Scroll Top
19th Ave New York, NY 95822, USA

MESAZHI I SHENJTERISË SË TIJ GJON PALIT II PËR KREMTIMIN E DITËS BOTËRORE TË PAQES

MESAZHI I   SHENJTERISË SË TIJ GJON PALIT II PËR KREMTIMIN E DITËS BOTËRORE TË PAQES
1 JANAR 2001

 DIALOGU NË MES KULTURAVE

PËR NJË QYTETËRIM TË DASHURISË E TË PAQES

  1. Me fillimin e një mijëvjeçari të ri, gjithnjë më e gjallë bëhet shpresa se marrëdhëniet në mes njerëzve kanë për të qenë gjithnjë e më tepër të frymëzuara nga ideali i një vëllazërimi me të vërtetë universal. Pa mbështetjen e këtij ideali, paqa nuk mund të sigurohet në mënyrë të qëndrueshme. Shumë shenja na detyrojnë që të mendojmë se kjo bindje është duke u shquar me forcë gjithnjë më të madhe në ndërgjegjen e njerëzimit. Vlera e vëllazërimit është shpallur nga «kartat» e mëdha të të drejtave të njeriut; është shfaqur në mënyrë plastike nga institucionet e mëdhaja ndërkombëtare dhe, në veçanti nga Organizata e Kombeve të Bashkuara; më në fund  po kërkohet me këmbëngulje, si kurrnjëherë më përpara, nga procesi i globalizimit që po i bashkon përherë në rritje fatet e ekonomisë, të kulturës e të shoqërisë. Vetë meditimi i besimtarëve, të feve të ndryshme, është më i prirun që të nënvizojë se ndërlidhja me Hyun e vetëm, Atin e përbashkët të të gjithë njerëzve, nuk mundet veçse të nxisë që të ndjehemi e të jetojmë si vëllezër. Në zbulimin e Hyut në Krishtin, ky parim shprehet me një radikalizëm të skajshëm: «Ai që nuk dashuron nuk e ka njohur Hyun, sepse Hyu është dashuri» (1 Gjn 4,8). 
  • Por, njëheri, nuk mund ta fshehim se dritat, që posa rikujtuam, terratisen nga hije të gjera e të dendura. Njerëzimi po e nis këtë pjesë të re të historisë së vet me plagë ende të hapura, është i goditur në shumë vise nga konflikte të ashpra e të përgjakshme, njeh mundimin e një solidarësie më të vështirë në marrëdhëniet ndërmjet njerëzve me kultura e qytetërime të ndryshme, tashmë përherë e më të afërta e ndërvepruese në të njëjtat treva. Të gjithë e dijnë se sa e vështirë ështe që të pajtohen arsyet e palëve kundërshtare, kur shpirtërat janë të ndezur e të pezmatuar për shkak të urrejtjeve të lashta e të problemeve të rënda qe me vështirësi gjejnë një zgjidhje. Porse jo më pak e rrezikshme për të ardhmen e paqes është paaftësia për të përballuar me urtësi problemet e parashtruara nga rregulli i ri që njerëzimi, në shumë Vende, po merr mbi vete, për shkak të shpejtimit të proceseve të shtegtimit e të bashkëjetesës së re që rrjedh ndërmjet personave me kultura e qytetërime të ndryshme.
  • Më ështe dukur, pra, e ngutshme që t’i ftoj besimtarët në Krishtin, e me ta të gjithë njerëzit vullnetmirë, që të meditojnë rreth dialogut midis kulturave e traditave të ndryshme të popujve,duke treguar me të rrugën e duhur për ndërtimin e një bote të pajtuar, të aftë për të parë me kthjelltësi të ardhmen e vet. Kemi të bëjmë me nje temë vendimtare për perspektivat e paqes. Jam i lumtur se edhe Organizata e Kombeve të Bashkuara e ka kuptuar e propozuar këtë ngutësi, duke e shpallur vitin 2001 «Vitin ndërkombëtar për dialogun midis qytetërimeve».   

 Natyrisht jam larg nga mendimi se, përmbi një problem të tillë, mund të jepen zgjidhje të lehta, të gatshme për t’u përdorur. Tashmë është i vështirë qoftë edhe vetëm kuptimi i gjendjes, e cila na shfaqet në një lëvizje të vijueshme,  aq sa të dalë nga skemat e paracaktuara. Kësaj i shtohet vështirësia për të bashkuar parime e vlera që, edhe duke qenë idealisht të ujdisshme, mund të shfaqin në thelb elemente trysnie të cilat nuk e lehtësojnë sintezën. Më në fund mbetet, në rrënjë, mundi që i vë shenj zotimit etik të çdo qenieje njerëzore, që ështe e detyruar tw ketw të bëjë me egoizmin  dhe me kufizimet e veta.

 Por shi për këtë shoh dobinë e një meditimi të përbashkët në lidhje me këtë problematikë. Për këtë qëllim po kufizohem këtu te dhënia e disa parimeve orientuese, në dëgjimin e asaj që Shpirti i Hyut u thotë Kishave (khs Zb 2,7) e gjithë njerëzimit, në këtë kapërcim vendimtar të historisë së tij.

