Scroll Top

NËNTËDITËSHJA E KRISHTLINDJES 2023 – 19 dhjetor

Në këtë ditë të katërt të Nëntëditëshit tonë, liturgjia na paraqet historinë e dy kumtimeve paralele, ato të Samsonit dhe të Gjon Pagëzuesit.

Dje reflektuam mbi kumtimin drejtuar Jozefit: pra, mund të kuptojmë paralelen që ekziston në skemën e përbashkët për të tre kumtimet. Dhe ajo që tërheq menjëherë vëmendjen tonë është qëllimi i tyre: lindja e një fëmije që do të ketë një thirrje të veçantë, një detyrë që Hyji ia beson brenda historisë së shpëtimit. Dhe në të tre rastet prindërit thirren të bashkëpunojnë për zhvillimin e thirrjes në zemrën dhe në jetën e fëmijës që do të lindë.

Dhe këtu fillon sërish rrugëtimi ynë sipas shëmbëlltyrës së Familjes së Shenjtë. Roli i familjes është i pazëvendësueshëm në rritjen njerëzore dhe në rritjen shpirtërore të fëmijëve: një rol që nuk mund t’u delegohet institucioneve… as bashkësisë besimtare.

Me të drejtë dokumentet e Kishës na thonë se katekistët e parë të fëmijëve janë prindërit, të cilët duhet t’u përçojnë atyre themelet e asaj që do të mësojnë më pas nëpërmjet pjesëmarrjes në katekizmin e bashkësisë së tyre. Por prindërit janë edhe të parët që u mësojnë lutjen, para së gjithash me shembullin e një jete që gjithmonë e në çdo rrethanë di t’i referohet Hyjit (siç thamë dje) dhe më pas edhe përmes formulave tradicionale. Bëhet fjalë për t’i vënë fëmijët në kontakt me Hyjin që në fillim, në mënyrë që ata ta njohin atë dhe gradualisht të krijojnë një marrëdhënie personale me të.

Dhe, në fund, prindërit, si ndërmjetësit e parë midis Hyjit dhe fëmijëve të tyre, do të jenë në gjendje t’i dallojnë farat e thirrjes së secilit, duke e orientuar atë drejt një përgjigjeje të vërtetë ndaj ftesës dhe thirrjes së Hyjit dhe jo, siç ndodh shpesh, drejt plotësimit të dëshirave të tyre, ose më keq akoma drejt realizimit të asaj që ata nuk kanë arritur të realizojnë për veten e tyre, duke reflektuar tek fëmijët e vet zhgënjimet e tyre.

Çdo i pagëzuar merr një detyrë, një thirrje që duhet të shndërrohet në mision… duke u nisur nga riti i “effatà”-së (hapu), që kërkon prej Hyjit hirin për të pagëzuarin që sa më shpejt ta dëgjojë Fjalën dhe t’ua shpallë atë të tjerëve. Nga marrëdhënia personale me Hyjin, mësuar në krahët e prindërve të tyre, fëmijët do të mësojnë t’u përgjigjen ftesave të Hyjit me një pranim personal, i cili, kur ata të rriten, do të kthehet në zgjedhje jete martesore, meshtarake apo kushtimi rregulltar.

Në këtë mënyrë, çdo i pagëzuar, burrë apo grua, si Jezusi, si Samsoni apo si Gjon Pagëzuesi, do të jetë në gjendje t’i përgjigjet Hyjit që flet dhe do të bëhet pjesëmarrës në planin e madh që Hyji ka për njerëzimin: jo spektator pasiv, por protagonist i historisë së shpëtimit.

Pra, ta rishqyrtojmë rëndësinë e familjes së krishterë në rritjen njerëzore dhe shpirtërore të fëmijëve dhe të bashkëpunëtorëve të ardhshëm të Hyjit në planin e shpëtimit.

Të themi së bashku Psalmin e sotëm dhe t’ia mësojnë atë fëmijëve tanë:

Ti, o Zot, je shpresa ime,

shpresa ime, o Zot, qysh prej rinisë sime.

Në ty jam mbështetur qysh prej kraharorit të nënës,

qysh prej prehrit të nënës ti je mbrotësi im (Ps 71,5-6). Amen!