JO DHUNA: STIL I NJË POLITIKE PAQEJE
MESAZHI I ATIT TË SHENJTË PAPA FRANÇESKUT
PËR DITËN E 50-TË BOTËRORE TË PAQES 1 JANAR 2017
1. Në fillim të këtij viti të ri u bëj urimet e mia më të sinqerta popujve dhe kombeve të botës, Kryetarëve të Shteteve dhe të Qeverive, si edhe përgjegjësve të bashkësive fetare dhe të grupimeve të ndryshme të shoqërisë civile. I uroj paqen çdo burri, gruaje, djali dhe vajze dhe lutem derisa përngjasimi dhe shëmbëlltyra me Hyjin e çdo personi të na mundësojë që ta njohim njëritjetrin si dhurata të shenjta të pajisura me një dinjitet të pafund. Sidomos në situatë konflikti, e respektofshim këtë «dinjitet më të thellë» dhe e bëfshim jodhunën aktive stilin tonë të jetës. Ky është Mesazhi për Ditën e 50-të Botërore të Paqes. Në të parin, i Lumi Papa Pali VI iu drejtua të gjithë popujve, jo vetëm katolikëve, me fjalë të prera: «Më në fund ka dalë shumë qartë se paqja është linja e vetme dhe e vërtetë e përparimit njerëzor (jo tensionet e nacionalizmave ambiciozë, jo fitoret e dhunshme, jo shtypjet mbartëse të rendeve të rreme civile)». Paralajmëronte «rrezikun për të besuar se kundërshtimet ndërkombëtare nuk mund të zgjidhen me anë të arsyes, domethënë me anë të bisedimeve të bazuara mbi të drejtën, drejtësinë, barazinë, por vetëm me anë të forcave frikësuese dhe vdekjeprurëse». Nga ana tjetër, duke cituar Pacem in terris të paraardhësit të vet Shën Gjonit XXIII, lartësonte «domethënien dhe dashurinë për paqen, e cila bazohet mbi të vërtetën, drejtësinë, lirinë, dashurinë». Të prek aktualiteti i këtyre fjalëve, që sot nuk janë më pak të rëndësishme dhe më pak të ngutshme se 50 vjet më përpara. Me këtë rast dëshiroj të ndalem mbi jodhunën si stil të një politike paqeje dhe i kërkoj Hyjit që të na ndihmojë të gjithëve, me qëllim që ta nxjerrim jodhunën prej thellësisë së ndjenjave dhe vlerave tona personale. Dashuria dhe jodhuna e udhëheqtë mënyrën me të cilën e trajtojmë njëri-tjetrin në marrëdhëniet ndërpersonale, në ato sociale dhe në ato ndërkombëtare. Kur dinë t’i rezistojnë tundimit të hakmarrjes, viktimat e dhunës mund të jenë protagoniste më të besueshme të proceseve të ndërtimit të paqes. Prej nivelit vendor dhe të përditshëm deri në atë të rendit botëror, jodhuna u bëftë stili karakteristik i vendimeve tona, i marrëdhënieve tona, i veprimeve tona, i politikës në të gjitha format e saj.
Një botë e copëtuar
2. Shekulli i kaluar është shkretuar prej dy Luftrave vdekjeprurëse
Botërore, ka njohur kërcënimin e luftës bërthamore dhe një numër të
madh konfliktesh të tjera, ndërsa sot për fat të keq jemi në prag të një
lufteje të tmerrshme botërore. Nuk është e lehtë të kuptohet nëse bota e
sotme është pak a shumë e dhunshme sa ajo e djeshmja, as nëse mjetet
moderne të komunikimit dhe lëvizshmëria, që karakterizon epokën
tonë, na Jo dhuna: Stil i një politike paqeje Mesazhi i Atit të Shenjtë Papa
Françeskut për ditës e 50-të Botërore të Paqes 1 Janar 2017 bëjnë më të
vetëdijshëm për dhunën apo më të mësuar me të. Në çdo rast, kjo dhunë
që ushtrohet “pjesë-pjesë”, në mënyra dhe nivele të ndryshme, shkakton
vuajtje të stërmëdha për të cilat jemi shumë të vetëdijshëm: luftra në
Vende dhe kontinente të ndryshme; terrorizëm, kriminalitet dhe sulme
të armatosura të paparashikueshme; abuzimet e pësuara prej
emigrantëve dhe viktimave të trafiqeve të paligjshme; shkatërrimi i
mjedisit. Me çfarë qëllimi? A e mundëson dhuna arritjen e objektivave
në mënyrë afatgjate? A thua gjithçka që arrin shkakton raprezalje dhe
spirale konflikti vdekjeprurës, që u sjellin përfitime vetëm pak
“zotërinjve të luftës”? Dhuna nuk është mjekimi i duhur për botën tonë
të thërmuar. T’i përgjigjesh dhunës me dhunë prodhon, në më të mirën e
rasteve, një migrim të sforcuar dhe vuajtje çnjerëzore, pasi sasi të mëdha
burimesh përdoren për qëllime ushtarake dhe u hiqen nevojave të
përditshme të të rinjve, të familjeve në vështirësi, të të moshuarve, të të
sëmurëve, të pjesës më të madhe të banorëve të botës. Në rastin më të
keq, mund të çojë në vdekje, fizike dhe shpirtërore, të shumë personave,
ose madje edhe të të gjithëve.
