Katekeza e 27 marsit 2019

Katekeza e 27 marsit 2019

Imzot angelo Massafra OFM

Po vazhdojmë në ecjen tonë të cilën e vendosim brenda itinerarit kreshmor si një dëgjim më i thelluar dhe i zgjatur i Fjalës së Zotit që është shumë i begatshëm në këtë periudhë.

Sot do të dëgjojmë pjesën biblike ku Zoti i dorëzon popullit të vet 10 fjalët, të cilat ne i njohim si urdhërimet, por për t’u ndalur në mënyrë të veçantë në urdhërimin e katërt që na nxit të nderojmë prindërit tanë. Në të vërtetë, siç e dimë, tema e kësaj dite synon pikërisht që të na bëjë të reflektojmë mbi këtë temë që shoqërohet me një tjetër temë shumë delikate dhe që jemi duke e jetuar nga afër, atë të emigrimit. Më shumë se temë, duhet ta konsiderojmë si problem. Në të vërtetë, nuk është e rrallë që shtytja aktuale për ta lënë atdheun për vende që konsiderohen më të mira të çojë në mënyrë të pashmangshme edhe në lënien e prindërve tashmë të moshuar, ose që do të bëhen të tillë shpejt. Sigurisht, ekzistojnë edhe aspekte shoqërore që do të meritonin thellime të mëtejshme, por ne, si persona feje, nisemi gjithmonë prej Fjalës së Zotit që na ndriçon në lidhje me kuptimin që duam t’u japim zgjedhjeve tona të jetës.

Dëgjimi i pjesës së Daljes 20, 1-20

1 Atëherë Zoti i tha të gjitha këto fjalë:

2 “Unë jam Zoti Hyji yt që të nxora nga dheu i Egjiptit, prej shtëpisë së skllavërisë.

3 Mos ki tjetër Zot, përveç meje.

4 Mos bëj kurrfarë idhulli, as farë përfytyrimi të gjërave që janë lart në qiell, as të gjërave që janë poshtë mbi tokë, as të gjërave që janë në ujë nën tokë. 5 Mos i adhuro ato as mos u jep farë nderimi, sepse unë, Zoti, Hyji yt, jam Hyj ziliqar që e ndëshkoj paudhësinë e etërve në fëmijë deri në të tretin e në të katërtin brez të atyre që më urrejnë, 6 por që jam i mëshirshëm me mijëra brezni për ata që më duan e i zbatojnë urdhërimet e mia.

7 Mos e merr nëpër gojë kot emrin e Zotit, Hyjit tënd, sepse Zoti s’do ta lërë pa ndëshkuar atë që do ta marrë nëpër gojë kot emrin e Zotit, Hyjit të vet.

8 Të bie në mend ta shenjtërosh ditën e shtunë: 9 gjashtë ditë puno e kryej të gjitha punët e tua; 10 kurse e shtata ditë është e shtuna e Zotit, Hyjit tënd: mos bëj kurrfarë pune ti as biri yt, as bija jote, shërbëtori yt, as shërbëtorja jote, as kafsha jote, as i huaji që banon te ti. 11 Sepse gjatë gjashtë ditëve Zoti i bëri qiellin e tokën e detin e gjithçka gjendet në to e pushoi ditën e shtatë; prandaj Zoti e bekoi ditën e shtatë dhe e shenjtëroi.

12 Nderoje babain tënd e nënën tënde që ta kesh jetën e gjatë përmbi tokë që do ta japë Zoti, Hyji yt.

13 Mos vra!

14 Mos bëj kurorëthyerje!

15 Mos vidh!

16 Mos bëj dëshmi në rrenë kundër të afërmit tënd!

17 Mos i lakmo shtëpisë së të afërmit tënd.

Mos i lakmo gruas së tij, shërbëtorit, shërbëtores; as kaut, as gomarit, asnjë gjëje që i përket atij.”

