GJËRAT E FUNDIT TË NJERIUT
Në këtë ditë të Nëntëditëshes sonë i bashkohemi Marisë, e cila në Këngën e saj të Lavdit madhëron Zotin që shfaq gjithëpushtetshmërinë e tij në botë dhe në jetën e njerëzve. Personi njerëzor është lavdia e Hyjit në jetë dhe në vdekje. Për këtë arsye sot do të shqyrtojmë ato aspekte të katekizmit që shpesh anashkalohen, domethënë të vërtetat e fundit të ekzistencës njerëzore.
Gjërat që do t’i ndodhin njeriut në fund të jetës së tij janë: vdekja, gjyqi, fati i amshuar.
VDEKJA. Katekizmi i Kishës Katolike mëson se “vdekja i jep fund jetës së njeriut si një kohë e hapur për ta mirëpritur apo për ta refuzuar hirin hyjnor që u shfaq në Krishtin”. “Çdo njeri që nga momenti i vdekjes së tij merr në shpirtin e tij të pavdekshëm pagesën e amshuar, në një gjyq të veçantë që e vendos jetën e tij në lidhje me Krishtin, me anë të të cilit ose do të kalojë përmes një pastrimi, ose do të hyjë menjëherë në lumninë e qiellit, ose do të dënohet menjëherë përgjithmonë”.
Parrizi. Qielli është “qëllimi përfundimtar i njeriut dhe realizimi i aspiratave të tij më të thella, gjendja e lumturisë më të lartë dhe përfundimtare”. Pas gjykimit të veçantë, ata që vdesin në hirin dhe në miqësinë e Hyjit dhe që janë pastruar në mënyrë të përsosur shkojnë në parrizi. Ata jetojnë në Hyjin, e shohin atë ashtu siç është. Jetojnë përgjithmonë me Krishtin. Janë përgjithmonë të ngjashëm me Hyjin, gëzojnë lumturinë e tij, të Mirën e tij, të Vërtetën dhe bukurinë e Hyjit. Kjo jetë e përsosur, kjo bashkësi jete dhe dashurie me të Shenjtërueshmen Trini, me Virgjërën Mari, me engjëjt dhe me të gjithë të Lumët quhet “qiell”. Është Krishti që me vdekjen dhe ngjalljen e tij na e ka “hapur” qiellin. Të jetosh në qiell do të thotë “të jesh me Krishtin”.
Purgatori. Ata që vdesin në hirin dhe në miqësinë e Hyjit, por janë pastruar në mënyrë të papërsosur, edhe pse janë të sigurt për shpëtimin e tyre të amshuar, i nënshtrohen, pas vdekjes së tyre, një pastrimi që të marrin shenjtërinë e nevojshme për të hyrë në gëzimin e qiellit. Kisha e quan purgator këtë pastrim përfundimtar të të zgjedhurve, që është diçka krejt tjetër nga ndëshkimi i të mallkuarve. Ky mësim mbështetet edhe në praktikën e lutjes për të vdekurit, për të cilën flet Shkrimi i shenjtë te 2Mak 12,45. Që në kohët më të hershme Kisha ka nderuar kujtimin e të vdekurve dhe ka ofruar për ta lutje e në veçanti flijimin eukaristik (krh. DS 856), me qëllim që, të pastruar, të arrijnë ta shohin Hyjin. Në favor të të vdekurve Kisha rekomandon edhe lëmoshën, ndjesën dhe veprat pendestare.
Ferri. Qëndrimi të ndarë përgjithmonë nga Ai – Krijuesi ynë dhe qëllimi ynë – me zgjedhjen tonë të lirë përbën një gjendje vetë-përjashtimi përfundimtar nga bashkësia me Hyjin dhe me të Lumët, që përkufizohet me fjalën “ferr”. Të vdesësh në mëkat të vdekshëm (ne mekat mortar) pa u penduar dhe pa pranuar dashurinë e mëshirshme të Hyjit, do të thotë të zgjedhësh përgjithmonë këtë fund. Kisha në mësimet e saj pohon ekzistencën e ferrit dhe amshueshmërinë e tij. Shpirtrat e atyre që vdesin në gjendje mëkati të vdekshëm pas vdekjes zbresin menjëherë në ferr, ku vuajnë dhimbjet e ferrit, “zjarrin e amshueshëm” ku dënimi kryesor konsiston në ndarjen e përjetshme nga Hyji.
Gjyqi përfundimtar. Ngjallja e të gjithë të vdekurve, e të drejtëve dhe të këqijve” (krh. Vap 24, 15), do t’i paraprijë gjyqit përfundimtar. Do të jetë “koha kur të gjithë ata që pushojnë në varre do ta dëgjojnë zërin e tij dhe do të dalin: ata që bënë mirë – do të ngjallen për të jetuar, ata që bënë keq – do të ngjallen për t’u dënuar” (Gjn 5, 28-29). Atëherë “kur të vijë Biri i njeriut në madhërinë e vet e me të gjithë engjëjt […] para tij Dhe do të mblidhen të gjithë popujt dhe ai do t’i ndajë njërin prej tjetrit” (Mt 25, 31-32). Gjyqi përfundimtar do të bëhet në momentin e kthimit të lavdishëm të Krishtit. Vetëm Ati e di orën dhe ditën, vetëm Ai vendos për ardhjen e tij. Jezusi do ta shpallë fjalën përfundimtare të Atit për të gjithë historinë. Do të dimë kuptimin përfundimtar të krejt veprës së krijimit dhe të krejt ekonomisë së shpëtimit dhe do të kuptojmë mënyrat e mrekullueshme përmes të cilave Provania hyjnore e ka çuar gjithçka drejt qëllimit të saj të fundit. Gjyqi përfundimtar do të tregojë se drejtësia e Hyjit triumfon mbi të gjitha padrejtësitë e bëra nga krijesat e tij dhe se dashuria e tij është më e fortë se vdekja (krh. Kk 8, 6).
Në këtë ditë të Nëntëditëshes të lutemi për besnikërinë tonë ndaj Hyjit dhe të mos harrojmë këshillin e Shkrimit te Shenjtë, në librin e Siracidit: “Në të gjitha veprimet tua përkujtoj të mbramet e njeriut e kurr s’do të mëkatnosh” (Sir. 7,40)