Njeriu dhe kulturat e tij të ndryshme

  • Duke shqyrtuar tërë jetën e njerëzimit, gjithmonë mbetemi të çuditur përballë shfaqjeve komplekse e të larme të kulturave njerëzore. Secila sosh dallohet nga tjetra për itinerarin specifik historik që e shquan, e për tiparet karakteristike pasuese që e bëjnë të vetme, origjinale e organike në strukturën e vet. Kultura është shprehje cilësore e njeriut dhe e jetës së tij historike, qoftë në nivelin vetjak qoftë në atë kolektiv. Në fakt ai, pa pushim, është i nxitur nga inteligjenca e nga vullneti që «të lëvrojë pasuritë e vlerat e natyrës»,[1] duke rregulluar në sinteza kulturore gjithnjë më të larta e sistematike njohuritë themelore që kanë të bëjnë me të gjitha pamjet e jetës e, në veçanti, ato që i përmbahen bashkëjetesës së tij shoqërore e politike, sigurisë dhe zhvillimit ekonomik, përpunimit të atyre vlerave e kuptimeve ekzistenciale, sidomos natyre fetare, që i lejojnë jetës së tij vetjake e të bashkësisë që të zhvillohet simbas disa mënyrave vertè njerëzore.[2] 
  • Kulturat gjithmonë karakterizohen nga disa elemente të qëndrueshme e të përhershme e nga disa të tjera dinamike e të rastit. Në një vështrim të parë, shqyrtimi i një kulture na bën që të kapim sidomos anët karakteristike, që e dallojnë nga kultura e vëzhguesit duke i dhënë një fytyrë tipike, në të cilën përkojnë elemente me natyra të ndryshme. Të shumtën e herëve, kulturat zhvillohen në treva të caktuara, në të cilat elemente gjeografike, historike dhe etnike gërshetohen në një mënyrë origjinale dhe të papërsëritshme. Ky «tipicitet» i secilës kulturë pasqyrohet, në një mënyrë pak a shumë të spikatur, në njerëz që janë bartësit e saj, me një dinamizëm të vijueshëm ndikimesh të pësuara nga subjektet e veçanta njerëzore e ndihmesash që këta, simbas aftësive e talentit të tyre, i japin kulturës së vet. Sidoqoftë, të jesh njeri do të thotë në mënyrë të pashmangshme që të ekzistosh në një kulturë të caktuar. Secili person ka shenjën e kulturës që thith nëpërmjet familjes e grupeve njerëzore me të cilat hyn në marrëdhënie, nëpërmjet shtigjeve të edukatës dhe ndikimeve ambjentale nga më të ndryshmet, nëpërmjet vetë marrëdhënieve themelore  që ka me trevën në të cilën jeton. Në të gjitha këto nuk ka kurrëfarë determinizmi, por ka një konstante dialektike ndërmjet forcës së kushtëzimeve dhe dinamizmit të lirisë.

Formimi njerëzor e përkatësia kulturore

  • Pranimi i kulturës vetjake si element strukturues të personalitetit, sidomos në fazën e parë të rritjes, është një e dhënë me përvojë të përgjithshme, së cilës është e vështirë që t’i mbivlerësohet rëndësia. Pa këtë ngulitje në një humus të caktuar, personi vetë do të rrezikonte t’i nënshtrohej, në një moshë ende të brishtë, një teprie shtysesh të kundërta, që nuk do të ndihmonin për një zhvillim të kthjelltë e të baraspeshuar. Është në bazën e këtij raporti themelor me «origjinat» e veta – në nivel familjar, por edhe tokësor, shoqëror e kulturor – që zhvillohet ndër persona ndjenja e «atdheut», e kultura priret të marrë, ku më shumë e ku më pak, një trajtë «kombëtare». Vetë Biri i Hyut, duke u bërë njeri, me një familje njerëzore fitoi edhe një «atdhe». Ai është përgjithëmonë Jezusi i Nazaretit, Nazareni (khs Mk 10,47; Lk 18,37; Gjn1,45; 19,19). Kemi të bëjmë me një proces, në të cilin kërkesa sociologjike e psikologjike veprojnë ndërmjet tyre, normalisht me efekte pozitive e ndërtimtare. Dashuria për atdheun është, për këtë arsye, një vlerë për t’u lëvruar, por pa ngushtësi shpirti, duke dashur në të njëjtën kohë tërë familjen njerëzore3 dhe duke shmangur ato shfaqje patologjike që

ndodhin kur ndjenja e përkatësisë merr tone vetëmburrjeje e përjashtimi të atyre që janë ndryshe, duke u zhvilluar në forma nacionaliste, raciste e ksenofobe.

