Tema që më është propozuar nga organizatori i këtij cikli konferencash (të cilin e falënderoj personalisht për punën e kryer) për mua është sigurisht shumë nxitëse dhe më jep mundësinë të paraqes atë që unë, si Arqipeshkëv i kësaj Dioqeze, e kam përzemër rreth pjesëmarrjes së besimtarëve laikë në jetën e Kishës lokale që është në Shkodër-Pult. Në të kaluarën kam pasur disa herë rastin të theksoj se, në linjë me atë që është vënë në dukje prej Koncilit II të Vatikanit, është qëllim dhe angazhim i imi – ashtu siç ka qenë në të gjithë këta vite – të favorizoj sa më shumë që është e mundur pjesëmarrjen aktive të të gjithë përbërësve të Kishës sonë lokale, meshtarët dioqezanë, rregulltarët e rregulltaret, laikët. Dhe për sa u përket laikëve, duke u munduar të përfshijmë gjithë personat që ky term përcakton: fëmijët, të rinjtë, çiftet, familjet, punëtorët dhe profesionistët, të moshuarit, burrat e gratë: pra, të gjithë, pikërisht të gjithë. Një Kishë që përjashton prej pjesëmarrjes aktive ndonjërin prej përbërësve të saj tradhton të qenit e saj Kishë e Krishtit, popull i Hyjit. Në mënyrë që kjo të realizohet, më duhet e rëndësishme të kërkohet bashkëpunimi i të gjithëve. Nëse ka gjëra që është e nevojshme të përmirësohen në këtë bashkëpunim, të angazhohemi të gjithë për t’i përmirësuar. Por është absolutisht e domosdoshme që të gjithë të ndihen të përfshirë në ndërtimin e Kishës së Dioqezës sonë dhe të gjithë – secili sipas rolit të vet dhe gjendjes së vet specifike të jetës – të ndihemi të përgjigjshëm në mënyrë që kjo Kishë të jetë gjithnjë e më shumë shprehje e bashkësisë së atyre që kanë zgjedhur të ndjekin Jezusin dhe të bëhet dëshmi e gjallë e Krishtit të Ngjallur. Ata që kanë zgjedhur të ndjekin Jezusin. Ky është hapi i parë që duhet bërë: të vendosin të ndjekim Jezusin, të jetojmë si Ai në situatat e ndryshme të jetës sonë: në punë, në familje, në marrëdhëniet me të tjerët, kur na fyejnë apo kur na lavdërojnë. Gjithmonë. Kkjo do të thotë të zgjedhim të rrimë nga ana e Jezusit, sepse kemi zbuluar se vetëm në Të gjendet shëlbimi dhe se vetëm duke vështruar mënyrën me të cilën Ai e ka realizuar jetën e Tij mund të gjejmë mënyrën për ta realizuar vërtet jetën tonë.
Ashtu siç më kërkon tema e relacionit që më është besuar, do të mundohem të përvijoj një projekt në të cilin bashkësia e krishterë të jetë qendra e jetës dhe e veprimit të të gjithë besimtarëve, në mënyrë që ajo të kryejë misionin e vet, që ka për qëllim ungjillëzimin (që do të thotë “t’ua çojmë Ungjillin, Lajmin e Mirë, të gjithë njerëzve që takojmë”). Një bashkësi e krishterë që nuk ndien nevojën të përçojë bukurinë që ka zbuluar në fenë e vet apo është një bashkësi që nuk ka pasur kurrë fe apo është një bashkësi në të cilën feja ka vdekur apo është duke vdekur. Në këtë projekt: “një bashkësi për misionin e ungjillëzimit” besimtarët laikë kanë një rëndësi e një rol të pazëvendësueshëm. Atyre, që janë në kontakt më të drejtpërdrejtë me ‘realitetet e botës’ – në punë, në shkollë, në vendet në të cilat bëhet politika dhe merren vendimet për të mirën e përbashkët – u takon të dëshmojnë atë që Kisha prej 2000 vjetësh kumton: Jezu Krishti është Shëlbuesi i botës. Nuk do të na shpëtojë pushteti, nuk do të na shpëtojnë paratë, nuk do të na shpëtojnë as droga as kënaqësitë e momentit, por vetëm Jezu Krishti. Dhe për ta kumtuar këtë, para së gjithash duhet ta kemi përjetuar. Në këtë ndërhyrje timen do të jap disa udhëzime me qëllim që kjo të mund të realizohet, duke rimarrë pjesërisht edhe disa linja të cilat i kam sugjeruar në letrat e mia baritore.
