Scroll Top
19th Ave New York, NY 95822, USA

NËNTËDITËSHJA E KRISHTLINDJES 2022 – 19 dhjetor

SAKRAMENTET (pjesa e dytë)

Në këtë ditë të katertë të Nëntëditëshes do të vazhdojmë të flasim për sakramentet. Te shtunen kam folur për Sakramentet e hyrjes në jetën e krishterë (pagezimi, krezmimi e eukaristia); sot do të flasim për sakramentet e tjera, ato të udhëtimit të zakonshëm të fesë (rrefimi-Pendimi dhe Vajimi i të sëmurëve) dhe ato të shërbimit të bashkimit(Urdhri i Shenjtë dhe Martesa).

Në Liturgjinë e sotme të Fjalës flitet për thirrje, gjithmonë të lidhur me një mision. Thirrja që Zoti u bën të gjithë njerëzve është një thirrje për shërbim, por mbi të gjitha kërkon një ekuilibër që, ndonjëherë ose shpesh, shtrembërohet nga mëkati.

Është e qartë se Sakramentet shërbejnë për shpëtim dhe, për rrjedhojë, kërkojnë prej atyre që i marrin një gjendje hiri që vetëm sakramenti i Pendimit, ose i pajtimit, mund ta garantojë. Nëpërmjet këtij sakramenti ripërtërijmë kthimin tonë te Hyji dhe neverinë tona ndaj mëkatit, gjithmonë të nevojshme për shkak të brishtësisë sonë, pikërisht nëpërmjet rrëfimit të mëkateve tona te mbarështuesi i shuguruar dhe faljes sakramentale. Nëpërmjet mbarështuesit të shuguruar, është vetë Hyji në Krishtin dhe me fuqinë e Shpirtit Shenjt që na i fal mëkatet. Për vlefshmërinë e saj kërkohen: pendimi, pra dhimbja për mëkatin dhe vendosmëria për ta shmangur atë në të ardhmen, shqyrtimi i ndërgjegjes, rrëfimi siç duhet, pendesa kryesisht për dëmin e mundshëm që u është shkaktuar të tjerëve. E kemi shpjeguar edhe më përpara vlerën e ndjesave që, të lidhura me këtë sakrament, marrin nga thesari shpirtëror i Kishës jo vetëm faljen e mëkateve, por edhe ndëshkimet që meritojmë për to pas vdekjes sonë.

Vajimi i të sëmurëve i ka rrënjët në ftesën e Shën Jakobit për të thirrur priftin që t’u japë vajimin të sëmurëve dhe që të marrin faljen e mëkateve dhe shërimin. Në të, Kisha ushtron dashurinë e saj ndaj besimtarëve në gjendje të pasigurt shëndetësore ose ndaj të moshuarve: vetë Jezusi, në fakt, u kishte besuar nxënësve të vet misionin e shërimit të të sëmurëve. Ky sakrament ngushëllon, jep paqe e kurajo, e bashkon të sëmurin me mundimet e Krishtit, jep një hir kishtar për të mirën e vetë Kishës dhe të botës, përgatitjen për hapin e fundit, sidomos me kungimin eukaristik, farë pavdekësie.

Në fund, dy sakramentet e shërbimit të bashkimit: Urdhri i shenjtë dhe Martesa. Me Urdhrin e shenjtë misioni besuar nga Krishti apostujve të tij vazhdon të ushtrohet në Kishë deri në fund të kohës dhe përfshin shkallët e Episkopatit, të priftërisë mbarështuese dhe të diakonatit. Priftëria në Besëlidhjen e Re i ka rrënjët në priftërinë unike të Krishtit: është gjithmonë Krishti ai që vepron nëpërmjet mbarështuesve të vet dhe e bën veten të pranishëm në Kishën e tij. Quhet “priftëri mbarështuese” për ta dalluar nga priftëria e zakonshme që u përket të gjithë të pagëzuarve. Plotësia e priftërisë arrihet te Ipeshkvi ku marrin pjesë mbarështuesit e shuguruar në bashkësi me të dhe bashkëpunëtorët e tij. Diakonët kanë një funksion shërbimi si Krishti, shërbëtor.

Ndërsa martesa është ngritur nga Krishti në dinjitetin e një sakramenti dhe për këtë arsye nuk është vetëm një bashkim natyror midis dy bashkëshortëve, por është lartësuar për jetë me anë të hirit nëpërmjet veprimit të Shpirtit Shenjt. Mbarështuesit e martesës janë bashkëshortët falë pagëzimit: prifti ose diakoni që kryen detyrën janë dëshmitarë të privilegjuar të këtij bashkimi që është i shenjtë dhe i paprekshëm, unik dhe i pazgjidhshëm, që kërkon besnikëri dhe përkushtim, por edhe hapje ndaj frytshmërisë. Janë të gjithë elemente që garantojnë vlefshmërinë e martesës dhe nëse ato mungojnë martesa mund të jetë e pavlefshme.

Martesën ne e barazojmë me virgjërinë e kushtuar për mbretërinë e qiejve, duke pasur të njëjtat kërkesa, por me synimin për ta bashkuar shpirtin me Hyjin dhe për të qenë një shenjë e të mirave të ardhshme për krejt njerëzimin, shpeshherë të ngatërruar në logjikën e botës që na largon nga Hyji dhe nga qëllimi i vërtetë përfundimtar i ekzistencës sonë.

Pra, sot në lutjet tona të përfshijmë edhe veten tonë, që cilësia e jetës sonë e fesë të lartësohet gjithnjë e më shumë; të lutemi për të gjithë të sëmurët tanë, për familjet e krishtera dhe veçanërisht për çiftet në vështirësi martesore, si dhe për të gjithë mbarështuesit e shuguruar dhe për të kushtuarit.

Të dashur vëllezër dhe motra, le të lusim Zotin që të mos mungojnë meshtarët për kishën tonë.