  • Prandaj, në qoftë se është me rëndësi, nga njëra anë, që të dijmë të vlerësojmë vlerat e kulturës vetjake, nga ana tjetër duhet të kihet vetëdije se secila kulturë, duke qenë një krijesë tipike njerëzore e kushtëzuar historikisht, ka në vetvete detyrimisht edhe disa kufizime. Që ndjenja e përkatësisë kulturore të mos shndërrohet në një mbyllje, antidot i efektshëm ështe njohja e kthjelltë, e pakushtëzuar nga paragjykime negative, e kulturave të tjera. Veç kësaj, mbas një analize të vëmendshme e të rreptë, kulturat shumë shpesh tregojnë, nën modulimet e tyre më te jashtme, elemente të përbashkëta kuptimplote. Kjo gjë shihet edhe në vijueshmërinë historike të kulturave e të qytetërimeve. Kisha, duke shikuar Krishtin, që ia zbuloi njeriun njeriut,[3] dhe e fortë nga përvoja e përmbushur në dymijë vjetët e historisë, është e bindur se, «me të gjitha ndryshimet, ka shumë gjëra që nuk ndryshojnë».[4] Një vijueshmëri e tillë është e mbështetur mbi karakteristikat thelbësore e të përgjithshme të projektit të Hyut në lidhje me njeriun.

 Prandaj, ndryshimet kulturore do të kuptohen në perspektivën themelore të njësisë së gjinisë njerëzore, e dhënë historike e ontologjike parësore, në dritën e së cilës është e mundur të kapet kuptimi i thellë i vetë këtyre ndryshimeve. Me të vërtetë, vetëm përfytyrimi i njëkohshëm qoftë i elementeve të njësisë, qoftë i ndryshimeve e bën të mundur kuptimin e interpretimin e së vërtetës së plotë të secilës kulture njerëzore.[5]

Ndryshimet e kulturave e nderimi i anasjelltë

  • Në kohët e kaluara ndryshimet në mes kulturave shpesh kanë qenë burim mosmarrëveshjesh midis popujve e shkak konfliktesh e luftash. Mjerisht, endè sot, në anë të ndryshme të botës, po shohim, me një shqetësim që po shtohet, rrënjosjen polemike të disa identiteteve kulturore kundër kulturave të tjera. Ky fenomen, me kalimin e kohës, mund të përfundojë me tensione e ndeshje shkatërrimtare e, në mos, e bën të dhimbshme gjendjen e disa pakicave etnike e kulturore, që ndodh të jetojnë në një kontekst shumicash që ndryshojnë në pikëpamje kulturore, të priruna për të mbajtur qëndrime e sjellje armiqësore e raciste.

 Para këtij skenari, secili njeri vullnetmirë nuk mund të mos e pyesë veten në lidhje me orientimet etike themelore që karakterizojnë përvojën kulturore të një bashkësie të caktuar. Në fakt, kulturat, ashtu si njeriu që është autori i tyre, përshkohen nga «misteri i mbrapshtisë» që vepron në historinë njerëzore (khs 2 Sel 2,7) dhe kanë nevojë edhe ato për pastrim e shpëtim. Vërtetësia e secilës kulturë njerëzore, vlera e ethos-it që ajo përçon, ose qëndrueshmëria e orientimit të tij moral, në njëfarë mënyre mund të maten nga qenia e saj për njeriun e për ngjitjen e dinjitetit të tij në çdo nivel e në çdo kontekst.

  • Në qoftë se kaq shqetësues është radikalizimi i identiteteve kulturore që bëhen të padepërtueshme ndaj çdo ndikimi të jashtëm të dobishëm, nuk është më pak i rrezikshëm pranimi i kulturave duke iu nënshtruar, ose i disa anëve të rëndësishme, si modele kulturore të botës perëndimore që, tashmë të shkëputura nga sfera e interesave të krishtera, janë të frymëzuara prej një konceptimi të shekullarizuar e praktikisht ateist të jetës e prej formave rrënjësore të individualizmit. Kemi të bëjmë me një fenomen me përmasa të mëdhaja, të përkrahur prej fushatash të fuqishme të mass-media-ve, që kanë si qëllim të përhapin stile jetese, projekte shoqërore e ekonomike dhe, përfundimisht një pamje të përgjithshme të njëmendësisë, që bren nga brenda rregullime kulturore të ndryshme e qytetërime shumë fisnike. Për arsye të shenjave të tyre dalluese shkencore e teknike, modelet kulturore të Perëndimit duken magjepse dhe tërheqse, por, mjerisht, tregojnë një varfërim humanistik, shpirtëror e moral në përparim. Kultura që i përfton bart shenjën e mëtimit dramatik se po don të arrijë të mirën e njeriut duke bërë pa Hyun, të Mirën më të lartë. Por «krijesa – ka qortuar

Koncili Vatikan II – pa Krijuesin zhduket!»[6]  Një kulturë që nuk pranon t’i drejtohet Hyut humbet shpirtin e vet e çorientohet duke u bërë kulturë vdekjeje, si e dëshmojnë ngjarjet tragjike të shekullit XX e si po e tregojnë përfundimet nihiliste të pranishme sot në pjesë të rëndësishme të botës perëndimore.