18 Mbarë populli i dëgjonte zërat, i shikonte vetëtimat, zërin e borisë e dëgjonte dhe e shihte malin duke tymuar dhe, i trembur e i frikësuar nga tmerri, qëndroi larg. 19 Ata i thanë Moisiut: “Fol ti me ne e do të të dëgjojmë, e të mos na flasë Hyji që të mos vdesim”!

20 Atëherë Moisiu i tha popullit: “Mos kini frikë: Hyji erdhi për t’ju vënë në provë e që ta keni gjithherë frikën e tij me qëllim që të mos mëkatoni”.

Para së gjithash, duhet theksuar një element që nuk duhet ta lëmë kurrë pas dore kur flasim për urdhërimet: fillimi, në të cilin Hyji sjell në kujtesën e popullit përmbajtjen e paktit të besëlidhjes që ka bërë nëpërmjet Moisiut: “Unë jam Zoti Hyji yt që të nxora nga dheu i Egjiptit“. Popullit që përgatitet të pranojë Ligjin, Hyji i kujton para së gjithash se kush është Ai: çlirimtari, shpëtimtari, bamirësi i popullit. Këtë duhet ta kujtojmë edhe ne kur kemi përpara urdhërimet: Hyji nuk është një ligjvënësë i ftohtë, por Dhëndri i popullit me të cilin ka bërë një pakt martesor. Pra, marrëdhënia që gjendet në bazë të këtyre normave është gjëja më e rëndësishme; madje më e rëndësishme se vetë normat. Duhet të jemi të bindur për këtë që të mos lejojmë të jemi edhe ne zbatues të ftohtë të urdhërimeve pa dashuri në zemër.

Gjëja e dytë që duhet të mbajmë parasysh kur kemi përpara urdhërimet, është e fundit: Moisiu e fton popullin që të mos ketë “frikë”, por “druajtje” që, në versionin në gjuhën shqipe përkthehet me të njëjtin term dhe që, në realitet, është një tradhtim i tekstit. Frika është e barabartë me terrorin dhe Hyji rrezikon të konsiderohet si armik. Prandaj Moisiu fton njerëzit të mos kenë frikë. Ndërsa druajtja, është respekt nderues që natyrisht e kemi, ose duhet ta kemi, përballë një personi shumë të rëndësishëm për ne. Po them “duhet ta kemi” sepse është e qartë se njeriu nuk e zhvillon në mënyrë të natyrshme druajtjen e Hyjit; aq është e vërtetë sa, librat e dijes vazhdimisht kujtojnë nevojën që besimtari duhet të ketë druajtjen e Hyjit dhe krishterimi, mes dhuratave të Shpirtit Shenjt, radhit edhe këtë “Druajtje të Zotit” (“Frika e Zotit”).

Shën Ilari thotë: “Druajtja konsiderohet si frika që ka njeriu kur druan se do të vuajë. Ky lloj druajtjeje zgjohet në ne me brejtjen e fajit.  Por nuk është kjo druajtja që mësohet këtu, sepse ajo rrjedh prej dobësisë. Ndërsa për druajtjen e Zotit shkruhet kështu: «Ejani, o bij, e më dëgjoni: do t’jua mësoj frikën (druajtjen) e Zotit» (Ps 33, 12). Pra, druajtja e Zotit mësohet. Ky lloj druajtjeje fillon të mësohet me zbatimin e urdhërimeve, me veprat e një jete të pafajshme, dhe me njohjen e së vërtetës. Për sa na përket ne, druajtja e Zotit gjendet e gjitha në dashurinë”.

Shen Ilari thote se duke zbatuar urdherimet e Zotit, ne duam Zotin. Fillojme tani nga Urdheri i Katert dhe po e bëjmë këtë duke u ndihmuar prej Katekizmit të Kishës Katolike.

NENI 4 

Vetë Zoti Jezus e ka kujtuar rëndësinë e këtij «urdhërimi të Hyjit».

Apostulli mëson: «Fëmijë, dëgjojini prindërit tuaj në Zotin, sepse është e drejtë. “Ndero babain tënd dhe nënën” është urdhri i parë me premtim: “që të jesh mirë e të jetosh gjatë mbi dhe”» (Ef 6,1-3).

