Scroll Top

Imzot Giovanni Peragine – Homeli në Shkodër

cover

Homeli në Shkodër me data 09.06.2024

+Giovanni

Të dashur vëllezër dhe motra

Kush është nëna ime dhe kush janë vëllezërit e mi?”

Kjo është pyetja që Jezusi u bën atyre që i thanë se nëna e tij dhe vëllezërit e tij ishin jashtë duke e kërkuar.

Është vetë Jezusi, i cili, duke e zgjeruar vështrimin drejt të gjithë atyre që i kishte përreth dhe ishin duke e dëgjuar, çuditërisht i jep përgjigje pyetjes : “Kushdo që bën vullnetin e Zotit është vëllai, motra dhe nëna ime ”.

Të dashur vëllezër dhe motra, përpara se të vazhdoj me meditim e pjesës së Ungjillit që kemi dëgjuar, para së gjithash, në këtë kremtim eukaristik, gjatë të cilit zyrtarisht filloj shërbimin tim si Arqipeshkëv koadiutor i kësaj Arqidoqeze Shkodër-Pult, dëshiroj të rinovoj besimin tim në Zotin, i cili vazhdon të më kërkojë të vendos veten në duart e tij dhe të bëj vullnetin e tij. Ai më kërkon edhe një herë që të lë gjithçka dhe ta ndjek, edhe një herë më thotë “Eja dhe më ndiq mua ”.

Në personin e Nuncit Apostolik Mons. Luigi Bonazzi, dua të falënderoj Atin e Shenjtë, Papa Françeskun, i cili më ka dashur si Arqipeshkëv koadiutor të kësaj Arqidioqeze të bukur dhe të madhe që unë tashmë e dua dhe që dalëngadalë do të filloj ta njoh për të vlerësuar edhe më shumë pasuritë e saj.

Falënderoj Imzot Angelo Massafra që më mirëpriti ashtu siç një Atë mirëpret djalin e vet të cilit po përgatitet t’i dorëzojë një thesar të ruajtur dhe të kultivuar për shumë vite. Që tani e falënderoj Mons. Angelo për shërbimin baritor të tij të gjatë, i cili ende nuk ka përfunduar, në këtë Arqidioqezë. Së bashku me ipeshkëvinjtë e dy dioqezave sufragane, Imzot Simon Kulli dhe Imzot. Ottavio Vitale, përshëndes të gjithë priftërinjtë, edhe ata që nuk janë të pranishëm, përshëndes rregulltarët dhe rregulltaret dhe përshëndes përzemërsisht të gjithë ju besimtarët që jeni pasuria e vërtetë e kësaj dioqeze. Faleminderit për mirëseardhjen tuaj të bukur e të ngrohtë, të cilën do të përpiqem t’ua kthej me kujdesin dhe afërsinë ndaj të gjithëve.

Po, është e vërtetë, Zoti na kërkon të bëjmë gjithmonë vullnetin e tij dhe jo tonin. Ai na kërkon të bëjmë atë që ai dëshiron dhe jo atë që na pëlqen, në mënyrë që të bëhemi familjarët e tij, domethënë që të mund të marrim pjesë në gëzimin e tij, në jetën e tij.

Ungjilli i sotëm i kërkon secilit prej nesh të shqyrtojë se cila është marrëdhënia jonë me Zotin?

A ndihemi në të vërtetë pjesë e familjes së Zotit, a ndihemi vërtet fëmijë të Zotit dhe si e jetojmë këtë bijësi?

A na ndihmon Fjala e Zotit që dëgjojmë të rritemi në këtë marrëdhënie dashurie me Atin?

Ungjilli na paraqet tre reagime të ndryshme ndaj predikimit të Jezusit.

Reagimi i parë është ai i të afërmve të Jezusit, familjarëve të tij më të afërt, të afërmve të gjakut, të cilët, duke dëgjuar atë që Jezusi thoshte, përpiqen të shkojnë dhe ta marrin sepse mendojnë se ai tani “nuk është në vete”. Jemi në fillim të shërbimit publik të Jezusit dhe e kuptojnë menjëherë se mësimi i tij nuk është si ai i skribëve dhe farisenjve. Jezusi dallohet menjëherë nga të tjerët sepse nuk përsërit atë që thoshin të gjithë mësuesit, por mësonte një mesazh të ri që kundështohej me zakonat e lashta të etërve dhe që shpall një marrëdhënie me Zotin që lind nga kthimi i zemrës dhe jo nga zbatimi i jashtëm i urdhërimeve. Kjo sjellje publike e Jezusit, e cila u konsiderua si skandal, nuk mund të pranohej nga familja e tij, e shqetësuar vetem për të mbrojtur nderin dhe reputacionin të tij të mirë. Pra, ishte më mirë të deklarohej një sëmundje mendore e Jezusit sesa të përhapej turpi për familjen.

