Scroll Top
19th Ave New York, NY 95822, USA

NËNTËDITËSHJA E KRISHTLINDJES 2022 – 23 dhjetor

DHJETË URDHËRIMET

Kthimi i zemrës për të cilën na fton sot Liturgjia e Fjalës mund të arrihet vetëm përmes zbatimit të urdhërimeve. Jezusi ka thënë se ai nuk erdhi për ta shfuqizuar Ligjin, por për ta përmbushur atë. Prandaj edhe të krishterët janë të detyruar t’i zbatojnë urdhërimet e Hyjit.

1. “Tjetër Hyj të mos kesh e të mos adhurosh, pos meje!” do të thotë se njeriu duhet ta vendosë Hyjin në vendin e parë në jetën e tij dhe për këtë arsye nuk mund të ketë idhuj të tjerë si p.sh. paraja, të mirat materiale, fuqia apo karriera. Ky urdhërim na fton që të mos krijojmë idhuj dhe të bëhemi skllevër të tyre, siç kishin bërë hebrenjtë, në mungesë të Moisiut, kur adhuruan viçin e artë.

2. “Mos e merr kot nëpër gojë emrin e Hyjit!” na kujton që jo vetëm të mos shajmë, fyejmë apo të përdorim fjalë që nuk shprehin respekt për Hyjit, por edhe të mos flasim për Hyjin me lehtësi, ironi, kot e pa vend, për interes vetjak, zemërim ose përbuzje.

3. “Shenjtëroje ditën e diel e ditët e festave të urdhëruara!” është edhe një herë, një urdhër në kuptimin pozitiv, sepse na kujton respektimin e pushimit ditën e shtatë, në të cilën njeriu para së gjithash duhet t’i kushtohet adhurimit të Hyjit, me leximin e teksteve të shenjta dhe me lutje.

4. “Nderoje prindin tënd” hap rrasën e dytë të ligjit, atë që përmban urdhërimet e orientuara nga dashuria për të afërmin. Pra, Hyji na urdhëron që t’i vendosim prindërit në vendin e parë të listës së dashurisë për të afërmin, sepse ata na kanë krijuar dhe kanë qenë njerëzit tanë më të afërt që nga lindja.

5. “Mos vra!” është, me pak fjalë, një pasojë logjike e urdhrit të mëparshëm në lidhje me respektin për jetën si dhurata më e çmuar që Zoti i ka bërë njeriut dhe si një kapital për ta investuar, për të dhënë fryte jete të amshuar. Nëpërmjet angazhimit dhe vështirësive tokësore njeriu ka, pra, mundësinë që ta fitojë përjetësinë e lavdisë dhe për këtë arsye nuk ka të drejtë ta këpusë në mes jetën e njerëzve të tjerë.

6. “Mos kurvëro!” është rishikim dhe zgjerim i “Mos bëj kurorëthyerje”, sepse nëse njeriu e ofendon Hyjin me mëkat, ai më së shumti e bën këtë i tërhequr nga kënaqësia dhe faji më i rëndë është vesi i epshit që shpreh egoizëm, duke i çuar qeniet njerëzore në mëkat dhe duke bërë që të tjerët të mëkatojnë.

7. “Mos vidh!” është urdhërimi i shtatë që duhet respektuar për të mos marrë në zotërim pronat e të tjerëve dhe për të shmangur një ofendim të drejtësisë dhe të dashurisë hyjnore, duke i shkaktuar dëm fqinjit në të mirat e tij. Prandaj, përveç vjedhjes dhe grabitjes, shkeljet kanë të bëjnë edhe me mosrespektimin e kontratave, të marrëveshjeve dhe të detyrimeve profesionale, me mashtrim, pakujdesi apo papërvojë.

8. “Mos bëj dëshmi të rreme!”. Urdhri i tetë ndalon shtrembërimin e të vërtetës në marrëdhëniet me të tjerët dhe përfshin dy ligje: një që ndalon dhënien e dëshmisë së rreme, tjetri që urdhëron peshimin e fjalëve dhe të veprimeve tona me të vërtetën, duke eliminuar të gjitha gënjeshtrat, përfshi edhe lavdërimet e rreme. Po ashtu, është e ndaluar edhe denigrimi i të tjerëve, sepse shkakton fatkeqësi. Në vend që të gënjesh, është më mirë të heshtësh.

9. “Mos e lakmo njeriun e huaj për të keq!”. Urdhërimi i nëntë është i lidhur me të gjashtin, në të cilin, përveç mungesave të tjera, dënohet edhe tradhtia bashkëshortore. Hyji e ka parashikuar këtë sepse i njeh dobësitë njerëzore dhe kufirin e hollë midis dëshirës dhe vullnetit. Është mëkat jo vetëm akti i kryer, por edhe dëshira për ta përmbushur atë, sepse fillohet me dëshirimin, pastaj vazhdohet me joshjen dhe në fund me kryerjen e aktit. Po ashtu, urdhërimi ndalon reduktimin e personit nga një subjekt në një objekt dhe ky mëkat mund të ndodhë edhe brenda martesës, kur njëri bashkëshort e dëshiron tjetrin vetëm për kënaqësinë e tij.

10. “Mos lakmo asgjë të huajën!” është urdhërimi i fundit, por jo nga rëndësia, duke qenë se Hyji dënon dëshirat njerëzore të shkaktuara jo nga nevoja, por nga zilia, e cila është një ves kapital/kryesor, shkaktuar nga dëshira e çrregullt e të mirave të të tjerëve, me vullnesën për ta përvetësuar atë me mjete të paligjshme dhe të dhunshme. Po ashtu, të mirat materiale janë mjeti i jetës, por jo qëllimi i saj.

Të kërkojmë mirësinë e Hyjit në këtë ditë, që të jemi besnikë ndaj urdhërimeve të tij dhe të angazhohemi që t’i praktikojmë gjithnjë me bujari për lavdinë e Hyjit dhe për të mirën tonë dhe të mbarë njerëzimit.