Urdhërimi i katërt hap rrasën e dytë të Ligjit. Tregon rendin e dashurisë. Hyji ka dashur që, pas tij, të nderojmë prindërit tanë të cilëve u detyrojmë jetën dhe që na kanë përçuar njohjen e Hyjit. Jemi të detyruar të nderojmë dhe të respektojmë të gjithë ata që Hyji, për të mirën tonë, i ka veshur me autoritetin e vet.

Ky urdhërim është i shprehur në formën pozitive të një detyre që duhet kryer, u drejtohet shprehimisht fëmijëve në lidhje me marrëdhëniet e tyre me babën dhe nënën, meqenëse kjo është marrëdhënia më universale. Ka të bëjë gjithashtu me marrëdhëniet e farefisnisë, me pjesëtarët e grupit familjar. Kërkon që t’u jepet nderim, dashuri dhe mirënjohje gjyshërve dhe të parëve. Shtrihet deri tek detyrat e nxënësve ndaj mësuesve, të varësve ndaj punëdhënësve, të të nënshtruarve ndaj eprorëve, të shtetasve ndaj atdheut të tyre, ndaj administratorëve publikë dhe qeveritarëve.

Ky urdhërim përmban në vetvete dhe nënkupton detyrat e prindërve, kujdestarëve, mësimdhënësve, shefave, gjykatësve, qeveritarëve, të gjithë atyre që ushtrojnë një autoritet mbi të tjerët ose mbi një bashkësi personash.

Mbajtja e urdhërimit të katërt sjell një shpërblim: «Që ta kesh jetën e gjatë përmbi tokë që do të ta japë Zoti, Hyji yt» (Dal 20,12).

Respektimi i këtij urdhërimi siguron, bashkë me frytet shpirtërore, edhe fryte materiale të paqes e të begatisë. Përkundrazi, shkelja e tij i sjell dëme të mëdha bashkësive dhe personave njerëzorë.

I. Familja në planin e Hyjit

2212 Urdhërimi i katërt ndriçon marrëdhëniet e tjera në shoqëri. Në vëllezërit tanë dhe në motrat tona shohim bijtë e prindërve tanë; në kushërinjtë tanë, pasardhësit e të parëve tanë; në bashkëqytetarët tanë, bijtë e atdheut tonë; në të pagëzuarit, bijtë e Kishës, Nënës sonë; në çdo person njerëzor, një bir ose bijë të atij që dëshiron të thirret «Ati ynë».

2213 Bashkësitë njerëzore janë të përbëra nga persona. Qeverisja e tyre e mirë nuk kufizohet në garantimin e të drejtave dhe në zbatimin e detyrave, ashtu si edhe në respektimin e kontratave. Marrëdhënie të drejta mes sipërmarrësve dhe vartësve, mes qeverisësve dhe shtetasve presupozojnë dashamirësinë natyrore në përputhje me dinjitetin e personave njerëzorë, të cilët kanë për zemër drejtësinë dhe vëllazërinë.

II. Detyrat e anëtarëve të familjes

Detyrat e bijve

2214 Atësia hyjnore është burimi i atësisë njerëzore; është atësia hyjnore ajo që themelon nderimin që u duhet dhënë prindërve. Respekti i bijve, të mitur ose të rritur, për babën e vet dhe për nënën e vet, ushqehet nga dashuria natyrore e lindur nga lidhja që i bashkon. Ky respekt kërkohet nga urdhri hyjnor.

2215 Respekti për prindërit (nderimi birnor) përbëhet nga mirënjohja ndaj atyre që, me dhuratën e jetës, me dashurinë e tyre dhe me jetën e tyre, u kanë dhënë jetën bijve të tyre dhe u kanë lejuar atyre të rriten në moshë, në urti dhe në hir. «Me gjithë shpirt duaje babain tënd dhe mos i harro ofshamet e nënës sate. Mos harro se s’do të kishe qenë pa ta, e çka do t’u japësh siç të dhanë ata?» (Sir 7,28-30).