Le të mendojmë për të gjitha rastet që nderimi i familjes dhe zbatimi i traditave, shpesh larg nga një logjike ungjillore, konsiderohen nga ne si ligji i parë që duhet të zbatojmë, duke e zvogluar marrëdhënien tonë me Zotin vetem në praktika të jashtme dhe jo nga dëshira për t’u ripërtërirë nga Fjala e tij.

Reagimi i dytë është ai i skribëve që kishin zbritur nga Jeruzalemi të cilët thanë se Jezusi ishte i pushtuar nga djalli në veprimet e tij. Jezusi e përkufizon këtë mëkat si të pafalshëm pasi nuk ka të bëjë vetëm me mospranimin e veprimeve të Jezusit, por të konsideje vetë Jezusit të sunduar prej djallit, që ai nuk vepron me fuqin e Shpirti Shenjtë.

Sigurisht, asnjë prej nesh nuk mund të deklarojë hapur se Jezusi punon nën veprimin e djallit, por kur nuk kryejmë veprat e Shpirtit të Shenjtë që është në ne, edhe ne fyejmë Shpirtin e Shenjtë. Dhe Shën Pali na paraqet qartë veprave që janë në kundërshtim me Shpirtin: mosmarrëveshjet, xhelozia, përçarjet, zilia. Kur bëjmë këto vepra, ne fyejmë Shpirtin e Shenjtë që është në ne. Mosmarrëveshjet në familjet tona, përçarjet në Kishën tonë, zilia në bashkësitë tona famullitare, midis grupeve të ndryshme, përçarjet midis të krishterëve janë një mëkat kundër veprimit të Shpirtit të Shenjtë. Kur nuk jam në bashkim me vëllanë tim, kur e kam zili tjetrin ose nuk e fal, kur tjetrin e trajtoj vetëm për interesin tim, nuk lejoj hirin e Zotit dhe veprimin e Shpirtit të Shenjtë që të veprojë brenda meje.

Reagimi i tretë është ai i atyre që mirëpresin Jezusin dhe Fjalën e tij dhe e vënë veten në shërbim të tij duke u bërë pjesë e familjes së tij. “Kushdo që bën vullnetin e Zotit është vëlla, motër dhe nënë.” Me këtë përgjigje, Jezusi deklaron se për të qenë familjaret të Zotit, nuk mjaftojnë lidhjet njerëzore dhe madje edhe lidhjet e gjakut. Nëse për t’u ndjerë i lidhur me një familje njerëzore është e nevojshme të kesh të njëjtin gjak, për të qenë pjesë e familjes së Zotit është e nevojshme të përmbushësh vullnetin e tij, domethënë të mishërosh Fjalën e tij dhe të jetosh siç jetoi Jezusi. Në një rast tjetër Jezusi do të përsërisë të njëjtën gjë: Jo ata që thonë vetëm me fjalët o Zot! O Zot! është një i krishterë i mirë, është dishepulli im, por ai që zbaton konkretisht vullnetin e Zoti.

Nëpërmjet pagëzimit të gjithë jemi futur në jetën e Krishtit dhe në Krishtin jemi të gjithë vëllezër të bashkuar nga gjaku i Krishtit i derdhur në kryq për dashurinë. Dhe me Shën Palin mund të themi se mes nesh “nuk ka më hebre dhe grek; nuk ka më as shqiptar as italian, nuk ka më skllav e as të lirë; nuk ka më burrë e grua, sepse të gjithë jeni një në Krishtin Jezus.”

Vëllezër, është shumë e vërtetë: në Krishtin jemi të gjithë vëllezër, sepse që ti përkasim Krishtin nuk është çështje gjaku, por është çështje zemre, sepse gjaku pa zemër nuk jep jetë.

Të dashur, duke ardhur mes jush si bari i kësaj Kishe, po vij si vëlla. Si i krishterë ndihem vërtet vëllai juaj, ndihem bir i Kishës dhe gjithashtu bir i kësaj toke. Erdha në Shqipëri si misionar 26 vjet më parë dhe me gjithë dobësitë e mia u përpoqa t’i shërbej kësaj kishe fillimisht si misionar në Milot dhe më pas si misionar në Jugu e Shqipërisë. Gjaku im nuk është shqiptar por ju siguroj se zemra ime është origjinale shqiptare, sepse unë e dua këtë Kishë, unë e dua këtë tokë të larë nga gjaku i shumë martirëve dhe nëpërmjet shërbimit tim këtu dua të vazhdoj të zbatoj vullnetin e Zotit çdo ditë dhe të rritem në bashkësi me të gjithë ju.

Zojës së Këshillit të Mirë dhe të Lumëve martirë Shqiptarë ju besoj të gjithëve ju dhe shërbesën time mes jush.