Scroll Top

MESAZH I SHENJTËRISË SË TIJ GIOVANI PAOLO II PËR CELEBRIMIN E DITËS BOTËRORE TË PAQES 1999

TEK RESPEKTIMI I DREJTAVE TË NJERIUT SEKRETI I PAQES SË VËRTETË

l. Në Enciklikën e parë Redemptor hominis, që u kam drejtuar gati njëzet vjet më parë të gjithë burrave dhe grave me vullnet të mirë, që atëherë nënvizoja rëndësinë e respektimit të të drejtave të njeriut. Paqja lulëzon kur të drejta të tilla ruhen të plota, ndërsa lufta lind prej dhunimit të tyre dhe bëhet pastaj shkak për dhunime të mëtejshme edhe më të rënda.1

Në prag të vitit të ri, i fundit para Jubileut të madh, do të doja të ndalesha edhe një herë mbi këtë temë me rëndësi të madhe me të gjithë ju, burra dhe gra nga të gjitha anët e botës, me ju, politikanë përgjegjës dhe udhëheqës fetarë të popujve, me ju, që e doni paqen dhe doni ta forconi atë në botë.

Ja bindja që, në dritën e Ditës Botërore të Paqes, kam dëshirë ta ndaj me ju: kur promovimi i dinjitetit të njeriut është parimi udhëheqës në të cilin frymëzohemi, kur kërkimi i së mirës së përbashkët përbën impenjimin kryesor, atëherë vendosen themele të forta dhe të qëndrueshme  të ndërtesës së paqes. Kur përkundrazi të drejtat e njeriut injorohen dhe përbuzen kur ndjekja e interesave të veçanta fiton padrejtësisht mbi të mirën e përbashkët, atëherë në mënyrë të paevitueshme mbillen farat e paqëndrueshmërisë, rebelimit e të dhunës.

Respektimi i të drejtave të njeriut pasuri e njerëzimit

2. Dinjiteti i njeriut human është një vlerë trashendente, gjithmonë e njohur si e tillë që kur janë vënë në kërkim të sinqertë të së vërtetës. E gjithë historia njerëzore, në të vërtetë, interpretohet në dritën e kësaj sigurie. Çdo njeri, i krijuar si shëmbëlltyrë e përngjasim i Hyut (shih. Zn l, 26-28) dhe, ndërkaq, rrënjësisht i orientuar drejt Krijuesit të tij, është në marrëdhënie të vazhdueshme me të gjithë ata që janë të veshur me të njëjtin dinjitet. Promovimi i së mirës së individit lidhet kështu me shërbimin ndaj së mirës së përbashkët, aty ku të drejtat dhe detyrat përputhen dhe forcohen me njëra-tjetrën.

Historia bashkëkohore ka vënë në dukje në mënyrë tragjike rrezikun që rrjedh prej harrimit të së vërtetës mbi njeriun human. Janë përpara syve tanë frytet e ideologjive si marksizmi, nazizmi, fashizmi, apo edhe i miteve si superioriteti rracor, nacionalizmi dhe sektarizmi etnik. Jo më pak të dëmshëm, edhe pse jo gjithmonë aq të dukshëm, janë efektet e komunizmit materialist, në të cilin lartësimi i individit dhe kënaqja egocentrike e aspiratave personale bëhen qëllimi i fundit i jetës. Në këtë pikëpamje, pasojat negative mbi të tjerët mbahen si plotësisht të parëndësishme. Duhet të theksojmë, ndërkaq, që asnjë fyerje e dinjitetit njerëzor s’mund të injorohet, i çfarëdo lloji qoftë burimi, forma e fituar e faktit, vendi ku ndodh.

Universaliteti dhe pandashmëria e të drejtave të njeriut

3. l998-ta ka shënuar përvjetorin e 50-të të adoptimit të «Deklaratës Universale të të Drejtave të Njeriut». Ajo qëllimisht qe bashkuar me Kartën e Kombeve të Bashkuara, me të cilën ka një frymëzim të përbashkët. Deklarata ka si parakusht themelor pohimin sipas së cilës njohja e dinjitetit të lindur të të gjithë anëtarëve të familjes njerëzore, ashtu sikurse i barazisë dhe patjetërsueshmërisë së të drejtave të tyre, është themeli i lirisë, i drejtësisë dhe i paqes në botë.2 Të gjithë dokumentet ndërkombëtare të mëvonshme mbi të drejtat e njeriut përforcojnë këtë të vërtetë, duke njohur dhe afirmuar që ato rrjedhin prej dinjitetit dhe prej vlerës së qenësishme të njeriut human.3

