Scroll Top
19th Ave New York, NY 95822, USA

Mesazhi i Atit të Shenjtë për Ditën Botërore të Paqes 2020

MESAZHI I ATIT TË SHENJTË FRANÇESKUT PËR KREMTIMIN  E DITËS LIII BOTËRORE  TË PAQES

1 JANAR 2020

1.  Paqja, ecje shprese me gjithë pengesat dhe provat

Paqja është një e mirë e çmuar, objekt i shpresës sonë, të cilën të gjithë e dëshirojmë. Të shpresosh në paqe është një qëndrim njerëzor që përmban një tension ekzistencial, që edhe një e tanishme ndonjëherë e lodhshme «mund të jetohet dhe të pranohet nëse të çon drejt një caku dhe nëse për këtë cak ne mund të jemi të sigurt, nëse ky cak është kaq i madh sa justifikon lodhjen e ecjes sonë».1 Në këtë mënyrë, shpresa është virtyti që na vë në ecje, që na jep krahë për të ecur përpara, madje edhe kur pengesat na duket të pakalueshme.

Bashkësia jonë njerëzore mbart, në kujtesë dhe në mish, shenjat e luftrave dhe të konflikteve që kanë ndjekur njëri-tjetrin, gjithnjë e më shkatërrues, dhe që nuk reshtin së godituri sidomos më të varfrit dhe më të dobëtit. Edhe kombe të tëra e kanë të vështirë të lirohen prej zinxhirëve të shfrytëzimit dhe të korrupsionit, që ushqejnë urrejtje dhe dhunë. Ende sot, shumë burrave e grave, fëmijëve e të moshuarve, u mohohen dinjiteti, siguria fizike, liria, përfshi edhe ajo fetare, solidariteti bashkësior, shpresa për të ardhmen. Shumë viktimave të pafajshme u duhet të mbartin mbi shpatullat e tyre sfilitjen e poshtërimit dhe të përjashtimit, të zisë dhe të padrejtësisë, madje edhe traumat që rrjedhin prej dhunës sistematike ushtruar kundër popujve dhe njerëzve të tyre të dashur.

Provat e tmerrshme të konflikteve civile dhe të atyre ndërkombëtare, të rënduara shpesh prej dhunave të pamëshirshme, shënojnë prej kohësh trupin dhe shpirtin e njerëzimit. Çdo luftë, në realitet, është vëllavrasje, pasi shkatërron vetë projektin e vëllazërisë, që gjendet i shkruar në thirrjen e familjes njerëzore.

Lufta, siç e dimë, shpesh fillon prej faktit se tjetri është i ndryshëm, gjë që nxit dëshirën për ta zotëruar dhe vullnesën për ta sunduar atë. Ajo lind në zemrën e njeriut prej egoizmit dhe kryelartësisë, prej urrejtjes që çon në shkatërrimin e tjetrit, në mbylljen e tjetrit në një imazh negativ, në përjashtimin dhe në zhdukjen e tij. Lufta ushqehet prej degjenerimit të marrëdhënieve, prej ambicjeve hegjemonike, prej shpërdorimit të pushtetit, prej frikës ndaj tjetrit dhe prej të ndryshmes, që shihet si pengesë; dhe në të njëjtën kohë lufta vetë i ushqen të gjitha këto gjëra.

Rezulton paradoksale, siç kam pasur rastin të vë në dukje gjatë udhëtimit tim në Japoni, që «bota jonë jeton dikotominë perverse që e çon atë ta mbrojë dhe ta garantojë stabilitetin e paqen duke u bazuar te një siguri e rreme, e cila mbështetet te një mendësi frike dhe mosbesimi, që në mënyrë të pashmangshme çon në helmimin e marrëdhënieve mes popujve dhe pengon çdo dialog të mundshëm. Paqja dhe stabiliteti ndërkombëtar nuk janë të pajtueshme me asnjë përpjekje për të ndërtuar mbi frikën e shkatërrimit të ndërsjellë apo të një kërcënimi asgjësimi total; janë të mundshme vetëm duke u nisur prej një etike globale solidariteti dhe bashkëpunimi në shërbim të një të ardhmeje të modeluar prej ndërvarësisë dhe bashkëpërgjegjësisë në krejt familjen njerëzore të sotme dhe të nesërme».2

Çdo situatë kërcënimi ushqen mosbesim dhe mbyllje në vetvete. Mosbesimi dhe frika rrisin brishtësinë e marrëdhënieve dhe rrezikun e dhunës, në një rreth vicioz, që kurrë nuk mund të çojë në një marrëdhënie paqeje. Në këtë kuptim, edhe shkëshillimi bërthamor nuk mund veçse të krijojë një siguri të gënjeshtërt.

