Scroll Top
19th Ave New York, NY 95822, USA

Katekeza 3 prill 2019

Katekeza 3 prill 2019

(Imzot angelo Massafra OFM)

Ungjilli i jetës – Mesazhi i krishterë mbi jetën

Përballë kërcënimeve të panumërta e të rënda ndaj jetës, të pranishme në botën bashkëkohore, mund të na godasë një ndjenjë pafuqie dhe të themi: e mira nuk do të mund ta ketë kurrë forcën për të mposhtur të keqen!

Ky është momenti në të cilin populli i Hyjit është i thirrur të dëshmojë me përvujtëri e guxim fenë e vet në Jezu Krishtin Fjalën e Jetës. Ungjilli i jetës nuk është një reflektim mbi jetën njerëzore; as nuk është vetëm një urdhërim i destinuar të sensibilizojë ndërgjegjen dhe të shkaktojë ndryshime në shoqëri; aq më pak është një premtim mashtrues për një të ardhme më të mirë. Ungjilli i jetës është një realitet konkret dhe personal, sepse përbëhet në shpalljen e vetë personit të Jezusit.

Tomës apostull, dhe në të çdo njeriu, Jezusi i paraqitet me këto fjalë: “Unë jam udha, e vërteta dhe jeta“. Është i njëjti identitet i treguar Martës, motrës së Lazrit: “Unë jam ringjallja dhe jeta: kush beson në mua, edhe nëse vdes, do të jetojë. Edhe kush jeton e beson në mua, nuk do të vdesë kurrë“. Jezusi është Biri që qysh prej amshimit e merr jetën prej Atit dhe ka ardhur mes njerëzve për t’i bërë ata pjesëmarrës në këtë dhuratë: “Unë erdha që delet ta kenë jetën e ta kenë me plotësi“. Prej fjalës, prej veprimit, prej vetë personit të Jezusit njeriut i jepet mundësia të njohë të vërtetën në lidhje me vlerën e jetës njerëzore dhe aftësia për të marrë përsipër e realizuar në plotësi përgjegjësinë për të dashur e për të shërbyer, për të mbrojtur e për të promuovuar jetën njerëzore.

Në Jezusin shpallet dhe komunikohet jeta hyjnore dhe e pasosur. Falë kësaj shpalljeje jeta fizike dhe shpirtërore e njeriut, edhe në fazën e saj tokësore, merr plotësi vlere dhe domethënieje: jeta hyjnore dhe e pasosur është qëllimi drejt të cilit njeriu që jeton në këtë botë është i orientuar dhe i thirrur.

Plotësia ungjillore e shpalljes së jetës është përgatitur që në Besëlidhjen e Vjetër. Sidomos në ngjarjen e Daljes nga Egjipti Izraeli zbulon se sa e çmueshme është jeta e tij para syve të Hyjit. Kur duket i destinuar të shfaroset, Zoti i zbulohet si shpëtimtar, i aftë t’i sigurojë një të ardhme atij që është pa shpresë.

Të gjithë “të varfrit” që takojnë Jezusin e Nazaretit dëgjojnë shpalljen se edhe jeta e tyre është një e mirë, së cilës dashuria e Atit i jep kuptim dhe vlerë: turmat e të sëmurëve dhe të të mënjanuarve që ndjekin dhe kërkojnë Jezusin, gjejnë në fjalën e tij dhe në gjestet e tij zbulimin se çfarë vlere të madhe ka jeta e tyre dhe se pritshmëritë e tyre për shëlbim janë me bazë. Kështu ndodh për Kishën që e di se është bartëse e një mesazhi shëlbimi që jehon në të gjithë risinë e saj pikërisht në situatat e mjerimit e të varfërisë së jetës së njeriut.

Fjala e gjestet e Jezusit dhe të Kishës së tij nuk kanë lidhje vetëm me ata që janë në sëmundje, në vuajtje apo në format e ndryshme të mënjanimit shoqëror. Më thellësisht prekin vetë kuptimin e jetës së çdo njeriu në dimensionet e saj morale dhe shpirtërore. Vetëm ata që e dinë se jeta e tyre është e shënuar prej sëmundjes së mëkatit, në takimin me Jezusin Shëlbues mund të gjejnë të vërtetën dhe autenticitetin e ekzistencës së tyre.

