Temat:
- Dashuria si dhurim i vetvetes
- Ta japim jetën për ta rigjetur atë (i kryqëzuari është i ringjalluri me sytë e hapur)
- Të kemi një qëllim, të vetëdijshëm për një mision, për një detyrë në histori
- Angazhimi shoqëror
Në takimin tonë të mëparshëm kemi shqyrtuar në Ikonën e Trinisë së Shenjtë karakteristikat themelore të asaj Dashurie që ekziston mes tri Vetave hyjnore dhe se si këto karakteristika janë domethënëse edhe për atë stil që duhet të karakterizojë marrëdhëniet njerëzore e, sidomos, ato mes të krishterëve.
Sot do të shqyrtojmë në Ikonën e të Kryqëzuarit të Sh. Damianit se si ajo Dashuri konkretizohet në Jezusin: Ai është Biri i Hyjit, Veta e dytë e Trinisë së Shenjtë, Fjala e Hyjit që është bërë njeri për ta ngritur njeriun në dinjitetin hyjnor, duke i kthyer atij atë dinjitet që e kishte humbur për shkak të mëkatit.
Dëgjuam përshkrimin e Ikonës, tani po ndalemi në të dhënën biblike. Kam zgjedhur pjesën e Ungjillit të Gjonit ku Jezusi zbulon vetveten si Bariu i Mirë e, në të njëjtën kohë, na thotë diçka mbi atë se si e ushtron shërbesën e vet baritore: duke dhënë jetën dhe duke e marrë atë përsëri.
“Unë jam”, thotë Jezusi: kjo hapje e fjalimit me pohimin në lidhje me identitetin e tij si Hyj (UNË Jam = emri i Hyjit) na vë në gjendje që ta dëgjojmë Jezusin me nderim dhe dashuri të madhe. Le ta dëgjojmë Jezusin që na flet.
Gjn 10, 14-18
«Unë jam Bariu i mirë: i njoh të miat dhe ato më njohin mua. Sikurse Ati më njeh mua dhe unë e njoh Atin edhe jetën e jap për delet. Kam edhe të tjera dele, që nuk janë të kësaj vathe. Edhe ato më duhet t’i bashkoj dhe do ta dëgjojnë zërin tim, do të bëhet një grigjë e vetme e një Bari i vetëm. Prandaj edhe më do Ati, sepse e jap jetën time që ta marr përsëri. Askush nuk mund të ma marrë: por unë e jap prej vetes. Kam pushtet ta jap jetën e kam pushtet ta kthej prapë atë. Këtë urdhër e mora prej Atit tim».
- Unë jam Bariu i mirë: i njoh delet e mia dhe ato më njohin mua
Në rreshtat para tekstit tonë kishte përvijuar karakteristikat e rrogëtarëve, pra të atyre që, duke pasur synim vetëm interesin e tyre, i lënë delet pre të ujqërve. Këtu theksi vihet në marrëdhënien mes bariut dhe deleve. Ajo është marrëdhënie njohjeje. Në kuptimin biblik duhet kuptuar si marrëdhënie e thellë, e natyrës jo ekskluzivisht intelektuale, por intime. Termi, që përdorët në Gjonin plot 49 herë (dhe 21 herë në 1 Gjn) ka një domethënie shumë të fortë, dhe përdoret në gjuhën biblike edhe për të treguar marrëdhëniet bashkëshortore (Zan 19,8; Gjq 11,39; Mt 1,25; Lk 1,34).
Ta njohin apo të mos e njohin Hyjin është karakteristika që i dallon ata që i përkasin Zotit. Kjo marrëdhënie njohjeje intime, të thellë e të ndërsjellë është themeli i identitetit të një bashkësie, përveçse i secilit besimtar. Kjo shenjë identitare nuk lejon të mendojmë për bashkimin me Zotin në termat e nënshtrimit të paarsyeshëm.
Kultura e sotme e interpreton negativisht figurën e deles të referuar njeriut dhe flet për “kompleksin e grigjës” e për “instinktin e nënshtruar” për të treguar kushtëzimet shoqërore që e privojnë njeriun prej përgjegjësisë dhe prej lirisë personale. Por lidhja e nxënësve me bariun është e bazuar në zgjedhjen për ta pasur atë si drejtues.
Njerëzit e sotëm, përfshirë edhe shumë besimtarë, nuk e kuptojnë se mund të zgjidhen vetëm dy barinj. Ose i besohemi Zotit që na çon në kullotat e jetës (Ps 23(22),2), ose ndjekim rrugët tona, i besojmë vetëm mendimit tonë njerëzor dhe atëherë bariu do të jetë vdekja (Ps 48(47),14-15). Jemi nxënës të Zotit kur e jetojmë ekzistencën në një dëshirë të vazhdueshme për ta njohur dhe për ta dashur atë, dhe ndihemi të njohur dhe të dashur prej Tij.