Deklarata Universale është e qartë: njeh të drejtat që shpall, nuk i jep; ato, në fakt, janë të qenësishme tek njeriu human dhe tek dinjiteti i tij. Për rrjedhojë askush nuk mundet në mënyrë të ligjshme të heqë prej këtyre të drejtave një njeri, kushdo qoftë ai, sepse kjo do të thoshte të dhunonte natyrën e tij. Të gjitha qeniet njerëzore, pa përjashtim, janë të barabarta në dinjitet. Për të njëjtën arsye, të drejta të tilla u përkasin të gjitha fazave të jetës dhe çdo konteksti politik, social, ekonomik apo kulturor. Ato formojnë një tërësi unitare, e drejtuar vendosmërisht në promovimin e çdo aspekti të së mirës së njeriut dhe të shoqërisë.

  1. Shih Redemptor hominis (4 mars l979), l7: AAS 7l (l979), 296.
  2. Shih Deklarata e Përgjithshme e të Drejtave të Njeriut, Hyrje, paragrafi i parë.
  3. Të shikohet në mënyrë të veçantë Deklarata e Vienës (25 qershor l993). Hyrje, 2.

Të drejtat e njeriut tradicionalisht grupohen në dy kategori të gjera përmbledhëse, nga njëra anë, të drejtat qytetare dhe politike dhe, nga tjetra, ato ekonomike, shoqërore e kulturore. Akordet ndërkombëtare sigurojnë, edhe pse në shkallë të ndryshme, të dyja kategoritë; të drejtat e njeriut, në fakt, janë ngushtësisht të ndërthurura mes tyre, duke qenë shprehje të dimensioneve të ndryshme të të njëjtit subjekt, që është njeriu. Promovimi i plotë i të gjitha kategorive të të drejtave të njeriut është garancia e vërtetë e respektimit të plotë të çdo të drejte të veçantë.

Mbrojtja e universalitetit dhe pandashmërisë së të drejtave të njeriut është thelbësore për ndërtimin e një shoqërie të paqtë dhe për zhvillimin e plotë të individëve, popujve dhe kombeve. Afirmimi i këtij universaliteti dhe pandashmërie nuk përjashton, në fakt, diferencime të ligjshme të karakterit kulturor e politik në aktualizimin e të drejtave të veçanta, me qëllim që të rezultojnë të respektuar në çdo rast nivelet e fiksuara prej Deklaratës Universale për mbarë njerëzimin.

Duke i pasur mjaft të qarta këto kushte paraprake themelore, do të doja tani të vija në dukje disa të drejta të veçanta, që duken sot të ekspozuara veçanërisht ndaj dhunimeve pak a shumë të hapura.

E drejta për jetën

4. E para në mes këtyre është e drejta themelore për jetën. Jeta e njeriut është e shenjtë dhe e padhunueshme që prej lindjes së saj dhe deri në perëndimin e saj natyror. «Mos vraj» është urdhëri hyjnor që shënon një limit ekstrem përtej së cilit nuk është kurrë e lejuar të shkosh. «Vrasja direkte dhe e vullnetshme e një qenieje njerëzore të pafajshme është gjithmonë jashtëzakonisht imorale».[1]

E drejta për jetën është e padhunueshme. Kjo nënkupton një zgjedhje pozitive, një zgjedhje për jetën. Zhvillimi i një kulture të orientuar në këtë drejtim shtrihet në të gjitha rrethanat e egzistencës dhe siguron promovimin e dinjitetit njerëzor në çdo situatë. Një kulturë e vërtetë e jetës, sikurse i garanton të drejtën për të ardhur në jetë atij që ende nuk ka lindur, ashtu mbron të sapolindurit, veçanërisht vajzat e vogla, prej krimit të femijëvrasjes. Në të njëjtën mënyrë, ajo u siguron handikapatëve zhvillimin e fuqive të tyre, dhe të sëmurëve e të moshuarve kura të përshtatshme.

Nga zhvillimet e fundit në fushën e inxhinierisë gjenetike ngrihet një sfidë që ngjall shqetësime të thella. Sepse kërkimi shkencor në këtë fushë të jetë në shërbim të njeriut, duhet që ta shoqërojë në çdo hap reflektimi i kujdesshëm etik, që të frymëzojë norma të duhura juridike në ruajtjen e paprekshmërisë së jetës njerëzore. Kurrë jeta nuk mund të degradohet në një objekt.

