MESAZHI I ATIT TË SHENJTË FRANÇESKUT PËR KREMTIMIN E DITËS SË 51-të BOTËRORE TË PAQES 1 JANAR 2018
MIGRANTËT DHE REFUGJATËT:
BURRA E GRA
NË KËRKIM TË PAQES
1. Urim paqeje
Paqe të gjithë personave dhe të gjitha kombeve të tokës! Paqja, që engjëjt u lajmërojnë barinjve natën e Krishtlindjes,1 është një aspiratë e thellë e të gjithë personave dhe e të gjithë popujve, sidomos e atyre që në mënyrë më të rëndë e vuajnë mungesën e saj. Mes këtyre, që i bart në mendimet e mia dhe në lutjen time, dua edhe një herë të kujtoj më se 250 milionë migrantët në botë, nga të cilët 22 milionë e gjysmë janë refugjatë. Këta të fundit, sikurse ka pohuar paraardhësi im i dashur Benedikti XVI, «janë burra e gra, fëmijë, të rinj dhe të moshuar që kërkojnë një vend ku të jetojnë në paqe».