MESAZHI I GJON PALIT II PËR KREMTIMIN E DITËS XXVI NDËRKOMBËTARE TË PAQES
«PO KËRKOVE PAQEN, DILU PARA TË VARFËRVE»
1 janar 1993
«Po kërkove paqen…»
- Cili njeri vullnetmirë nuk e ka synimin te paqa? Kjo sot është e njohur përgjithësisht si njëra ndër
vlerat më të larta për t’u kërkuar e për t’u mbrojtur. Megjithatë, ndërsa po davaritet hija e një lufte
vdekjeprurëse në mes bloqeve ideologjike të përkundërta, konflikte të rënda vendore vijojnë që të
përflakun treva të ndryshme të botës. Në veçanti, të gjithë e kanë parasysh gjendjen dramatike në të
cilën gjendet Bosnje-Hercegovina, ku ngjarjet luftarake vijojnë të korrin çdo ditë flije të reja,
sidomos në mes popullsisë qytetse të pambrojtur, dhe duke u shkaktuar dëme të mëdha sendeve e
vendit. Duket se nuk ka gjë që mund t’i dalë para dhunës së çmendun të armëve: as përpjekjet e
përbashkëta në të mirë të një armëpushimi efektiv, as veprimi humanitar i Organizatave
Ndërkombëtare, as përgjërimi i paqes që ngrihet njëzëri nga tokët e përgjakura prej luftimeve.
Logjika rravguese e luftës, mjerisht, i shkapërcen ftesat e përsëritura e me autoritet për paqe.
Pohohet, gjithashtu, e bëhet gjithnji e më i rëndë një tjetër rrezik për paqen në botë: shumë njerëz,
madjè, popullsi të tëra jetojnë sot në kushtet e një varfërie të skajshme. Pabarazia në mes të pasurve
e të varfërve është bërë më e dukshme, edhe ndër shtetet më të zhvilluara në pikëpamje ekonomike.
Kemi të bëjmë me një problem që i diktohet ndërgjegjes së njerzimit, mbasi kushtet në të cilat
gjendet një numër i madh njerzish janë të tilla sa që të fyejnë dinjitetin e lindur e të cënojnë,
rrjedhimisht, përparimin e vërtetë dhe harmonik të bashkësisë botërore. Kjo njëmendësi shfaqet me
tërë peshën e vet në shumë Vende të botës: në Europë ashtu si në Afrikë, Azi e Amerikë. Në treva
të ndryshme nuk janë të pakta sfidat shoqërore dhe ekonomike me të cilat do të maten besimtarët
dhe njerzit vullnetmirë. Varfëria e mjerimi, ndryshimet shoqërore e padrejtësitë nganjëherë të
ligjëruara, konfliktet vëllavrasëse e regjimet shtypëse i drejtohen ndërgjegjes së popullsive të tëra
në çdo anë të botës.
Konferenca e re e Episkopatit latinoamerikan, që u zhvillua në Santo Domingo në mojin e kaluar të
tetorit, i ka sjellë sytë me vemendje te gjendja që ekziston në Amerikën Latine dhe, duke u
parashtruar përsëri me ngut të madh të krishterëve detyrën e nje ungjillëzimi të ri, me tone të
pikëlluara i ka ftuar besimtarët dhe të gjithë ata që duan drejtësinë e të mirën për t’i shërbyer
çështjes së njeriut pa lënë pas dore asnjërën nga kërkesat e tija më të brendshme. Ipeshkvinjtë kanë
zënë në gojë misionin e madh që duhet t’i bashkojë përpjekjet e të gjithëve: mbrojtje e dinjitetit të
njeriut, zotim për një shpërndarje të barbartë të të mirave, promovim në mënyrë harmonike e
solidare i një shoqërie në të cilën secili ta ndjejë veten të mirëpritur e të dashur. Si shihet këto janë
premisat e pamënjanueshme për të ndërtuar paqen e vërtetë. Në fakt, të thuash «paqe» do të thotë të
thuash shumë më tepër se një mungesë e thjeshtë luftash; është të kërkosh me ngulm kushtin e një
nderimi të vërtetë të dinjitetit e të të drejtave të çdo qenieje njerzore në mënyrë që t’i lejohet kësaj
realizimi i plotë i vetvetes. Shfrytëzimi i atyre që janë të dobët, xhepat shqetësues me mjerim,
shpërpjestimet shoqërore përbëjnë po aq pengesa e frera për realizimin e kushteve qëndruese për një
paqe të vërtetë. Varfëri e paqe: në fillim të vitit të ri, dua t’i ftoj të gjithë në një reflektim të
përbashkët mbi lidhjet e shumta që gjenden në mes këtyre dy njëmendësive.
