Scroll Top
19th Ave New York, NY 95822, USA

Leter Baritore 2006

Leter Baritore 2006

Shumë të dashur Meshtarë, Diakona

Shumë të dashur Rregulltarë e Rregulltare

Shumë të dashur besimtarë laikë,

Në këtë vit hiri 2005 kemi kremtuar e përfunduar Vitin Eukaristik të shpallur nga Shërbëtori i Hyjit Gjon Pali II dhe të përfunduar nga Papa Benedikti XVI më 23 tetor të këtij viti në Meshën përmbyllëse të Asamblesë XI të Zakonshme të Sinodit të Ipeshkvinjve.

Prej disa vjetësh, në Arkidioqezën tonë, kemi kremtuar në shtator Asamblenë Dioqezane. Këtë vit, për të mos marrë shumë nisma, e kemi zëvendësuar Asamblenë me Kongresin Eukaristik dioqezan, të cilin e kremtuam në ditët 15-17 shtator, pas ditëve eukaristike të jetuar në famulli dhe në zonat baritore, si dhe pas ditës së bukur eukaristike kombëtare të kremtuar në Rrëshen më 10 shtator, ku kemi qenë të pranishëm prej të gjitha famullive tona.

Kjo letër dëshiron të jetë një letër baritore programatike për vitin 2006, duke nisur nga e diela e parë e Ardhjes, më 27 nëntor.

Veç kësaj, kjo letër është një rast i volitshëm për t’ju ftuar të njihni, lexoni, studioni dhe thelloni dokumentet e ndryshme të Koncilit II të Vatikanit, 40 vjetori i mbylljes së të cilit do të kremtohet më 8 dhjetor.

Në këtë vit të ri baritor, me siguri na ndihmon Mesazhi i Etërve Sinodalë të 21 tetorit 2005: “Eukaristia: Buka e gjallë për paqen e botës”, që me pikat e tij të ndryshme na fton, siç ka bërë edhe Papa Benedikti XVI në homelinë e Meshës së Shenjtë përmbyllëse të Vitit Eukaristik, ta japim tani fryte të shumta të vitit të dendur eukaristik që kemi jetuar. Ja disa pika të Mesazhit në të cilat Etërit sinodalë na ftojnë ta shpallim e ta dëshmojmë atë që sodisim e adhurojmë: Jezu Krishtin Shëlbues.

“Dyzet vjet larg Koncilit II të Vatikanit jemi të nxitur të bëjmë një shqyrtim ndërgjegjeje baritore, për të verifikuar se në çfarë mase feja shprehet dhe kremtohet me koherencë në Asambletë tona liturgjike. Sinodi ripohon se Koncili II i Vatikanit ka hedhur themelet e nevojshme për një përtëritje liturgjike autentike. Pra, është e nevojshme të kultivojmë frytet pozitive dhe të ndreqim abuzimet që kanë depërtuar në praktikë. Jemi të bindur se respektimi i karakterit të shenjtë të liturgjisë kalon nëpër një besnikëri të përnjëmendtë ndaj normave liturgjike të autoritetit të ligjshëm. Askush të mos e konsiderojë veten si pronar të liturgjisë së Kishës. Edhe, Etërit sinodalë urojnë që viti eukaristik të jetë fillimi dhe një pikë referimi për ungjillëzimin e ri të njerëzimit, në rrugë globalizimi, duke filluar prej Eukaristisë”                               .

“Të dashur meshtarë, në këto ditë kemi menduar shumë për ju, e njohim zemërgjerësinë e përkushtimin tuaj. Në bashkim me ne mbani peshën e shërbimit baritor të përditshëm pranë popullit të Hyjit. E shpallni me forcë Fjalën e Zotit, duke u munduar t’i përfshini siç duhet besimtarët në misterin eukaristik. Çfarë hiri është shërbesa juaj! Lutemi me ju dhe për ju që së bashku të mund t’i mbetemi besnikë dashurisë së Krishtit. Ju kërkojmë të jeni, së bashku me ne dhe sipas shembullit të Atit të Shenjtë Benedikti XVI, «punëtorët e përvuajtur në vreshtën e Zotit», me një jetë meshtarake koherente. Paqja e Krishtit, që ua dhuroni mëkatarëve të penduar dhe asambleve eukaristike, shkëlqeftë mbi ju dhe mbi bashkësitë që jetojnë me dëshminë tuaj”.

