Të dashur vëllezër e motra në Krishtin,
Krishtlindja arriti, për shumë vjet. Lindja e Jezusit është një mister i madh para të cilit mbetemi shtang, duke parë Birin e Hyjit të përulur në një gjendje aq të mjerë. U vesh me natyrën tonë të brishtë. Jo vetëm kaq, por edhe pranoi të ngjasohet me më të varfërit ndër të varfërit, dhe të quhej biri i një punëtori.
Krishtlindja na mëson se të gjithë jemi bërë një familje e madhe në sajë të misterit të Birit të Hyjit që u bë njeri si ne. Ajo poashtu na mëson se të gjithë jemi të barabartë në atë dinjitet që fituam në sajë të ardhjes së Tij mes nesh. Por, Krishtlindja na nxit ta drejtojmë shikimin tonë më shumë kah ata që, në botën e sotme, janë viktima padrejtësie dhe diskriminimi.
Po mendoj së pari për të varfërit. Sepse Jezusi, jo vetëm në lindjen e tij, por në gjithë jetën e tij, u bë solidar me ta. Ndërsa shumë familje, veçanërisht në këto ditë festash me rastin e Krishtlindjes dhe të Vitit të Ri, shpenzojnë shumë para vetem për tu argëtuar, ndërsa shumë familje duhet të kënaqen me nje cop buke. Sa shumë të sëmurë janë të detyruar t’u dorëzohen sëmundjeve të tyre nga pamundësia e blerjes së ilaçeve ose nuk mund të paguajnë shumën që padrejtësisht kërkohet nga personeli mjekësor. Sa shumë të varfërve u mohohet drejtësia për shkak të korrupsionit, ose u mohohet nota e duhur në provime sepse nuk mund të japin ryshfet! Për fat të keq aty ka korrupsion, gjithmonë viktimat e para janë të varfërit. I pasuri mund të paguajë ryshfet dhe kështu do të fitojë çka të dojë, ndërsa i varfëri këtë gjë as nuk e ëndrron.
Po mendoj gjithashtu për shumë punëtorë të cilëve u mohohet dinjiteti i tyre dhe të drejtat e tyre. Rroga minimale nuk mjafton për një familje të thjeshtë as për të paguar gjerat më të nevojshme për një jete dinjitoze. Por më e keqe është situata e atyre punëtorëve që nuk u jepet as rroga minimale. Kjo është një padrejtësi vërtet e madhe. U drejtohemi të varfërve dhe punëtorëve: Jezusi vetë ka provuar varfërinë, ishte biri i marangozit të Nazaretit dhe ai vetë ka punuar. Nuk jeni vetëm. Kisha është solidare me ju.
Papa Françesku në fjalimin që bëri në Pallatin Presidencial në Tiranë tha Politikanëve:
“Në një botë që priret drejt globalizimit ekonomik e kulturor, duhet bërë çdo përpjekje që rritja dhe zhvillimi të jenë në shërbim të të gjithëve e jo vetëm të një pjese të popullsisë. Gjithashtu, ky zhvillim nuk do të jetë i vërtetë, nëse nuk do të jetë i përballueshëm dhe i barabartë, domethënë, nëse nuk do t’i ketë mirë parasysh të drejtat e të varfërve dhe nëse nuk do të respektojë mjedisin. Globalizimit të tregut duhet t’i përgjigjet globalizimi i solidaritetit; … bashkë me të drejtat individuale duhen mbrojtur edhe ato të realiteteve të ndërmjetme mes individit e Shtetit, me në krye familjen”
U drejtohem atyre që kanë përgjegjësi për popullin në përgjithësi dhe për punëtorët në industri dhe në për fabrika: ju lutem që ti respektoni të varfërit dhe të drejtat e punëtorit. Edhe ata kanë të drejtë për një jetë më të denjë.
Të dashur besimtarë, Krishtlindja është festë e dashurisë, e shpresë dhe e paqes. Dhe si Ipeshkëv, sa do të dëshiroja që të gjithë ta shjojmë këtë paqe, ne Katolikët, Ortodokset, të krishterët dhe të gjithë popujt: në Shqipëri, në Ballkan, në Betlehem, në mbarë botë.
Për shumëvjet Krishtlindjen dhe Vitin e Ri 2015.
Imzot Angelo Massafra OFM
Arqipeshkëv