Veçanërisht, do të dëshiroja të tërhiqja vëmendjen te kërcënimi i paqes që rrjedh prej varfërisë,
sidomos kur kjo shndërrohet në mjerim. Janë me miliona fëmijët, gratë e burrat që vuajnë ditë për
ditë nga uria, nga pasiguria, nga mënjanimi. Gjendje të tilla përbëjnë një fyerje të rëndë për
dinjitetin njerzor dhe ndihmojnë paqëndrueshmërinë shoqërore.
Zgjedhja çnjerëzore e luftës - Në këtë moment, kemi një tjetër gjendje, që është burim varfërie e mjerimi: atë që rrjedh nga
lufta në mes Shteteve e prej konflikteve të mrendshme të të njëjtit Vend. Para ngjarjeve tragjike që
kanë përgjakur, e vijojnë të përgjakun, sidomos për arsye etnike, treva të ndryshme të botës, e kemi
detyrë të kujtojmë sa pata thënë në mesazhin e Ditës së Paqes të vitit 1981, që kishte si temë: «Për
t’i shërbyer paqes, ndero lirinë». N’atë kohë nënvizonja se premisë e domosdoshme për ndërtimin e
një paqeje të vërtetë është nderimi i lirisë dhe i të drejtave të individëve e të bashkësive të tjera.
Paqja kihet duke i nxitur popujt e lirë në një botë plot liri. Prandaj ruan gjithë aktualitetin e vet
thirrja që lëshonja n’atë kohë: «Nderimi i lirisë së popujve e të shteteve është pjesë përbërëse e
paqes. Luftat nuk kanë pushuar së shpërthyeri dhe shkatrrimi ka rënë mbi popuj e kultura të tëra,
mbasi nuk ishte respektuar sovraniteti i një populli ose i një kombi. Të gjitha Kontinentet kanë qenë
dëshmitare dhe njëheri flije e luftave dhe e përpjekjeve vëllavrasëse, të shkaktuara nga përpjekja e
një shteti për të kufizuar autonominë e një tjetri» (n. 8). Dhe shtonja: «Pa pasur vullnetin për të
respektuar lirinë e çdo populli, të çdo kombi ose kulture, e pa një consensus global në këtë
vështrim, do të jetë e vështirë që të krijohen kushtet e paqes… Kjo pandeh, nga ana e secilit komb e
nga ana e sundimtarëve të tij, një zotim të ndërgjegjshëm e publik për të heqë dorë nga rivendikimet
e nga shestimet që mund të jenë të dëmshme për kombet e tjera; me fjalë të tjera, kjo sjell me vete
heqjen dorë nga nënshkrimi i çfarëdo doktrine që synon mbizotërimin nacional ose kulturor» (ibid.,
n. 9). Mund të kihen lehtësisht parasysh rrjedhimet që vijnë prej një zotimi të tillë edhe për
marrëdhëniet ekonomike në mes Shteteve. Refuzimi i çfarëdo tundimi për mbizotërim ekonomik
mbi kombet e tjera do të thotë të hiqet dorë prej një politike të frymëzuar nga kriteri mbizotërues i
leverdisë, për të vendosur një politikë tjetër të prirun ndërkaq nga kriteri i solidaritetit për të gjithë e
sidomos për më të varfërit.
Varfëria si burim konflikti - Numri i njerzve që sot jetojnë në kushtet e varfërisë së skajshme është shumë i gjërë. Mendoj,
ndër të tjera, për gjendjet dramatike që ekzistojnë në disa Vende afrikane, aziatike e latinoamerikane. Janë grupe të gjera, nganjiherë breza të tërë popullsie që, në Vendet e tyre, gjenden në
skaj të jetës së qytetëruar: në mes tyre ka një numër gjithnjë në rritje fëmijësh të cilët për të
mbijetuar nuk mund të mbështeten te askush veçse te vetja e tyre. Një gjendje e tillë nuk përbën
vetëm një fyerje për dinjitetin njerzor, por përfaqëson edhe një rrezik të pashmangshëm për paqen.