Për këtë arsye, nuk mund të pretendojmë që ta ruajmë stabilitetin në botë nëpërmjet frikës së asgjësimit, në një ekuilibër më të paqëndrueshëm se kurrë, të varur pezull mbi humnerën bërthamore dhe të mbyllur brenda mureve të indiferencës, ku merren vendime socio-ekonomike, që u hapin rrugë dramave të skartimit të njeriut dhe të krijimit, në vend që ta ruajmë njëri-tjetrin.3 Atëherë, si mund ta krijojmë një ecje paqeje dhe njohjeje të ndërsjellë? Si ta prishim logjikën e sëmurë të kërcënimit dhe të frikës? Si ta prishim dinamikën kaq të përhapur të mosbesimit?

Duhet të arrijmë një vëllazëri reale, të bazuar në origjinën e përbashkët që kemi, domethënë që të gjithë vijmë prej Hyjit, dhe të ushtruar në dialog dhe besim të ndërsjellë. Dëshira për paqe është thellësisht e shkruar në zemrën e njeriut dhe nuk duhet t’i nënshtrohemi asgjëje që nuk i përgjigjet kësaj dëshire.

2.  Paqja, ecje dëgjimi bazuar te kujtesa, solidariteti dhe vëllazëria

Hibakusha-t, të mbijetuarit e bombardimeve atomike të Hiroshimës dhe të Nagasakit, janë ndër dëshmitarët që sot mbajnë gjallë flakën e ndërgjegjes kolektive, duke u dëshmuar brezave që vijnë tmerrin e asaj që ka ndodhur në gusht të vitit 1945 dhe vuajtjet e patregueshme që kanë vijuar prej atij momenti e deri më sot. Dëshmia e tyre zgjon dhe ruan në këtë mënyrë kujtesën e viktimave, me qëllim që ndërgjegjja njerëzore të bëhet gjithnjë e më e fortë përpara çdo vullnese sundimi dhe shkatërrimi: «Nuk mund të lejojmë që brezat e sotëm dhe të ri të humbasin kujtesën e asaj që ka ndodhur, atë kujtesë që është garanci dhe nxitje për të ndërtuar një të ardhme më të drejtë dhe më vëllazërore».4

Si ata edhe shumë të tjerë, në çdo kënd të botës, u ofrojnë brezave të ri shërbimin e domosdoshëm të kujtesës, e cila duhet ruajtur jo vetëm për të mos bërë sërish të njëjtat gabime apo për të mos i përdorur përsëri të njëjtat skema gënjeshtare të së kaluarës, por edhe me qëllim që ajo, fryt i përvojës, të jetë rrënja dhe të sugjerojë rrugën për zgjedhje të tanishme dhe të ardhshme paqeje.

Edhe më shumë, kujtesa është horizonti i shpresës: shumë herë në terrin e luftës dhe të konflikteve, kujtimi edhe i një gjesti sado të vogël solidariteti mund të frymëzojë zgjedhje të guximshme dhe madje edhe heroike, mund të vërë në lëvizje energji të reja dhe të rindezë shpresa të reja te individët dhe bashkësitë.

Të hapësh dhe të përvijosh një ecje paqeje është një sfidë shumë komplekse, pasi interesat që janë në lojë, si në marrëdhëniet mes personave, bashkësive dhe kombeve, janë të shumta dhe kontradiktore. Para së gjithash, kërkohet që t’i bëhet thirrje ndërgjegjes morale dhe vullnesës personale e asaj politike. Në fakt, paqja buron prej thellësisë së zemrës dhe vullnesa politike duhet të forcohet gjithnjë e më shumë, për të nxitur procese të reja që i pajtojnë dhe i bashkojnë njerëzit dhe bashkësitë.