Zgjedhja e jetës sjell refuzimin e çdo forme të dhunës: atë të varfërisë dhe urisë, që godet shumë qenie njerëzore, atë të konflikteve të armatosura; atë të përhapjes kriminale të drogave e të trafikut të armëve: atë të dëmtimit të pakujdesshëm të ambientit natyror[2]. Në çdo rrethanë, e drejta për jetën duhet të promovohet dhe tutelohet me garancitë e duhura ligjore dhe politike, sepse asnjë fyerje kundër së drejtës për jetën, kundër dinjitetit të çdo njeriu të veçantë, nuk është e parëndësishme.

Liria fetare, thelbi i të drejtave të njeriut

5. Feja shpreh aspiratat më të thella të njeriut human, përcakton konceptimin e realitetit, udhëheq raportin me të tjerët: jep, në fund, përgjigjen ndaj çështjes së domethënies së vërtetë të egzistencës si në fushën personale ashtu edhe shoqërore. Liria fetare përbën, ndërkaq, vetë thelbin e të drejtave të njeriut. Ajo është kaq e padhunueshme saqë kërkon që njeriut t’i njihet liria deri edhe të ndërrojë fe, nëse ndërgjegja e tij e kërkon. Secili, në fakt, është i detyruar të ndjekë ndërgjegjen e vet në çdo rrethanë dhe nuk mund të shtrëngohet të veprojë në kundërshtim me të.[3] Pikërisht për këtë, askush s’mund të detyrohet të pranojë detyrimisht një fe të caktuar, çfarëdo qofshin rrethanat apo arsyet.

Deklarata Universale e të Drejtave të Njeriut njeh që e drejta e lirisë së fesë përfshin atë të shfaqjes së besimeve të tij qoftë individualisht qoftë me të tjerët, në publik ose privatisht.[4] Pavarësisht nga kjo, ekzistojnë edhe sot vende në të cilat e drejta për t’u bashkuar për arsye kulti ose nuk është e njohur ose është e kufizuar për pjesëtarë të një besimi të vetëm. Ky dhunim i rëndë i një prej të drejtave themelore të njeriut është shkak vuajtjesh të mëdha për besimtarët. Kur një shtet i jep një statut të veçantë një feje, kjo nuk mund të ndodhë në dëm të të tjerave. Dihet se ka kombe në të cilat individë, familje dhe grupe të tëra vazhdojnë të jenë të diskriminuar dhe të lënë mënjanë për shkak të besimit të tyre fetar.

As nuk lihet në heshtje një problem tjetër i lidhur jo drejtëpërdrejt me lirinë fetare. Nganjëherë, komuniteti ose popujt, të bindjeve dhe kulturave fetare të ndryshme nxisin mes tyre tensione në rritje që, për arsye të pasioneve të forta të përfshira, arrijnë të transformohen në konflikte të dhunshme. Përdorimi i dhunës në emër të besimit të vet fetar përbën një deformim të vetë mësimeve të feve më të mëdha. Siç kanë përsëritur shumë herë përfaqësues të ndryshëm fetarë, edhe unë e ritheksoj që përdorimi i dhunës nuk mund të gjejë kurrë justifikime fetare të bazuara as të nxisë rritjen e ndjenjës së vërtetë fetare.

E drejta për të marrë pjesë

6. Çdo qytetar ka të drejtën të marrë pjesë në jetën e komunitetit të vet: është bindje, kjo, përgjithësisht sot e pranuar. Kjo e drejtë, megjithatë, që zhvleftësohet kur procesi demokratik është i boshatisur prej efikasitetit të tij nëpërmjet favorizimeve dhe fenomeneve të korrupsionit, që jo vetëm pengojnë pjesëmarrjen e ligjshme në administrimin e pushtetit, por pengojnë vetë hyrjen në një përfitim të barabartë të të mirave dhe të shërbimeve të përbashkëta. Deri edhe zgjedhjet mund të manipulohen me qëllim që të sigurohet fitorja e disa partive ose pesonave. Bëhet fjalë për një sulm ndaj demokracisë që sjell rrjedhoja serioze, meqenëse qytetarët, përveç të drejtës, kanë edhe përgjegjësinë e pjesëmarrjes: kur pengohen ato, humbin shpresën e ndërhyrjes në mënyrë efikase dhe braktisen në qëndrimin e një mosangazhimi pasiv. Zhvillimi i një sistemi të shëndoshë demokratik bëhet kështu praktikisht i pamundur.