“Shumë të dashur vëllezër e motra, cilado qoftë gjendja e jetës në të cilën jemi të thirrur ta jetojmë thirrjen tonë pagëzimore, të vishemi me ndjenjat e Krishtit Jezus (krh. Fil 2, 2) dhe sipas shembullit të tij të bëjmë garë me njëri-tjetrin në përvujtëri”.

“Përshëndesim e falënderojmë të gjithë personat e kushtuar Zotit, këtë pjesë të zgjedhur të vreshtës së Zotit, që në një dhurim plotësisht falas dëshmon lajmin e mirë të Dhëndrit që vjen (krh. Zb 22, 17-20). Dëshmia jonë eukaristike në ndjekje të Krishtit është një dhuratë dashurie në natën e botës, një jehonë e Stabat Mater dhe e Magnificat. Gruaja eukaristike në mënyrë të veçantë, e kurorëzuar me yje dhe pafundësisht e frytshme, Virgjëra e Ngjitur në Qiell dhe e Papërlyer, ju ruajtë në paqen dhe në gëzimin e Pashkëve për shpresën e botës, në shërbimin që i bëni Hyjit dhe të varfërve”.

“Të dashur të rinj, Ati i Shenjtë Benedikti XVI ju ka thënë e përsëritur se duke iu dhuruar Krishtit nuk humbni asgjë. Po i marrim edhe ne fjalët e tij të forta por të kthjellëta, të thëna për Meshën e shenjtë të fillimit të shërbesës së Tij, që ju orientojnë drejt lumturisë së vërtetë, në respektin më të madh të lirisë suaj: «Mos kini frikë nga Krishti! Ai nuk heq asgjë dhe dhuron gjithçka. Ai që i dhurohet atij merr njëqindfishin. Po, hapjani anë e përtej dyert Krishtit dhe do të gjeni jetën e vërtetë». U besohemi aftësive tuaja dhe dëshirës suaj për të zhvilluar vlerat pozitive të botës e për ta ndryshuar atë që është e padrejtë dhe e dhunshme në të. Të jeni të sigurtë për mbështetjen tonë dhe për lutjen tonë që të pranojmë së bashku sfidën e ndërtimit të së ardhmes me Krishtin. Ju jeni «rojtarët e mëngjesit» dhe «eksploruesit e së ardhmes». Ju nuk do të lini pa marrë nga burimi i energjisë hyjnore të Eukaristisë së shenjtë që të kryeni shndërrimet e nevojshme”.

“Seminaristëve të rinj që janë duke u përgatitur për shërbesën meshtarake dhe me bashkëmoshatarët e tyre bashkëndajnë shpresat për të ardhmen, dëshirojmë t’ju dërgojmë një mendim të veçantë që jeta juaj e formimit të jetë e mbushur nga një përshpirtëri e thjeshtë eukaristike”.

Të dashur bashkëshortë të krishterë me familjet tuaja, thirrjen tuaj për shenjtëri, si kishë shtëpiake, ushqehet në Tryezën e shenjtë të Eukaristike. Feja juaj në sakramentin e martesës e shndërron bashkimin bashkëshortor në një tempull të Shpirtit Shenjt, në një burim të frytshëm jete të re në lindjen e bijve që janë fryt i dashurisë suaj. Kemi folur shpesh për ju në Sinod, sepse jemi të ndërgjegjshëm për brishtësitë dhe pasiguritë e botës së tashme. Kini guxim në përpjekjen tuaj për të edukuar bijtë në fe. Të jeni sythi i thirrjeve në meshtari dhe në jetën e kushtuar Zotit; mos harroni se Krishti është i pranishëm në bashkimin tuaj dhe e bekon atë me çdo hir për të cilin keni nevojë që ta jetoni shenjtërisht thirrjen tuaj. Ju nxisim ta ruani zakonin e pjesëmarrjes me gjithë familjen në Eukaristinë e së dielës”.

SUGJERIME KONKRETE:

Jezu Krishti e mban vërtet premtimin e vet solemn: “Dhe, ja, unë jam me ju gjithmonë – deri në të sosur të botës”. Krishti është mes nesh! Kjo siguri duhet të na japë gëzim, guxim, besim të patundshëm përtej të gjitha vështirësive e dobësive njerëzore, të gjitha dështimeve në dukje.