Lajmi i mirë
3. Edhe Jezusi jetoi në kohë dhune. Ai mësoi që fusha e vërtetë e betejës,
ku u bëhen ballë dhunës dhe paqes, është zemra njerëzore: «Prej
brendisë – prej zemrës së njeriut rrjedhin: mendimet e këqija» (Mk 7,21).
Por mesazhi i Krishtit, përpara këtij realiteti, jep përgjigje rrënjësisht
pozitive: Ai predikoi pa u lodhur dashurinë e pakushtëzuar të Hyjit, që
mikpret e fal, si edhe u mësoi nxënësve të vet që t’i duan armiqtë (krh.
Mt 5,44) dhe t’ua kthenin faqen tjetër atyre (krh. Mt 5,39). Kur i pengoi
ata që akuzonin gruan kurorëshkelëse, që ta mbysnin atë me gurë (krh.
Gjn 8,1-11), dhe kur, natën përpara se të vdiste, i tha Pjetrit që ta fuste
shpatën në mill (krh. Mt 26,52), Jezusi përvijoi udhën e jodhunës, që e
përshkoi deri në fund, deri në kryq, nëpërmjet të cilës ka realizuar paqen
dhe ka shkatërruar armiqësinë (krh. Ef 2,14-16). Për këtë arsye, ai që
mikpret Lajmin e Mirë të Jezusit, di të dallojë se çfarë sjell dhuna dhe e lë
veten të shërohet prej mëshirës së Hyjit, duke u bërë kështu edhe ai vetë
vegël e pajtimit, sipas nxitjes së Shën Françeskut të Asizit: «Paqen që
kumtoni me gojë, e paçi edhe më të bollshme në zemrat tuaja». Të jesh
nxënës i vërtetë i Jezusit sot do të thotë t’i bashkëngjitesh edhe
propozimit të Tij të jodhunës. Ajo – siç ka pohuar paraardhësi im
Benedikti XVI – «është realistike, sepse ka parasysh që në botë ka tepër
dhunë, tepër padrejtësi, dhe kjo situatë nuk mund të kalohet përveçse
duke iu kundërvënë me më shumë dashuri, me më shumë mirësi. Kjo
“më shumë” vjen prej Hyjit». Dhe ai shtonte me forcë të madhe:
«Jodhuna për të krishterët nuk është thjesht një sjellje taktike, por një
mënyrë se si ai është, qëndrimi i atij që është kaq i bindur për dashurinë
e Hyjit dhe për fuqinë e Tij, saqë nuk ka frikë t’i bëjë ballë të keqes i
pajisur vetëm me armët e dashurisë dhe të së vërtetës. Dashuria për
armikun përbën thelbin e “revolucionit të krishterë”». Me të drejtë
Ungjilli i duajini armiqtë tuaj (krh. Lk 6,27) konsiderohet si «magna
charta e jodhunës së krishterë»: ajo nuk ka të bëjë «me dorëzimin
përpara të keqes […], por me faktin që i përgjigjemi të keqes me të mirë
(krh. Rom 12,17-21), duke prishur në këtë mënyrë zinxhirin e
padrejtësisë».