Ndryshe prej rrogëtarit, Jezusi, që është Bariu i Mirë, i njeh delet e veta dhe këto e njohin Atë. Ai që i përket Jezusit e njeh Atë, pra ka me Të një marrëdhënie personale të bazuar në njohjen e ndërsjellë. Jezusi na njeh sepse banon në ne dhe ne e njohim sepse banojmë në të dhe jemi të tijtë.
Shkalla e njohjes është dashuria. Jezusi na njeh sepse na do dhe ne sa më shumë e duam aq më shumë e njohim, dhe sa më shumë e njohim aq më shumë e duam. Është ajo marrëdhënie mes fesë (marrëdhënies së besimit në Hyjin) dhe njohjes aq mirë e theksuar prej Agustinit: «Feja kërkon, inteligjenca gjen […] Dhe nga ana tjetër inteligjenca e kërkon ende Atë të cilin e ka gjetur» (De Trinitate, XV,2,2).
- Sikurse Ati më njeh mua dhe unë e njoh Atin edhe jetën e jap për delet. Kam edhe të tjera dele, që nuk janë të kësaj vathe. Edhe ato më duhet t’i bashkoj dhe do ta dëgjojnë zërin tim, do të bëhet një grigjë e vetme e një Bari i vetëm.
Njohja e ndërsjellë e Bariut dhe e deleve të tija e ka zanafillën e vet në njohjen e ndërsjellë të Atit dhe të Birit. Njohja e ndërsjellë e Atit dhe e Birit i hapet njohjes së ndërsjellë të Jezusit dhe të të tijëve nëpërmjet vdekjes flijore të Birit.
Vdekja flijore e Jezusit nuk është vetëm zbulimi i dashurisë së tij për ne, por është para së gjithash zbulimi i dashurisë së tij për Atin dhe prandaj i identitetit të tij si Bir. Jeta intime e Hyjit bëhet e njohshme dhe e bashkëndashme nëpërmjet vdekjes flijore të Birit që zbulon fytyrën e Atit. Dashuria e tij për ne, në aktin suprem të flijimit, bëhet fillimi i njohjes sonë të Tij dhe në Të, të Atit. Në aktin e vetëm të njohjes dhe të dashurisë së Atit, Jezusi përfshin dashurinë për ne dhe njohjen tonë, e në atë akt të vetëm të bashkëndarë me ne, ne njohim dhe duam qoftë Birin qoftë Atin. Boshti i gjithçkaje është flijimi i Jezusit.
Vështrimi i Jezusit tani u drejtohet të gjithë popujve, që nuk i përkasin Izraelit (“kësaj vathe”). Në mes të popujve janë ata që i përkasin Jezusit. Ai nuk shkon për t’i kërkuar ata sepse Jezusi ka ardhur vetëm për delet e humbur të Shtëpisë së Izraelit (Mt 15,24). Ata që mes popujve janë të tijët duhet të çohen drejt Jezusit nëpërmjet predikimit apostolik, sikurse Ai vetë thotë në lutjen kremtore të shenjtërimit: «Nuk po të lutem vetëm për këta, por edhe për të gjithë ata, që, për shkak të fjalës së tyre, do të besojnë në mua: që të gjithë të jenë një. Sikurse ti, Atë, që je në mua dhe unë në ty, ashtu edhe ata të jenë në ne, që ta kuptojë bota se ti më dërgove» (17,20-21). Në këtë mënyrë, këta (izraeli dhe popujt) do të bëhen një grigjë e vetme Bariu i së cilës do të jetë Jezusi. Në të vërtetë, nëpërmjet Tij mund t’ia paraqesim njëri-tjetrin Atit në një Shpirt të vetëm (Ef 2,18).
Kjo ndodh nëpërmjet predikimit të ungjillit përhapja e të cilit shkon përtej dëftimit të tij të dukshëm. Në këtë mënyrë kuptohet nevoja e predikimit të Fjalës si rrugë për t’i çuar te Ati ata që janë larg. Në të vërtetë, Apostulli thotë: Por, si do ta thërrasin Atë, në të cilin nuk besuan? E si do të besojnë në Atë, për të cilin nuk dëgjuan? Si do të dëgjojnë, nëse ndokush nuk ua predikon? (Rom 10,14). Dhe pikërisht për këtë duhet t’i lutemi të Zotit të të kkorrave, që të dërgojë punëtorë në të korrat e veta (Mt 9,38).
Në nivelin personal kjo Fjalë na fton të konsiderojmë cilësinë e dëgjimit tonë dhe të verifikojmë nëse zemra jonë është e gatshme ta dëgjojë zërin e Zotit. Vetëm ky dëgjim na bën nxënës dhe shpallës, dhe jo një përkatësi formale, qoftë edhe me karakter fetar.
- Prandaj edhe më do Ati, sepse e jap jetën time që ta marr përsëri.
