Scroll Top

Jubileu i Jetës së Kushtuar

murgeshat

Jubileu i Jetës së Kushtuar
Shkodër, 01.02.2025
P. Giovanni Peragine

Vëllezer e Motra,

Më lejoni të shpreh menjëherë mirënjohjen time për të gjithë ju që keni ardhur këtu në Shkodër nga çdo anë e Shqipërisë. Përshëndes vëllezërit ipeshkvij të dioqezave të tjera që ju kanë shoqëruar në këtë pelegrinazh. Faleminderit për këtë përvojë të Kishës, një përvojë bashkimi që mund ta përjetojmë me rastin e kremtimit të Jubileut të jetës së kushtuar në Shqipëri.

Gjatë mëngjesit patët mundësinë të takoheni në grupe të ndryshme dhe të ecni në pelegrinazh nëpër disa rrugë të qytetit të Shkodrës, duke vizituar vendet më domethënëse të historisë së fundit të kësaj Kishe. Në disa prej këtyre rrugëve, keni ripërshkuar të njëjtin “pelegrinazh” që, gjatë diktaturës komuniste, shumë të krishterë e bënë ndërsa i çonin me pranga drejt vendit të martirizimit, duke dëshmuar besnikërinë e tyre ndaj Krishtit dhe Kishës me dhuratën e jetës së tyre.

Si të kushtuar dhe të kushtuara të Kishës në Shqipëri, keni vendosur të mblidheni në këtë Katedrale për t’i falënderuar Zotin për dhuratën e kushtimit dhe për të rinovuar përgjigjen tuaj ndaj thirrjes së Tij. Sot dëshmoni se për të qenë pelegrinë të shpresës, duhet, para së gjithash, të rigjeni shpresën në vetvete; para se të japim shpresë, duhet të jemi vetë shpresë.

Ky kremtim jubilar përputhët me Festën e Paraqitjes së Jezusit në Tempull, liturgjia e së cilës u hap me ritin e dritës dhe hyrjen në procesion në Katedrale. Ashtu si Jozefi dhe Maria u bënë pelegrinë drejt tempullit të Jerusalemit për t’ia paraqitur Zotit fëmijën e tyre, ashtu edhe ne kemi hyrë këtu për të takuar Krishtin, dritën e botës, dhe për ta njohur Atë në bukën e Fjalës dhe të Eukaristisë. Tradita lindore, jo rastësisht, e quan këtë liturgji “festa e takimit“: është Krishti, drita e botës, që takon popullin e besimtarëve që e presin me besim dhe shpresë. Sot duam të rinovojmë dëshirën tonë për të takuar Zotin, i cili vjen për të ndriçuar dhe për të shndërruar jetën tonë të kushtuar.

Nga zona të ndryshme të vendit jeni nisur për të mbërritur në këtë qytet dhe për të kaluar Portën e kësaj Kishe jubilar. E dimë se kalimi i Portës së Shenjtë është një nga praktikat më të vjetra të jubileut, një gjest simbolik i lidhjes sonë në Krishtin, Porta e vetme e Shpëtimit. Të kalosh Portën për të hyrë në Krishtin është hapi i parë që duhet bërë. Jeta e kushtuar, në fakt, lind para së gjithash nga një takim me Krishtin, nga një takim dashurie, nga një shikim, nga një thirrje, nga një vendim (krh. Mt 4,18-22). Është e rëndësishme të rigjejmë këtë dimension bashkëshortor të jetës së kushtuar, e cila kërkon të tregojë një histori dashurie, më shumë sesa një sërë aktivitetesh për t’u kryer apo shqetësimesh për t’u përjetuar. Le të jetë gjithnjë e më shumë dashuria e Tij ajo që udhëheq ndjenjat tona, mendimet tona dhe veprimet tona, para rregullave dhe udhëzimeve: “kur kërkojmë të rregullojmë gjithçka, rrezikojmë ta ‘burgosim’ Shpirtin e Shenjtë” (Papa Françesku).

Të kalosh Portën për të hyrë në Kishë do të thotë që jeta e kushtuar duhet ta konceptojë veten si një dhuratë e bërë nga Shpirti i Shenjtë për Kishën, pasi ajo përfaqëson një nga shprehjet më të gjalla dhe më radikale të ndjekjes së Krishtit. E gjithë kjo është e vërtetë nëse mendojmë për gjithe rregulltare dhe rregulltarë e Kishës sonë në Shqipëri. Le të përpiqemi të imagjinojmë se çfarë do të ishin Kishat tona, komunitetet tona të krishtera, nga Jugu në Veri, pa rregulltar! Provojmë të imagjinojmë Shkodra për një javë apo edhe për një ditë pa motrat, pa rregulltarë! Prania juaj është me të vërtetë një dhuratë e pazëvendësueshme për këtë Kishë, por është e nevojshme që kjo dhuratë të bëhet bashkim dhe të vihet në shërbim të bashkimit.

Të kushtuarit e jetojnë thirrjen e tyre brenda komunitetit kishtar, duke kontribuar në misionin e tij ungjillëzues. Besoj se, në një frymë sinodale, është e domosdoshme të ndërmerren rrugë bashkëpunimi më të madh, ku aktivitetet e komuniteteve rregulltare të integrohen në programet baritore dioqezane ose famullitare dhe ku realitetet dioqezane vlerësojnë veçantinë e çdo institucioni, duke e mbështetur në identitetin dhe misionin e tij.