Jeta është gjithmonë një e mirë. Njeriut i është dhuruar një dinjitet tejet i lartë, që e ka themelin e vet në lidhjen intime që e bashkon me Krijuesin e vet; në njeriun shkëlqen shenja e urtisë dhe e fuqisë hyjnore. Origjina hyjnore e njeriut shpjegon pakënaqësinë e tij të vazhdueshme përballë gjërave, krijesave të tjera. I bërë për Hyjin, njeriu priret në mënyrë të natyrshme nga Ai. Kjo përvojë është shprehur mirë nga Shën Agustini i cili ka thënë: “Ti na ke bërë për vete, o Zot, dhe zemra jonë është e paqetë derisa të mos pushojë në ty“.

Shëmbëlltyra e Hyjit shkëlqen përsëri në të gjithë plotësinë e vet me mishërimin e Birit të Hyjit, Jezusit të Nazaretit. Jeta që Biri i Hyjit ka ardhur t’u dhurojë njerëzve nuk kufizohet vetëm një ndihmë tokësor, por ai komunikon vetë jetën e tij. Kjo është plotësia e jetës për të cilën flet Jezusi: hyjnizimi i njeriut. Para kësaj të vërtete të papritur besimtari pushtohet prej mahnitjes dhe prej një mirënjohjeje të pakufishme.

Prej këtu lindin rrjedhoja të drejtpërdrejta për jetën:

  1. Njeriu e do edhe më fort jetën e vet dhe e bën atë vendin e takimit e të bashkimit me Hyjin. Jeta që Jezusi na dhuron nuk e zhvlerëson ekzistencën tonë, por e merr dhe e çon atë tek fati i saj i fundit: “Unë jam ringjallja dhe jeta…; kush jeton e beson në mua, nuk do të vdesë kurrë” (Gjn 11, 25-26). Hyji është i vetmi Zot i kësaj jete: njeriu nuk mund ta ketë atë në dorë. Vetë Hyji ia thekson këtë Noehut pas përmbytjes: “Unë do të kërkoj llogari prej njeriut për jetën e njeriut, prej secilit gjakun e vëllait të vet” (Zan 9,5). Dhe teksti biblik thekson se sakraliteti i jetës e ka themelin e vet në Hyjin dhe në veprimin e tij krijues: “Sepse në përfytyrimin e Hyjit Hyji e krijoi njeriun” (Zan 9,6)
  1. Jeta dhe vdekja e njeriut janë në duart e Hyjit, në pushtetin e tij. Jeta e njeriut është në duart e Hyjit dhe këto janë duar të dashura si ato të një nëne që pranon, ushqen dhe kujdeset për fëmijën e vet. Kështu në ngjarjet e popujve dhe në fatin e individëve Izraeli nuk sheh frytin e një rastësie të pastër apo të një fati të verbër, por rezultatin e një plani dashurie me të cilin Hyji i përmbledh të gjitha potencialitetet e jetës dhe u kundërshton forcave të vdekjes, që lindin prej mëkatit: “Hyji nuk e krijoi vdekjen dhe nuk i gëzohet humbjes së të gjallëve. Sepse ai gjithçka krijoi që të jetojë” (Urt 1, 13-14)
  1. Prej sakralitetit të jetës lind pacenueshmëria e saj, që qysh prej zanafillës gjendet në zemrën e njeriut, në ndërgjegjen e tij. Urdhërimi në lidhje me pacenueshmërinë e jetës njerëzore jehon në qendrën e “dhjetë fjalëve” në besëlidhjen e Sinait (krh. Dal 34, 28). Ai ndalon, para së gjithash, vrasjen: “Mos vra” (Dal 20, 13). Por ndalon edhe çdo cenim të bërë tjetrit. Sigurisht, duhet të pranojmë se në Besëlidhjen e Vjetër kjo ndjeshmëri për vlerën e jetës nuk e arrin ende përsosurinë e fjalimit në mal, por mesazhi përmbledhës është një thirrje e fortë në respektimin e pacenueshmërisë së jetës fizike dhe të integritetit personal, dhe e ka kulmin e vet në urdhërimin pozitiv që na detyron ta trajtojmë të afërmin si vetveten: “Duaje të afërmin tënd porsi vetveten” (Lev 19,18).
  1. Me Jezusin këto kërkesa pozitive fitojnë fuqi e hov të ri dhe dëftohen në të gjithë gjerësinë e thellësinë e tyre: shkojnë nga përkujdesja për jetën e vëllait (familjar, anëtar i të njëjtit popull, i huaj që banon në tokën e Izraelit), deri në përkujdesjen për të huajin, deri në dashurinë për armikun. Kulmi i kësaj dashurie është lutja për armikun.