Dialogu midis kulturave

 10. Në mënyrë të ngjashme me sa ndodh për njeriun, që realizohet nëpërmjet hapjes mirëpritëse të tjetrit dhe dhurimit shpirtgjerë të vetvetes, edhe kulturat, të përpunuara nga njerëzit e në shërbim të njerëzve, duhen trajtuar sipas dinamizmave tipike të dialogut e të bashkësisë, mbi bazën e njësisë fillestare e themelore të familjes njerëzore të dalur prej duarve të Hyut i cili «krijoi prej një të vetmi të gjitha kombet e njerëzve» (Vap 17,26).

 Në këtë vështrim, dialogu midis kulturave, temë e këtij Mesazhi për Ditën Botërore të Paqes, shquhet si një kërkesë e brendshme e vetë natyrës së njeriut e të kulturës. Si shprehje historike të ndryshme e të shkëlqyera të njësisë fillestare të familjes njerëzore, kulturat gjejnë brenda dialogut mbrojtjen e veçantive të tyre e të mirëkuptimit e harmonisë. Koncepti i harmonisë, që në zbulesën e krishterë e ka burimin e modelin më të lartë te Hyu një e trini (khs Gjn 17,11,21), kurrnjëherë nuk është rrafshim në njëtrajtësi ose miratim i detyruar ose përvetësim; më mirë do t’ishte shprehje e konvergimit të një larmie shumëtrajtshme, e bëhet prandaj shenjë pasurie e premtim zhvillimi.

 Dialogu çon te njohja e pasurisë së ndryshimit e përgatit shpirtrat për t’u pranuar në mënyrë të anasjelltë, në pritje të një bashkëpunimi të njëmendët, qe i përgjigjet prirjes fillestare për njësinë e tërë familjes njerëzore. Si i tillë, dialogu ështe vegël e spikatur për të realizuar qytetërimin e dashurisë e të paqes,që paraardhësi im i nderuar, Papa Pali VI, e ka treguar si idealin nga i cili do të frymëzohet jeta kulturore, shoqërore, politike dhe ekonomike e kohës sonë. Në fillim të mijëvjeçarit të tretë është e ngutshme që t’i paraqitet përsëri udha e dialogut një bote të përshkuar nga tepër shumë konflikte e dhuna, nganjëherë pa besim në vetvete dhe e paaftë që të vëzhgojë horizontet e shpresës e të paqes.

Potencialitete e rreziqe të komunikimit global

 11. Dialogu në mes kulturave na shfaqet sot veçanërisht i nevojshëm, po patëm parasysh ndikimin e teknologjive të reja të komunikimit në jetën e personave e të popujve. Jemi në epokën e komunikimit global, i cili po i jep trajtë shoqërisë sipas modelesh të reja kulturore, pak a shumë të huaja prej modeleve të së kaluarës. Informacioni i kujdesshëm dhe i përdituar është, së paku si parim, praktikisht i arritshëm për këdo, në çdo anë të botës.

 Rrjedha e lirë e figurave dhe e fjalëve në shkallë botërore po shndërron jo vetëm marrëdhëniet midis popujve në nivelin politik e ekonomik, por vetë kuptimin e botës. Ky fenomen jep potencialitete të shumanshme, dikur të pashpresuara, por paraqet edhe disa anë negative e të rrezikshme. Puna se një numër i kufizuar Vendesh mban monopolin e «industrive» kulturore, duke shpërndarë prodhimet e tyre në çdo skaj të dheut për një publik gjithnjë në rritje, mund të jetë një faktor i fuqishëm gërryerjeje për veçoritë specifike kulturore. Janë prodhime që përmbajnë e transmetojnë sisteme të pashtjelluara vlerash e që ndërkaq mund të shkaktojnë fenomene shpronësimi e humbjeje identiteti ndër marrësit.

Sfida e dyndjeve

  1. Stili dhe kultura e dialogut janë veçanërisht kuptimplote në problematikën e ndërlikuar të dyndjeve, fenomen i rëndësishëm i kohrave tona. Eksodi i masave të mëdhaja nga njëra trevë në tjetrën të planetit, i cili shpesh përbën nje odise njerëzore dramatike për të gjithë ata që janë të përfshirë në të, ka si rrjedhim përzierjen e traditave e të zakoneve të ndryshme, me një jehonë mjaft të madhe në vendet nga vinë dhe në ato ku mbërrijnë. Pritja që u bëhet shtegtarëve në Vendet që i presin e aftësia e tyre për t’u integruar në ambjentin e ri njerëzor përbejnë po aq masa vlerësimi të cilësisë së dialogut në mes kulturave të ndryshme.

