Scroll Top

Nëntëditeshja e Krishtlindjes – Homeli 16 dhjetor 2021

Këtë Nëntëditëshe të Krishtlindjes 2021 duam t’ia kushtojmë marrëdhënies së thellë që lidhi Jezusin me babain e tij adoptiv tokësor, Shën Jozefin, në këtë vit që sapo ka përfunduar, më 8 dhjetor 2021, të cilin Papa Françesku donte ta fokusonte te personi i Patriarkut të shenjtë. 

Leximi i parë i sotëm na prezantoi një lirikë të Isaisë profet, që i dha një ngushëllim të madh popullit të Izraelit, i cili ishte marrësi i premtimit të Hyjit për shpëtimin tonë. Në këtë lexim, Hyji shfaqet si një i dashur që e ka rishikuar qëndrimin e vet ndaj të dashurës, edhe pse kjo e fundit e ka tradhtuar atë: një qëndrim dashamirësie dhe dashurie. 

Ndërsa Ungjilli na foli për pikëllimin e Jezusit përballë ngurtësisë së zemrës së atyre që nuk e pranuan mesazhin e kthimit të Gjon Pagëzuesit. Vëmë re një kontrast të madh midis qëndrimit të Hyjit dhe atij të skribëve dhe të farisenjve: Hyji “kthehet” me dashamirësi te Izraeli, ndërsa Izraeli, i përfaqësuar nga kjo klasë njerëzish fetarë, nuk kthehet te Hyji. 

Nga ana tjetër, krejt i ndryshëm është qëndrimi i Jozefit, i cili, si përfaqësues i vërtetë i Izraelit, si pasardhës i Davidit, përgatitet – siç do ta shohim pas pak ditësh – që ta pranojë vullnesën e Hyjit në jetën e tij, duke pranuar me guxim (kështu thotë Papa Françesku në Letrën Apostolike Patris Corde (ose Me zemër atnore) për të marrë atësinë ligjore të Jezusit. 

Ajo që marrim në këtë ditë të parë të Nëntëditëshes është mësimi i madh i guximit të Jozefit, guxim ky që nuk duhet të mungojë kurrë as në jetën tonë të krishterë. Të jesh i krishterë, në fakt, do të thotë të kesh guxim që ta pranosh dhe ta kryesh vullnesën e Hyjit, t’i bësh ballë të keqes që kërcënon jetën tonë, të qëndrosh i patundur në fe edhe kur ajo vihet në dyshim ose përndiqet. 

Fëmija Jezus na e dhuroftë këtë guxim.