Një Shtet, cilido qoftë organizimi i tij politik e sistemi i tij ekonomik, do të jetë i brishtë e i
paqëndrueshëm, po nuk tregoi vëmendje të pareshtur për anëtarët e tij më të dobët e po mos të bëjë
gjithçka të jetë e mundur për t’u siguruar sëpaku plotësimin e kërkesave të tyre primare. E drejta për
zhvillim e Vendeve më të varfëra u cakton një detyrë të përpiktë Vendeve të zhvilluara për të
ndërhyrë në ndihmë të tyre.
Koncili Vatikan II shprehet kështu në lidhje me të: «Të gjithë njerëzve u takon e drejta për të pasur
një pjesë të të mirave të mjaftueshme për vete e për familjet e tyre… Njerëzit e kanë detyrë të
ndihmojnë të varfërit, dhe jo vetëm me çka kanë të tepërt» (Cost. past. Gaudium et Spes, n. 69).
Është i qartë qortimi i Kishës, jehonë besnike e zërit të Krishtit: të mirat e tokës janë të caktuara për
tërë familjen njerëzore e nuk mund të lihen në dobi ekskluzive të një pakice (khs. Enc. Centesimus
Annus, nn. 31 e 37). Në interes të personit, e prandaj të paqes, është e ngutshme që mekanizmave
ekonomikë t’u bëhen qortimet e duhura të cilat t’u lejojnë nje shpërndarje më të drejtë e më të
paanshme të pasurive. Për ta bërë këtë nuk mjafton vetëm që të punojë tregu; duhet që shoqëria të
marrë mbi vete përgjegjësitë e veta (khs. Centesimus Annus, n. 48), duke shumëfishuar përpjekjet,
shpesh mjaft me rëndësi, për të shmangur shkaqet e varfërisë me rrjedhimet e tyre tragjike.
Asnjë Vend nuk mund t’ja arrijë, i vetëm, një përpjekjeje të tillë. Shì për këtë duhet që të punojmë
sëbashku, me solidarësinë që e kërkon një botë e cila është bërë gjithnjë e më e ndërvarun. Duke
lejuar që të qëndrojnë gjendjet e një varfërie të skajshme vihen premisat e bashkjetesave shoqërore
gjithnjë e më të ekspozuara ndaj kërcënimeve të dhunave e të konflikteve. Secili individ e secili
grup shoqëror duhet të vihet në gjendje të plotësojë nevojat vetjake e familjare e të marrë pjesë në
jetën e në përparimin e bashkësisë së cilës i përket. Kur nuk njihet kjo e drejtë, ndodh shumë lehtë
që të interesuarit, duke e ndjerë veten flije të një strukture që nuk i pranon, të kundërveprojnë me
egërsi. Kjo vlen veçanërisht për të rinjtë që, duke mos pasur arsimin përkatës dhe mundësinë e
punësimit, janë gjithnjë e më tepër të ekspozuar rrezikut për t’u lënë mënjanë e për t’u shfrytëzuar.
Të gjithë e dijnë problemin e papunësisë, sidomos të të rinjve, në tërë botën, që ka si rrjedhim
varfërimin e një numri gjithnjë e më të madh individësh të veçuar e familjesh të tëra. Papunësia,
sidoqoftë, shpesh është rrjedhimi tragjik i shkatrrimit të infrastrukturave ekonomike në një Vend të
sfilitur nga lufta ose nga konfliktet e brendshme. Këtu do të donja të rikujtoj shkurt disa probleme
veçanërisht shqetësuese, që mundojnë të varfërit e që, rrjedhimisht, kërcënojnë paqen. Pikësëpari,
problemi i borxhit të jashtëm, i cili për disa Vende, e në ta për brezat shoqërorë më të varfër, vijon
të jetë një barrë e padurueshme, megjithë përpjekjet e bëra nga bashkësia ndërkombëtare, nga
qeveritë e nga institucionet financiare për ta lehtësuar. A nuk janë ndoshta sektorët më të varfër të
këtyre Vendeve që shpesh do të bartin barrën më të rëndë të kthimit të parave ? Një gjendje e tillë
padrejtësie mund t’i hapë rrugën një mllefi në rritje, ndjenjës së zhgënjimit e deri atë të disprimit.