Më e fuqishme se dhuna
4. Jodhuna nganjëherë kuptohet si dorëzim, mosangazhim dhe pasivitet,
por në realitet nuk është kështu. Kur Nënë Tereza mori çmimin Nobel
për Paqen në vitin 1979, shumë qartë e paraqiti mesazhin e saj të
jodhunës aktive: «Në familjen tonë nuk kemi nevojë për bomba dhe
armë, të shkatërrojmë për të sjellë paqen, por vetëm të qëndrojmë së
bashku, për ta dashur njëri-tjetrin […] dhe kështu mund ta tejkalojmë
krejt të keqen që ekziston në botë». Sepse forca e armëve është
rrenacake. «Ndërsa trafikantët e armëve bëjnë punën e tyre, janë
punëtorët e thjeshtë të paqes që vetëm për të ndihmuar një person, një
tjetër, një tjetër, një tjetër, japin jetën e tyre»; për këta punëtorë të paqes,
Nënë Tereza është «një simbol, një ikonë e kohëve tona». Në shtator të
këtij viti kam pasur gëzimin e madh ta shpall të Shenjtë. Kam lavdëruar
gatishmërinë e saj ndaj të gjithëve nëpërmjet «mikpritjes dhe mbrojtjes
së jetës njerëzore, asaj ende të palindur dhe asaj të braktisur dhe të
skartuar. […] Është përulur mbi personat e sfilitur, të braktisur buzë
rrugës, duke njohur dinjitetin që Hyji u kishte dhënë atyre; ka bërë që të
fuqishmit e tokës ta dëgjojnë zërin e saj, që t’i njihnin fajet e tyre përpara
krimeve – përpara krimeve! – të varfërisë së krijuar prej vetë atyre». Si
përgjigje, misioni i saj – dhe në këtë përfaqëson mijëra, madje miliona
njerëz – ka shkuar drejt viktimave me bujari dhe përkushtim, duke
prekur dhe duke lidhur çdo trup të plagosur, duke shëruar çdo jetë të
copëtuar. Jodhuna e praktikuar me vendosmëri dhe koherencë ka dhënë
rezultate të habitshme. Sukseset e arritura prej Mahatma Gandhi-t dhe
Khan Abdul Ghaffar Khan-it për lirimin e Indisë, dhe prej Martin Luther
King-in kundër diskriminimit racor nuk do të harrohen kurrë. Gratë, në
veçanti, shpesh janë lidere të jodhunës, si, p.sh., Leymah Gbowee dhe
mijëra gra liberiane, që kanë organizuar takime lutjeje dhe protesta jo të
dhunshme (pray-ins), duke arritur deri në negociata në nivele të larta
për t’i dhënë fund Luftës së Dytë Civile në Liberi [Afrikë]. As nuk mund
ta harrojmë dhjetëvjeçarin epokal, që u mbyll me rënien e regjimeve
komuniste në Evropë. Bashkësitë e krishtera kanë dhënë kontributin e
tyre me lutjen këmbëngulëse dhe veprimin e guximshëm. Ndikim të
veçantë kanë ushtruar mbarështimi dhe magjisteri i Shën Gjon Palit II.
Duke reflektuar mbi ngjarjet e vitit 1989 në Enciklikën Centesimus annus
(1991), paraardhësi im thekson që një ndryshim epokal në jetën e
popujve, të kombeve dhe të Shteteve realizohet «nëpërmjet një lufte
paqësore, që përdor vetëm armët e të vërtetës dhe të drejtësisë». Ky
rrugëtim tranzicioni politik drejt paqes është bërë i mundur pjesërisht
«prej angazhimit jo të dhunshëm të njerëzve që, ndërsa kurrë nuk kanë
pranuar të përdorin pushtetin e forcës, kanë ditur të gjejnë herë pas here
forma të efektshme për të dëshmuar të vërtetën». Dhe përfundonte:
«Njerëzit mësofshin të luftojnë për drejtësinë pa dhunë, duke hequr dorë
prej luftës së klasave në grindjet e brendshme dhe prej luftës në ato
ndërkombëtare». Kisha është angazhuar për të zbatuar strategji jo të
dhunshme në nxitjen e paqes në shumë Vende, duke bërë të mundur që
edhe autorët më të dhunshëm të përpiqen të ndërtojnë një paqe të drejtë
dhe që zgjat. Ky angazhim në dobi të viktimave të padrejtësisë dhe të
dhunës nuk është një pasuri vetëm e Kishës katolike, por e shumë
traditave fetare, për të cilat «dhembshuria dhe jodhuna janë thelbësore
dhe tregojnë udhën e jetës». Po e përsëris me forcë: «Asnjë besim fetar
nuk është terrorist». Dhuna është një përdhosje e emrit të Hyjit. Të mos
lodhemi kurrë së përsërituri: «Emri i Hyjit kurrë nuk mund ta justifikojë
dhunën. Vetëm paqja është e shenjtë. Vetëm paqja është e shenjtë, jo
lufta!».