Kohët e fundit janë adoptuar masa të ndryshme për të siguruar zgjedhje të ligjshme në shtete që me vështirësi përpiqen të kalojnë nga një formë totalitarizmi në një regjim demokratik. Sado të dobishme dhe efikase në situata emergjence, këto iniciativa nuk mund të çlirohen, megjithatë, nga sforcimi që sjell krijimi tek qytetarët e një platforme bindjesh të pranuara, falë të cilave manipulimi i procesit demokratik të refuzohet përfundimisht.

Në fushën e komunitetit ndërkombëtar, kombe dhe popuj kanë të drejtë të marrin pjesë në vendimet që shpesh modifikojnë thellësisht mënyrën e tyre të të jetuarit. Veçantia teknike e disa problemeve ekonomike shkakton tendencën për të kufizuar diskutimin e tyre në rrethe të ngushta, me rrezikun e mëvonshëm të përqëndrimeve të pushtetit politik dhe financiar në një numer të kufizuar qeverish dhe grupesh të interesuara. Kërkimi i të mirës së përbashkët kombëtare dhe ndëkombëtare kërkon aktualizim konkret, edhe në fushën ekonomike, të së drejtës së të gjithëve për të marrë pjesë në vendimet që u përkasin.

Një formë veçanërisht e rëndë diskriminimi

7. Një ndër format më dramatike të diskriminimit qëndron tek mohimi ndaj grupeve etnike dhe pakicave kombëtare i së drejtës themelore për të jetuar si të tillë. Kjo vihet në jetë nëpërmjet shtypjes së tyre ose transferimit të dhunshëm, ose edhe tentativave për të dobësuar identitetin etnik aq sa për ta bërë të paidentifikueshëm. A mund të rrihet në heshtje përballë krimeve kaq të rënda kundër njerëzimit? Asnjë mundim nuk mund të konsiderohet i tepërt kur bëhet fjalë për t’i dhënë fund degradimeve të tilla, të padenja për njeriun human. 

Shenjë pozitive e vullnetit në rritje të shteteve për të njohur përgjegjësitë e tyre në mbrojtjen e viktimave të krimeve të tilla dhe në angazhimin për t’i parandaluar është iniciativa e kohëve të

fundit të një Konference Diplomatike të Kombeve të Bashkuara: me vendim të veçantë, ajo ka aprovuar Statutin e një Gjykate Penale Ndërkombëtare, e caktuar për të individualizuar fajet dhe për të ndërshkuar përgjegjësit e krimeve të genocidit, të krimeve kundër njerëzimit, të krimeve të luftës dhe të agresionit. Ky institucion i ri, nëse është i ndërtuar mbi baza të mira juridike, do të mund të kontribuonte progresivisht për të siguruar në shkallë botërore mbrojtjen efikase të të drejtave të njeriut.

E drejta e vetërealizimit

8. Çdo qenie njerëzore zotëron aftësi të lindura që presin të zhvillohen. I përshtatet realizimit të plotë të personalitetit të saj edhe të futjes në mënyrë bindëse në kontekstin shoqëror të ambientit të vet. Për këtë është e nevojshme para së gjithash të parashikohet edukimi i duhur i të gjithë atyre që shfaqen në pragun e jetës: nga kjo varet arritja e tyre e ardhshme.

Nga kjo pikëpamje, si nuk mund të shqetësohemi duke parë që në disa rajone nga më të varfërat e botës mundësitë e formimit realisht zvogëlohen gjithnjë, veçanarisht përsa i përket arsimimit fillor? Kjo shkaktohet ndonjëherë nga gjendja ekonomike e vendit, e cila nuk lejon t’i përgjigjet rrogës së mësuesve. Në raste të tjera, paraja duket e disponueshme për projekte të prestigjit ose për edukimin e mesëm, por jo për atë fillor. Kur kufizohen mundësitë e formimit, veçanërisht për vajzat e vogla, parapërgatiten struktura diskriminimi të afta të ndikojnë mbi tërë zhvillimin e shoqërisë. Bota do të përfundonte e ndarë sipas një kriteri të ri: nga njëra anë, shtete dhe individë të pajisur me teknologji të përparuar, dhe nga ana tjetër vende dhe njerëz me njohuri dhe aftësi tejet të kufizuara. Siç është e lehtë të merret me mend, kjo s’do të bënte gjë tjetër veçse të përforconte pabarazitë e mprehta ekonomike që janë jo vetëm në mes shtetesh, por edhe në vetë brendësinë e tyre. Edukimi dhe formimi profesional duhet të jenë në vend të parë qoftë në planet e Vendeve në zhvillim qoftë në programet e përtëritjes urbane dhe rurale të popujve ekonomikisht më të përparuar.

