A mund të na tregoni se cila është rruga që ju ka çuar nga një vend i Puglia-s në Ipeshkvinë e Shkodrës?
Unë kam lindur në San Marzano të San Giuseppe (TA), një vënd i provincës së Tarantos, me origjinë shqiptare pra jam një Arbëresh. Në vitet 400-500 shqiptarët katolikë ikën nga Shqipëria për të shpëtuar besimin fetar në kohën e pushtimit nga perandoria ottomane dhe erdhën në Italinë e Jugut. Kështu ka përqëndrime të ndryshme të shqiptarëve: në Taranto, në Foggia, në Molise dhe mbi të gjitha në Kozenca si dhe tek Fusha e Shqiptarëve Siçilianë, në atë kohë Mbretëria e dy Siçilive. Që në moshë të re unë gjithmonë kam pasur këtë qëllim për të shkuar misionarë ose në Afrikë ose në Shqipëri në qoftë se do të kthehej liria dhe në vitin 1992 shkova në Shqipëri. Unë jam një frat françeskan dhe kam shkuar në Shqipëri me lejen e Atit Superior të Fretërve Minorë. Kam qënë në Lezhë tre vjet e gjysëm si mësues për novicët, pastaj më datë 6 janar 1997 jam shuguruar ipeshkëv në Romë tek Papa, ipeshkëv në Rrëshen dhe Administrator Apostolik i Lezhës dhe në vazhdim në nëntor të vitit 1997 pas vdekjes së Arqipeshkvit të Shkodrës, kam qënë ipeshkëv i Rrëshenit, Administrator Apostolik i Shkodrës, Sapës dhe Lezhës. Pas 6 muajsh, në mars të vitit 1998, më emëruan Arqipeshkëv Metropolit i Shkodrës dhe Administrator Apostolik i Sapës.
Pra një fat i shkruar?
Le të themi fat i dashur nga Zoti falë edhe kësaj prejardhje nga shqiptarët. Është për këtë që unë jam me origjinë shqiptare, pra jam italo-shqiptar, sepse jam pritur shumë mirë nga vëllezërit shqiptar si frat dhe si ipeshkëv.
Kemi vënë re se në Shqipëri janë të pranishme realitete të shumta misionare. Në qoftë se shumë persona do të impenjoheshin për t’a kultivuar këtë tokë, do të thotë që është pjellore. Por edhe mund të paraqesë rrezikun e një “ngastërimi” të kësaj toke. Si mundeni Ju të koordinoni realitetet e ndryshme duke evituar këtë rrezik?
Është e vërtetë, në Shqipëri kemi një prani të madhe misionarësh të huaj. Duke u nisur nga fakti se në vitin 1991 kishin mbetur vetëm rreth tridhjetë meshtarë e rregulltarë dhe rreth dhjetë motra, të gjithë të moshuar, që nuk e kishin përjetuar Koncilin e II të Vatikanit, nuk do mund të ndërtonin të vetëm Kishën shqiptare. Atëherë ka qënë e nevojshme një futje forcash, të misionarëve, të udhëhequra dhe të frymëzuara nga Nunci Apostolik në Shqipëri Mons. Ivan Dias, që sipas meje ka qënë një mjeshtër i vërtetë në rindërtimin e Kishës në Shqipëri. Pra kjo prani e dendur e misionarëve ka qënë e nevojshme dhe them se ka qënë edhe një fat i madh sepse vetëm prania e një bashkësie fetare apo e një misionari i ka dhënë shpresë njerëzve. Dhe atje ku misionarët janë të pranishëm në mënyrë të qëndrueshme konstatohen edhe frutet e një ndryshimi në popullsi.
Rreziku i “ngastërimit” mund të jetë, megjithatë mund të evitohet duke u mbështetur në bashkimin, siç kam bërë unë, sapo u shugurova ipeshkëv. Në fakt motoja ime ipeshkvnore është: “Reconciliamini Deo”, që do të thotë “Pajtohuni me Zotin dhe me njëri tjetrin”, e kemi jetuar këtë realitet bashkimi në kohën e emergjencës në Kosovë; dhe ky bashkim na ka shpëtuar dhe thirrur Caritase të ndryshme kombëtare dhe ndërkombëtare për të bashkëpunuar me ne.
Dimë që në Ballkan raportet mes të krishterëve dhe myslimanëve shpesh here janë të vështira. Çfarë vështirësish ka në Shqipëri? Ju si ipeshkëv ndodheni shpesh për të bërë ndërmjetësin me autoritetet islamike?
Natyrisht situata e Ballkanit është një situatë e komplikuar, mes të krishterëve, ortodoksëve, katolikëve e myslimanëve. Në shumë zona, si në këto vite që sapo kaluan, ka pasur luftëra mes etnive, racave dhe besimeve fetare të ndryshme e disa herë përçarja etnike është maskuar, d.m.th. ka marrë ngjyrën e luftës fetare. Në Shqipëri kjo gjë nuk ekziston sepse në Shqipëri jemi një popull unik, jemi një racë e vetme. Populli shqiptar është lindur i krishterë, është ungjillëzuar direkt nga Shën Pali (Iliria e atëhershme) dhe më vonë në 1400-1500 ka qënë pushtuar nga perandoria otomane, dhe është islamizuar. Fakti i të qënit një popull unik eliminon çdo lloj rreziku lufte të brendshme për arsye fetare. Gjatë historisë kemi pasur momente të një tensioni të veçantë, persekutimi nga ana e “Portës së Madhe”, megjithatë mbesin fakte të të izoluara, të lidhura me politikën e pashave të vetëm.