“SHKONI E PUNONI NË VRESHTIN TIM”
Hapi i parë për ta kumtuar Ungjillin, pra, është të kemi bërë një përvojë personale me Jezusin. Shikoni, ndodh shumë shpesh që ne të rritemi, të marrim përsipër disa përgjegjësi shoqërore, të ndërtojmë një familje, të bëhemi persona të rëndësishëm në punë, por feja jonë të mbetet ende fëmijë, vazhdojmë të kemi një imazh të Hyjit e të Jezusit krejtësisht fëmijëror dhe të papërshtatshëm. Prandaj në letrën time baritore të vitit 2002 shkruaja: “është një detyrë që dita ditës më duket gjithnjë e më e ngutshme: e gjithë bashkësia e krishterë duhet të ndihmohet të pjekë një fe të rritur. Nxënësi është ai që “di” se kush është Jezusi dhe e di në fenë e Kishës. Prandaj është në gjendje të kuptojë dhe t’u përgjigjet, sipas së vërtetës, pyetjeve themelore mbi Hyjin, mbi njeriun, mbi kuptimin e botës dhe të jetës. Një fe e rritur ka forcën ta mendojë dhe ta lexojë historinë, duke njësuar gjithçka në Krishtin” (11). Vetëm prej kësaj feje të rritur mund të lindë një shpirt përnjëmend misionar. Në të vërtetë, vazhdoja duke thënë: “Për këtë arsye, të gjithë, duhet ta ndiejnë në vetën e parë përgjegjësinë për t’u bërë ‘misionarë’. Në fakt, çdo nxënës i Krishtit, duke mos përjashtuar askënd, është i thirrur të jetë shpallje e gjallë e Ungjillit. Të mësojmë t’i gjallërojmë me fe të gjitha mjediset dhe vendet ku jetojmë! Të provojmë t’i ushqejmë me fe të gjitha marrëdhëniet që endim çdo ditë! Nuk bëhet fjalë të nisemi për vende të largëta; secili të bëhet i afërmi i atij që ka pranë: të fillojë ta përhapë fenë e Krishtit mes atyre me të cilët ka lidhje profesionale apo pune, farefisnore apo miqësore. Mes kolegësh, mes miqsh, mes familjarësh, mes farefisit, gjithçka në ne duhet të shprehë një dëshmi të gjallë, të bërë me vepra dhe me fjalë. Të mos harrojmë fjalët profetike të Koncilit II të Vatikanit: në larminë e pafund të gjendjeve “shumë njerëz as nuk mund ta dëgjojnë Ungjillin, as nuk mund ta njohin Krishtin veçse nëpërmjet laikëve që janë afër tyre (AG 21)”. Vërtet, të mos lodhemi kurrë së dhëni një dëshmi të mirë kujtdo dhe në çdo mjedis të jetës, të studimit e të punës.