Një tjetër e drejtë themelore, nga përmbushja e së cilës varet rritja e një niveli të denjë jetese, është ajo e punës. Si mund të sigurohet ndryshe ushqimi, veshmbathja, shtëpia, shërbimi mjekësor dhe shumë nevoja të tjera të jetës? Mungesa e punës është sot, megjithatë, një problem i rëndë: të panumërt janë njerëzit që në shumë anë të botës gjenden të përfshirë në fenomenin shkatërrues të papunësisë. Është e nevojshme dhe urgjente nga ana e të gjithëve dhe, në veçanti, nga ana e kujtdo që ka në duar levat e pushtetit politik apo ekonomik, të bëjë çfarë është e mundur për t’i dhënë udhë një situate të tillë kaq të dhimbshme. Nuk mund të kufizohemi me ndërhyrjet megjithatë të detyrueshme të emergjencës, në raste papunësie, sëmundjeje ose rrethanave të ngjashme që i shmangen kontrollit të individit të veçantë[5], por duhet të veprohet me qëllim që të papunët të jenë në gjendje të marrin përgjegjësitë e egzistencave të tyre, duke u emancipuar nga një regjim asistencializmi poshtërues.

Progres global në solidaritet

9. Ecja e shpejtë drejt globalizimit të sistemeve ekonomike dhe financiare bën, nga ana e saj, të qartë urgjencën për të caktuar atë që duhet të garantojë të mirën e përbashkët dhe globale vënien në jetë të të drejtave ekonomike dhe shoqërore. Tregu i lirë vetëm nuk mund ta bëjë meqë, në realitet, egzistojnë nevoja të shumta njerëzore që nuk kanë të bëjnë me tregun. «Akoma përpara logjikës së shkëmbimit të të barazvlefshmëve dhe të formave të drejtësisë që e karakterizojnë, ekzizton një diçka që i përket njeriut sepse është njeri, në sajë të dinjitetit të tij të lartë».[6]

Pasojat e krizave të tanishme ekonomike dhe financiare kanë pasur rrjedhoja të rënda mbi njerëz të panumërt, katandisur në kushte të një varfërie ekstreme. Shumë prej tyre kishin arritur vetëm prej pak kohësh në një gjendje që justifikonte shpresa ngushëlluese për të ardhmen. Pa asnjë përgjegjësi të tyre, ata kanë parë shpresa të tilla egërsisht të thyera me rrjedhoja tragjike për vete dhe për bijtë e tyre. E si mund të injorohen shkaqet e një luhatje të tregjeve financiare? Kërkohet një

shikim i ri i progresit global në solidaritet, që të parashikojë një zhvillim të plotë e të mbështetshëm të shoqërisë, të tillë që t’i bëjë të mundur çdo pjestari të tij të realizojë aftësitë e tija.

Në këtë kontekst, u drejtoj një thirrje urgjente të gjithëve sa kanë përgjegjësi në raportet financiare në nivel botëror, me qëllim që të marrin për zemër zgjidhjen e problemit shqetësues të borxhit ndërkombëtar të kombeve më të varfëra. Institucione financiare ndërkombëtare kanë nisur, për këtë qëllim, një iniciativë konkrete e denjë për t’u çmuar. Ju bëj thirrje të gjithëve sa janë të përfshirë në këtë problem, veçanërisht kombeve më të pasura, me qëllim që të furnizojnë mbështetjen e nevojshme për t’i siguruar iniciativës sukses të plotë. Kërkohet një përpjekje e shpejtë dhe e fuqishme për t’i dhënë mundësi një numri sa më të madh që të jetë e mundur vendesh, në prag të vitit 2000, për të dalë nga një gjendje tashmë të pambështetshme. Dialogu mes institucioneve të interesuara, nëse është i frymëzuar nga vullneti i mirëkuptimit, do të çojë, për këtë jam i sigurt, në një zgjidhje të kënaqshme dhe përfundimtare. Në mënyrë të tillë, për kombet më të varfëra do të bëhet i mundur një zhvillim i qëndrueshëm dhe mijëvjeçari që na qëndron përpara do të shndërrohet edhe për to një kohë shprese e ripërtërirë.

