Scroll Top

NËNTËDITËSHJA E KRISHTLINDJES 2022 – 24 dhjetor

URDHËRIMET E KISHËS SË SHENJTË

Zoti na e jep hirin që ta mbyllim këtë Nëntëditëshe me fjalët e Zakarisë, i cili shikon mirësinë e Hyjit ndaj nesh dhe i cili na lejon “t’i shërbejmë pa frikë, të çliruar nga duart e armikut në shenjtëri e drejtësi para tij për çdo ditë të jetës sonë” (Lk 1, 74-75). Dje medituam mbi urdhërimet, një mënyrë e veçanë për ta jetuar shenjtërinë. Sot e plotësojmë këtë reflektim me urdhërimet/porositë e Kishës.

1. Merr pjesë në Meshë çdo të diel e çdo festë të urdhëruar! Kisha na urdhëron/porosit që të marrim pjesë me devocion në Meshën e shenjtë të dielave dhe ditëve të tjera të urdhëruara, mundësisht në kishën e famullisë, në mënyrë që ata që i përkasin të njëjtës famulli të bashkohen në lutje së bashku me famullitarin, që është bariu i tyre në emër të Ipeshkvit që përfaqëson; por edhe që besimtarët e një famullie të marrin pjesë më shumë në flijimin e shenjtë, që bëhet kryesisht për ta (në fakt, të gjithë famullitarët duhet të kremtojnë një Meshë për popullin ditën e diel); dhe përsëri në mënyrë që ata t’i dëgjojnë të vërtetat e Ungjillit, që priftërinjtë e famullisë janë të detyruar t’ua shpjegojnë gjatë Meshës së shenjtë; dhe në fund në mënyrë që ata t’i dinë udhëzimet e dobishme për jetën e bashkësisë së krishterë.

Pse të dielën? Fjala “e diel”, në latinisht domĭnĭca, do të thotë “dita e Zotit”, domethënë një ditë e shenjtëruar veçanërisht për shërbimin hyjnor dhe është festa kryesore për të krishterët, pasi e shtuna ishte festa kryesore për hebrenjtë, themeluar nga vetë Hyji. Festat e tjera janë ato të Zotit tonë, të Virgjërës së Lume, të Engjëjve dhe të Shenjtërve për të kujtuar hiret që Hyji u ka dhënë atyre dhe për ta falënderuar mirësinë hyjnore; si edhe për t’i nderuar ata, për të imituar shembujt e tyre dhe për të kërkuar ndërmjetësimin e tyre.

2. Agjëro në ditët e premte dhe në kohët e caktuara sipas ligjit kishtar! Ditët e përcaktuara janë e Mërkura e Përhime dhe e Premtja e Madhe. Ata që dëshirojnë mund të agjërojnë vullnetarisht edhe në ditët e tjera, veçanërisht në prag të festave të mëdha. Agjërimi konsiston në ngrënien e vetëm një vakti në ditë. Agjërimi shërben për të na bërë më të gatshëm në lutje, për të bërë pendesë për mëkatet e kryera dhe për të na ruajtur nga kryerja e mëkateve të reja.

Të gjithë të krishterët e moshës madhore dhe deri në 60 vjeç janë të detyruar të agjërojnë, përveçse nëse janë të përjashtuar apo të justifikuar nga një pengesë e ligjshme. Ata që nuk e kanë detyrimin e agjërimit nuk janë të përjashtuar nga bërja e pendesave të ndryshme.

3. Rrëfehu dhe kungohu së paku një herë në vit, sidomos për Pashkë! Kisha i detyron të gjithë të krishterët, të cilët kanë arritur moshën e arsyes që t’i afrohen sakramentit të Pendimit të paktën një herë në vit. Kisha thotë: “të paktën”, për të na bërë të ditur dëshirën e saj që t’u afrohemi më shpesh sakramenteve të shenjta. Është shumë e dobishme që të rrëfehemi shpesh, pasi e kemi të vështirë të rrëfehemi mirë dhe të qëndrojmë larg mëkatit të vdekshëm nëse rrëfehemi rrallë.

Po ashtu, Kisha i detyron të gjithë të krishterët që kanë mbushur moshën e arsyes që ta marrin çdo vit Eukaristinë e shenjtë në famullinë e tyre gjatë kohës së Pashkës. Kisha dëshiron që jo vetëm për Pashkë, por sa më shpesh ta marrim Kungimin e shenjtë, që është ushqimi hyjnor i shpirtrave tanë.

4. Paguaje detyrimin ndaj Kishës, sipas ligjit! Urdhërimi i katërt respektohet me kontributin e ofertave apo të shërbimeve të cilat nga njëra anë na bëjnë të njohim sundimin suprem që Hyji ka mbi të gjitha gjërat, kurse nga ana tjetër siguron ekzistencën e ndershme të veprave kishtare të bamirësisë dhe të mbarështimit.

Kështu i mbyllim këto katekesa themelore të jetës së krishterë, duke shpresuar që kjo Krishtlindje e shenjtë të ngjallë te secili prej nesh dëshirën për t’u rritur gjithnjë e më shumë në shenjtëri përpara Hyjit, për të mirën tonë, për të mirën e Kishës dhe për të mirën e botës.