              Në fakt, në lidhje me temën e integrimit kulturor, kaq të rrahur në keta dit, nuk është e lehtë

që të dallohen rregulla e rregullore të cilat të garantojnë, në mënyrë të baraspeshuar e të paanshme, të drejtat e detyrat si të atij që pret ashtu të atij që pritet. Historikisht proceset e shtegtimit kanë ndodhur në gjithfarë mënyrash dhe me rezultate të ndryshme. Të shumta janë qytetërimet që janë zhvilluar e pasuruar shi nga ndihmesa e dhënë nga imigrimi. Në të tjera raste, ndryshimi kulturor i autoktonëve dhe i të ardhurve nuk janë integruar, por kanë treguar aftësinë për të bashkëjetuar, nëpërmjet një praktike nderimi të anasjelltë të personave e të pranimit ose tolerancës së zakoneve të ndryshme. Mjerisht ende qëndrojnë situata në të cilat vështirësitë e takimit ndërmjet kulturave të ndryshme nuk janë zgjidhur kurrë dhe trysnitë janë bërë shkak konfliktesh të herëpashershme.

  1. Në një lëndë kaq të ndërlikuar, nuk ka formula «magjike»; megjithatë është e detyrueshme të dallohen disa parime etike themelore të cilave t’u sillemi. Para së gjithash, duhet kujtuar parimi sipas të cilit imigrantët duhet të trajtohen gjithmonë me nderimin e duhur për dinjitetin e secilës vetje njerëzore. Këtij parimi duhet t’i nënshtrohet edhe vlerësimi i duhur për të mirën e përbashkët, kur duhet të disiplinohen rrymat imigruese. Atëherë duhet që të bashkohet pritja që u duhet bërë të gjitha qenieve njerëzore, sidomos po qenë të varfra, me vlerësimin e kushteve të domosdoshme për një jetë si i ka hije e paqësore për banorët vendas e të ardhur. Për sa u përket kërkesave kulturore, bartës të të cilave janë ardhësit, për aq sa ato nuk vihen në antitezë me vlerat etike të përgjithshme, të rrënjosura thellë në ligjin natyror, dhe me vlerat njerëzore themelore, duhet të nderohen e të mirëpriten.

Nderimi i kulturave dhe «fizionomia kulturore» e trevës

  1. Punë më e vështirë është që të përcaktohet se deri ku arrin e drejta e ardhësve për njohjen juridike publike të shprehjeve kulturore të tyre specifike, të cilat është e vështirë që të pajtohen me zakonet e shumicës së qytëtarëve. Zgjidhja e këtij problemi, në kuadrin e një hapjeje themelore, ka të bëjë me vlerësimin konkret të së mirës së përbashkët në një çast të dhënë historik dhe në një gjendje të dhënë tokësore e shoqërore. Shumë varet nga rrënjosja në shpirtra të një kulture të pranimit e cila, pa i lëshuar pe indiferentizmit në lidhje me vlerat, të dijë të bashkojë arsyet e identitetit me ato të dialogut. 

 Nga ana tjetër, siç e kam vënë në dukje pak më parë, nuk mund të nënvleftësohet rëndësia qw ka kultura karakteristike e një treve për rritjen e ekuilibruar, sidomos në moshën evolutive më të brishtë, të atyre të cilët i përkasin që nga lindja. Nga kjo pikëpamje, mund të mbahet si një orientim i pranueshëm ai  për t’i garantuar një treve të caktuar njëfarë «ekuilibri kulturor», në raport me kulturën që e ka shënuar në mënyrë mbizotëruese; një ekuilibër i cili, edhe duke iu hapur pakicave e duke respektuar të drejtat e tyre themelore, të lejojë qëndrimin e zhvillimin e një «fizionomie kulturore» të caktuar, ose të asaj trashëgimie themelore të gjuhës, traditave e vlerave që në përgjithësi lidhen me përvojën e kombit e me kuptimin e «atdheut».

  1. Por është e qartë se kjo kërkesë «ekuilibri», kundrejt «fizionomisë kulturore» të një treve, nuk mund të plotësohet me instrumente të thjeshta legjislative, sepse këto nuk do të kishin efektshmëri po qe se nuk do të kishin në themel ethos-in e popullsisë, e do të ishin përveç kësaj, në mënyrë të natyrshme, të dënuara për t’u ndërruar, kur një kulturë të ketë humbur aftësinë për t’i dhënë shpirt një populli e një treve, duke u bërë një trashëgimi e thjeshtë e ruajtur në muzé ose përmendore artistike e letrare.

