Scroll Top

Mozaik i paqes 2004

Nëse keni uri, shkoni në Shkodër atje do t’iu japin për të ngrënë…!

FAMILJA SI BASHKËSI DASHURIE
Zhvillohet në Shkodër Mozaiku i Paqes


 Është zhvilluar nga datat 5 – 7 mars 2004’ në ambjentet e Fshatit të Paqes në Shkodër takimi i quajtur “Mozaiku i Paqes”.  Kjo veprimtari e organizuar nga Arqipeshkvia Shkodër përmes Shtëpisë së Paqes në bashkëpunim me Caritas-in Shkodër dhe Qwndren Drejtësi dhe Paqe ka për qëllim të afrojë të rinjtë e vwndeve të ndryshme në një eksperiencë të vërtetë bashkëjetese dhe bashkëndarjeje. Pjesëmarrës në këtë takim ishin mbi 60 të rinjë të ardhur nga të katër zonat baritore të Dioqezës së Shkodrës si dhe të rinj nga Dioqezat e Rrëshenit, Sapës, Durrës – Tiranë dhe Jugut. Të pranishëm edhe të rinj nga Kosova e Mali i Zi.
Tema kryesore e aktivitetit ishte “Familja si bashkësi dashurie”. Në ditën e parë referues ishte Atë Lello Lanzilli. Përmes punës në grupe ai udhëhoqi të rinjtë në reflektime mbi familjen përmes pyetjes se c’farë ishte familja për secilin prej tyre. Më pas Atë Lello ftoi të rinjtë në një reflektim të mëtejshëm rreth familjes në përgjithësi duke u kërkuar të rinjve të evidentojnë sipas eksperiencave të tyre dukuritë positive apo negative që paraqet sot familja dhe veçanërisht ajo shqiptare. Në diskutimet e ndryshme që kjo temë ngriti u fol mbi rolin e vlerave që familja ka apo duhet të ketë si krijuese e tyre apo dhe mbrojtëse e vlerave që i shërbejnë jo vetëm familjes por të gjithë shoqërisë.
Pasdite, të rinjtë u ndanë në grupe ku punuan mbi të njëjtën temë dhe mbi reflektimet e ditës.
Në darkë, të gjithë pjesëmarrësit u mblodhën në atë që e quanin Asamblea e bashkëndarjes ku çdo grup prezantonte punën e bërë dhe mbi bazën e saj lindnin pyetje dhe diskutime.
Në ditën e dytë të takimit referues ishte Atë Sebastian, Ministër Gjeneral i Kongregates së Misionarëve të Dashurisë Hyjnore. Ai kishte ardhur në Shkodër veçanërisht për takimin duke iu përgjigjur pozitivisht ftesës së bërë nga organizatorët. Tema mbi të cilën referoi Atë Sebastian ishte familja dhe Nënë Tereza. Përmes  momenteve të jetës së Nënë Terezës dhe duke krijuar një atmosfere shumë shpirtërore Atë Sebastian vuri në dukje dashurinë që kishte pasur dhe kishte ruajtur gjer në momentet e fundit Nënë Tereza për familjen e saj. Ai kishte pasur kontakte të afërta me Nënë Terezën dhe kishte arritur të njihte dashurinë e saj për familjen e origjinës. Shkolla e parë e mirësisë për Nënë Terezën kishte qënë vetë familja e saj theksoi Atë Sebastian. Në një libër që mbante me vete Atë Sebastian lexoi pjesë nga një letër që Nënë Terza i shkruante kur i kishte vdekur e ëma në Shqipëri dhe që në atë kohë ajo nuk mund të vinte ta shihte qoftë për herë të fundit. Sipas Atë Sebastian kryesorja është dashuria. Mesazhi i dashurisë që secili mbart në vetvete është pasaporta me të cilën do të ngjitemi në qiell. Ai shtoi se Nënë Tereza i donte të gjithë njerëzit pa përjashtim sepse ajo donte Zotin dhe tek çdo njeri shihte një pjesë të dashurisë së Zotit. Krijoi emocion tek të pranishmit kur tha se ndërkohë që diktatura po e izolonte Shqipërinë në të gjithë botën, Zoti përmes Nënë Terezës po e bëntë të njohur Shqipërinë përtej çdo skaji të botës. Më pas të rinjtë i drejtuan pyetje Atë Sebastanit dhe Motrave të Nënë Terezës të pranishme në sallë.
Pasdite takimi vazhdoi me grupet e punës të cilët diskutuan mbi temën e ditës.
Në darkë për të pranishmit u shfaq një film dokumentar.
 
Në ditën e tretë të takimit një vend të veçantë u ishte lënë dëshmive dhe pikërisht atyre të Komunitetit Papa Giovanni XXIII. Dëshmi të bashkëjetesës mes personave, dëshmi të forcës së dashurisë që arrin të mposhtë vështirësitë e jetës. Puna me fëmijët e braktisur dhe vajzat në vështirësi  i ka vënë në kontakt ata me eksperienca të ndryshme.
Në këtë ditë të ftuar ishin edhe shumë të rinjë nga Shkodra. Me shumë entuziazëm u prit edhe ardhja e Don Oreste Benzi, themelues i Komunitetit Papa Giovanni XXIII. Për shkak të kohës së keqe në aeroportin e Bolonjës ai mbërriti me vonesë por të gjithë të rinjtë nuk ishin larguar por qëndronin në sallë duke pritur ardhjen e tij. Së bashku me Arqipeshkvin e Shkodrës Imzot Angelo Massafra i pranishëm ishte edhe Konsulli Italian në Shkodër Z. Roberto Orlando.
Ndër shumë aktivitete të tjera, Don Oreste njihet për punën që bën në ndihmë të vajzave që prostituohen në rrugët e Italisë. Këtë veprimtari ai e ka shtrirë në shumë vende të botës. Duke shprehur kënaqësinë që ndodhej në këtë takim dhe në mes të rinjve që ai i quajti e ardhmja dhe shpresa e këtij vendi, ai tregoi pjesë nga jeta e tij në ndihmë të viktimave të prostitucionit. Ai solli momente emocionuese kur dilnin në rrugë dhe takonin vajzat të braktisura në fatin e tyre të dhimbshëm. Ai theksoi se ishin të shumtë rastet kur vajzat kishin arritur të mposhtnin frikën dhe ishin rikthyer një jete normale duke fituar lirinë e tyre. Edhe Don Benzi e vuri theksin tek dashuria. Kjo është këshilla ime që një familje të jetojë e lumtur, tha ai, sapo të shkoni në shtëpi jepni një puthje nënës, babait, motrës, vëllait dhe dashuria do jetë mes jush sepse Zoti na do të gjithëve.
Don Oreste e përfundoi përshëndetjen e tij duke thënë “kur shkoj në vende të ndryshme të botës iu them, nëse keni uri dhe keni mbetur pa bukë, shkoni në Shkodër atje do gjeni gjithmonë dikë që do t’iu japë për të ngrënë”!