Me rastin e dasmës së tyre, shumë çifte zgjedhin të lexojnë pjesën që dëgjuam në leximin e parë të kësaj dite të gjashtë të Nëntëditëshit, duke pëlqyer më shumë rëndësinë poetike, sesa kuptimin e vërtetë të kësaj pjese biblike nga Kënga e Këngëve në të cilën Kisha lexon historinë e dashurisë mes Hyjit dhe popullit të tij.
Është interesante të vërehet se sa shpesh në Besëlidhjen e Vjetër marrëdhënia midis Hyjit dhe popullit përshkruhet me imazhe, që i referohen dashurisë bashkëshortore; kjo me siguri për faktin se është një karakteristikë shumë njerëzore që të gjithë e kemi përjetuar dhe për këtë arsye na mundëson ta kuptojmë më mirë llojin e marrëdhënies që Hyji dëshiron të krijojë me ne.
Duke iu rikthyer reflektimit tonë për familjen e krishterë në shëmbëlltyrë të Familjes së Shenjtë, sot duam të shqyrtojmë dimensionin e dashurisë, të kuptuar sigurisht jo thjesht në mënyrë njerëzore, por në mënyrë hyjnore. Papa Benedikti XVI, në Enciklikën e tij “Deus Charitas est” (Hyji është dashuri) kishte folur për këtë dashuri si një dimension identitar të vetë Zotit, duke shpjeguar të gjitha implikimet e saj: i nxis të gjithë që ta rimarrin në dorë atë tekst të Papës së ndjerë.
Dhe, ndër përkufizimet e tjera të dashurisë, del në pah dimensioni i dhurimit të vetvetes si karakteristika më e lartë. Siç thoshte një tjetër teolog i madh, Hyji ynë është një Hyj “jashtë vetvetes”, duke luajtur me interpretimin e dyfishtë të kësaj mënyre të të thënit. Të qenit “jashtë vetvetes”, në fakt, mund të tregojë një akt dhurimi total dhe një humbje të mendjes, duke harruar vetveten për t’iu dhuruar një tjetri. Dhe vërtet, dashuria e Zotit është kaq e madhe për ne!
Kështu, në pjesën e sotme të Ungjillit mund ta shohim këtë dashuri, jo aq shumë në gjestin bamirës të Marisë ndaj kushërirës së saj Elizabetës, por në Birin e Hyjit që e bën dashurinë e tij të ndjehet, nëpërmjet veprimit të Shpirtit Shenjt, te djali që Elizabeta mbart në kraharor. Dashuria vë në lëvizje fillimisht Marinë dhe më pas Gjonin… sepse dashuria – thotë filozofia – përhap veten e vet.
Atëherë, kur dashuria njerëzore arrin këtë shkallë imitimi të dashurisë hyjnore, ajo bëhet një garanci qëndrueshmërie brenda marrëdhënieve, garanton harmoninë, paqen dhe krijon më shumë dashuri. Kjo nuk do të thotë “mungesë problemesh”, por aftësi për t’u bërë ballë atyre të mbështetur nga dashuria e ndërsjellë.
Ta mirëpresim Hyjin, i cili në Birin e tij Jezus na bëhet i pranishëm në një akt dashurie të vazhdueshme; ta lejojmë veten të pushtohemi nga veprimi i Shpirtit Shenjt, që na e bën të pranishme dashurinë e Atit dhe të Birit dhe, nga ana tjetër, të bëhemi bartës të kësaj dashurie në të gjitha marrëdhëniet tona njerëzore, veçanërisht në mjedisin familjar, laborator i privilegjuar dashurie.
Falënderojmë Hyjin për dashurinë e tij ndaj nesh me fjalët e Psalmit të sotëm:
“Këndoni atij një këngë të re,
përcilleni bukur me cetër brohoritjen!
Shpirti ynë shpreson në Zotin,
ai është ndihma dhe mburoja jonë” (Ps 33,3.20). Amen!