Është e lejueshme të flasësh për dialog mes Kishës dhe Islamit?
Do të thosha dialog dhe pranim. Mes njerëzve, në nivelin e marrëdhënieve normale, nuk ekziston intoleranca, përkundrazi nganjëherë bëhen edhe të afërm, bëhen “kumbarë” një tip kumbare, që bëhet me prerjen e parë të flokëve të fëmijëve.
Kemi patur raporte shumë të mira me kryetarët në nivel njerëzor. Kemi bërë në fakt takime lutjesh sëbashku, duke shkuar edhe deri në Bajram Curr, afër Kosovës në vitin 1998; në vitin 1997 sëbashku kemi shpëtuar Shqipërinë nga një vetëshkatërrim i madh. Në vitin 1999 kemi bërë sëbashku apel për të pritur kosovarët.
Është e qartë secili me identitetin e vet.
Me ortodoksët kemi bërë sëbashku në Metropolitin e Korçës, mesazhin e parë për Jubileun 2000, që përveç të tjerash është vlerësuar shumë.
Po raportet me Kishën italiane janë të mira?
Janë raporte shumë të mira, Kisha italiane është Kisha që na ndihmon në të gjitha drejtimet, pjesa më e madhe e misionareve/ë janë italianë. Në fakt jemi ndihmuar nga shumë dioqeza të shumë kombeve.. Gjatë forumit të III-të të Konferencës Ipeshkvnore Shqiptare me Konferencën Ipeshkvnore Italiane, të 5-6-7- Korrik-ut të këtij viti, Mons Rrok Mirdita, Arqipeshkëv i Durrës -Tirana ka thënë publikisht, duke falenderuar, që pa kishën Italiane nuk do të kishim mundur të rindërtonim Kishën Shqiptare.
Shumë të rinj shqiptarë ikin nga toka e tyre, pa shpresë për të ardhmen. Si të dalim nga kjo situatë? Duke u nisur nga fakti që këto janë ditë të rëndësishme për demokracinë në Ballkan, çfarë përspektivash sheh për të ardhmen?
Është një realitet fakti që ikin sepse nuk ka shumë punë. Si duhet të dalin nga kjo situatë? Megjithatë imigrimi nuk mund të bllokohet, ndoshta mund të zvogëlohet në rast se do të bëheshin investime në vend. Kjo është shumë e rëndësishme, e them në të gjitha nivelet, sa më shumë të investohet aq më shumë kontrollohet fenomeni, sepse shumë duke pasur punë në Shqipëri do të evitonin rreziqet dhe problemet e imigrimit. Ne nga ana jonë kërkojmë të bëjmë formim, kurse profesionale, katekizëm, shkolla në të gjitha nivelet. Dhe në të gjitha strukturat tona, në të gjitha realitetet tona vijnë edhe myslimanët. Nuk bëjmë diskriminim, në të gjitha aktivitetet që bëjmë, edhe në qendrën rinore të financuar nga famullia juaj, oratori i Shirokës, marrin pjesë edhe myslimanët.
Çfarë përspektiva të demokracisë? Unë uroj që zgjedhjet elektorale që kemi në këtë periudhë të mund të shohin të burojë demokracia e vërtetë, që të zhvillohen në liri dhe qetësi.
E ardhmja është në duart e një zgjidhjeje politike, kulturore apo ekonomike?
Politike-sociale-kulturore dhe ekonomike, mbi të gjitha unë ëndërroj një lloj Bashkësie Ballkanike si hap të parë për të hyrë në Bashkësinë Europiane: boll me luftëra që janë bërë, duhet të pranojmë, me etninë tonë, fenë tonë dhe të vlerësojmë pozitiven që ka çdo etni, çdo fe, dhe të bashkëpunojmë në nivel ekonomik për të dalë nga kjo situatë. Për të realizuar këtë ëndërr duhet shumë kohë, durim dhe shumë diplomaci.
Keni një ëndërr në sirtar apo tashmë është mbi komodinë?
Po të isha Zoti “do të dhunoja” pak ndërgjegjet dhe do të thoja “oh! pranojeni këtë projekt”, por nuk jam Zoti, prandaj unë uroj që të mbarojë koha e dhunës. Njerëzit duan paqen; edhe në Shqipëri njerëzit janë të lodhur nga dhuna dhe padrejtësitë.
Imigrimi shqiptar në Vendin tonë dallohet në disa aspekte nga të tjerat: Shqipëria është në fakt i vetmi Vend që mund të themi i kolonizuar nga ana kulturore nga Italia. Si italian, shqiptar dhe ipeshkëv, çfarë “recete” do t’i këshillonit qeverisë italiane për politikën e saj mbi imigrimin?
Receta ime, nëse mund të quhet recetë është kjo: për të programuar imigrimin, për të pritur personat, për t’u dhënë punë, por mbi të gjitha të jenë të rreptë me ata që e meritojnë, me qëllim që personi që vjen në Itali për të punuar dhe jo për të bërë keqbërësin të pritet në mënyrë dinjitoze gjithmonë duke respektuar ligjin. Por në qoftë se emigranti është një kriminel, Shteti ta trajtojë si të tillë dhe nëse është e nevojshme të investojë më shumë para dhe njerëz për ta kërkuar dhe kontrolluar e për t’a bërë të parrezikshëm.