Tashmë është Krishtlindje!
Ky është misteri i mishërimit të Zotit. Mishërimi i Krishtit që lind e që nëpërmjet kësaj lindjeje në natyrën njerëzore ai nuk krijohet pasi ai ishte, është dhe do të jetë para çdo krijese. Në lindjen njerëzore të tij, Hyji përultësohet duke përqafuar thellësisht njeriun, që është shprehja më të lartë e krijimit të tij. Kështu Zoti Hyj do ta përsoste krijesën e krijimit duke treguar ai vetë se çka krijoi qe dhe mund të jetë përsëri e mirë.
Në Krishtlindje ne kuptojmë një tipar të Zotit: ai është besnik. Ai as nuk hidhërohet përgjithmonë dhe as nuk ndalet. Zoti nuk shkurajohet kur ne e braktisim planin e tij të mirë. Zoti angazhohet që ta përsosë historinë dhe nuk mjaftohet me fjalë e me këshilla, por në këtë angazhim ai flijohet duke u bërë njeri dhe duke sjellë në historinë e njeriut një yll, që siç ishte për dijetarët nga Lindja, ashtu edhe për të gjithë ne, ai yll na udhëheq drejt takimit me dritën e vërtetë, me të vërtetën tonë: pasi kush ka gjetur Zotin ka gjetur në të domethënien e thellë të qenies së vet.
Është Krishtlindje, jo atëherë kur të kemi ndezur dritëzat e pemëve të Krishtlindjes apo kur të kemi filluar të mendojmë për festime, dhurata e pushime … por është Krishtlindje e vërtetë kur ta kuptojmë se ngjyrat dhe dritëzat e kësaj bote janë mashtruese dhe na joshin drejt konsumizmit të shfrenuar sentimental e material … dhe se është Krishtlindje kur të ecim pas një ylli që quhet Krisht, i cili është drita që nuk perëndon dhe në këtë dritë shikimi ynë bëhet i fortë sa t’i rezistojmë tundimit, i thellë sa të mund të shqyrtojmë vetveten, i lartë sa të mund të dëshirojmë qiellin dhe i pasur sa të mund ta dhurojmë edhe ne vetveten.
Të dashur vëllezër e motra! E ndërsa mendoj në këtë Krishtlindje, mendja më shkon te të gjithë ata bij e bija të mi të cilët që nga nëntori e këtej janë duke u përballur me fatkeqësinë e përmbytjeve. E sa do të doja që Zoti Jezus që vjen në botë atyre të sprovuarve t’ju dhurojë paqe nga lart e t’ju japë forcën që të rimëkëmben me po aq dinjitet sa ata ëndërrojnë.
Mendja më shkon edhe tek ju meshtarët e bijtë e mi të dashur që nuk u kursyet duke punuar ditë e natë pranë bashkësive kishtare ku ju ishit dërguar. Mendimi dhe lutja ime është edhe për ju që ditët dhe dini të tregoni se nuk duhet të punojmë për rroga apo privilegje, por dashuria për Zotin dhe njeriun është motiv i mjaftueshëm për ta dhuruar vetveten. E nuk mund të harroj motrat e kuvendeve të ndryshme, në Shkodër e jashtë saj, që hapën dyert duke pritur nevojtarët e atyre ditëve. I lutem Zotit që të gjithëve t’ju mbushë me gëzimin dhe kurajën e tij.
Por siç e thashë më lart Krishtlindja është festa e kremtimit të shpresës dhe të gëzimit: le t’i lartësojmë zemrat dhe jeta jonë do të jetë një himn i gjallë i lavdisë së Zotit dhe i bukurisë së Mbretërisë së tij.
Por është e vërtetë që kjo Krishtlindje popullin tonë e gjen disi ndryshe nga vitet e tjera, me kufij më të thjeshtë për t’u kapërcyer për të shkuar në shtete të ndryshme të Europës, dhe jam i bindur se sivjet shumë familje do të bashkohen së bashku. Prindërit do të takohen me bijtë në emigrim që me vite nuk kanë mundur t’i takojmë. Sa fort e hareshëm do të rrahin zemrat e atyre shqiptarëve në këto Krishtlindje: e njëmend Krishtlindja është festa e familjeve.
Dhe si ipeshkëv në këtë Kishë të dashur në Shqipëri dua ta mbyll këtë urim duke shprehur atë që ndiej në këtë Krishtlindje: e kam zemrën plot me mirënjohje për Hyjin, pasi para pak kohësh kremtuam 20 vjetorin e lirisë fetare në Shqipëri dhe mbyllëm fazën dioqezane të procesit kanonik për lumturimin e “Martirëve tonë”. E gjithë kjo është shenjë se Zoti na do dhe po ecim drejt tij. Po, ai është Emanuel – Hyji me ne. Me mendimin te Zoti e duke iu paraqitur të gjithëve tek ai, i lutem të tejet Shenjtit me ndërmjetësinë e 40 Shërbëtorëve të Hyjit të cilët dhanë jetën për Krishtin në Shqipëri, që familjet tona të jenë të shëndosha, që jeta jonë shpirtërore të nxitet nga shembulli i martirëve të Krishtit dhe kjo tokë të njohë një hov të vërtetë zhvillimi tërësor dhe që të gjithë njerëzve vullnet mirë Zoti t’ju dhurojë paqe dhe çdo mirësi.
Të gjithëve Gëzuar Krishtlindjen dhe Vitin e Ri 2011.
Arqipeshkvi juaj
† Angelo Massafra