Scroll Top

Mesazhi i Atit të Shenjtë për Ditën Botërore të Paqes 2019

MESAZHI I ATIT TË SHENJTË FRANÇESKU PËR KREMTIMIN E DITËS SË 52-të BOTËRORE TË PAQES
1 JANAR 2019

POLITIKA E MIRË ËSHTË NË SHËRBIM TË PAQES
1. “Paqja me këtë shtëpi!”. Duke i dërguar në mision nxënësit e tij, Jezusi u thotë atyre: «Në cilëndo shtëpi të hyni, më parë thoni: “Paqja me këtë shtëpi!”. Po qe se është aty ndokush mik i paqes, mbi të do të zbresë paqja juaj; po qe se s’është asnjë, do të kthehet te ju» (Lk 10, 5-6). Dhënia e paqe është në zemër të misionit të nxënësve të Krishtit. Dhe dhënia u drejtohet të gjithë atyre, burra dhe gra, që shpresojnë te paqja në mes të dramave dhe dhunave të historisë njerëzore.1 “Shtëpia” për të cilën flet Jezusi është çdo familje, çdo bashkësi, çdo Vend, çdo kontinent, në veçorinë dhe e në historinë e tyre; është para së gjithash çdo person, pa dallime e pa diskriminime. Është edhe “shtëpia jonë e përbashkët”: planeti në të cilin Hyji na ka vënë për të banuar e për të cilin jemi të thirrur të kujdesemi me zell.