Dhe e përfundoja këtë pjesë me një ftesë që e theksoj edhe një herë sot: “Për këtë arsye ju bëj thirrje të gjithëve që të kultivoni një “përshpirtëri misioni”, që ta bëjë më të fortë angazhimin dhe nevojën për të futur, në shoqërinë tonë, një vizion të krishterë të jetës. Bëhet fjalë për një “kthim kulturor” të vazhdueshëm, ku mbarë dioqeza dhe çdo bashkësi, nga më të voglat tek më të mëdhatë, të mendojë se si mund ta mishërojnë Ungjillin, të frymëzuara nga Tradita autentike e Kishës dhe të hapura për të mirëpritur gjithçka është me të vërtetë njerëzore”.
BASHKËSIA: SHTËPI BASHKIMI – DËSHMI
Atëherë të gjithë jemi të thirrur para së gjithash të kultivojmë fenë tonë personale, me qëllim që të jetë një fe e pjekur, e aftë t’u japë një përgjigje konkrete pyetjeve që kanë në zemër, ndoshta edhe në mënyrë të pavetëdijshme, personat që takojmë çdo ditë dhe tu tregojë se cila është rruga që çon në jetë, rruga e dashurisë së përnjëmendtë.
Por, një fe e rritur nuk mund të jetohet kurrë në mënyrë individuale. Jezusi i ka thirrur nxënësit një nga një (ashtu siç bën edhe me secilin prej nesh…), por i ka thirrur që të bashkëndanin me njëri-tjetrin të njëjtën përvojë feje dhe të ndërtonin një bashkësi. Kjo bashkësi është Kisha. Nuk mund ta jetojmë jetën tonë të krishterë nëse nuk jemi thellësisht të përfshirë në Kishë. E di edhe unë se shpesh Kisha nuk është ashtu siç do të donim që të ishte… Shpesh jeta në bashkësitë tona të krishtera, në famulli, në grupet e të rinjve dhe të të rriturve është një jetë që mezi tërhiqet zvarrë; nganjëherë nuk ka një hov të përnjëmendtë drejt së mirës dhe drejt ndërtimit të një shoqërie më të mirë. Por nuk duhet ta humbim guximin. Vështirësitë dhe problemet ekzistojnë. Por duhet t’i përballojmë. E duhet t’i përballojmë së bashku, në mënyrë bashkësiore. E atëherë t’i vëmë së bashku dëshirat tona e ëndrrat tona, që e ardhmja e Kishës sonë të jetë e shënuar prej shpresës e prej dashurisë, dhe që të mund të shkëlqejë në të fytyra e Krishtit. Së bashku me ju dëshiroj të ëndërroj një bashkësi si vend konkret të dhuratës së madhe të bashkimit, atij që bashkon Atin me Birin në Shpirtin Shenjt, ai bashkim i kremtuar të dielën në Eukaristi dhe që na bën ne një trup i vetëm. Vetëm duke u nisur prej këtij misteri mund të shpresojmë të jemi familje e Hyjit anëtarët e së cilës rriten në vlerësim e në miqësi të ndërsjellë, të hapur ndaj mirëpritjes së të gjithëve.
Famullia është e thirrur që të jetë shtëpi e bashkimit jo prej zotësisë njerëzore, por prej veprës së Shpirtit që na bën një trup të vetëm, megjithëse jemi të shumtë e të ndryshëm, të drejtë e mëkatarë. Është vendi ku secili duhet të marrë frymë në një klimë familjare, zemra rrahëse e të cilës është Krishti. Prej Tij jemi të thirrur të mësojmë njerëzimin; prej zërit të tij mësojmë ta njohim Hyjin si Atë dhe ta pranojmë njëri-tjetrin si vëllezër. Sigurisht, ekzistojnë ndryshime të mëdha. Dioqeza jonë është e përbërë prej situatash, vendesh e personash shumë të ndryshëm mes tyre. Disa jetojnë në qytet apo në qendra mjaft të mëdha; të tjerë jetojnë ende në zonat malore. Disa kanë ardhur prej pak kohësh në qytet dhe bartin me vete ende zakonat e traditat e veta, që nganjëherë mund të duken – ose janë realisht – në kundërshtim me ato që kanë ata që kanë lindur e janë rritur në qytet. Duhet të mësojmë të bashkëjetojmë e të rrimë së bashku. Askush nuk mund të izolohet, duke zgjedhur të përjashtohet prej bashkimit me të gjithë ose, edhe më keq, askush nuk ka të drejtën të përjashtojë ndokënd prej jetës së Kishës. Të rri jashtë jetës së kësaj familjeje, të familjes së Hyjit, vetëm sepse disa anëtarë të saj nuk janë ashtu sikurse unë do t’i doja apo sepse nuk janë të besueshëm, nuk është një arsye serioze. Ndoshta është një justifikim pas të cilit nuk duam të pranojmë diçka të dukshme: Jezusi e ka dashur dhe e ka zgjedhur Kishën e vet, atë që gjendet në bashkësinë tonë, me ato fytyra burrash e grash pak a shumë simpatike, me fytyrat tona, të gjitha të shënuara prej të vetmes nevojë për ta jetuar më mirë këtë ekzistencë tonën.