Në shumë raste qeveritë vetë e mbështesin shqetësimin e përhapur të popullit të vet e kjo gjë
pasqyrohet në marrëdhëniet me Shtetet e tjera. Ndoshta ka arritur çasti për ta rishqyrtuar përsëri,
duke i dhënë përparësinë e duhur, problemin e borxhit të jashtëm. Kushtet e kthimit të plotë ose të
pjesshëm të parave duhet të rishikohen, duke hetuar zgjidhje përfundimtare që të jenë në gjendje t’i
thithin plotësisht rrjedhimet e rënda shoqërore nga programet që synojnë të vënë rregull. Përveç
kësaj do të duhej të veprohej përmbi shkaqet e hyrjes në borxh, duke e lidhur dhënien e ndihmave
me marrjen përsipër nga ana e Qeverive të zotimit konkret që të zvogëlojnë shpenzimet e tepërta
ose të kota – mendja na shkon veçanërisht te shpenzimet për armatime – dhe të garantohet që
subvencionet të arrijnë njëmend te popullsitë nevojtare. Një problem i dytë që s’pret është ai i
drogës: lidhjen e tij me dhunën e me krimin në mënyrë të trishtueshme e tragjike e njohin të gjithë.
Sikurse gjithashtu është e njohur se, në disa vise të botës, nën trysninë e matrapazave të drogave,
janë shì popullsitë më të varfëra që mbjellin bimët për prodhimin e lëndëve narkotike. Fitimet e
majme që premtohen – të cilat sidoqoftë përfaqësojne vetëm një pjesë shumë të vogël të fitimeve që
rrjedhin prej këtyre të mbjellave – përbëjnë një tundim të cilit me vështirësi arrijnë t’u qëndrojnë të
gjithë ata që prej të mbjellave tradicionale nxjerrin një fitim krejt të pamjaftueshëm.
Puna e parë që duhet bërë për t’i ndihmuar lëruesit që ta shkapërcejnë këtë gjendje është, prandaj,
që t’u jepen mjetet e përshtatshme për të dalë nga varfëria e tyre. Një problem i mëtejshëm lind nga
situatat me vështirësi të madhe ekonomike që ekzistojnë në disa Vende. Ato nxisin shtytje mërguese
në masë drejt Vendeve më me fat, në të cilat, si kundërvënie, lindin pastaj gjendje të ndera që
trondisin indin shoqëror. Për t’u bërë ball reagimeve të tilla të dhunës ksenofobe nuk ka dobi gjithaq
që të merren masa të jashtëzakonshme të përkohshme, se sa të vihet dorë më mirë mbi shkaqet,
duke nxitur, nëpërmjet formash të reja solidarësie në mes Kombeve, përparimin e zhvillimin në
Vendet në të cilat lindin rrymat mërgimtare. Rrezik i pabesë por i njëmendshëm për paqen është pra
skamja: ajo, duke brejtur dinjitetin e njeriut, është një atentat i vërtetë për vlerën e jetës e prek në
zemër zhvillimin paqësor të shoqërisë.
Varfëria si përfundim i konfliktit - Në këto vitet e fundit, thuajse në të gjitha Kontinente, kemi qenë të pranishëm në lufta vendore e
në konflikte të brendshme plot egërsi. Dhuna etnike, fisnore e raciale ka shkatrrue jetë njerëzish, ka
përçarë bashkësitë që në të kaluarën bashkjetonin qetësisht, ka hedhë farën e vdekjes e ndjenjën e
urrejtjes. Prandaj, zbatimi i dhunës acaron tensionet ekzistuese e krijon edhe të reja. Asgjë nuk
zgjidhet me anën e luftës; gjithçka, madjè, rrezikohet seriozisht prej luftës. Frytet e kësaj shuplake
janë vuajtja e vdekja e pafarë e njerzve, thërmimi i marrëdhënieve njerëzore e humbja e
pandreqshme e pasurive të mëdha artistike e ambientore. Lufta keqëson vuajtjet e të varfërve; madjè
krijon të varfër të rinj, duke shkatrruar mjetet për t’u ushqyer, shtëpiat, pronat, e duke prekur vetë
indin e ambjentit jetësor. Të rinjtë shohin duke u thyer shpresat e tyre për të ardhmen e më shpesh,
nga flije, shndërrohen në protagonistë të papërgjegjshëm konfliktesh. Gratë, fëmijët, të moshuarit,
të sëmurit, të plagosurit detyrohen të ikin e gjenden më në fund në gjendjen e refugjatit që nuk
zotërojnë asgjë tjetër veç asaj që kanë me vete. Të çarmatosur, të pambrojtur kërkojnë strehim në
Vende ose vise të tjera, shpesh të varfra e të turbullta si vendet e tyre.