Rrënja shtëpiake e një politike jo të dhunshme
5. Nëse zanafilla prej nga ku buron dhuna është zemra e njerëzve,
atëherë është themelore të përshkojmë shtegun e jodhunës në vend të
parë brenda familjes. Është një përbërës i atij gëzimi të dashurisë, që
kam paraqitur marsin e këtij viti në Nxitjen apostolike Amoris lætitia, në
përfundim të dy viteve reflektimi prej anës së Kishës mbi martesën dhe
familjen. Familja është vendi ku bashkëshortët, prindërit dhe fëmijët,
vëllezërit e motrat mësojnë të komunikojnë dhe të kujdesen për njëritjetrin
pa interes, ku fërkimet apo madje edhe konfliktet duhet të
tejkalohen jo me forcë, por me dialog, me respekt, me kërkimin e të
mirës së tjetrit, me mëshirën e faljen. Prej brendësisë së familjes gëzimi i
dashurisë përhapet në botë dhe rrezatohet në mbarë shoqërinë. Nga ana
tjetër, një etikë e vëllazërisë dhe e bashkëekzistencës paqësore mes
personave dhe mes popujve nuk mund të bazohet mbi logjikën e frikës,
të dhunës dhe të mbylljes, por mbi përgjegjësinë, respektin dhe dialogun
e sinqertë. Në këtë kuptim, po bëj një apel për çarmatimin, ndalimin dhe
eliminimin e armëve bërthamore: frika bërthamore dhe kërcënimi i
shkatërrimit të ndërsjellë nuk mund të jenë baza e kësaj lloj etike.Po me
kaq urgjencë lus që të ndalet dhuna shtëpiake dhe abuzimet mbi gratë e
fëmijët. Jubileu i Mëshirës, mbyllur në nëntor të këtij viti, ka qenë një
ftesë për të shikuar brenda zemrës sonë dhe për të lënë që aty të hyjë
mëshira e Hyjit. Viti jubilar na ka ndihmuar që të bëhemi të vetëdijshëm
se sa të shumtë dhe të ndryshëm janë personat dhe grupet sociale, që
trajtohen me indiferencë, që janë viktima të padrejtësisë dhe që pësojnë
dhunë. Ato janë pjesë e “familjes” sonë, janë vëllezërit tanë dhe motrat
tona. Për këtë arsye politikat e jodhunës duhet të fillojnë mes mureve të
shtëpisë, që pastaj të përhapen në krejt familjen njerëzore. «Shembulli i
Shenjtes Tereza të Jezusit Fëmijë na fton në praktikimin e udhës së
ngushtë të dashurisë, për të mos humbur rastin e një fjale të mirë, të një
buzëqeshjeje, të çfarëdo gjesti të vogël që mbjell paqe dhe miqësi. Një
ekologji integrale përbëhet edhe prej gjesteve të thjeshta të përditshme
me anë të të cilave shkatërrojmë logjikën e dhunës, të shfrytëzimit, të
egoizmit».
Ftesa ime
6. Ndërtimi i paqes nëpërmjet jodhunës aktive është një element i
nevojshëm dhe koherent me përpjekjet e vazhdueshme të Kishës për të
kufizuar përdorimin e forcës nëpërmjet normave morale, nëpërmjet
pjesëmarrjes së saj në punët e institucioneve ndërkombëtare dhe falë
kontributit kompetent të shumë të krishterëve për përpunimin e
legjislacionit në të gjitha nivelet. Vetë Jezusi na jep një “manual” të
strategjisë për ndërtimin e paqes në të ashtuquajturin “Fjalimi në Mal”.