Përgjegjësia përballë mjedisit l0. Me promovimin e dinjitetit njerëzor lidhet e drejta për një mjedis të shëndoshë, meqenëse ai vë në dukje dinamikën e lidhjeve mes individit dhe shoqërisë. Një tërësi normash ndërkombëtare, rajonale dhe kombëtare mbi mjedisin po i jep gradualisht formë juridike një të drejte të tillë. Masat juridike, megjithatë, nuk mjaftojnë më vete. Rreziku i dëmeve të rënda ndaj tokës dhe detit, ndaj klimës, ndaj florës dhe faunës, kërkon një ndryshim të thellë në stilin e jetës tipik për qytetërimin modern të konsumeve, veçanërisht në vendet më të pasura. As nuk mund të nënvlerësohet një rrezik tjetër, edhe pse më pak i dhunshëm: të shtyrë nga nevoja, gjithsa jetojnë në mënyrë të mjerë në zonat rurale mund të arrijnë të shfrytëzojnë tej kufirit tokën e paktë që kanë në zotërim. Ndërkohë duhet t’i jepet përparësi një formimi të veçantë që t’i mësojë ata si të harmonizojnë kultivimin e tokës me respektin ndaj mjedisit.

E tashmja dhe e ardhmja e botës varen nga ruajtja e universit, sepse ekziston një ndërveprim i vazhdueshëm mes njeriut human dhe natyrës. Vendosja e së mirës së qenies njerëzore në qendër të vëmendjes për mjedisin është, në realitet, mënyra më e sigurtë për të shpëtuar krijimin; në mënyrë të tillë, në fakt, nxitet përgjegjësia e secilit përballë pasurive natyrore dhe përdorimit të tyre në mënyrë të arsyeshme.

E drejta për paqe

11. Promovimi i së drejtës për paqe siguron në një farë mënyre respektimin e të gjitha të drejtave të tjera, meqë favorizon ndërtimin e një shoqërie brenda së cilës në vend të marrëdhënieve të sforcuara ndërhyjnë marrëdhëniet e bashkëpunimit, duke pasur parasysh të mirën e përbashkët. Aktualiteti provon gjerësisht falimentimin e përdorimit të dhunës si mjet për të zgjidhur problemet politike dhe shoqërore. Lufta shkatërron, nuk ndërton; shfuqizon themelet morale të shoqërisë dhe krijon ndarje të mëtejshme dhe tensione të vazhdueshme. E megjithatë kronika vazhdon të regjistrojë luftra dhe konflikte të armatosura me viktima të panumërta. Sa herë Paraardhësit e mi dhe unë vetë kemi kërkuar fundin e këtyre tmerreve! Do të vazhdoj ta bëj derisa nuk do të kuptohet që lufta është falimentimi i çdo humanizmi të vërtetë.[7]

Faleminderit Zotit, nuk janë të paktë hapat e bërë në disa rajone drejt konsolidimit të paqes. Një meritë e madhe u njihet atyre politikanëve të guximshëm që kanë kurajon të vazhdojnë tratativën edhe kur situata duket se bën të pamundur. Në të njëjtën kohë, megjithatë, si të mos denoncojmë masakrat që vazhdojnë në rajone të tjera, me çrrënjosjen e popujve të tërë nga tokat e tyre dhe shkatërrimin e shtëpive e të mbjellave? Përpara viktimave të panumërta tashmë, u drejtohem përgjegjësve të kombeve dhe njerëzve vullnetmirë, me qëllim që të lëvizin në ndihmë të atyre që janë të përfshirë, veçanërisht në Afrikë, në konflikte mizore, të frymëzuar nganjëherë nga konflikte

ekonomike të jashtme, dhe t’i ndihmojnë ata t’u japin fund. Një hap konkret në këtë drejtim është sigurisht zhdukja e trafikut të armëve drejt vendeve në luftë dhe mbështetja ndaj përgjegjësve të atyre popujve në kërkimin e rrugës së dialogut. Kjo është rruga e denjë e njeriut, kjo është rruga e paqes!

Mendimi im pikëllues i drejtohet atij që jeton dhe rritet në një kontekst lufte, atij që nuk ka njohur tjetër veç konflikte dhe dhunime. Ata që mbijetojnë do të mbajnë në vitet e tyre të mbetura plagët e një eksperiencë të tillë të tmerrshme. E ç’mund të themi për ushtarët femij? Si mund të pranohet që të shkatërrohen kështu ekzistenca të sapoçelura? Të stërvitur për të vrarë dhe shpesh të shtyrë për ta bërë, këto fëmijë nuk do të mund të mos kenë probleme në hyrjen e tyre të ardhshme në jetën qytetare. Ndërpritet edukimi i tyre dhe asgjësohen aftësitë e tyre të punës: çfarë pasojash për të ardhmen e tyre! Fëmijët kanë nevojë për paqe; për të kanë të drejtë.