Bota nuk ka nevojë për fjalë boshe, por për dëshmitarë të bindur, për artizanë të paqes të hapur ndaj dialogut pa përjashtime dhe manipulime. Në fakt, nuk mund të ketë paqe nëse nuk ekziston një dialog i bindur mes burrave e grave që kërkojnë të vërtetën përtej ideologjive dhe opinioneve të ndryshme. Paqja është «një ndërtesë (strukturë) që duhet të ndërtohet vazhdimisht»,5 një ecje që bëjmë së bashku duke kërkuar përherë të mirën e përbashkët dhe duke u angazhuar për ta mbajtur fjalën e dhënë dhe për të respektuar të drejtën. Në dëgjimin e ndërsjellë mund të rriten edhe njohja dhe vlerësimi i tjetrit, deri në atë pikë sa te armiku të shohim fytyrën e një vëllai.

Pra, procesi i paqes është një angazhim që zgjat në kohë. Është një punë e durueshme në kërkim të së vërtetës dhe të drejtësisë, që nderon kujtimin e viktimave dhe që na hap, hap pas hapi, ndaj një shprese të përbashkët, që është më e fortë sesa hakmarrja. Në një Shtet të së drejtës, demokracia mund të jetë një paradigmë domethënëse e këtij procesi, nëse bazohet te drejtësia dhe angazhimi për t’i mbrojtur të drejtat e gjithsecilit, sidomos nëse është i dobët apo i mënjanuar, në kërkimin e vazhdueshëm të së vërtetës.6 Bëhet fjalë për një produkt shoqëror dhe për një përpunim gjithnjë në krijim, ku secili jep në mënyrë të përgjegjshme kontributin e vet, në të gjitha nivelet e kolektivitetit vendor, kombëtar dhe botëror.

Siç theksonte Shën Pali VI, «frymëzimi i dyfishtë i barazisë dhe i pjesëmarrjes synon nxitjen e një shoqërie të caktuar demokratike […]. Kjo nënkupton rëndësinë e edukimit për jetën e përbashkët, ku, përveç informacionit mbi të drejtat e secilit, të vihet në dukje edhe bashkëlidhja e tyre e nevojshme: njohja e detyrave ndaj të tjerëve. Domethënia dhe praktika e detyrës kushtëzohen prej sundimit të tjetrit, si edhe prej pranimit të përgjegjësisë dhe prej kufizimeve në ushtrimin e lirisë së individit apo të grupit».7

Përkundrazi, përçarja mes anëtarëve të një shoqërie, rritja e pabarazisë shoqërore dhe mospërdorimi i mjeteve për një zhvillim tërësor njerëzor vënë në rrezik arritjen e të mirës së përbashkët. Përkundrazi, puna e durueshme e bazuar në forcën e fjalës dhe të së vërtetës mund të bëjë të mundur që personat të zbulojnë aftësinë e tyre për të qenë të dhembshur dhe solidarë. 

Në përvojën tonë të krishterë, ne vazhdimisht përkujtojmë Krishtin, i cili ka dhuruar jetën e vet për pajtimin tonë (krh. Rom 5,6-11). Kisha merr pjesë plotësisht në kërkimin e një rendi të drejtë, duke vazhduar t’i shërbejë të mirës së përbashkët dhe të ushqejë shpresën e paqes, nëpërmjet përçimit të vlerave të krishtera, mësimit moral dhe veprave shoqërore dhe të edukimit.

3.  Paqja, ecje pajtimi në bashkësinë vëllazërore

Bibla, në mënyrë të veçantë nëpërmjet fjalës së profetëve, i thërret ndërgjegjet dhe popujt që të kujtojnë besëlidhjen e Hyjit me njerëzimin. Bëhet fjalë për të hequr dorë prej dëshirës për t’i sunduar të tjerët dhe për të mësuar që ta shikojmë njëri-tjetrin si persona, si bij të Hyjit, si vëllezër. Tjetri kurrë nuk mund të përkufizohet vetëm për atë që ka thënë apo që ka bërë, por ai duhet të konsiderohet për premtimin që mbart në vetvete. Vetëm duke zgjedhur rrugën e respektimit mund të shkatërrohet spiralja e hakmarrjes dhe të ndërmerret ecja e shpresës.