Edhe duke njohur se organizatat ndërkombëtare dhe humanitare po bëjnë shumë për t’u dalë para
fatit tragjik të flijeve të dhunës, e ndiej si detyrë të nxis të gjithë njerëzit vullnetmirë që t’i shtojnë
përpjekjet. Në disa raste, në fakt, fati i refugjatëve varet vetëm e vetëm prej bujarisë së popullsive
që i presin, popullsi po aq të varfra, në mos edhe më të varfra se ata. Vetëm me anën e interesimit
dhe të bashkëpunimit të bashkësisë ndërkombëtare kanë për t’u gjetë zgjidhje të kënaqshme. Mbas
kaq kerdish të kota, sidoqoftë, është me një rëndësi themelore të njihet, një herë e mirë, se lufta
kurrsesi i shërben së mirës së bashkësisë njerëzore, se dhuna shkatrron e kurr nuk ndërton, se plagët
e shkaktueme prej saj për një kohë të gjatë do të rrjedhin gjak, se, më në fund, me konflikte
keqësohet gjendja tashmë e trishtueshme e të varfërve dhe ushqehen forma të reja varfërie.
Gjendet para syve të opinionit publik botëror shfaqja e trishtueshme e mjerimeve të shkaktuara nga
luftat. Pamjet tronditëse, të përhapura edhe tash vonë prej mjeteve të komunikimit shoqëror, le të
jenë së paku qortim i efektshëm për të gjithë – individë, shoqëri, shtete – e t’i kujtojnë secilit se
parja nuk duhet përdorë për luftën, as shtjerë në punë për të shkatrruar e vrarë, por për të mbrojtur
dinjitetin e njeriut, për t’i përmirësuar jetesën e për të ndërtuar një shoqëri me të vërtetë të hapur, të
lirë e solidare.
Shpirti i varfërisë si burim paqje
- Në Vendet e industrializuara njerëzit i sundon sot vrapi i ethshëm drejt futjes në dorë të të mirave
lëndore. Shoqëria e konsumit vë edhe më shumë në pah hendekun që ndan të pasurit nga të varfërit,
dhe kërkimi tërë ankth i mirëqenies rrezikon t’i bëjë të verbër ndaj nevojave të të tjerëve. Për të
nxitur mirëqenien shoqërore, kulturore, shpirtërore si dhe ekonomike të secilit mis të shoqërisë,
është pra e domosdoshme që t’i vihet pritë konsumimit pa masë të të mirave tokësore e të
përmbahet shtytja për nevoja artificiale. Maturia e thjeshtësia duhet që të bëhen kritere të jetesës
sonë të përditshme. Sasia e të mirave, të konsumuara nga një pjesë shumë e vogël e popullsisë
botërore, shkakton një kërkesë të tepruar përkundrejt pasurive të disponueshme. Zvoglimi i
kërkesës përbën hapin e parë për të lehtësuar varfërinë, në qoftë se me të shoqërohen përpjekje me
vlerë për të siguruar një shpërndarje të drejtë të pasurisë botërore.