Duhet ta vështrojmë njëri-tjetrin në mënyrë ungjillore, me zemër e sy të rinj, duke e konsideruar të qenit tonë vëllezër në Krishtin më të rëndësishëm se sa logjikat tona personale. Prandaj duhet të lutemi për njëri-tjetrin.
Nëse dëshiron të jesh i lirë dhe i përgjegjshëm, duaj. Nëse dëshiron të jesh i tillë edhe më shumë, duaji më shumë të tjerët. Me habi do të zbulojmë se është pikërisht dashuria falas ajo që na liron prej lidhjeve dhe na lejon të ndihemi në sintoni me këdo, edhe me ata që nuk na kuptojnë apo me ata të cilët ne nuk i kuptojmë dhe me vështirësi i pranojmë.
Të gjitha muret dhe barrierat që na pengojnë të takohemi shpirtërisht mund të shemben duke na lejuar kështu t’i pranojmë të gjithë dhe t’i përqafojmë të tjerët me ndjenjë vëllazërie.
NEVOJA E FORMIMIT
Thashë se duhet ta kultivojmë fenë tonë, që ajo të mund të jetë një fe e rritur dhe e besueshme. Për këtë është e nevojshme që t’i jepet rëndësia e duhur formimit. Për mua kjo është një pikë thelbësore. Të gjithë kemi nevojë për formim. Askush të mos e gënjejë veten se tashmë ka në vetvete plotësinë e fesë, se tashmë di se si të jetë i krishterë dhe se nuk ka nevojë për lutje, për studim, për reflektim, për këmbim idesh me të tjerët. Nga ana tjetër, edhe “Christifideles laici” këmbëngul shumë në këtë pikë: “formimi i besimtarëve laikë vihet mes përparësive të dioqezës dhe vendoset në programet e veprimit baritor në mënyrë që të gjitha përpjekjet e bashkësisë (meshtarë, laikë dhe rregulltarë) të shkojnë drejt këtij qëllimi” (ChL, nr. 57). Po e përsëris edhe këtu atë që kam thënë në letrën baritore të vitit 2002:
“Mbasi laikët kanë një mënyrë të vetën për të marrë pjesë në misionin e Kishës është e nevojshme që të jenë tërësisht të formuar nga pikëpamja njerëzore, shpirtërore dhe doktrinore sipas ndryshueshmërisë së moshave, të kushteve dhe të prirjeve, duke mësuar të gjykojnë dhe të veprojnë në dritën e fesë (krh. AA. 29). Mësimi i Koncilit II të Vatikanit si asnjëherë është mjaft aktual”. Dhe u drejtohesha pastaj në mënyrë të veçantë të rinjve të dioqezës së Shkodër-Pultit, duke u thënë atyre:
– Mos kini frikë të jetoni rrënjësinë e Ungjillit!
