Scroll Top

Mesazhi i ipeshkvit per Krezhme – 2017

Prot. N. 27/2017

Shkodër, 26/02/2017

Shumë të dashur: meshtarë, të kushtuar Zotit dhe të gjithë ju besimtarë,

Koha e shenjtë e Kreshmëve ka filluar dhe ndiej detyrën të nxis gjithë bashkësinë dioqezane për ta pritur këtë kohë të fortë të Vitit Liturgjik me gjithë vlerën e saj tejet të çmueshme.

Në mënyrë shumë të veçantë, Kreshmët na japin një imazh, një shëmbëlltyrë të ecjes së njeriut në tokë: një shtegtim, të ngjashëm me atë dyzet vjeçar të popullit të Izraelit në shkretëtirë, të shënuar prej gjesteve të fuqishme të lirimit nga ana e Hyjit, por edhe nga pabesnikëria e popullit ndaj besëlidhjes; një rrugëtim të ngjashëm me atë shembullor prej dyzet ditësh agjërimi dhe lutjeje të Jezusit në shkretëtirë që, megjithatë, na hap ndaj perceptimit të duhur të vetvetes përpara Hyjit.

Si në njërin rast ashtu edhe në tjetrin rezultati është ai i një jete të re që, nëse për popullin e besëlidhjes së vjetër qe hyrja në tokën e premtuar, dhe nëse për Jezusin qe hyrja plotësisht në misionin shpëtimtar që i ishte besuar prej Atit, për ne mund të jetë ai i një kuptimi të përtërirë të vetvetes si nxënës të Zotit Jezus, të dashur prej Atit dhe të caktuar për një të ardhme të lavdishme.

Vetëm duke e shikuar me shpresë këtë të ardhme të lavdishme mund të gjejmë forcën për t’i mbetur besnikë pagëzimit që kemi marrë dhe të mposhtim, së bashku me Jezusin e tunduar në shkretëtirë, kurthet e armikut të njerëzimit që, me mashtrim – siç thotë Papa në Mesazhin e tij për Kreshmët e këtij viti – na nxit në grykësi, në kotësi dhe në krenari.

Shëmbëlltyra e të pasurit dhe e Lazrit të varfër e komentuar nga Papa Françesku hedh dritë mbi gjendjen e vërtetë të njeriut në tokë, si në marrëdhënie me Hyjin ashtu edhe në marrëdhënie me njerëzit e tjerë. Por të dyja përmasat janë të lidhura mes tyre sepse, kur reshtim së qenuri në marrëdhënie me Hyjin, përfundojmë të bëhemi hyjni të vetvetes dhe i shtypim njerëzit e tjerë.

Ndërsa Kreshmët, duke na ndihmuar që të rivendosim ekuilibrin i duhur, na bëjnë të jemi më të vërtetë, duke njohur – siç ndodh të Mërkurën e Përhime – realitetin tonë si pluhur i destinuar të kthehet përsëri në pluhur, epërsinë e pafundme të Hyjit që prej pluhurit na ka thirrur në ekzistencë dhe në Birin e vet na dhuron një jetë pa fund, marrëdhënien e drejtë me të gjitha qeniet e tjera të gjalla të botës së krijuar.

Gjithnjë Ati i Shenjtë në Mesazhin e tij na tregon edhe zgjidhjen për të dalë fitimtarë: dëgjimi i vëmendshëm dhe i frytshëm i Fjalës së Zotit. Në të vërtetë, vetëm dëgjimi i Fjalës, së bashku me pjesëmarrjen në Sakramentet e Kishës, na lejon ta jetojmë në përmasën e duhur të qenurit tonë njerëzim i ri, i pajtuar dhe i shpërblyer prej flijimit të Krishtit, por edhe i hapur ndaj amshimit.

Prandaj, le t’i shfrytëzojmë të gjitha rastet që do të na jepen në këtë kohë hiri: momente më të forta të dëgjimit të Fjalës së Zotit që Famullitë dhe bashkësitë rregulltare me siguri do të organizojnë, katekeza në të gjitha nivelet, dioqezane e famullitare, praktika e përshpirtshme e Udhës së Kryqit që nuk duhet të mungojë në asnjë bashkësi, ashtu si edhe momente të tjera lutjeje që synojnë një bashkim më të thellë me Hyjin.

Nuk duhet të harrohen as gjestet konkrete të solidaritetit vëllazëror me njerëzit më nevojtarë, qoftë në nivel personal si fryt i agjërimeve apo pendesave tona që do të dimë të bëjmë, qoftë edhe si bashkësi famullitare, në marrëveshje me Caritas-in dioqezan.

Zoti, i mirë dhe i madh në dashuri, e paftë angazhimin tonë, i pranoftë qëllimet tona të mira e gjestet tona konkrete të kthimit dhe e bekoftë secilin prej jush si dhe krejt bashkësinë dioqezane.

Kreshme të mbara të gjithëve!

  Ipeshkëv juaj

  + Angelo Massafra OFM

Shenim: Kjo letër të lexohet të merkurën ose të dielën e I e kreshmeve.