Në këtë rrugëtim sinodal që ka ndërmarrë e gjithë Kisha, jeta e kushtuar është e thirrur të japë kontributin e saj të rëndësishëm, pasi ajo ka qenë gjithmonë shprehje dhe ikonë e sinodalitetit. Sinodaliteti është një stil që e ka karakterizuar gjithmonë: ndarja e të mirave, vendimet e marra me aprovimin e gjithë komunitetit (Kapitujt), pjesëmarrja e gjithë komunitetit në të njëjtin mision, janë një profeci për Kishën e sotme. Mund të themi për jetën e kushtuar atë që Papa Françesku ka thënë për Kishën, dhe pikërisht se rruga e sinodalitetit është rruga që Zoti pret nga jeta e kushtuar e këtij mijëvjeçari të tretë.

Por, përballë “ndryshimit të epokës“, është e nevojshme që edhe jeta e kushtuar të vihet në dëgjim të Shpirtit dhe të ndërmarrë me guxim dhe kreativitet ndryshime në struktura dhe në stile jetese, si personale ashtu edhe komunitare, për ta bërë të gjallë dhe aktual karizmën e themeluesve. Për shembull, është e nevojshme të rishqyrtohet stili i jetës komunitare. Duhet të kalojmë nga jeta në bashkësi në jetën vëllazërore, nga një sistem piramidal, ku në majë është ai që ka pushtetin, në një sistem rrethor, ku në qendër është Krishti dhe jo eprori. Vendimet nuk duhet të merren vetëm nga eprorët, por nga të gjithë ata që duhet t’i jetojnë ato. Është pjesëmarrja e të gjithëve në çështjen e përbashkët, ku eprori duhet të ketë fjalën e fundit, por jo fjalën e vetme. Duhet kaluar nga një komunitet ku secili ecën vetëm, sipas ritmeve ose përparësive të tij, në një komunitet ku të gjithë ecin së bashku; nga një komunitet i thjeshtës së rregullave, në një komunitet të vërtetë bashkimi.

Por porta nuk shërben vetëm për të hyrë, por edhe për të pritur. Jeta e kushtuar duhet të kalojë Portën e mikpritjes. Komunitetet tona duhet të jenë mikpritëse, më të hapura dhe më kreative, të afta për të gjeneruar jetë të re, komunitete ku marrëdhëniet njerëzore rriten mbi bazën e besimit të ndërsjellë dhe jo mbi dyshimin dhe kontrollin e çdo gjëje. Komunitete të lira, ku jetohet gëzimi i të qenit së bashku jo vetëm për shkak të angazhimeve të marra, por mbi të gjitha për ëndrrat që mund të realizohen së bashku.

Është e nevojshme të forcohet mikpritja mes instituteve të ndryshme përmes një ndarjeje më të madhe të karizmave dhe burimeve. Shpesh komunitetet rregulltare duken të ndara nga njëra-tjetra. Të shembësh muret për të bashkuar karizmat nuk do të thotë t’i ngatërrosh ato, por t’i pasurosh. Veshjet e kongregatave të ndryshme nuk e shprehin gjithmonë pasurinë e diversitetit, por shpesh janë sinonim i dallimit dhe ndarjes. Shpesh identifikohemi aq shumë me institutin tonë, sa që humbasim ndjenjën e përkatësisë sonë ndaj Kishës!

Së fundi, jeta e kushtuar duhet të kalojë Portën për të dalë. Mos i mbyllim komunitetet brenda mureve të kuvendit, brenda traditave apo zakoneve, duke harruar misionin për të cilin jemi thirrur. Një komunitet me dyer të mbyllura rrezikon ta shuajë zjarrin e Shpirtit, të bëhet vetëreferencial dhe të humbasë freskinë e tij ungjillore. Kjo është natyra profetike e jetës së kushtuar: të tronditë shoqërinë me stilin e saj të jetesës alternative, të bazuar në vlerat ungjillore. Në një botë të shënuar nga materializmi, kërkimi i pushtetit dhe individualizmi, jeta e kushtuar i ofron botës një dëshmi të falas, të shërbimit dhe të bashkimit. Misioni ynë ungjillëzues do të jetë aq më i frytshëm, sa më shumë të bëhet shprehje e bashkimit.

Të dashur vëllezër dhe motra, Më shumë se 30 vjet më parë, Shën Gjon Pali II nga ky altar ftoi Kishën shqiptare, sapo kishte dalë nga vitet e errëta të një sistemi autoritar të tmerrshëm, që të ishte “plot besim dhe të shikonte me optimizëm drejt së ardhmes”. Edhe sot mund të themi se Kisha jonë, dhe me të jeta e kushtuar, pavarësisht sfidave të vazhdueshme me të cilat përballet, është e gjallë dhe e re, dhe prania juaj në këtë kremtim e dëshmon këtë, sepse është e frymëzuar nga Shpirti i Shenjtë, nga ai i njëjti Shpirt që e shtyu Simeonin të shkonte në Tempull, të merrte Jezusin në krahë dhe ta paraqiste atë si Shpëtimtarin e botës, Dritën që ndriçon popujt.

Të dashur motra dhe vëllezër të kushtuar, Me sigurinë se është Zoti ai që ndriçon hapat tanë, të mos lodhemi së qeni shtegtarë nëpër rrugët e qyteteve dhe fshatrave tona, dhe të sjellim kudo, përmes dëshmisë sonë, atë mesazh paqeje dhe shprese që bota e pret.