt: Motivi i këtij vetëflijimi, domethënë dashuria për Krishtin dhe për të vërtetën.

            Në një fjalim të tij, Papa Shen Pali VI pyeti: “Për çfarë ka më shumë nevojë Kisha sot?” Dhe ai u përgjigj se në rrethanat e tanishme “Kisha ka nevojë për besimtarë të fortë”, domethënë, për njerëz të pajisur me virtytin e guximit. Shën Pali kishte paralajmëruar tashmë të krishterët e Romës: “Mos u pajtoni me frymën e kësaj bote”, që do të thotë se jeta e krishterë gjithmonë nënkupton një luftë kundër një mentaliteti të kësaj bote.

            Të dashur vëllezër dhe motra, ndihuni shumë të lumtur dhe fatlumë për faktin se e keni njohur Krishtin dhe keni vendosur ta ndiqni. Shikoni dhe vlerësoni shembujt e martirëve tanë: përballë torturave dhe vdekjes nuk kanë bërë asnjë kompromis me të keqen. Edhe ju, mos lejoni kurrë të bëheni vegla në duart e atyre që sot po luftojnë për eklipsin e Zotit, për një botë pa Zotin dhe pa moral. Ja pse sot po shohim një rritje të vrasjeve, të vetëvrasjeve, të përdorimit të drogës, të vjedhjeve, të përdhunimeve te ndryshem.

      Për të përfunduar më lejoni të bëj një thirrje të fortë të gjithëve, familjeve, të rinjëve dhe në veçanti atyre që janë angzhuar në politikën: sepse ngjarja e 4 nentorit 1990 nuk ka vetëm “valencë” (dhomëthënje) fetare por edhe politike:

      Sot jemi këtu jo vetëm për ta përkujtuar atë ngjarje dhe për vigjiljen e festës së të Lumëve tanë Vinçenc Prennushi me Shokë Martirë, por edhe për ta shikuar të sotmen tonë dhe për ta orientuar të ardhmen tonë si fetare dhe si qytetare në Shqipëri. Po, sepse nuk mund të jetojmë vetëm me kujtimet e të kaluarës nëse kjo nuk na rrënjos mirë në të sotmen dhe nuk na projekton drejt të ardhmes.

      Kjo do të thotë se ne sot, këtu dhe tani, i kemi në dorë fatet e jetës sonë, të Kombit tonë, të Kishës sonë: Martirët tanë të lumë dhe ata që na kanë paraprirë kanë qenë protagonistë të kohës së tyre dhe ecin përpara nesh si shembuj të ndritshëm të angazhimit civil dhe fetar; angazhim që na e kanë përçuar edhe neve dhe që ne e kemi marrë përsipër.

            Politikanët të dashur dhe të nderuar, ju lus, në emër të kësaj dite: kërkoni jo të mirën personale ose të partisë, por të mirën e popullit tonë; jepni, pas 30 viteve, një hov më të fort në angazhimin tuaj  për të shmangur çdo formë padrejtësie; bëni të çmosur që familjet tona, të rinj dhe të reja të ndihen vlerësuar dhe stimoluar për të qendruar këtu dhe për të dhënë kontributin e tyre për Shqipërinë tonë.

            Jemi një popull, jemi familja e Zotit në Shqipëri.

      T’ia kërkojmë këto hire Zotit gjatë këtij kremtimi për ndërmjetësin të Marisë, Nënës së Këshillit të Mirë, Mbrojtëses sonë qiellore, dhe për ndërmjetësi të Martirëve të Lumë: mbrojtjes së tyre jua besoj të gjithëve ju këtu të pranishëm dhe të gjithë ata që na ndjekin përmes mediave, në veçanti të sëmurët, të rinjtë tanë, emigrantët. Amen