“Populli që ecte në errësirë pa një dritë të madhe” … kështu Isaia profet paralajmëronte lindjen e Mesisë, Jezusit Shpëtimtar. Në këtë citim biblik më duket se gjendet e vërteta e dashurisë që Zoti ka për njeriun e çdo kohe, por edhe malli dhe nevoja që njeriu i çdo kohe ka për Hyjin
Kisha, kjo bashkësi e besimtarëve të Krishtit, është ai popull i ndriçuar që ka takuar dhe udhëhiqet nga Krishti dritë që ndriçon çdo gjë dhe i jep kuptim çdo njeriu. Dhe në këtë Vit të Fesë jemi thirrur nga Papa Benedikti XVI për të thelluar fenë tonë dhe për të qenë më të vetëdijshëm, se nëpërmjet pagëzimit kemi qenë ndriçuar Nga Krishti, drita e Botës.
Ndërsa jemi në ecje drejt Qiellit – Mbretërisë së Zotit – ndoshta tronditemi nga lajme të trishtueshme të vrasjeve, vëllavrasjeve, të hakmarrjeve apo të gjakmarrjeve, ndoshta tronditemi nga padrejtësi apo sprovohemi nga korrupsioni e dhuna që disa zyrtarë apo njerëz të angazhuar, në të ashtuquajturën drejtësi apo në fushat e punëve shoqërore e publike, ushtrojnë mbi qytetarët e thjeshtë. Ndoshta shumë – e sidomos ata që janë në zonat malore apo jashtë qyteteve – janë të prekur thellë nga varfëria dhe skamja. Ndoshta pas shkëlqimit të dritave zbukuruese e festave qëndron një varfëri morale, e cila në të vërtetë çon në një varfëri njerëzore etj…! E mendja tani më shkon tek personat me aftësi të kufizuara shpesh të braktisur nga vetë familja, nga shoqëria dhe nga përgjegjesit e organëve publike.
Prandaj, kemi nevojë për Krishtin dhe dritën e tij, sepse pa Zotin në zemër e në zgjedhjet e jetës, nuk mund ta bëjmë të mirën. T’i bëjmë ballë së keqes për të mirën e jetës së përbashkët e që hapat tonë drejt qiellit të jenë plot lumturi në zemër.
Në Krishtlindje, ne kuptojmë se në këtë angazhim për të mirën, nuk jemi vetëm. Zoti Jezus është me ne. Ai është rruga, drita dhe ndihma jonë.
Në këtë Krishtlindje dua t’a falënderoj Zotin për Shqipërinë tonë, dua t’a bekoj Zotin për 100-vjetorin e Pavarësisë dhe për të gjithë ata burra e gra që shkrinë jetën e tyre për Fè e Atdhe.
Në këtë 100-vjetor, ndërsa, festoja dhe gëzoja si të gjithë shqiptarët, për tokën mëmë, ndërkohë reflektoja, se një popull nuk është i madh se është i vjetër apo sepse ka sipërfaqe të madhe tokësore, por një popull është i madh kur ka njerëz të mëdhenj siç ishin: Kostantini i Madh, Imzot Niket Dardani, Gjergj Kastrioti, Imzot Pjeter Bogdani, Ismail Qemali, Dom Nikoll Kaçorri, Luigj Gurakuqi, Atë Gjergj Fishta e shume të tjerë. Siç ishte bija e kësaj toke të dashur, e Lumja Nënë Tereza apo martirët që dhanë jetën për Krishtin gjatë komunizmit duke thirrur para plumbave “Rroftë Krishti Mbret, Rroftë Shqipnia”. Një popull është i madh kur merr në dorë fatet e veta, siç bëri rinia në vitet 1990-1992, duke detyruar qeveritarët t’a orientojnë vendin drejt Evropës nën thirrjen “e duam Shqipërinë si gjithë Evropa”. Por, populli jonë, pra secili prej nesh, duhet të angazhohet më shumë për të vërtetën dhe të punojë për bashkimin e idealeve të shenjta, “Fe e Atdhe”.
Të dashur vëllezër e motra, është Krishtlindje, do të thotë, Zoti me ne. Dhe kur Zoti është me ne, a mund të jemi të shkurajuar? A mund të mos ia dalim në krye? Jo. Me Zotin do të jemi fitimtarë gjithmonë.
Uroj që gëzimi, paqja të jetojë në çdo familje. Paqe midis politikanëve tonë, që të gjithë të punojnë për të mirën e Shqipërisë.
Për shumë vjet Krishlindjen dhe Vitin e Ri të gjithë shqiptarëve, kudo që janë: në Shqipëri, në Diasporë, në Kosovë, në Maqedoni, në Malin e Zi, që të jetojmë në paqe dhe mirësi!
Paqe ne Tokën e Shenjtë dhe në mbarë botë.
Gezuar Krishtlindjen dhe Vitin e Ri 2013!
Imzot Angelo Massafra OFM