Në kujtim të këtyre fëmijëve do të doja të bashkoja atë të vegjëlve viktima të minave antinjeri dhe të mjeteve të tjera të luftës. Me gjithë përpjekjet tashmë të bëra për çminimin, jemi tani në një paradoks të pabesueshëm dhe jonjerëzor: duke mos marrë parasysh vullnetin qartësisht të shprehur nga qeveri dhe popuj për të mos përdorur  përfundimisht një armë kaq mizore, nuk është pushuar së mbjelluri mina të tjera edhe në vendet tashmë të bonifikuara.

Fara lufte shpërdahen edhe nga shtimi në masë dhe i pakontrolluar i armëve të vogla dhe të lehta që, me sa duket, kalojnë lirisht nga një zonë konflikti në një tjetër, duke ushqyer dhunë gjatë kalimit të tyre. U përket qeverive të adoptojnë masa të duhura për kontrollin rreth prodhimit, shitjes, importimit dhe eksportimit të këtyre mjeteve të vdekjes. Vetëm në këtë mënyrë është e mundur të përballohet në mënyrë efikase në tërësinë e tij problemi i trafikut në masë dhe të palejueshëm të armëve.

Një kulturë e të drejtave të njeriut, përgjegjësi e të gjithëve. l2. Nuk është e mundur me këtë rast të shtrijmë më tej bisedën. Do të doja, megjithatë, të nënvizoja që asnjë e drejtë e njeriut nuk është e sigurtë, nëqoftëse nuk angazhohemi t’i mbrojmë të gjitha. Kur pranohet pa reaguar dhunimi i njërës prej cilësdo të drejtave themelore të njeriut, vihen në rrezik të gjitha të tjerat. Ndërkohë, është i domosdoshëm, një trajtim global ndaj temës së të drejtave të njeriut dhe një angazhim serioz në mbrojtje të tyre. Vetëm atëherë kur një kulturë e të drejtave të njeriut, respektuese e traditave të ndryshme, bëhet pjesë përbërëse e pasurisë morale të njerëzimit, mund të shikohet me besim të kthjellët drejt së ardhmes.

Dhe në fakt, si do të mund të kishte luftë, nëse çdo e drejtë  e njeriut të ishte respektuar? Ruajtja e pacënuar e të drejtave të njeriut është rruga më e sigurtë për të vendosur lidhje të forta në mes të shteteve. Kultura e të drejtave të njeriut nuk mund të jetë gjë tjetër përveçse kultura e paqes. Çdo dhunim i tyre përmban në vetvete farën e një konflikti të mundshëm. Që atëhere Paraardhësi im i nderuar, shërbëtori i Hyut Piu XII, në fund të Luftës së Dytë Botërore, shtronte pyetjen: «Kur një popull është i shtypur me forcë, kush do të kishte kurajon t’i premtonte siguri pjesës së tjetër të botës në kontekstin e një paqeje të qëndrueshme?».[8]

Për të promovuar një kulturë të të drejtave të njeriut që të angazhojë ndërgjegjet, është i nevojshëm bashkëpunimi i çdo force shoqërore. Do të doja të beja referim të veçantë rolit të massmedias, aq shumë e rëndësishme në formimin e opinionit publik dhe, si rrjedhojë, në orientimin e sjelljeve të qytetarëve. Sikurse nuk mund të mohohej një përgjegjësi e tyre në dhunimin e të drejtave të njeriut që të kenë shkakun e tyre në lartësimin e dhunës prej tyre eventualisht e kultivuar, ashtu është detyrë t’u atribuohet atyre merita e atyre iniciativave fisnike të dialogut dhe solidaritetit që janë formuar në sajë të mesazheve prej tyre të shpërndarë në favor të mirëkuptimit reciprok dhe të paqes.

Kohë e zgjedhjeve, kohë e shpresës

l3. Mijëvjeçari i ri është tek porta dhe afrimi i tij ka ushqyer në zemrat e shumë njerëzve shpresën e një bote më të drejtë dhe solidare. Është një aspirim që mund, përkundrazi, që duhet të realizohet!