Juve Meshtarë, Rregulltarë, Rregulltare e reminarista dëshiroj menjëherë t’ju shpreh falënderimin tim dhe kënaqësinë time për atë që jeni e për atë që bëni. Në zemrën e çdo presbiteri nuk do të ketë paqe “deri sa në ju të mos jetë formuar Krishti”, sikurse na kujton apostulli në letrën e tij drejtuar Galatasve.

Për të shmangur që shërbesa jonë të bjerë rolin e “funksionarit të së shenjtes” “Pastores dabo vobis” na kujton se “meshtari është i thirrur, nëpërmjet formimit të vazhdueshëm, që ta ruajë e ta zhvillojë në fe vetëdijen e së vërtetës së plotë dhe befasuese të qenies së tij: ai është mbarështuesi i Krishtit dhe administruesi i mistereve të Hyjit” (PdV 73). Prandaj Meshtari dhe Rregulltari/Rregulltarja, me formimin e vazhdueshëm, duhet të jenë të aftë t’u përgjigjen në mënyrë gjithnjë e më të qartë instancave të misterit, duke vënë në llogari një farë asketike të takimeve, duke favorizuar miqësinë mes meshtarëve, lutjen e përbashkët, mirëpritjen, durimin e ndërsjellë të peshave të shërbesës dhe të rizbulojnë thelbësoren mes gjërave të shumta që duhet të bëjnë.

U kërkoj të gjithëve të vazhdojnë me angazhim përvojën e zonave baritore, në mënyrë që të mund të jetohet një jetë vërtet vëllazërore, në bashkëndarjen e gëzimeve dhe të mundimeve të shërbimit ndaj bashkësisë së fesë.

T’i jepet rëndësia e duhur adhurimit eukaristik mujor, veçanërisht për thirrjet meshtarake e kushtimit të veçantë; ; dhe një gatishëmeri më të madhe për rrëfimet: të caktohen në famulli ditët të veçantë për rrefimet.

Katekizmi i Kishës katolike të jetë objekt reflektimi e thellimi, në mënyrë që të përçohet e fortë dhe e bazuar e vërteta e fesë sonë. Për këtë arsye kërkoj nga të gjithë ata që janë të impenjuar në shërbesën e katekizimit që të mundohen maksimalisht që të katekizuarit t’ia arrijnë së paku njohjes bazë të katekizmit të Kishës katolike. Metodat e vjetra “pyetje e përgjigje” si dhe përsëritja e të Vërtetave të fesë para meshës së të dielës mund të jenë një ndihmë në këtë aspekt.

Në liturgji gjithashtu nuk mund të humbasim pasuritë e këngëve të vjetra fetare të cilat duhet t’i rimarrim nëpër kremtimet tona liturgjike. Shumë nga ato këngë kanë tekste të frymëzuara e të kapshme në logjikën e domethënjien e tyre.

Në angazhimin baritor duhet t’u kushtohet një kujdes i veçantë e i vëmendshëm sidomos të rinjve. Atyre u jemi borxhlinj të Ungjillit.

EUKARISTIA TË JETË NË QENDËR TË JETËS SONË PERSONALE DHE TË JETËS SONË APOSTOLIKE

Të kujtojmë dhe të vëmë në jetë frazën që ka bërë rolin e fillit drejtues në Kongresin tonë Eukaristik: “pa Meshën e së dielës nuk mund të jetojmë” dhe që u ka kushtuar jetën 49 martirëve të Abitenës në vitin 304.

Shoqëria e përfitimit dhe e konsumit, e punës dhe e zbavitjes është duke e humbur kuptimin e së dielës si festë bashkësie. Prandaj në lidhje me këtë vjen paralajmërimi i Shërbëtorit të Hyjit Gjon Pali II: “Nuk është e mundur që të formohet një bashkësi e krishterë pa pasur si rrënjë dhe si bosht kremtimin e Eukaristisë së shenjtë”.

Eukaristia është zemra pulsuese e gjithë jetës së krishterë, siç thotë enciklika Ecclesia de Eucaristia: “Kisha jeton prej Eukaristisë”.