 Në të vërtetë, një kulturë, për aq sa është me të vërtetë jetësore, nuk ka arsye që të druaj se po e mundin, ndërsa nuk ka ligj që mundet ta mbajë gjallë kur të ketë vdekur në shpirtra. Pastaj në perspektivën e një dialogu në mes kulturave, nuk mund të ndalohet që njëri t’i parashtrojë tjetrit vlerat në të cilat beson, mjaft që kjo të ndodhë në një mënyrë plot nderim për lirinë e për ndërgjegjen e personave. «E vërteta nuk detyrohet veçse për hir të vetë së vërtetës, e cila depërton me butësi në trurët e njëheri me forcë».[7]

Vetëdija e vlerave të përbashkëta

 16. Dialogu në mes kulturave, vegël e privilegjuar për të ndërtuar qytetërimin e dashurisë, mbështetet mbi vetëdijen se ka vlera të përbashkëta për çdo kulturë, sepse të rrënjosura në natyrën e

personit. Me këto vlera njerëzimi shpreh anët e veta më të vërteta e cilësuese. Duke lënë pas shpine rezervat ideologjike dhe egoizmat partish, duhet që të lëvrohet në shpirtra vetëdija e këtyre vlerave, për të ushqyer atë humus kulturor me natyrë të përgjithshme që bën të mundur zhvillimin frytdhënës të një dialogu ndërtimtar. Edhe fetë e ndryshme munden e duhet të sjellin një ndihmesë vendimtare në këtë drejtim. Përvoja ime e përmbushur kaq herë në takimet me përfaqësuesit e feve të tjera – kujtoj në veçanti takimin e Asizit më 1986 e atë në Sheshin e Shën Pjetrit më 1999 – ma përforcon besimin se nga një hapje e anasjelltë të ithtarëve të feve të ndryshme mund të rrjedhin përfitime të mëdha për çështjen e paqes e të së mirës së përbashkët të njerëzimit.

Vlera e solidarësisë

 17. Përpara pabarasive në rritje, të pranishme në botë, vlera e parë për të nxitur vetëdijen, me siguri, gjithmonë më e përhapur, është ajo e solidarësisë. Çdo shoqëri mbahet mbi bazën e raportit fillestar të personave midis tyre, i moduluar në rrathë marrëdhanorë gjithmonë e më të gjerë – prej familjes deri te grupet e tjera shoqërore ndërmjetëse – deri te ai i tërë shoqërisë qytetare e të bashkësisë shtetërore. Edhe vetë Shtetet nuk mund të rrinë pa hyrë në lidhje në mes tyre: gjendja e sotme e ndërvartësisë planetare ndihmon që të perceptohet më mirë bashkësia e fatit të tërë familjes njerëzore, duke përkrahur në të gjithë njerwzit mendimtarë nderimin për virtytin e solidarësisë.

 Në lidhje me këtë, megjithatë, duhet vënë në dukje se ndërvartësia në rritje e sipër ka ndihmuar nxjerrjen në dritë të shumë pabarasive, siç është prishja e ekuilibrit në mes Vendeve të pasura e Vendeve të varfra; thyerja shoqërore, brenda secilit Vend, në mes atij që jeton ne bollëk e të atij që është cënuar në dinjitetin e vet, sepse i mungon edhe ajo që është e nevojshme; rënia e ambjentit dhe e njeriut, e shkaktuar dhe e përshpejtuar nga përdorimi pa përgjegjësi i të mirave natyrore. Këto pabarasi e shpërpjestime shoqërore në disa raste kanë ardhur duke u rritur, deri aty sa t’i çojnë Vendet më të varfra në një rravgim të pandalshëm.

 Prandaj, në zemrën e  një kulture të vërtetë të solidarësisë vendoset nxitja e drejtësisë. Nuk kemi të bëjmë vetëm me dhënien e asaj që është e tepërt atij që ka nevojë, por që «të ndihmohen popuj të tërë, të cilët janë të përjashtuar e të mënjanuar prej saj, që të hyjnë në rrethin e zhvillimit ekonomik e njerëzor. Kjo do të jetë e mundur jo vetëm duke marrë nga e tepërta, të cilën bota e jonë e prodhon me shumicë, por sidomos duke ndërruar stilet e jetës, modelet e prodhimit e të konsumit, strukturat e forta të pushtetit që sot mbajnë shoqërinë».[8]

Vlera e paqes

 18. Kultura e solidarësisë është e lidhur ngusht me vlerën e paqes, qëllim parësor për çdo shoqëri e për bashkjetesën kombëtare e ndërkombëtare. Gjatë rrugës drejt një marrëveshjeje më të mirë ndërmjet popujve, megjithatë, ende të shumta janë sfidat që do të përballojë bota: ato i vënë të gjithë përballë zgjedhjeve që nuk mund të shtyhen për më vonë. Rritja shqetësuese e armatimeve, ndërsa e ka të vështirë të fortësohet zotimi për mospërhapjen e armëve bërthamore, ka rrezik që të ushqejë e të përhapë një kulturë të garës e të konfliktualitetit, e cila nuk përfshin vetëm Shtetet, por edhe entitetet joinstitucionale, sikurse grupet paraushtarake e organizatat terroriste.

 Bota edhe sot e kësaj dite është duke u kapur me rrjedhimet e luftave të kaluara e të sotme, me tragjeditë e shkaktuara nga përdorimi i minave kundërnjeri e prej përdorimit të armëve të tmerrshme kimike e biologjike. E çka të themi për rrezikun e përhershëm të luftave midis shteteve, të luftave civile brenda Shteteve te ndryshme e të një dhune të përhapur kudo, që organizatat ndërkombëtare e qeveritë kombëtare tregohen se janë thuejse të pafuqishme t’u bëjnë ballë? Para kërcënimeve të tilla, të gjithë duhet ta ndjejnë detyrën morale që të ndërmarrin zgjedhje konkrete e në kohën e duhur, për të nxitur çështjen e paqes e të mirëkuptimit ndërmjet njerëzve.