Në këtë gjë, na orienton pjesa e Ungjillit që flet për bisedën mes Pjetrit dhe Jezusit: «“Zotëri, nëse vëllai im gabon ndaj meje, sa herë duhet ta fal? Deri në shtatë herë?”. Jezusi i përgjigji: “Nuk po të them deri në shtatë herë, por deri në shtatëdhjetë herë shtatë herë!”» (Mt 18,21-22). Kjo ecje pajtimi na thërret që në thellësinë e zemrës sonë ta gjejmë forcën e faljes dhe aftësinë për t’u pajtuar si vëllezër e motra. Të jetuarit në falje rrit aftësinë tonë për t’u bërë burra e gra të paqes.

Ajo që është e vërtetë për paqen në fushën sociale, është e vërtetë edhe në atë politike dhe atë ekonomike, pasi çështja e paqes i përshkon të gjitha përmasat e jetës bashkësiore: nuk do të ketë kurrë paqe të vërtetë nëse nuk jemi të aftë të ndërtojmë një sistem më të drejtë ekonomik. Siç shkruante Benedikti XVI, dhjetë vjet më parë, në Letrën Enciklike “Dashuria në të vërtetën”: «Fitorja mbi nënzhvillimin kërkon të veprohet jo vetëm mbi përmirësimin e transaksioneve të bazuara në këmbim, jo vetëm mbi transferimet e strukturave asistenciale me natyrë publike, por sidomos mbi hapjen progresive, në kontekst botëror, ndaj formave të veprimtarisë ekonomike të karakterizuara prej kuotave të dhurimit falas dhe prej bashkësisë» (nr. 39).

4.  Paqja, ecje kthimi ekologjik

«Nëse një kuptim i keq i parimeve tona na ka bërë nganjëherë të shfajësojmë keqpërdorimin e natyrës apo sundimin despotik të qenies njerëzore mbi botën e krijuar, apo luftërat, padrejtësinë dhe dhunën, si besimtarë mund të pranojmë se në këtë mënyrë kemi qenë jo besnikë ndaj thesarit të urtisë që duhej ta ruanim».8

Përpara rrjedhojave që lindin prej armiqësisë sonë ndaj të tjerëve, prej mungesës së respektit ndaj shtëpisë sonë të përbashkët dhe prej shfrytëzimit abuzues të burimeve natyrore – të parë si mjete të dobishme vetëm për një përfitim të sotëm, pa treguar respekt për bashkësitë vendore, për të mirën e përbashkët dhe për natyrën – kemi nevojë për një kthim ekologjik.

Sinodi i Amazonës, mbajtur kohët e fundit, na shtyn të bëjmë, në mënyrë të ripërtërirë, thirrjen për një marrëdhënie paqësore mes bashkësive dhe tokës, mes të tanishmes dhe kujtesës, mes përvojave dhe shpresave.

Kjo ecje pajtimi është edhe dëgjim e soditje e botës që Hyji na ka dhuruar, që ta bëjmë atë shtëpinë tonë të përbashkët. Në fakt, burimet natyrore, format e shumta të jetës dhe vetë Toka na janë besuar për t’u kujdesur për to dhe për t’i ruajtur ato (krh. Zan 2,15) edhe për brezat e ardhshëm, me pjesëmarrjen e përgjegjshme dhe punëtore të secilit. Kemi nevojë për një ndryshim të këndvështrimit, që të hapemi më shumë ndaj tjetrit dhe të mikpresim dhuratën e krijimit, i cili pasqyron bukurinë dhe dijen e Krijuesit.

Prej këtu burojnë, në veçanti, motivacionet e thella dhe një mënyrë e re për të banuar në shtëpinë e përbashkët, për të qenë të pranishëm ndaj njëri-tjetrit me ndryshueshmëritë tona, për të kremtuar dhe për të respektuar jetën e marrë dhe të bashkëndarë, për t’u shqetësuar për kushtet dhe modelet e shoqërisë, që favorizojnë lulëzimin dhe vazhdimësinë e jetës në të ardhmen, për të zhvilluar të mirën e përbashkët të krejt familjes njerëzore.

