Ta fillojmë këtë Nëntëditësh në përgatitje për festën e madhe të lindjes së Shpëtimtarit tonë Jezu Krisht që Hyji Atë deshi që të ndodhte brenda familjes njerëzore, e cila përbëhet nga çifti i ri i Marisë dhe i Jozefit.
Në këto ditë, në fakt, të ndihmuar nga Fjala e Zotit, do të reflektojmë për rëndësinë e familjes, veçanërisht për familjen e krishterë, bazuar në modelin e Familjes së Shenjtë të Nazaretit, të cilën do ta kujtojmë solemnisht të dielën e parë pas Krishtlindjes, më 31 dhjetor.
Këtë vit Arqipeshkvia jonë ka zgjedhur të përqendrohet veçanërisht në këtë temë të familjes dhe, vetëm dy muaj më parë, përuruam pikturën e restauruar, e cila, i përkiste kësaj katedraleje, e gjeti vendin e saj me vendosjen e altarit prej druri në navatën anësore në të djathtën tuaj. Kjo pikturë është dëshmia historike sesi etërit tanë në fe në Shkodër, qysh në kohën e ndërtimit të këtij tempulli katedrale, e nderonin Familjen e Shenjtë.
Dita e parë e Nëntëditëshit bie midis pjesës së dytë të kësaj Kohe të Ardhjes, në të cilën nga reflektimi biblik kanë dalë figurat më të rëndësishme historike, që kanë përgatitur ardhjen e Shpëtimtarit dhe këto ditë të fundit që na përgatisin menjëherë për festën e Lindjes së Krishtit. Në fakt, leximet e sotme si edhe ato të ditës së nesërme, e Diela e Tretë e Ardhjes, na flasin përsëri në një mënyrë të veçantë për Gjon Pagëzuesin, i cili me Martirizimin e tij, siç na tha Jezusi, hershoi atë që do t’i ndodhte më vonë edhe Atij, domethënë Mundimet.
Ekziston, në fakt, një lidhje e thellë midis Misterit të Mishërimit dhe atij të Shëlbimit: nuk mund ta shikojmë Fëmijën e Betlemit të lindur mes vështirësive të një grazhdi të varfër kafshësh pa menduar për Njeriun e kryqëzuar. Shën Françesku i Asizit e kuptoi mirë këtë dhe pikërisht 800 vjet më parë si në këto ditë, pasi u kthye nga Toka e Shenjtë, pati intuitën e lumtur të paraqitjes së gjallë së lindjes së Jezusit, në Greccio (Itali)
Që nga ai moment praktika u zhvillua në familjet e bashkësive të krishtera dhe në kisha për të krijuar betlehemin/betlemin. Por kjo ide e Shën Françeskut kishte një arsye: “Dua të shoh – tha ai – me sytë e trupit vështirësitë në të cilat u gjend i porsalinduri, për shkak të mungesave të gjërave të nevojshme për të; se si u vendos në një grazhd dhe si u shtri në sanë midis kaut dhe gomarit” (BF 468).
Pra, nuk ishte një veprim artistik, as ndonjë lëvizje emocionale – siç na ndodh shpesh në këtë periudhë dritash dhe ngjyrash – por një soditje “teologjike” në kuptimin e pastër të fjalës, e aftë për të bashkuar fillimin dhe fundin e historisë njerëzore të Jezusit të Nazaretit.
Kështu, atëherë, duhet të jetë edhe soditja jonë e këtyre ditëve: teologjike. Do ta shikojmë Zotin Jezus, lindur dhe vdekur për shpëtimin tonë; do ta shikojmë Familjen e Shenjtë si vend teologjik, por edhe si vend antropologjik, ku Hyji u thotë njerëzve diçka për veten e tij dhe njerëzit e mirëpresin këtë prani të Zotit, që cilëson marrëdhëniet mes tyre.
Zotit që vjen i përsërisim të njëjtat fjalë të Psalmit të sotëm:
“Dëgjo ti, o Bariu i Izraelit,
ti, që rri në fron mbi kerubinë, shkëlqe.
Zgjoje pushtetin tënd
dhe eja në ndihmë për të na shpëtuar!
Kthehu, Hyji i ushtrive!
Kurrë më nuk do të largohemi prej teje:na përtërij e do ta thërrasim Emrin tënd (Ps 79,2-3.15.19). Amen!