– Kujdesuni që të formoni një ndërgjegje të drejtë dhe një zemër të pandarë!
– Rrituni në Krishtin si persona të fortë dhe të lirë, të aftë për të mbartur peshën e përgjegjësive tuaja, të pasur me ndjenja drejtësie dhe ndershmërie, të aftë për maturi në gjykime e në sjellje.
– Së bashku me Papën nuk ngurroj t’ju kërkoj “një zgjedhje rrënjësore feje dhe jete, t’ju tregoj një detyrë të mrekullueshme: atë që të bëheni: ‘rojtarë të mëngjesit’ (krh. Is 21, 11-12) në këtë agim të mijëvjeçarit të ri” (Novo Millennio Ineunte, 9)”. Këto fjalë që ua drejtoja të rinjve padyshim janë të vlefshme për të gjithë. Kur ecim vërtet pas Krishtit, të gjithë bëhemi të rinj. Të gjithë kemi nevojë ta jetojmë rrënjësinë e Ungjillit, të kemi një ndërgjegje të ndershme, të aftë të zgjedhë të mirën e vërtetë në çdo rrethanë, të jemi persona të drejtë e të çiltër, plot me dëshirën për t’u angazhuar me çiltërsi për drejtësinë e paqen, pa përzier interesat personale. Sa nevojë për drejtësi ka edhe në qytetin tonë, në Dioqezën tonë! Sa nevojë ka për persona që nuk i përshtaten korrupsionit! Sa nevojë ka për njerëz që nuk i nënshtrohen mendësisë së atyre që thonë “nuk mund të bëhet asgjë”! Sa nevojë ka për persona që nuk e pranojnë logjikën e prepotencës e të shtypjes dhe janë të gatshëm t’i vënë kompetencat e veta në shërbim të më të dobtëve e të më nevojtarëve. Faleminderit Hyjit, persona të tillë ka… Ju siguroj se ka. Vetëm se nuk shihen, veprojnë në heshtje. Sigurisht që ka edhe mes nesh, këtu sonte. Këtyre personave u them: “Mos u lodhni duke bërë mirë. Mësoni të bëheni bashkë për të bërë të mirën. Mësoni t’i përfshini edhe të tjerët në këtë angazhim tuajin në favor të Mbretërisë së Hyjit e të drejtësisë së Tij”. Urojmë që një numër gjithnjë e më i madh personash të bashkohet me ta dhe të ndihmojë për të bërë diçka të mirë e të bukur për Hyjin e për vëllezërit!
“Christifideles laici”, në numrin 63, thekson se “Formimi nuk është privilegj i disave, por një e drejtë dhe një detyrë për të gjithë”. Prandaj duhet të gjejmë mjete e vende të përshtatshme për formimin. Për sa u përket mjeteve, po i lejoj vetes të sugjeroj veçanërisht tre:
a- Lutja personale bijësore dhe e vazhdueshme;
b- Të pasurit si referim një udhëheqje shpirtërore të urtë e të dashur – siç sugjeron ChL nr. 58 – me të cilën të mund ta shprehim lirisht atë që kemi në zemër e të kërkojmë së bashku rrugën më të mirë për t’iu përgjigjur dashurisë së Hyjit;
c- Dëgjimi i Fjalës së Hyjit. E di se në Dioqezë ka grupe të ndryshme që lexojnë Biblën dhe unë personalisht gjithmonë i kam nxitur nismat e tilla.
Për sa u përket vendeve të formimit, po përmend para së gjithash famullinë. Ajo është vendi në të cilin të gjithë besimtarët, pavarësisht prej moshës së tyre dhe përgatitjes së tyre, mund të gjejnë atë që i ndihmon në rritjen e tyre njerëzore e të krishterë. Nëse dikush dëshiron ta thellojë ecjen e vet edhe nëpërmjet një studimi serioz e të kualifikuar, mund t’i drejtohet Institutit katekistik dioqezan apo Shkollës së Studimeve të Filozofisë e Teologjisë pranë Seminarit e cila pranon edhe laikët. Së fundi, edhe bashkësitë e Rregulltarëve e të Rregulltareve janë të gatshme, nëpërmjet nismave të tyre, të japin ndihmesën e tyre në këtë formim. Më pëlqen të kujtoj se është e drejtë-detyrë e laikëve ta kërkojnë këtë formim prej meshtarëve dhe prej rregulltarëve.