Në këtë perspektivë u drejtohem tani në mënyrë të veçantë juve, të dashur Vëllezer e Motra në Krishtin, që në anë të ndryshme të botës merrni si rregull të jetës Ungjillin: bëhuni lajmëtarë të dinjitetit të njeriut! Feja na mëson se çdo njeri ka qenë krijuar në shëmbëllesë dhe ngjashmëri të Hyut, përballe refuzimit të njeriut, dashuria e Atit qiellor mbetet besnike; dashuria e tij është dashuri pa kufinj, Ai ka dërguar Birin Jezus për të shelbuar çdo njeri, duke i kthyer dinjitetin e plotë.[9] Përballë një qëndrimi të tillë, si mund të përjashtojmë ndonjërin prej përkujdesjeve tona? Në të kundërtën, duhet të njohim Krishtin tek më të varfërit e të braktisurit, që Eukaristia, bashkim në korpin e gjakun e Krishtit të dhuruar për ne, na angazhon për të shërbyer.[10] Sikurse parabola e të pasurit, që do të mbesë përgjithmonë pa emer, dhe të varfërit të quajtur Lazër na tregon qartësisht, «në kontrastin e mprehtë mes të pasurve të pandjeshëm dhe të varfërve nevojtarë për gjithçka, Hyu qëndron nga ana e këtyre të fundit».[11]  Nga kjo anë duhet të rreshtohemi edhe ne. 

Viti i tretë dhe i fundit i përgatitjes për Jubileun është shënuar nga një pelegrinazh shpirtëror drejt Atit: secili është i ftuar në një ecje kthimit të vërtetë, që sjell braktisjen e së keqes dhe zgjedhjen pozitive të së mirës. Tashmë në pragun e Vitit 2000, është detyrë e jona të mbrojmë me angazhim të përtërirë dinjitetin e të varfërve dhe të braktisurve e të njohim konkretisht të drejtat e atyre që nuk kanë të drejta. Ta ngrejmë së bashku zërin për ta, duke jetuar në plotësi misionin që Krishti u ka besuar nxenësve të tij! Është ky shpirti i Jubileut në afrim.[12]

Jezusi na ka mësuar ta thërrasim Hyun me emrin e Atit, Abbà, duke na zbuluar kështu thellësinë e marrëdhënieve tona me të. E pakufi dhe e amshuar është dashuria e tij për çdo njeri dhe për gjithë njerëzimin. Kuptimplotë janë në lidhje me këtë fjalët e Hyut në librin e profetit Isaia: «E harron ndoshta gruaja foshnjën e vet, kaq sa të mos ketë dhimbje për birin e barkut të vet? Edhe nëse ndonjëra ta harronte, unë përkundrazi nuk të harroj kurrë! Ja, të kam bërë me duart e mia» (49, l5l6).

Ta pranojmë ftesën të ndajmë këtë dashuri ! Në të qëndron sekreti i respektimit të të drejtave të çdo gruaje dhe çdo burri. Agimi i mijëvjeçarit të ri do të na gjejë kështu më të gatshëm për të ndërtuar së bashku paqen.

Prej Vatikanit, 8 dhjetor të vitit l998.


[1] GJON PALI II, Let. enc. Evangelium vitae (25 mars l995), 57: AAS 87 (l995), 465.

[2] Sh  ibid., l0.l.c., 4l2.

[3] Shih KONC. EKUM. VAT. II, Dek. Dignitatis humanae. 3.

[4] Shih nen. l8.

[5] Shih Deklarata e Përgjithshme e të Drejtave të Njeriut,  nen. 25/l.

[6] GJON PALI II, Let. enc. Centesimus annus (I maj l99l), 34 : AAS 83 (l991), 836.

[7] Shih, për këtë qëllim, Kaeëkizmin e Kishës Katolik, nn. 2307-23l7.

[8] Fjalim para një Komisioni të Përfaqësuesve të Kongresit të Shteteve të Bashkuara të Amerikës (2l gusht l945): Fjalime dhe Radiomesazhe të Pio XII, VII (l945-l946), l4l.

[9] Shih GJON PALI II, Let. enc. Redemptor hominis (4 mars l979), l3-l4: AAS 7l (l979), 282-286.

[10] Shih Katekizmi i Kishës Katolike, n. l397.

[11] GJON PALI  II, Angelus i l7 shtator l998; L’Osservatore Romano, 28-29 shtator l998, fq. 5. 

[12] Shih GJON PALI II, Let. ap. Tertio Millennio Adveniente  (l0 nëntor l994), 49-5l: AAS 87 (l995, 35-36).