Tetë Lumturitë (krh. Mt 5,3-10) përvijojnë profilin e personit, që mund të
përcaktojmë të lumë, të mirë dhe autentik. Lumë të butët – thotë Jezusi –
, të mëshirshmit, punëtorët e paqes, ata që e kanë zemrën të pastër, ata
që kanë uri dhe etje për drejtësi. Ky është edhe një program dhe një sfidë
për liderët politikë dhe fetarë, për përgjegjësit e institucioneve
ndërkombëtare dhe për drejtuesit e ndërmarrjeve dhe të mediave të
mbarë botës: zbatimi i Lumturive në mënyrën me të cilën ushtrojnë
përgjegjësitë e tyre. Një sfidë për të ndërtuar shoqërinë, bashkësinë apo
sipërmarrjen përgjegjës të së cilës janë me stilin e punëtorëve të paqes; të
japin prova të mëshirës duke refuzuar skartimin e personave, dëmtimin
e mjedisit dhe dëshirën për të fituar me çdo kusht. Kjo kërkon
gatishmërinë «për të duruar konfliktin, duke e zgjidhur dhe duke e
kthyer atë në një unazë lidhëse të një procesi të ri». Të veprosh në këtë
mënyrë do të thotë të zgjedhësh solidaritetin si stil për të bërë histori dhe
për të ndërtuar miqësinë sociale. Jodhuna aktive është një mënyrë për të
treguar, që me të vërtetë njësia është më e fuqishme dhe më pjellore, sesa
konflikti. Gjithçka në botë është e lidhur ngushtë. Me siguri mund të
ndodhë që diferencat të krijojnë grindje: i zgjidhshim në mënyrë
ndërtuese dhe jo të dhunshme, kështu që «tensionet dhe të kundërtat të
arrijnë një njësi shumëformëshe, që krijon jetë të re», duke ruajtur
«potencialitetet e çmueshme të polaritetit në kontrast». Siguroj që Kisha
katolike do të shoqërojë çdo përpjekje për ta ndërtuar paqen edhe
nëpërmjet jodhunës aktive dhe krijuese. Më 1 janar 2017 e sheh dritën
Dikasteri i ri për Shërbimin e Zhvillimit Integral Njerëzor, që do ta
ndihmojë Kishën t’i nxisë në mënyrë gjithnjë e më të efektshme «të mirat
e pamatshme të drejtësisë, të paqes dhe të ruajtjes së krijimit» dhe të
përkujdesjes ndaj emigrantëve, «nevojtarëve, të sëmurëve dhe të të
përjashtuarve, të të mënjanuarve dhe të viktimave të konflikteve të
armatosura dhe të katastrofave natyrore, të të burgosurve, të të
papunëve dhe të viktimave të çfarëdo forme skllavërie dhe torture». Çdo
veprim në këtë drejtim, për sa modest të jetë, ndihmon në ndërtimin e
një bote të lirë prej dhunës, hapi i parë drejt drejtësisë dhe paqes.
Si përfundim
7. Sipas traditës, e firmos këtë Mesazh më 8 dhjetor, festën e Zojës së
Papërlyer. Maria është Mbretëresha e Paqes. Kur lindi Biri i saj, engjëjt i
thurnin lavdi Hyjit dhe u uronin paqe në tokë burrave dhe grave
vullnetmirë (krh. Lk 2,14). Ia kërkofshim Virgjërës Mari që të na
udhëheqë. «Të gjithë e dëshirojmë paqen; shumë persona e ndërtojnë atë
çdo ditë me gjeste të vogla, shumë vuajnë dhe e durojnë lodhjen, që
sjellin përpjekjet e shumta për ta ndërtuar atë». Gjatë vitit 2017, u
angazhofshim, me lutje dhe me veprim, me qëllim që të bëhemi persona
që e kanë larguar prej zemrave, fjalëve dhe gjesteve të tyre dhunën dhe
me qëllim që të ndërtojmë bashkësi jo të dhunshme, që kujdesen për
shtëpinë e përbashkët. «Asgjë nuk është e pamundur nëse ia kërkojmë
këtë gjë Hyjit me lutje. Të gjithë mund të jemi zanatlinj të paqes».
Papa Françesku