Ungjilli, në lidhje me këtë, i fton besimtarët që të mos grumbullojnë të mirat e kësaj bote kalimtare:
« Mos grumbulloni thesare mbi tokë, ku tenja e ndryshku i prishin e ku hajdutët shpërthejnë e
vjedhin; kurse grumbulloni thesaret e qiellit» (Mt, 6, 19-20). Kjo është një detyrë që gjendet
mbrenda thirrjes së krishterë jo ndryshe prej asaj të punës për të mposhtur varfërinë; e që është
gjithashtu një mjet i efektshëm për të ja dalë mbanë në këtë ndërmarrje. Varfëria ungjillore është
krejt e ndryshme nga ajo ekonomike e shoqërore. Ndërsa kjo ka tipare të pamëshirshme e shpesh
dramatike, duke qenë e psuar si dhunë, varfëria ungjillore zgjidhet lirisht prej njeriut që mendon në
këtë mënyrë t’i përgjigjet qortimit të Krishtit: «Cilido prej jush që nuk heq dorë nga të gjitha
pasuritë e veta, nuk mund të jetë dishepulli im» (Lk 14, 33). Një varfëri e tillë ungjillore qëndron si
burim paqje, sepse për hir të saj njeriu mund të vendosë nji raport më të drejtë me Hyun, me të
tjerët e me gjithësinë. Jeta e atij që e vë veten në këtë këndveshtrim bëhet, kështu, dëshmi e varësisë
absolute të njerzimit nga Hyu që i don të gjitha krijesat, dhe të mirat lëndore njihen për çka janë: një
dhuratë e Hyut për të mirën e të gjithëve.
Varfëria ungjillore është një njëmendësi që i shndërron ata që e pranojnë. Ata nuk mund të
qëndrojnë të pandjeshëm para vuajtjes së të varfërve; përkundrazi e ndiejnë veten të shtyrë që të
mbështesin në mënyrë aktive me Hyun dashurinë e parapëlqyeshme për ta (khs. Enc. Sollicitudo rei
socialis, n. 42). Këta të varfër simbas Ungjillit janë gati t’i flijojnë pasuritë e tyre e vetveten mjaft
që të tjerët të mund të jetojnë. Dëshirë e tyre e vetme është që të jetojnë në paqe me të gjithë, duke u
dhënë të tjerëve dhuratën e paqes së Jezusit (khs. Gjn 14, 27). Mjeshtri hyjnor na ka mësuar me
jetën e vet e fjalët e veta tiparet ekzigjente të kësaj varfërie që përgatit drejt lirisë së vërtetë. Ai
«edhe duke qenë me natyrë hyjnore, nuk e mbajti si një thesar të paprekshëm barazine e vet me
Hyun; por e çveshi vetveten duke marrë mbi vete gjendjen e sherbëtorit» (Fil 2, 6-7). Lindi i varfër;
endè fëmijë qe detyruar të shkonte në mergim me familjen e vet për t’i shpëtuar egërsisë së Herodit;
jetoi si një që «nuk ka se ku të mbështesë kokën» (Mt 8, 20). Qe njollosur si «grykës e pijanec, mik
i tagrambledhësve e i mëkatarëve» (Mt, 11, 19) e pësoi vdekjen që u përkiste kriminelëve. I quajti
të lumtur të varfërit dhe siguroi se ishte e tyre Mbretëria e Hyut (khs. Lk 6, 20).
U kujtoi të pasurve se mashtrimi i pasurisë ia merr frymën Fjalës (khs. Mt 13, 22), e se për ta është
e vështirë që të hyjnë në Mbretërinë e Hyut (khs. Mk 10, 25). Shembulli i Krishtit, jo më pak se
fjala e tij, është normë për të krishterët: Ne e dijmë se të gjithë, pa dallim, ditën e gjyqit të fundit, do
të gjykohemi në lidhje me dashurinë konkrete që kemi pasur për vëllezërit tanë. Madjè do të jetë
prej dashurisë që kanë ushtruar në mënyrë konkrete që shumë vetë, atë ditë, do të zbulojnë se kanë
takuar me të vërtetë Krishtin, ndonëse nuk e kanë njohur më përpara në mënyrë të qartë (khs. Mt
25, 35-37). «Po kërkove paqen, dilu para të varfërve!». Le të vijë koha kur të pasurit e të varfërit të
njihen në mes tyre vëllezër e motra, duke ndarë në mes tyre gjithçka kanë, si bijt e një Hyu të vetëm
që i don të gjithë, që don të mirën e të gjithëve, që u jep të gjithëve dhuratën e paqes!
Nga Vatikani, 8 dhjetor i vitit 1992
Gjon Pali II