Ta mbrojë, ta promuovojë, ta dojë jetën është një detyrë që Hyji ia beson çdo njeriu, duke e thirrur atë që të marrë pjesë në zotërimin që ai ka mbi botën. Jeta njerëzore gjendet në situatë paqëndrueshmërie të madhe kur hyn në botë dhe kur del prej kohës për të hyrë në amshim.

Në Bibël ekziston siguria se jeta e komunikuar prej prindërve e ka zanafillën e vet në Hyjin, siç vërtetojnë faqet e shumta që me respekt dhe dashuri flasin për ngjizjen, për formimin e jetës në kraharorin amënor, për lindjen dhe për lidhjen e ngushtë që gjendet mes momentit fillestar të ekzistencës dhe veprimit të Hyjit Krijues.

Edhe për sa u përket momenteve të fundit të ekzistencës, Jezusi me shërimet e shumta që bën, tregon se sa për zemër e ka Hyji edhe jetën trupore të njeriut. Sigurisht, jeta e trupit në gjendjen e tij tokësore nuk është një absolut për besimtarin, aq sa mund t’i kërkohet ta lërë atë për një të mirë më të madhe, siç thotë Jezusi: “Ai që do ta shpëtojë jetën e vet, do ta bjerrë, përkundrazi, ai që do ta bjerrë jetën e vet për mua e për Ungjill, do ta shpëtojë” (Mk 8,35).

Jeta bart në vetvete një të vërtetë të vetën. Njeriu duke pranuar dhuratën e Hyjit, duhet të angazhohet që ta mbajë jetën në këtë të vërtetë. E vërteta e jetës zbulohet prej urdhërimit të Hyjit. Fjala e Zotit tregon konkretisht se çfarë drejtimi duhet të ndjekë jeta e njeriut që të mund ta respektojë të vërtetën e vet dhe të ruajë dinjitetin e vet. Nuk është vetëm urdhërimi “mos vra” ai që siguron mbrojtjen e jetës. I gjithë Ligji i Zotit është në shërbim të kësaj mbrojtjeje, sepse zbulon atë të vërtetë në të cilën jeta gjen domethënien e vet të plotë.

Historia e Izraelit tregon se sa e vështirë është të ruhet besnikëria ndaj ligjit të jetës, që Hyji e ka futur në zemrën e njerëzve dhe ia ka dorëzuar në Sinai popullit të Besëlidhjes. Profetët drejtojnë gishtin akuzues nga ata që e përbuzin jetën dhe shkelin të drejtat e personave. Por ndërsa padisin cenimet ndaj jetës, profetët shqetësohen sidomos që të nxisin pritjen e një parimi të ri të jetës, të aftë që të krijojë një marrëdhënie të përtërirë me Hyjin dhe me vëllezërit.

Kjo do të jetë e mundur vetëm falë dhuratës së Hyjit, që pastron e përtërin: “Do të zbraz mbi ju një ujë të pastër dhe do të pastroheni nga të gjitha ndyrësitë tuaja. Do t’ju pastroj nga të gjithë idhujt tuaj! Unë do t’ju jap një zemër të re, një shpirt të ri do ta fus në ju” (Ez 36, 25-26). Është Jezu Krishti ai që do ta bëjë të re zemrën tonë nëpërmjet Shpirtit Shenjt të tij.