Jezusi tani vazhdon të flasë për vdekjen e vet flijore dhe e zbulon atë si motivimin (“prandaj”) e dashurisë së Atit për Të. Prandaj Ati e do, sepse vë shpirtin e vet. Të vësh shpirtin tënd do të thotë të dorëzohesh vullnetarisht në vdekjen flijore. Ai nuk i bën asnjë rezistencë (krh. Is 50,5) zbulimit të dashurisë së Atit në vdekjen e tij. Por që prej momentit që Ai vdes i zhytur në dashurinë e Atit, Jezusi nuk sundohet prej vdekjes, është i lirë mes të vdekurve (Ps 88,6) dhe prandaj “e merr përsëri shpirtin e vet”, pra e liron vetveten prej vendit të vdekjes. Prandaj u deklaron atyre që duan ta vrasin se Ai nuk vdes sepse është i detyruar të vdesë prej kurtheve të tyre, por sepse i dorëzohet vdekjes për të dëftuar se Ati e do si të Njëlindurin e vet, dhe në Të si të Parëlindur dashuria e tij arrin te secili prej nesh.
- Askush nuk mund të ma marrë: por unë e jap prej vetes. Kam pushtet ta jap jetën e kam pushtet ta kthej prapë atë. Këtë urdhër e mora prej Atit tim.
Askush nuk ka pushtetin ta privojë Krishtin prej jetës së tij. Fjala, duke u bërë njeri e ka zhveshur vetveten (Fil 2,7), por askush, nëse Ai nuk do, nuk mund t’ia marrë jetën. Ai e jep vetë atë, pra e dorëzon atë lirisht. Në ndryshim prej ne njerëzve, Jezusi nuk e humb pushtetin në momentin e vdekjes dhe, gjatë vdekjes së vet, Ai e ruan këtë pushtet të vetin deri në atë pikë sa mund ta marrë përsëri jetën e vet. Ky pushtet i tiji bazohet në urdhrin e marrë prej Atit të tij, pra në qenien e tij Hyj si Bir. Ajo që thotë Zoti na zbulon njërën prej karakteristikave themelore të dashurisë: lirinë. Dashuria e vërtetë është e lirë prej detyrimeve që e përçudnojnë vlerën e saj.
Po e përfundojmë reflektimin tonë të shkurtër duke u përpjekur të nxjerrim disa përfundime të dobishme për jetën tonë si të krishterë, nxënës të Jezusit.
- UNË Jam: Jezusi është Hyj! Ne e mbajmë emrin e tij të ngulitur në tonin që prej ditës së pagëzimit tonë: jemi TË KRISHTERË. Nuk duhet ta harrojmë kurrë këtë për të mos e humbur identitetin tonë. Sepse nëse nuk dimë më se kush jemi, jeta jonë as nuk do të ketë kuptim.
- Si i krishterë, e mbështes jetën time në një marrëdhënie njohjeje të thellë dhe intime me Jezusin: të jem i grigjës së tij do të thotë të jem i njohur prej Tij, por edhe ta njoh Atë. Prej kësaj njohjeje të ndërsjellë buron edhe misioni im në botë: Jezusi më thërret në emër dhe më beson një mision për ta kryer, ashtu sikurse Ai është dërguar prej Atit për të kryer misionin e shëlbimit të botës nëpërmjet kryqit.
- Misioni që Hyji më beson, roli im në këtë botë, do të jetë mënyra ime, personale, krejt e veçantë, për të dëftuar dashurinë time për Hyjin, pikërisht sikurse Jezusi që e dëfton dashurinë e vet ndaj Atit duke kryer veprën për të cilën ishte dërguar në botë. Nëse pastaj marr parasysh se duke e kryer këtë vepër Ai ka dëftuar edhe dashurinë e vet për ne njerëzit, atëherë kuptoj se vetë ekzistenca e tij ka qenë një ekzistencë dashurie. Kështu edhe ekzistenca ime do të jetë një ekzistencë dashurie për Hyjin dhe për njerëzimin nëse do të jem i gatshëm ta pranoj misionin që Hyji do të dojë të ma besojë.
- Çfarë misioni dëshiron Hyji të më besojë? Nëse nuk ia bëj vetes këtë pyetje, atëherë nuk do ta zbuloj kurrë misionin tim. Si t’ia bëj për ta kuptuar atë? Hyji flet në Bibël, flet në Kishë dhe në barinjtë e tij të cilët veprojnë në emër të tij, por flet edhe me anë të ngjarjeve të historisë. Duhet të kem një gatishmëri të vazhdueshme të brendshme për ta dëgjuar Hyjin i cili flet dhe përvujtërinë për të lejuar të ndihmohem. T’u kërkoj meshtarëve dhe personave që kujdesen për formimin tim ndihmë për të zbuluar vullnetin e Hyjit në lidhje me mua ka një rëndësi themelore.
- Të mos mendoj se misioni im mund të jetë i lidhur vetëm me thirrjet meshtarake e rregulltare, por edhe angazhimi politik e shoqëror i të krishterit mund të jetë një fushë e veprimit po aq e nevojshme për të qenë në këtë botë shenjë e Hyjit që e do njerëzimin dhe dëshiron ta shëlbojë atë… edhe falë meje.