Scroll Top

Kuvendi i pajtimit

Është organizuar në Shkodër seksioni i parë i Kuvendit të Pajtimit, promovuar nga Caritas Shkodër dhe Shtëpia e Paqes në bashkëpunim me qendrën Drejtësi dhe Paqe. Kuvendi është zhvilluar më 25 janar 2003 pranë ambienteve të Fshatit të Paqes. Ideja ka lindur duke parë zgjerimin e fenomenit të gjakmarrjes dhe shfaqjen e saj si një ndër plagët më të rënda të shoqërisë shqiptare me një shtrirje pothuajse në pjesën më të madhe të territorit shqiptar. Kjo iniciativë përbën një impenjim konkret për të shëruar këtë plagë dhe është quajtur “Kuvendi i Pajtimit”
Kjo iniciativë do të ndjekë tre faza:

1)   Propozimi i nismës – 25 janar 2003

2)   Përpunimi i ideve të hedhura – 21 mars 2003

3)   Nënshkrimi i marrëveshjes për aksionin e përbashkët – 25  qershor  2003

Kuvendi i Pajtimit ka këto qëllime:

 1.    Bashkimin e të gjitha forcave shoqërore në një strategji të përbashkët, të organizuar dhe institucionale në luftën kundër krimit, kundër çdo lloj dhune për të nxitur një kulturë paqeje, drejtësie duke respektuar të drejtat themelore të njeriut.

2.    Të mbështeten institucionet shtetërore dhe organizmat përkatëse të drejtësisë, të rendit publik, në rivendosjen e ligjit dhe të drejtës ligjore për ngritjen e ligjshmërisë në shoqëri duke zgjuar ndërgjegjen e opinionit publik dhe praninë e shtetit.

3.    Bashkimin një zëri të besimeve fetare duke nxitur paqen dhe drejtësinë dhe, njëkohësisht, duke dënuar ashpër çdo vepër kriminale dhe të dhunshme kundër jetës njerëzore.

4.    Intelektualët ftohen për të dhënë kontributin e tyre për të ringjallur ndërgjegjen shoqërore dhe për të sugjeruar strategji të frytshme.

5.    Mediat thirren të ndihmojnë opinionin publik për të dalluar dhe dënuar çdo vepër kriminale pa abuzim temash dhe duke marrë distancë nga zakonet jo të përshtatshme në jetën tonë bashkëkohore.