Shumë të dashur besimtarë
Në ritmet e kohës liturgjike Kisha na jep mundësinë që të kremtojmë misteret e shëlbimit që Krishti Shpëtimtarë ia besoi asaj, Nuses së tij dhe Nënës së njerëzimit të ri.
Një kohë tejet e veçantë është kjo kohë e shenjtë e Krishtlindjes. Kohë hiri pasi kremtojmë lindjen njerëzore të atij që u denjua ta marrë natyrën tonë. Mishërimi i Krishtit në kraharorin e Virgjëreshës është shfaqje e madhe e dashurisë së Zotit ndaj nesh pasi Ai vazhdon të na kërkojë deri në thellësitë e natyrës sonë.
Lindja e Krishtit Jezus shoqërohet me një himn të veçantë që shungullon bindshëm në Krishtlindjen: Lavdi Hyjit në lartësitë qiellore e paqe mbi tokë njerëzve që i ka përzemër.
Dua të ndalem pak çaste mbi pjesën e dytë të himnit që këndonin engjëjt: … paqe mbi tokë njerëzve që i ka për zemër. Paqja është një dhuratë e madhe. Paqja në konceptin biblik nuk është marrëveshje mes palesh apo mungesa e luftës por paqja është atmosfera pozitive që shpërndan shije lumturie kur dy apo më shumë persona kanë një marrëdhënie të saktë, të drejtë dhe të prirur nga dashuria për njëri-tjetrin. Paqja është gjendje shpirtërore që nga Krishtlindja e këndej Zoti duke u përvujtëruar e duke na falur ka vendosur me ne krijesat njerëzore. Paqja është dhurata e madhe që Zoti na bëri dhe që na u zbulua në mishërimin e Krishtit Jezus që është Emanuel – Hyji me ne. Kjo dhuratë është e çmuar për të gjithë ne njerëzit pasi Zoti nuk ndalet të shqyrtojnë fajet e gabimet tona por në Krishtin e derdh mbi ne si vesën e mëngjesit mbi barin e lëndinave. Dhe tani, mund të kuptojmë se shprehja “njerëzve që i ka për zemër” nuk është treguesi i një grupi të caktuar njerëzish të përzgjedhur por shumë më shumë. Kjo do të na zbulojë faktin e të vërtetën se Zoti “njerëzit” i ka përzemër, në zemrën e tij ka secilin njeri dhe për secilin njeri Jezusi lind për t’i treguar dashurinë e Zotit krijues.
Krishtlindja është atëherë festë e dashurisë dhe e shpresës se nuk na braktis Perëndia. Se Krijuesi na shfaqet i dashuruar pas nesh deri në pikën që të na e zbulojë dashurinë e tij nëpër Birin e tij. Krishtlindja është festë e paqes. Dhe si Ipeshkëv, sa do të dëshiroja që të gjithë në dioqezën tonë ta sprovonim këtë paqe.
Ta shijojmë Zotin: nuk duhet të jemi të pasur apo të varfër që kjo të mund të ndodhë. Nuk duhet t’i përkasim një klase apo klani apo grupimi apo bindjeje politike që të mund të ndodhë mrekullia e takimit me Zotin e mishëruar. Madje nga ne nuk kërkohen as sforcime të panjerëzishme, ajo që lypet është të jemi të kujdesshëm: dua të them se ajo që “i prish punë Zotit” dhe nuk lejon që ai të na dhurojë paqe është indiferenca jonë. Indiferenca është armiku i paqes me Zotin dhe me njeri-tjetrin. Por sivjet dua t’ju ftoj të gjithëve që në këto Krishtlindje të fitojmë indiferencën ndaj dashurisë familjare: shumë njerëz jetojnë me familjarët e tyre pa vënë re dhe pa kuptuar se Zoti fillon ta dojë secilin prej nesh nëpërmjet familjes dhe familja është shprehja e parë e dashurisë së Zoti. Ai vetë lind në një familje, në Familjen e Shenjtë të Nazaretit. Familjet, familjarët dhe fëmijët tanë janë bekimi i Zotit për secilin prej nesh. Familja është vendi ku duhet të shijojmë e të mësojmë se dashuria pa interes është ajo që Krijuesi na dhuroi kur na krijoi dhe se po Ai e shenjtëroi familjen deri sa na bëri të gjithëve bij të një familjeje të shenjtë siç është Kisha.
Kuptohet atëherë se festimi i Krishtlindjes nuk është vetëm një festë komerciale që ndalet tek zbukurimet apo tek dhuratat që prishen me kohën por shumë më shumë: bëhet fjalë për ndërtimin e marrëdhënieve të mira me Zotin dhe njëri-tjetrin. Të festosh Krishtlindjen do të thotë të angazhohesh për të ndërtuar dashurinë aty ku ti jeton: në familjen tënde, me të afërmit e tu, me shokë e miq dhe madje nëse dëshiron që të jesh i lumtur edhe me armiqtë e tu. Të festosh Krishtlindje do të thotë të punojmë së bashku për ndërtimin e familjeve të shëndoshta pa vese dhe degradime morale që prishin paqen. Të mbajmë familjet me djersën e ballit, me sakrificat e një kohe të pasigurt për vendet e punës, për bukën e ditës së nesërme, por pa dyshuar asnjë çast se dashuria e familjes nuk mund të trandet nga varfëria. Dhe nuk duhet të frikësohemi. Të festojmë Krishtlindjen do të thotë të punojmë për jetën dhe jo kundër saj; të ndalohet jeta imorale brenda dhe jashtë martesës dhe të ndalohet aborti, kjo plagë që trishton Krishtlindjen. Të punojmë për dashurinë që na është zbuluar dhe që është Mbretëria e Zotit me emrin Krisht dhe i jep kuptim e plotësi krejt gjinisë njerëzore.
Ty të besohet foshnja Jezus që ta rritësh atë në zemrën dhe jetën tënde me kujdes e dashuri duke e lënë vetën të joshesh nga mësimi i tij dhe të ndryshosh mentalitetin. Ja pse dua të të uroj ty motër, ty vëlla Krishtlindje të shenjta. Së bashku dhe sidomos me bekim e Zotit do të ndërtojmë ditë më të mira përsëri për vetë dhe për të gjithë.
Për shumë vjet Krishtlindjen.
Arqipeshkvi juaj
† Angelo Massafra