MESAZHI I IPESHKËVINJËVE KATOLIKË PËR KRISHTLINDJE 2017
“Populli që ecte në errësirë pa një dritë të madhe” (Is 9,1)
Krishtlindja është festa e dritës. Për ne Krishti është drita që shkëlqen në errësirë (Gjn 1,5), ai i cili vjen nga drita e Atit për të shndritur errësirën përreth nesh e brenda nesh. Kjo festë është solidariteti i Hyjit me njeriun. Në Krishtlindje Hyji merr mishin njerëzor, ashtu të plagosur e të vuajtur, dhe i jep një dinjitet njeriut, duke përtërirë marrdhënien me të e duke shtruar kështu rrugën e vëllazërimit midis njerëzve. Natën e Krishtlindjes në të gjitha kishat tona do të jehojë fjala e Isaisë profet: “Populli që ecte në errësirë pa një dritë të madhe, për banorët që jetonin në krahinën e hijes së vdekjes zbardhi për ta drita” (Is, 9,1).
Po çfarë është errësira?
Konteksti në të cilin është thënë kjo shprehje na sjell ndërmend shpërnguljen e popullit të Izraelit, skllavërinë e tij, largësinë e tij nga tempulli dhe nga toka e etërve, nëpërkëmbjen dhe rrezikun e shfarosjes, urinë dhe etjen. Janë situata që përsëriten në historinë e njerëzimit e jo vetëm në një popull. Në gjendjen në të cilën jetojmë mund të themi se elementë të kësaj errësire janë të pranishëm edhe në jetën e popujve në kohën e sotshme. Varfëria dhe uria po vret shumë jetë njerëzish, konfliktet e armatosura në shumë anë të globit, terrorizmi me matricë fetare, dukja në horizont e një konflikti nuklear, gjenocidi nëpërmjet abortit, ndarja e familjeve në botën moderne, e shumë dukuri të tjera, duket sikur po e çojnë botën në një drejtim të panjohur.
Po ashtu, në realitetin tonë shqiptar, duket se shumë dukuri errësojnë atë të mirë që çdo ditë, edhe pse në heshtje, hedh farën e saj në jetën tonë. Në shumë anë të Shqipërisë ka varfëri dhe mjerim, sidomos në zonat më periferike të vendit, në fshatrat e braktisura, por edhe në periferitë e qendrave të mëdha urbane. Shpesh jetohet nën minimumin jetik. Kjo ka bërë që rrteh 50 % e shqiptarëve, sipas statistikave, të dëshirojnë të ikin nga Shqipëria për një jetë më të mirë e më të dinjitetshme, duke zbrazur kështu kombin. E kjo vjen si pasojë e mungesë së shpresës. Errësira është mungesë shprese. Korrupsioni, pasurimi nëpërmjet kultivimit të lëndëve narkotike, papunësia, etj. bëjnë që hendeku midis të varfërve dhe të pasurve, të fortëve dhe të dobtëve, të bëhet gjithnjë e më i madh e të thellohet gjithnjë e më shumë.
Por errësira është akoma më shumë se sa kaq. Ajo është mospërgjigja dhe refuzimi i njeriut (Gjn 1,11) ndaj planit të Zotit, i cili do që në tokë të përmbushet ligji i dashurisë midis njerëzve. Errësira është pasojë e zgjedhjeve të shtyra nga egoizmi dhe nga dëshira për pushtet e përfitim me çdo kusht e në kurriz të të tjerëve, e padrejtësive që bëhen çdo ditë prej atyre që mendojnë se kanë pushtet dhe fuqi.
E çfarë është drita?
Drita është prania e Hyjit dhe e çdo gjëje të mirë që ai ka vendosur në zemrën e njeriut dhe në jetën e botës. Është etja për paqe e drejtësi, pasi Mbretëria e Hyjit është mbretëri paqe dhe drejtësie (Rm 14,17). Është shpresa se njeriu mund t’ia dalë dhe se Zoti nuk e braktis. Profeti Isaia duke lexuar historinë me sytë e Hyjit e kupton shumë mirë se Zoti nuk e braktis kurrë popullin e tij dhe se fara e së mirës që ai ka mbjellë në botë (Mt 13,1-9) do të lindë e do të rritet.
Në të njëjtin libër që mbane emrin e Isaisë thuhet: “Thuajuni atyre që i ka lëshuar zemra: “Mbahuni! Frikë mos kini! … sytë do t’u çelen të verbërve veshët e të shurdhërve do të dëgjojnë; atëherë i shqepti do të kërcejë si dreri gjuha e të pagojit do të shpërthejë në hare, se në shkretëtirë do të burojnë ujërat, përrenjtë do të rrjedhin nëpër shkretëtirë.” (Is 35, 4 – 6)
Edhe ne si popull ia kemi dalë në shumë raste e përsëri me ndihmën e Zoti dhe angazhimin tonë të sinqertë mund t’ia dalim. Janë bërë shumë gjëra të mira në këto vite në Shqipëri e për këtë duhet të falenderojmë Zotin. Ka shumë burra dhe gra që punojnë seriozisht dhe me përkushtim, qoftë në sektorin publik e qoftë në atë privat. Ne si ipeshkëvinj e inkurajojmë këtë gjë e japim kontributin tonë si bashkësi e krishterë katolike, bashkë me shoqërinë, për të mirën e vendit tonë.
Edhe ne jemi të angazhuar si Kishë, nëpërmjet shumë veprave dioqezane e famullitare, që t’u vijmë në ndihmë familjeve dhe individëve me probleme të varfërisë, të aftësisë së kufizuar, të grave të dhunuara, të familjeve të pamundura. Kemi ndërtuar dhe administrojmë në këto vite shkolla të të gjitha niveleve, kopshte, çerdhe e qëndra shëndetësore që ofrojnë një shërbim të rëndësishëm dhe cilësor. Ndoshta mund të bëhet edhe më shumë e ne jemi të gatshëm të angazhohemi që kjo të ndodhë, kudo dhe kurdo të jepen mundësitë.
Por mbi të gjitha jemi të angazhuar që të kumtojmë fjalën e Zotit e cila është një fjalë shprese dhe drite. Krishtlindja është shfaqja e dashurisë së pamasë të Zotit për njeriun dhe për botën: “Hyji aq fort e deshi botën saqë dha Birin e tij një të vetmin (Gjn 3,16)”. E Ai, Krishti, është drita që shndrit në errësirë e bëhet udhërrëfyes për të gjithë ata që ecin në terr dhe në hijen e vdekjes.
Gëzuar Krishtlindjen dhe Vitin e Ri 2018
Ipeshkvinjtë katolikë të Shqipërisë.