Vlera e jetës

 19. Një dialog i vërtetë midis kulturave, përveç ndjenjës së nderimit të anasjelltë, nuk mund të mos ushqejë një ndjeshmëri të gjallë për vlerën e jetës. Jeta njerëzore nuk mund të shihet si një send të cilin mund ta përdorim arbitrarisht, por si njëmendësinë më të shenjtë e të paprekshme që gjendet në skenën e botës. Nuk mund të ketë paqe kur fiket mbrojtja e kësaj së mire themelore. Nuk mund të kërkohet paqa e të përbuzet jeta. Koha jonë njeh shembuj të ndritshëm bujarie e kushtimi në shërbim të jetës, por edhe një visore të trishtueshme prej qindra miliona vetësh të lëshuar nga mizoria ose nga indiferenca një fati të dhimbshëm e të ashpër.Kemi të bëjmë me një spirale tragjike e cila përfshin vrasje, vetvrasje, aborte, eutanazi, si edhe ushtrimin e gjymtimeve, torturat fizike e psikologjike, format e shtrëngimit të padrejtë, burgimin arbitrar, përdorimin krejt të panevojshëm të dënimit me vdekje, internimet, skllavërinë, prostitucionin, shit-blerjen e grave dhe të fëmijëve. Kësaj liste duhet t’u shtohen praktikat e papërgjegjshme të ingjenjerisë gjenetike, siç janë klonimi e përdorimi i embrioneve njerëzore për kërkimet, të cilave duan t’u japin justifikim duke iu referuar padrejtësisht lirisë, përparimit të kulturës, nxitjes së zhvillimit njerëzor.

 Kur njerëzit më të brishtë e të pambrojtur të shoqërisë pësojnë mizori të tilla, vetë nocioni i familjes njerëzore, i mbështetur mbi vlerat e personit, e besimit dhe të nderimit e të ndihmës së anasjelltë, cënohet rëndë. Një qytetërim i mbështetur në dashuri e në paqe duhet t’u vihet kundra këtyre eksperimentimeve të padenja për njeriun.

Vlera e edukimit

 20. Për të ndërtuar qytetërimin e dashurisë, dialogu midis kulturave duhet të synojë kapërcimin e çdo egoizmi etnocentrik për të bashkuar vëmendjen e identitetit të vet me mirëkuptimin e të tjerëve e nderimin e ndryshimit. Në këtë vështrim shfaqet themelore përgjegjësia e edukimit. Ajo duhet t’u përçojë personave vetëdijen e rrënjëve të veta e të japë pika referimi të cilat do të lejojnë që të përkufizohet vendi vetjak në botë. Njëkohësisht duhet të zotohet që të mësojë nderimin për kulturat e tjera. Duhet shikuar përtej përvojës vetjake të drejtpërdrejtë e të pranohen ndryshimet, duke zbuluar pasurinë e historisë së të tjerëve e të vlerave të tyre.

 Njohja e kulturave të tjera, e kryer me ndijën e duhur kritike e me pika të forta referimi etik, çon në një vetëdije më të madhe të vlerave e të kufizimeve që gjenden brenda së vetes e zbulon, njëkohësisht, praninë e një trashëgimie të përbashkët për të gjithë gjininë njerëzore. Shi për hir të këtij zgjërimi horizontesh, edukimi ka një funksion të posaçëm në ndërtimin e një bote më solidare e paqësore. Ai mund të ndihmojë në pohimin e atij humanizmi integral, të hapur në drejtim të përmasës etike e fetare, që din t’u japë rëndësinë e duhur njohjes e vlerësimit të kulturave e të vlerave shpirtërore të qytetërimeve të ndryshme.

Falja dhe pajtimi

 21. Gjatë Jubileut të Madh, dymijë vjet nga lindja e Jezusit, Kisha e ka jetuar me një forcë të posaçme thirrjen kërkuese për pajtim. Është thirrje kuptimplote edhe në kuadrin e tematikës të ndërlikuar të dialogut midis kulturave. Në fakt, shpesh dialogu është i vështirë, sepse mbi të rëndon hipoteka e trashëgimive tragjike të luftave, konflikteve, dhunëve e urrejtjeve, të cilat kujtesa vijon t’i ushqejë. Për të kapërcyer pengesat e pakomunikueshmërisë, rruga për t’u bërë është ajo e faljes dhe e pajtimit. Shumë vetë, në emër  të një realizmi që s’ka më iluzione,  e mendojnë këtë rrugë utopike e të thjeshtë. Ndërsa, simbas vështrimit të krishterë, kjo është rruga e vetme për të arritur cakun e paqes.