TË QENIT NË MISION
Formimi nuk është qëllim në vetvete. Formimi është në marrëdhënie me një jetë të krishterë më të vetëdijshme e të hapur ndaj misionit. Njëra prej misioneve të para është ajo që ndodh brenda familjes. Veçanërisht, ju, prindër, jeni edukatorët e parë të fesë dhe duhet t’ua përçoni këtë pasuri të çmueshme edhe bijve tuaj, brez pas brezi. Feja në Krishtin le të jetë lidhja e thellë shpirtërore me Mbretërinë e Hyjit dhe me paraardhësit tanë. Atëherë familja – sikurse na mëson edhe Papa Gjon Pali II – duhet të jetë kisha e parë, ku fëmijët tanë takojnë Zotin dhe mësojnë t’i luten me gjithë forcën e shpirtit. Gjatë Vizitës Baritore e kam admiruar kudo praninë e fëmijëve, që janë një bekim i Zotit për popullin tonë. I njoh sakrificat dhe mundimin e prindërve për t’i rritur me dinjitet bijtë, por me siguri çdo fëmijë është një bekim i Zotit dhe pasuria e një kombi, prandaj, hapja ndaj jetës nuk duhet të na frikësojë.
Veç kësaj, prej Familjeve të mira do të kemi edhe thirrje të mira. Jeni ju, të dashur prindër, ata që të parët i shoqëroni bijtë tuaj në kishë dhe jeni ju ata që ditën e pagëzimit bëheni garantë para Zotit që këta fëmijë të rriten në fenë e Krishtit. Prej jetës suaj fetare bijtë tuaj do të mësojnë ta duan Hyjin. Ju prindër ndihmojini bijtë tuaj për ta zgjedhur mirë thirrjen e tyre: martesën apo meshtarinë apo jetën e kushtuar Zotit, pa i detyruar apo pa i skurajuar, por duke i ndihmuar që të kërkojnë atë që Zoti dëshiron prej tyre, sepse ajo që Zoti dëshiron prej tyre do t’i çojë me siguri në lumturi. Dhe secili prind dëshiron para së gjithash që biri i tij apo bija e tij të jetë e lumtur… Roli i familjes është thelbësor: një familje e shëndoshë e shpëton shoqërinë.
Por misioni nuk përfundon në familje. Fushat e ungjillëzimit dhe të dëshmisë janë të gjera dhe mbulojnë tërë ekzistencën tonë. Prandaj, konkretisht, i ftoj të gjithë që të angazhohen më shumë, sipas rolit dhe detyrave të secilit, për zhvillimin e fshatrave, të qyteteve e të lagjeve, me një bashkëpunim më të mirë mes familjeve dhe me persona të angazhuar në të mirën e përbashkët.
Dhe nuk duhet harruar as angazhimi i besimtarëve laikë në Kishë: të gjithë të pagëzuarit kanë përgjegjësinë e Kishës-tempull dhe të Kishës shpirtërore, sipas dhuratave dhe talenteve që kanë, gjithmonë në koordinim me famullitarin. Edhe këtu fushat e bashkëpunimit janë shumë të gjera:
– liturgjia,
– katekizmi,
– dashuria e krishterë ndaj më të varfërve, më të dobtëve, të moshuarve, atyre që kalojnë momente të vështira,
– formimi,
– sporti,
– angazhimi socio-politik.
