E diela e tretë e Ardhjes na paraqet figurën e mrekullueshme të Gjon Pagëzuesit, i cili nga Ungjilli i Lukës e dimë se është kushëriri i Jezusit: një profet, i fundit i profetëve dhe, siç tha vetë Jezusi, “ndër ata që u lindën prej grash nuk u ngrit asnjë më i madh se Gjon Pagëzuesi” (Mt 11,11). Në prefacionin e kësaj Meshe do të themi se “Gjoni shpalli ardhjen e tij dhe tregoi praninë e tij në botë”. Roli i Gjonit, pra, është ai i “dritës që ndriçon” dhe e “llambës që digjet”, në mënyrë që prania e Mesisë në popullin e tij të qartësohet dhe të kuptohet mirë. Në lidhje me këtë, është interesante dëshmia e tij e sjellë në Ungjillin që dëgjuam, ku ai deklaron se ai nuk është Krishti, por “zëri i atij që bërtet në shkreti: rrafshoni udhën e Zotit” (Gjn 1,23), duke cituar Isainë profet.
Shën Agustini, duke komentuar këtë Ungjill, thotë: “Gjoni është zëri. Kurse për Zotin thuhet: “Në fillim ishte Fjala”. Gjoni është zëri që kalon, Krishti është Fjala e amshuar që ishte në fillim. Nëse zërit ia hiqni fjalën, atëherë çfarë mbetet? Aty ku nuk ka domethënie të kuptueshme, ajo që mbetet është thjesht një tingull i vakët. Zëri pa fjalë prek veshin, por jo zemrën. Tingulli i zërit (tim) sjell përmbajtjen intelektuale të fjalës (sime) dhe pasi ka zbuluar domethënien e saj, ajo zhduket. Por fjala që sjell tingulli tashmë është në zemrën tënde, pa u larguar nga e imja. A doni ta shihni se si zëri kalon dhe hyjnia e Fjalës mbetet? Ku është tani pagëzimi i Gjonit? Ai e dha dhe më pas u largua. Por pagëzimi i Jezusit vazhdon të jepet. Të gjithë besojmë në Krishtin, shpresojmë shpëtimin në Krishtin: kjo është ajo që deshi të thoshte zëri”.
Pra, sot jemi të ftuar të besojmë në Krishtin, Fjalën e gjallë të Atit. Ai është Shpëtimtari ynë, lindur në kohën e Virgjërës Mari dhe tani jeton në amshim. Ai vjen çdo ditë dhe bëhet i pranishëm mes nesh me Fjalën e tij dhe në Eukaristi. Prandaj sot liturgjia na fton që të gëzohemi me këto fjalë: “Gëzohuni gjithmonë në Zotin, rishtas po ju them: gëzohuni! Zoti është ngjat!” (Fil 4,4-5). Atëherë do të ketë një ardhje të re, kur ai do të kthehet në lavdi “për t’i gjykuar të gjallët dhe të vdekurit dhe mbretëria e tij nuk do të ketë mbarim”: këtë e themi çdo të diel në shpalljen tonë të fesë. Duhet ta presim me gëzim këtë ardhje të re përfundimtare të Zotit; prandaj pas shugurimit të trajtave eukaristike përsërisim: “Kumtojmë vdekjen tënde, o Zot, shpallim ngjalljen tënde, dhe presim ardhjen tënde me lumturi”. Që në kohët e para të krishterimit, Kisha është lutur gjithmonë duke përdorur këtë thirrje “Maranatha”, që do të thotë “Eja, o Zot Jezus”. Dje filluam nëntë ditët në përgatitje të festës së Lindjes së Krishtit: çdo mëngjes në orën 06.30 mblidhemi për t’u lutur dhe së bashku presim festën e madhe. Ju ftoj të gjithë që ta bënë këtë sakrificë të vogël në mëngjes. Epo, në këto ditë po reflektojmë për lindjen e Jezusit, por të përshtatur në kontekstin e Familjes së
Shenjtë të Marisë dhe të Jozefit të Nazaretit, pasi Arqipeshkvia jonë ka zgjedhur që këtë vit baritor të fokusohet në këtë temë me rëndësi jetike.
Në kohën tonë – e dimë – familja, si institucion shoqëror, po pëson sulme nga të gjitha anët, madje edhe familja e krishterë duket e prekur nga kjo krizë botërore. Pra, është shumë e rëndësishme të rizbulohet rëndësia e familjes, duke u nisur nga ajo që ajo përfaqësonte për Birin e Hyjit, nëse ai zgjodhi të lindte në një kontekst të tillë. Ai mund të ishte shfaqur në botë në mënyra të tjera, por zgjodhi familjen njerëzore si një vend jo vetëm shoqëror, por edhe teologjik.
Çfarë do të thotë “teologjik”? Do të thotë që Hyji u thotë njerëzve diçka për veten e tij dhe njerëzit e mirëpresin këtë prani të Hyjit, që e cilëson marrëdhënien mes tyre. Hyji i pranishëm mes nesh i jep kuptim bashkëjetesës sonë: nuk jemi krijuar për të jetuar vetëm, por për ta realizuar vëllazërinë njerëzore duke u nisur nga atësia e Hyjit që na bashkon.
Për ne të krishterët kjo ka pasoja praktike. Në leximin e dytë që dëgjuam, Shën Pali na jep disa prej tyre: “Për gjithçka falënderohuni! Sepse, në lidhje me ju, ky është vullneti i Hyjit në Jezu Krishtin! Mos e pengoni Shpirtin Shenjt të veprojë në ju! Profecitë mos i përbuzni! Çdo gjë shqyrtoni me kujdes: mbani të mirën. Çdo lloji të keqeje rrini larg” (1Sel 5,18). Falënderojmë gjithmonë Hyjin për gjithçka dhe i mësojmë fëmijët tanë të bëjnë të njëjtën gjë. T’i japim hapësirë veprimit të Shpirtit Shenjt, që na frymëzon për të bërë mirë dhe për të dashur në mënyrë të ndërsjellë. Ta dëgjojmë dhe ta meditojmë gjithmonë Fjalën e Hyjit dhe të mësojmë prej saj artin e shoshitjes për të mirëpritur të mirën dhe për të hedhur poshtë çdo të keqe… veçanërisht në kohë si kjo e jona, ku e keqja kuptohet në mënyrë djallëzore si e mirë dhe e mira si e keqja.
Të mos e humbasim guximin dhe të mos e humbasim shpresën: Zoti erdhi në kohë, erdhi përsëri në historinë e tanishme dhe do të kthehet në fund të kohëve. Prandaj, të gëzohemi dhe me Virgjërën Mari, të përsërisim fjalët e Himnit të saj që na janë propozuar në Psalmin e sotëm:
“Shpirti im e madhëron Zotin,
shpirti im me hare i brohoriti Hyjit,
Shëlbuesit tim” (Lk 1, 46-47).
Atij i qoftë nderi, lavdia dhe fuqia në shekuj të shekujve. Amen.