 Shikimi i besimtarëve ndalohet të kundrojë ikonën e të Kryqëzuarit. Pak para se të vdiste Jezusi thërret: «Atë fali, sepse nuk dijnë se ç’bëjnë» (Lk 23,34). Keqbërësi i kryqëzuar në të djathtën e tij, duke dëgjuar këto fjalë të larta të Shëlbuesit që po vdes, e hap vetwn drejt hirit të kthimit, pranon Ungjillin e faljes e arrin te premtimi për lumturinë e amshuar. Shëmbulli i Krishtit na bën të jemi të sigurt se mund të shemben me të vërtetë të gjitha ato mure që pengojnë komunikimin e dialogun ndërmjet njerëzve. Shikimi i të Kryqëzuarit na ngjall besimin se falja e pajtimi mund të bëhen praktikë e rregullt e jetës së përditshme e të çdo kulture dhe, prandaj, mundësi konkrete për të ndërtuar paqen dhe të ardhmen e njerëzimit.

 Duke kujtuar përvojën kuptimplote jubilare të pastrimit të kujtesës, dëshiroj t’u drejtoj të krishterëve një thirrje të veçantë, që të bëhen dëshmitarë e misionarë të faljes e të pajtimit, duke shpejtuar, në lutjen vepruese ndaj Hyun e paqes, realizimin e profecisë së shkëlqyer të Isaisë, që mund t’u shtrihet të gjithë popujve të dheut: «Atë ditë ka për të qenë një rrugë që shkon nga Egjipti drejt Asirisë: Asiri ka për të shkuar në Egjipt dhe Egjipciani në Asiri: Egjipcianët kanë për t’i shërbyer Zotit së bashku me Asirët. Në atë ditë Izraeli, i treti bashkë me Egjiptin e Asirinë, ka për të qenë një bekim në mesin e dheut. Ka për t’i bekuar Zoti i ushtrive: “I bekuar qoftë populli im Egjipcian, Asiriani vepër e duarve të mia e Izraeli trashëgimi im”» (Is 19,23-25).

Një thirrje të rinjve

 22. Dëshiroj ta mbyll këtë Mesazh paqeje me një thirrje të posaçme drejtuar ju, të rinj të krejt botës, që jeni e ardhmja e njerëzimit e gurët e gjallë për të ndërtuar qytetërimin e dashurisë. E ruaj në zemër kujtimin e takimeve të pasura me mallëngjim e me shpresë që kam pasur me ju gjatë Ditës së fundit Botërore të Rinisë në Romë. Përkrahja juaj ka qenë e gëzuar, e bindur e premtuese. Te energjia e gjallëria juaj e te dashuria juaj për Krishtin kam parandjerë një të ardhme më të kthjelltë e njerëzore për botën.

            Duke ndjerë afërsinë tuaj, vë re brenda vetvetes një ndjenjë të thellë mirënjohjeje ndaj Zotin, që më bëri nderin që të soditja, nëpërmjet mozaiku shumëngjyrësh të gjuhëve, kulturave, zakoneve e mendësive tuaja të ndryshme, mrekullinë e universalitetit të Kishës, e qenies së saj katolike, e njësisë së saj. Nëpërmjet jush kam parë pajtimin e mrekullueshëm të ndryshimeve në njësi të së njëjtes fe, të së njëjtes shpresë, të së njëjtës dashuri, si shprehje kuptimplote të njëmendësisë së mrekullueshme të Kishës, shenjë e vegël e Krishtit për shëlbimin e botës e për njësinë e gjinisë njerëzore.[9] Ungjilli iu thërret për të rindërtuar atë njësi origjinare të familjes njerëzore, që e ka burimin e vet te Hyu Atë e Bir e Shpirt i Shenjtë.

 Shumë të dashur të rinj, të çfarëdo gjuhe e kulture, ju pret një detyrë e lartë e që të nxit: të jeni burra e gra të zotët për solidarësi, për paqe e për dashuri të jetës, duke nderuar gjithkend. Të jeni krijuesit e një njerëzimi të ri, në të cilin vëllezër e motra, të gjithë misë të së njëjtës familje, të mund të jetojnë më në fund në paqe!

Nga Vatikani, 8 dhjetor 2000. 


[1] Khs CONC. ECUM. VAT. II, Cost. Past. Gaudium et spes, 53.

[2] Khs GJON PALI II, Fjalim para Kombeve të Bashkuara, 15 tetor 1995. 3 Khs CONC. ECUM. VAT. II, Cost. past. Gaudium et spes, 75.

[3] Khs ibid., n. 22.

[4] Ibid., n. 10. 

[5] Khs GJON PALI II, Fjala në U.N.E.S.C.O.,2 qershor 1980, n. 6.

[6] Cost. Past. Gaudium et spes, 36.

[7] CONC. ECUM. VAT. II, Dekl. mbi lirinë fetare Dignitatis humanæ, 1.

[8] GJON PALI II, Letër enc. Centesimus annus, 58.

[9] Khs CONC. ECUM. VAT. II, Cost. Dogm. Lumen gentium, 1.