Prandaj, secili mund të japë ndihmesën e vet si Katekist apo si Edukator (për fëmijët apo për të rinjtë). Do të kishte shumë rëndësi nëse në famullitë do të ndërtoheshin Grupet e familjeve, me qëllimin e formimit e të shërbimit. Kështu mund të bëjmë që të rriturit dhe familjet e reja të jenë në shërbim të famullisë dhe të të gjithë atyre që në famulli dëshirojnë të takojnë Zotin dhe që prej famullisë kërkojnë ndihmë e mirëkuptim.
Dëshiroj të vë në dukje se ungjillëzimi duhet të shprehet edhe në kuptimin kulturor. Duhet që ata të cilët janë të angazhuar në fushën e kulturës (mes nesh sonte ka shumë profesorë, për shembull) të angazhohen realisht në mënyrë që kultura që ata përçojnë të jetë e depërtuar prej vlerave përnjëmend të krishtera. Nuk është e nevojshme që të flitet për Krishtin për të përçuar vlerat e krishtera (sidomos në një mjedis si i yni i karakterizuar edhe prej pranisë së muslimanëve). Por është e domosdoshme që të përçohen ato vlera sikurse, për shembull, ‘dhurimi i vetvetes’, ‘respektimi i tjetrit’, ‘dashuria ndaj të gjithëve’, që janë themeli i jetës së Krishtit dhe, si rrjedhojë, i jetës së çdo të krishteri. Ekziston një “Caritas intelektual”, sipas asaj që thoshte i lumi Antonio Rosmini, dhe ne jemi borxhlinj ndaj botës për përçimin e vlerave në të cilat besojmë.
KOHA E THIRRJES për të punuar në vresht
Po përfundoj duke kujtuar se «gjallëria e shermendeve është e lidhur me të qëndruarit e tyre të rrënjosur në hardhinë e cila është Jezu Krishti: “Kush mbetet në mua e unë në të, ai jep shumë fryt, sepse pa mua s’mund të bëni asgjë” (Gjn 15,5)» (ChL nr. 57). Dhe Shën Françesku i Salezit na thotë edhe neve sot: “Kudo që të gjendemi mund dhe duhet të aspirojmë Jetën e përsosur” (ChL nr. 56).
Thirrja dhe angazhimi për të krijuar bashkësi për misionin e ungjillëzimit dhe për të punuar në vreshtin e Zotit nuk ka një kohë të caktuar. Është “në të gjitha orët e jetës” dhe prandaj nuk është kurrë tepër vonë. Diçka e re mund të lindë këto ditë, ndoshta edhe pas këtij cikli konferencash.
Andej këndej, në vende të ndryshme, kemi laikë të angazhuar në fusha të ndryshme të kulturës, të jetës shoqërore, të institucioneve. Duhet të vazhdojmë ecjen e filluar për të realizuar një KISHË SHËRBESTARE të përnjëmendtë. Një Kishë në të cilën jemi “të gjithë shërbëtorë”, pasi jemi të gjithë “punëtorë të Ungjillit”. Të gjithë, duke filluar nga Papa. Benedikti XVI, menjëherë pas zgjedhjes, e përkufizoi vetveten “punëtor të përvuajtur të Ungjillit, të cilit i është besuar detyra e Pjetrit”. Vetë të qenit Ipeshkëv është një shërbim ndaj Kishës e ndaj botës, nuk është një situatë pushteti për të sunduar mbi të tjerët. Edhe meshtari apo rregulltari/rregulltarja janë në shërbim të bashkësisë kishtare dhe të vëllezërve nevojtarë. Dhe besimtarët laikë, sikurse të gjithë përbërësit e Kishës, e jetojnë jetën e tyre për ndërtimin e Kishës e të shoqërisë. Zoti e shoqëroftë ecjen tonë dhe i udhëheqtë hapat tanë!
Relator: Imzot Angelo Massafra
E enjte, më 6 mars 2008