Ja disa kushte për të marrë pjesë në mënyrë të frytshme në Meshën e së dielës:

1-      Marrja pjesë besnikërisht: çdo të diel e solemnitet

2-      Marrja pjesë të përgatitur mirë: të jemi në hirin e Hyjit / apo të rrëfehemi

3-      Marrja pjesë në mënyrë aktive e të vetëdijshme: askush nuk duhet të asistojë si spektator

4-      Marrja pjesë me zemrën që dridhet nga dashuria, gëzimi, mirënjohja dhe ndërmjetësimi për nevojat e njerëzimit.

5-      Kremtimi të bëhet sipas së vërtetës dhe bukurisë.

E DIELA ËSHTË EDHE DITA E NJERIUT

E diela na liron nga zbrazëtira dhe nga absurdi, nga vetmia dhe nga varfëria e marrëdhënieve, nga furia e papërbajtur e prodhimit dhe e konsumit. Jep mundësinë të jetohen më dendësisht vlerat e familjes, të miqësisë, të bashkëndarjes, të soditjes, të kontaktit me natyrën, të të gëzuarit artistik. Duhet ta rizgjojmë në personat shijen e të ndenjurit së bashku.

Bashkimi me Zotin e kryqëzuar e të ngjallur dhe bashkimi me vëllezërit janë të pandashëm mes tyre (krh. 1 Kor 11, 17-22.33-34; siç ka kujtuar Papa Benedikti XVI në homelinë e tij të 29 majit 2005: “nuk mund të komunikojmë me Zotin nëse nuk komunikojmë mes nesh”.

Dhe në Këln Papa Benedikti XVI gjatë Ditës Boterore të Rinisë theksoi qoftë pasojat shpirtërore qoftë ato njerëzorë të pjesëmarrjes në Eukaristi, dhe u dha këto 4 porosi të rinjvë:

1-     që të njohim Krishtin nëpërmjet Ungjillit

2-     që të mësojmë Katekizmin e Kishës katolike

3-     që të marrim pjesë në Meshë çdo të dielë

4-     që të angazhohemi për bashkimin dhe shërbimin: Eukaristia kërkon që të jemi një: “Pasi është një bukë e vetme, ne, edhe pse shumë, jemi një trup i vetëm”, thotë shën Pali (1 Kor 10, 17).

“Kjo duhet të shfaqet në jetë, tha Papa Benedikti XVI. Duhet të shfaqet në aftësinë e faljes. Duhet të shfaqet në ndjeshmërinë për nevojat e tjetrit. Duhet të shfaqet në gatishmërinë për të bashkëndarë atë që kemi dhe atë që jemi. Duhet të shfaqet në angazhimin për të afërmin, si për atë të cilin e kemi afër, ashtu edhe për atë që është larg.

            Nuk duhet t’i braktisim të moshuarit në vetminë e tyre, nuk duhet të kalojmë pa u ndalur para atyre që vuajnë,  duke shikuar se ku dhe se si mund të jemi të nevojshëm.

Duke jetuar e duke vepruar kështu do të vëmë re shumë shpejt se është shumë e bukur të jemi të dobishëm e t’u rrimë gati të tjerëve”.

Së fundi, për të ndërtuar Kishën si bashkësi-shenjë nuk duhet në rend të parë të shumojmë veprimtaritë, por të kujdesemi për përshpirtërinë, mendësinë, qëndrimet, marrëdhëniet vëllazërore. “T’i bëjmë mirë gjërat e zakonshme” është rruga për shenjtërimin, duke u munduar të edukojmë një ndërgjegje kishtare. Kjo ndodh duke ndërtuar momente takimi dhe dëgjimi të ndërsjellë, dialogu dhe bashkëpunimi.

Kungimi i përditshëm dhe ai i së dielës me Zotin, nëse është i sinqertë dhe intensiv, ushqen kultin shpirtëror të vazhdueshëm dhe bëhet forcë për dëshminë (krh. Rom 12, 1-2), duke dhënë ngritje cilësie në jetën tonë të përditshme.

Zoti e forcoftë të qenit tonë të rrënjosur në Të dhe na dhuroftë gëzimin e një jete të bazuar në Eukaristinë e të përforcuar prej Dashurisë.

Ju bekoj vëllazërisht.

Shkodër, 20  nëntor 2005

në të Kremten e Krishtit Mbret

+ Angelo Massafra

Arqipeshkëv Metropolit i Shkodër-Pult

VINI RE: T’U PARAQITET KJO LETËR BARITORE BESIMTARËVE TË DIELËN E I DHE TË II TË KOHËS SË ARDHJES