2216 Respekti birnor shfaqet edhe nëpërmjet butësisë së vërtetë dhe dëgjesës së vërtetë: «Dëgjoje biri im mësimin e tyt et dhe mos e përbuz… Le të drejtojnë kur të ecësh, le të ruajnë kur të flesh e, kur të zgjohesh le të bisedojnë me ty» (Fu 6, 20-22). «Djali i urtë e dëgjon mësimin e t’et kurse përqeshësi nuk dëgjon qortimin» (Fu 13,1).

2217 Për sa kohë që jeton në shtëpinë e prindërve të vet, biri duhet t’i bindet çdo kërkese të tyre të motivuar nga e mira e tij ose nga ajo e familjes. «Ju fëmijë, dëgjojini prindërit në gjithçka; sepse kjo i pëlqen Zotit» (Kol 3,20). Bijtë duhet t’u binden edhe urdhrave të arsyeshëm të edukatorëve të tyre dhe të të gjithë atyre të cilëve ua kanë besuar prindërit. Por në qoftë se në ndërgjegje janë të bindur se është moralisht e papranueshme t’i binden një urdhri të dhënë, të mos i binden.

Duke u rritur, bijtë do të vazhdojnë të respektojnë prindërit e tyre. Do të plotësojnë dëshirat e tyre, do të kërkojnë shpesh këshillat e tyre, do të pranojnë qortimet e tyre të përligjura.

2218 Urdhërimi i katër u kujton bijve tashmë të rritur përgjegjësitë e tyre ndaj prindërve. Në masën në të cilën munden, duhet t’u japin atyre ndihmën materiale e morale, në vitet e pleqërisë dhe në kohë sëmundjeje, vetmie ose varfërie. Jezusi e kujton këtë detyrë mirënjohjeje.

«Sepse Hyji e nderon babën në fëmijë dhe e ka përforcuar të drejtën e nënës mbi fëmijë. Kush e nderon babën, i shpërblen mëkatet, ruhet prej tyre dhe do t’i dëgjohet lutja kur e thotë. Ai që e nderon nënën është porsi ai që grumbullon visare. Kush e nderon babën e vet, në fëmijë do të gjejë gëzimin, dhe kur të lutet, lutja do t’i dëgjohet» (Sir 3,2-6).

«Bir, kije kujdes baben e plakur dhe mos e shqetëso gjat jetës së tij. Po edhe nëse dobësohet nga mendja, ij i butë me të, dhe mos e përbuz asnjëherë në jetën e tij. (…) Se ç’zë të keq i sjell vetes, ai që e braktis babën, i mallkuar prej Hyjit është ai, që e fyen t’ëmën» (Sir 3,14-15.18).

2219 Respekti birnor favorizon harmoninë e gjithë jetës familjare; ka të bëjë edhe me marrëdhëniet mes vëllezërve dhe motrave. Respekti ndaj prindërve reflektohet në të gjithë mjedisin familjar. «Kurora e pleqve bijtë e të bijve» (Fu 17,6). «Me plot përvujtëri, butësi e duresë; duroni njëri-tjetrin me dashuri!» (Ef 4,2).

2220 Të krishterët duhet të kenë një mirënjohje të veçantë ndaj atyre nga të cilët kanë marrë dhuratën e fesë, hirin e Pagëzimit dhe jetën në Kishë. Mund të bëhet fjalë për prindërit, për anëtarë të tjerë të familjes, për gjyshërit, për Barinjtë, për katekistët, për mësues të tjerë apo miq.

Katekizmi vazhdon duke përshkruar ato që duhet të jenë Detyrat e prindërve, si edhe detyrat e Shtetit,  që gjithashtu do të ishte interesante t’i shqyrtonim si argument, por nuk e kemi kohën dhe duhet të ndalemi këtu.

Për reflektimin:

  • Çfarë mendoj unë për 10 urdherimet? Ato janë pengesë o ndihmë për jetëm time dhe e shoqerisë?
  • A i respektoj prindërit e mi, anëtarët e familjes sime, eprorët e mi dhe institucionet?