MESAZH ME RASTIN E KRISHTLINDJES 2019 DHE TË VITIT TË RI 2020
Mesazhi që këtë vit dëshiroj t’ju drejtoj me rastin e Krishtlindjes dhe të Vitit të Ri frymëzohet prej ngjarjeve që kanë ndodhur në Shqipëri, në veçanti prej tërmetit të tmerrshëm që, edhe pse ka zbehur gëzimin e këtyre festave, nuk ka aq fuqi sa ta vrasë shpresën tonë. Le të mikpresim nxitjen e Palit apostull që të mos jemi të trishtuar si ata që nuk kanë shpresë (krh. 1Sel 4, 13).
Si katolikë të Shkodrës, jemi duke reflektuar gjatë këtij viti mbi rëndësinë që ka të jetuarit në Krishtin, të shoqëruar nga slogani paulin: “Që në Emër të Jezusit të përkulet çdo gju i atyre që janë në qiell, në tokë e në nëntokë” (Fil 2, 10). Nuk bëhet fjalë vetëm për jetën liturgjike të të krishterit, por për përmasën lutëse që duhet medoemos të krijojë një marrëdhënie të thellë me Hyjin, me qëllim që ta shndërrojë krejt ekzistencën e besimtarit.
Të jetosh në Krishtin do të thotë të kesh “po ato ndjenja që ishin në Krishtin Jezus” (Fil 2, 5), domethënë: vetëdije për marrëdhënien birnore që na lidh me Hyjin Atin tonë; vlerësim i vetes si krijesa dhe si rrjedhojë në marrëdhënie me të ngjashmit tanë dhe me krejt krijimin.
Të gjithë i shohim gjestet e solidaritetit, që populli ynë ka bërë gjatë tërmetit të fundit, krahas solidaritetit që kemi marrë prej shumë shteteve të tjera. Jemi të aftë të bëjmë mirë, përtej faktit nëse këtë gjë e bëjmë në rrethana të jashtëzakonshme apo jo. Nëse jemi të bindur për këtë gjë, atëherë edhe ne si Nëna jonë Terezë mund ta quajmë veten “laps i Hyjit”, vegël në duart e Tij provanore për të bërë mirë.
Por njëkohësisht të gjithë i shohim edhe gjërat negative që po ndodhin. Megjithatë, të fortë prej vetëdijes se jemi në duar të Zotit që nuk na braktis dhe të bindur për aftësinë tonë për të bërë mirë, mund t’i hapemi shpresës dhe të bëjmë disa reflektime të rastit.
Kush e di nëse katastrofa natyrore që na ka goditur pak ditë më përpara nuk mund të shërbejë si “shkundje”, me qëllim që toka jonë t’i hapet një kohe ku interesi për të mirën e përbashkët të bëhet më i madh se ai për të mirën private, ku strukturat që janë krijuar për mbrojtjen e jetës të funksionojnë në mënyrë efikase dhe ku formimi i punonjësve, i teknikëve dhe i vullnetarëve në raste emergjencash të merret seriozisht?
Kush e di nëse gjithë kjo rrëmujë shoqërore që jemi duke përjetuar në këtë moment nuk favorizon formimin dhe specializimin në artin e politikës të personave pa interesa personale, por me një dashuri të madhe për Atdheun, të gatshëm për t’u vënë në drejtimin e Vendit?
Kush e di nëse largimi nga Vendi i shumë të rinjve dhe i shumë familjeje nuk është një rast për ata që qëndrojnë që ta rishikojnë gjendjen aktuale të vendit dhe ndërgjegjet t’i hapen një bashkëpunimi faktik mes qytetarëve dhe Shtetit për të përmirësuar realitetin ekzistues, duke ndalur këtë fluks që shprehimisht është duke varfëruar tokën tonë prej atyre energjive të reja dhe jetësore për të cilat ajo ka nevojë?
Hyji mund ta bëjë një gjë të tillë, por jo pa përgjigjen pozitive të bijve të vet. Qysh prej momentit të parë kur njeriu u shfaq në tokë, siç na thotë Shkrimi i shenjtë, Hyji i besoi atij detyrën e mbarështuesit të saj (krh. Zan 1, 28); një detyrë prej të cilës askush nuk mund të ndihet i lënë jashtë apo i përjashtuar. Aq më pak, ne të krishterët!
Nuk ekziston asnjë kategori personash që nuk mund të japë kontributin e vet: secili për sa i takon dhe sipas mundësive të veta mund dhe duhet të ndihet bashkëpërgjegjës në mbarëvajtjen e Vendit; si fillim duhet të ndryshohen të gjithë ato qëndrime që e pengojnë Shtetit që të bëjë detyrën e vet: para së gjithash mëria ndaj institucioneve, pastaj mendësia mafioze e shit-blerjes së favoreve, pasi një favor që më bëhet mua është një akt padrejtësie që i bëhet dikujt tjetër: me fjalë të tjera, është ajo që quhet “korrupsion”. Pasi fusha të lirohet, mund të vihet dorë në ndërtimin e diçkaje të re, që t’u ofrojë të gjithëve mundësi të reja.
Për këtë arsye, i ftoj të gjithë të krishterët që ta vlerësojnë këtë angazhim si një akt të vërtetë kulti kushtuar Hyjit. Reflektimi i pjesës së parë të këtij mesazhi duhet të na bindë për një gjë të tillë: “Siç është Shenjt Ai që ju ka thirrur, ashtu edhe ju jini të shenjtë në tërë jetën tuaj. Sepse shkruan: ‘Të jeni të shenjtë sikurse edhe unë jam i shenjtë’” (1Pjt 1, 15-16). Kështu na thotë Shën Pjetri, dhe shenjtëria për të cilën na flet nuk është ajo e një lumnie që duhet të vijë, por ajo që jetohet sot, në jetën e përditshme, dhe që shprehet me gjeste konkrete solidariteti.
Urimi im nuk është thjesht një urim në kuptimin klasik të fjalës, por ai dëshiron të jetë edhe një nxitje e fortë drejtuar çdo personi vullnetmirë, me qëllim që Krishtlindja të sjellë ndryshime të vërteta dhe thelbësore: përndryshe, do të ishte një rast i humbur, një rreng që i bëjmë vetes që, të verbuar prej dritave dhe ngjyrave të festës, nuk do të jemi të aftë të shohim praninë e Hyjit që na do, që do të mirën tonë dhe që na fton për ta bërë të mirën.
Jezu Krishti, Hyji-me-ne, e bekoftë këtë tokë, i dhëntë asaj paqe e qetësi; i shëroftë të sëmurët tanë dhe zemrat e plagosura prej tragjedisë; qoftë udhëheqësi i mendjeve tona, zjarri që ndez zemrat tona, veçanërisht të atyre të rinjve që, të pashpresë, po kërkojnë diku tjetër realizimin e tyre; të gjithëve na sjelltë në shtëpi me qëllim që Shqipëria jonë e bukur të rindërtohet me bashkëpunimin dhe dashurinë e secilit prej nesh.
Edhe unë ju bekoj “në Emër të Jezusit”.
Ju uroj Përshumëvjet Krishtlindjen 2019 dhe Gëzuar Vitin e Ri 2020.
† Angelo Massafra O.F.M.
Arqipeshkëv Metropolit i Shkodër-Pultit