Kthimi ekologjik për të cilin bëjmë thirrje na bën që ta shohim jetën me një sy të ri, duke marrë në konsideratë bujarinë e Krijuesit që na ka dhuruar Tokën dhe që na thërret për një thjeshtësi të gëzueshme në bashkëndarje. Ky kthim duhet kuptuar në mënyrë tërësore, si një shndërrim i marrëdhënieve që krijojmë me motrat tona dhe me vëllezërit tanë, me qeniet e tjera të gjalla, me krijimin në larmishmërinë e tij shumë të pasur, me Krijuesin që është në zanafillë të çdo jete. Për të krishterët, kjo gjë kërkon që «të lënë të dalin në pah të gjitha pasojat e takimit me Jezusin në marrëdhëniet me botën që i rrethon».9 

5.  Arrin aq sa shpreson10

Ecja e pajtimit kërkon durim e besim. S’mund ta arrish paqen, nëse s’e shpreson atë.

Përpara së gjithash duhet të besosh në mundësinë e paqes, të besosh se tjetri ka po aq nevojë për paqe sa edhe ti. Në këtë gjë, mund të na frymëzojë dashuria e Hyjit për secilin prej nesh, dashuri liruese, e pakufizuar, falas dhe e palodhshme.

Frika shpesh është burim konflikti. Pra, është e rëndësishme që të shkojmë përtej frikave tona njerëzore, duke e njohur veten se jemi bij nevojtarë, përpara Atij që na do dhe që na pret, si Ati i djalit plangprishës (krh. Lk 15,11-24). Kultura e takimit mes vëllezërve e motrave i kundërvihet kulturës së kërcënimit. E kthen çdo takim në një mundësi dhe në një dhuratë të dashurisë bujare të Hyjit. Na udhëheq që t’i tejkalojmë kufizimet e horizonteve tona të ngushta, për të synuar gjithmonë që ta jetojmë vëllazërinë universale, si bij të të njëjtit Atë qiellor.

Për nxënësit e Krishtit, kjo ecje mbështetet edhe prej sakramentit të Pajtimit, dhuruar prej Zotit për faljen e mëkateve të të pagëzuarve. Ky sakrament i Kishës, që i ripërtërin personat dhe bashkësitë, na kërkon që ta mbajmë shikimin e drejtuar kah Jezusi, i cili «duke vendosur paqen me anë të gjakut të kryqit [ka dashur] të pajtojë me vete gjithçka qoftë në tokë qoftë në qiell» (Kol 1,20); kërkon që ta lëmë mënjanë çdo mendim, fjalë dhe veprim dhune ndaj të afërmit dhe ndaj krijimit.

Hiri i Hyjit Atë jepet si dashuri e pakushtëzuar. Pasi kemi marrë faljen e Tij, në Krishtin, mund të vihemi në ecje për t’ia dhuruar atë burrave dhe grave të kohës sonë. Ditë pas dite, Shpirti Shenjt na sugjeron qëndrime dhe fjalë me qëllim që të bëhemi artizanë të drejtësisë dhe të paqes.

Hyji i paqes na bekoftë dhe na ardhtë në ndihmë.

Maria, Nëna e Princit të paqes dhe Nëna e të gjithë popujve të tokës, na shoqëroftë dhe na mbështestë, hap pas hapi, në ecjen e pajtimit.

Çdo person, duke ardhur në këtë botë, e shijoftë paqen dhe e zbatoftë plotësisht premtimin e dashurisë dhe të jetës që paqja mbart në vetvete.

Prej Vatikanit, më 8 dhjetor 2019

Françesku

Shënime

  • Benedikti XVI, Letra enciklike Spe salvi (Të shpëtuar prej shpresës) (30 nëntor 2007), 1.
  • Fjalim mbi armët bërthamore, Nagasaki, Parku “Atomic Bomb Hypocenter”, 24 nëntor 2019.
  • Omelia a Lampedusa (Predikim në Lampeduzë), 8 korrik 2013.
  • Discorso sulla Pace (Fjalim mbi Paqen), Hiroshima, Memoriali i Paqes, 24 nëntor 2019.
  • Koncili II i Vatikanit, Kushtetuta baritore Gëzimi dhe shpresa, 78.
  • Benedikti XVI, Discorso ai dirigenti delle Associazioni Cristiane Lavoratori Italiani (Fjalim bërë drejtuesve të Shoqatave të Krishtera të Punëtorëve Italianë), 27 janar 2006.
  • Letra apostolike Octogesima adveniens (80-vjetori) (14 maj 1971), 24. 8 Letra enciklike Ti qofsh lëvduar (24 maj 2015), 200.
  • Po ajo, 217.
  • Shën Gjoni i Kryqit, Notte Oscura (Natë e errët), II, 21, 8.