Scroll Top

MESAZH PËR DITËN BOTËRORE TË RINISË – 13 prill 2019

MESAZH PËR DITËN BOTËRORE TË RINISË – 13 prill 2019

Shumë të dashur të rinj,

ja ku jemi sërish bashkë për të kremtuar Ditën që, tashmë prej shumë vitesh, Kisha jua ka kushtuar juve: është një moment i rëndësishëm për t’ju thënë e rithënë se sa të rëndësishëm jeni në sytë e Hyjit, që ju do me një dashuri të pafundme. Në ju ka potencialitet dhe shpresë “për të sotmen dhe për të ardhmen” si për shoqërinë, ashtu edhe për Kishën që, pikërisht për këtë gjë, ju qëndron afër, siç ka bërë me Sinodin e fundit kushtuar juve dhe me dokumentin që Papa Françesku ka firmosur pak ditë më parë, pikërisht më 2 prill 2019.

Në Sinod, ipeshkvijtë e mbarë botës kanë pasur mundësi t’ju dëgjojnë, për t’u njohur me pritshmëritë dhe shpresat tuaja. Nuk kanë dashur të thonë se kush jeni ju, por kanë bërë të mundur që ju vetë të thoni se kush jeni, të vetëdijshëm për autonominë e mendimit tuaj dhe për aftësinë e gjykimit tuaj. Ata nuk kanë bërë gjë tjetër veçse kanë mikpritur kërkesat tuaja dhe ju kanë siguruar për afërsinë e tyre, të cilën Papa jua ka shprehur nëpërmjet dokumentit pas-sinodal, të cilin do ta marrim në shqyrtim një herë tjetër.

Sot gjendemi këtu për të festuar; për të qenë si të rinjtë e Jerusalemit, që mikpresin me zemrën plot gëzim hyrjen e Jezusit, gati si të donim të përsërisnim edhe ne atë “Hosana!”, duke njohur në Të Birin e Davidit, Mesinë, Shpëtimtarin, madje Shpëtimtarin e vetëm. Jo si të gjithë ata shpëtimtarë që sot na paraqiten, sidomos ju të rinjve, duke ju krijuar shpresa të rreme pasurimi, fame (nam), lavdie, bukurie të jashtme dhe pushteti… me një fjalë duke ju paraqitur gjëra që kalojnë.

Jezusi Shpëtimtar na propozon një gëzim tjetër, të brendshëm, të fortë, të aftë për t’i kapërcyer vështirësitë, që në mënyrë të pashmangshme jeta na vë përpara. Nuk mund të mos sjell ndër mend në këtë moment ata të rinj, të cilët si ju, gjatë përndjekjes komuniste në Shqipëri, ia kanë dhuruar me gëzim jetën e tyre Krishtit. Më vijnë ndër mend të Lumët Fran Mirakaj, Gjelosh Lulashi e Qerim Sadiku: nuk ishin meshtarë, rregulltarë apo seminaristë, ata ishin të rinj entuziastë për Jezu Krishtin dhe për Atdheun e tyre dhe për këtë arsye nuk ngurruan ta jepnin jetën e tyre për fitoren e Krishtit Mbret dhe për shpëtimin e Shqipërisë prej ateizmit, ideologji kjo që e kthen njeriun në diçka thjesht materiale.

Sot, për fat të keq, nuk jetojmë kohë edhe aq të ndryshme. Armiku i njerëzimit dhe i Kishës përdor mjete të holla dhe inteligjente: nuk bën më luftra të drejtpërdrejta, por paraqitet në forma të reja dhe joshëse për t’i larguar, sidomos të rinjtë dhe adoleshentet, prej fesë. Uroj që, urtësisht të drejtuar prej prinderve, prej meshtarëve dhe edukatorëve tuaj, të dini t’i dalloni këto forma dhe me guxim, me guximin e Martirëve tanë, të dini të thoni jo.

Për këtë arsye ju ftoj që të ruheni mirë prej gjithçkaje që i jep rëndësi vetëm anës së jashtme (edhe asaj fizike, me të gjitha pasojat e veta) në dëm të anës së brendshme: Shën Françesku i Asizit thoshte se njeriu vlen aq sa vlen në sytë e Hyjit.

Ruhuni mirë e mos ndiqni ideale pushteti dhe zotërimi të tjetrit, që nuk kanë lidhje me të vepruarit e Jezusit “zemërbutë dhe të përvuajtë”, që këto ditë sodisim në Mundimet e Tij si Shërbëtor që vuan.

Ruhuni mirë prej çdo forme arratisjeje, jo vetëm asaj fizike prej Atdheut tuaj, por edhe asaj morale që ka shijen e mosangazhimit: kemi detyrë të lëmë një gjurmë pozitive gjatë kalimit tonë në këtë botë, për të mos qenë fajtorë me lëshime, që na bëjnë keq neve personalisht, Kishës dhe shoqërisë.

Ndërkohë ju ftoj që ta bëni tuajën temën e Ditës Botërore të Rinisë që këtë vit është mbajtur në Panama: “Unë jam shërbëtorja e Zotit: më ndodhtë siç the ti!” (Lk 1,38), për t’i thënë, ashtu si edhe Maria e Nazaretit, edhe ju “po”-në tuaj Zotit, sepse edhe një herë, falë jush, Zoti hyn në këtë histori për ta ndryshuar atë nga brenda dhe për t’i dhënë një drejtim të ri, atë të Ngjalljes.

Kisha ka besim te forcat tuaja të reja, te aftësitë tuaja për të pasur ideale të mëdha dhe te guximi juaj për t’i mundësuar Hyjit që të shfaqet në tokën shqiptare si Shpëtimtari i vetëm i saj.

Ky është urimi im për ju me rastin e kësaj Pashke 2019: jini të gëzueshëm dhe shpallës të guximshëm të Emrit të Jezusit në të gjitha rrethanat ku jetoni; dëshmojeni me jetën tuaj, me shembullin tuaj të pastërtisë dhe të idealeve të mëdha: thuajuni të gjithëve se sa bukur është t’i përkasësh Krishtit. Jezusi i Ngjallur ju bekoftë të gjithëve ju, e bekoftë rininë tuaj dhe i bekoftë familjet tuaja, të cilave ju lus që t’ua përçoni urimet e mia për këtë Pashkë të shenjtë.

Ju falënderoj për faktin se jeni gjymtyrë të gjalla dhe të reja të trupit të Krishtit, që është Kisha. Ju bekoj.

† Imzot Angelo Massafra O.F.M.

Arqipeshkëv Metropolit Shkodër-Pult