Scroll Top

Mesazh per Krishtlindjen 2013

Të dashur vëllezër,

Krishtlindja është festë e madhe gëzimi, jo aq dhe jo vetëm për gjithë bukurinë që kjo festë ka me dritat, këngët, zbukurimet e saj që krijojnë një atmosferë të bukur, por sidomos sepse na kthen në arsyen e saj thelbësore, pra, Krishti është gëzimi ynë i vërtetë.

Krishti Jezus që bëhet njeri, bëhet fëmijë, i vogël, që hyn në natyrën tonë dhe në historinë tonë, për të rifituar dinjitetin e bijve të Hyjit. Po, Ai, Emanueli: Zoti me ne, Princi i Paqes, ka ardhur në mesin tonë, e ka vënë tendën e vet mes nesh për të na dhuruar shëlbimin.

Me fillimin e kohës liturgjike të Ardhjes, kemi filluar një ecje përgatitjeje për Krishtlindjen, për Zotin Jezus që vjen. Vazhdimisht Liturgjia na ka nxitë nëpërmjet profetëve, Shën Gjon Pagëzuesit, Shën Palit: “Përgatitni udhët e Zotit”; “Rrini zgjuar”; “Zoti po vjen dhe nuk do të vonojë”.

E kemi bërë këtë ecje së bashku, si popull i Hyjit, nëpërmjet një lutjeje më të fuqishme dhe një përgatitjeje më të zellshme e besnike ndaj Meshës së Shenjtë dhe ndaj sakramenteve.

Papa Françesku, të dielën e parë të Ardhjes na ftonte që të viheshim në ecje me këto fjalë: “Le të rizbulojmë bukurinë e të qenit të gjithë në ecje: Kisha, me thirrjen dhe misionin e vet, dhe i gjithë njerëzimi, popujt, qytetërimet, kulturat, të gjithë në ecje nëpër shtigjet e kohës». «Por në ecje në drejtim të kujt? », pyet Papa: «A ka një cak të përbashkët? E cili është ky cak?». «Zoti na përgjigjet nëpërmjet profetit Isaia», (Is 2, 1-5) dmth: «Do të ndodhë në kohën e ardhshme: mali i Shtëpisë së Zotit do të vendoset mbi majën e maleve, e do të ngallitë përmbi kreshta dhe të gjithë popujt do të ngarendin tek ai…» me «një shtegtim të gjithëmbarshëm drejt një caku të përbashkët».

«Zbulimi – vazhdon Papa – e ka gjetur në Jezu Krishtin plotësinë e vet, dhe “tempulli i Zotit”, Jezu Krishti, Ai vetë është bërë tempull, Fjala e bërë njeri: Ai është udhëheqësi dhe njëkohësisht caku i shtegtimit tonë, i shtegtimit të gjithë popullit të Hyjit; dhe në dritën e tij edhe popujt e tjerë mund të ecin drejt Mbretërisë së drejtësisë, drejt Mbretërisë së paqes».

Të dashur, në kohën tonë, të plagosur ndoshta më shumë se kurrë për veshtirsitë e jetës dhe për krisen e rendë ekonomike, le të lejojmë të udhëhiqemi nga Drita e vërtetë, Krishti Shëlbues, për të dhënë fryte të njëmendta të jetës së krishterë duke patur një zemër më të butë dhe më bujare ndaj më nevojtarëve.            

Edhe ne le të afrohemi shpellës së Betlehemit me përvujtëri, thjeshtësi, urti e dashuri së bashku me barinjtë e me mbretërit për ta adhuruar Jezusin Foshnjë. E Lumia Nënë Tereza po ashtu “Martirët” tanë shqiptarë e kanë ndjekur në mënyrë rrënjësore shembullin e Zotit Jezus, që u bë njeri për ne.

Krishtlindja është festë e dashurisë, e shpresë dhe e paqes. Dhe si Ipeshkëv, sa do të dëshiroja që të gjithë ta shjojmë këtë paqe, ne Katolikët, Ortodokset, të krishterët dhe të gjithë popujt: në Shqipëri, në Ballkan, në Betlehem, në mbarë botë.

Për shumëvjet Krishtlindjen dhe Vitin e Ri 2014.

Imzot Angelo Massafra OFM

Arqipeshkëv