Scroll Top

Homelia per meshen e bekimit te vajrave 2008

Shumë të dashur meshtarë, shumë të dashur besimtarë!

Kjo Meshë e Shenjtë, në të cilën bekohen Vajrat e Shenjtë, është shfaqja e bashkimit që ekziston mes Ipeshkvit dhe meshtarëve të tij. Për këtë arsye, në çdo vend të botës, të gjithë meshtarët e Dioqezës e bashkëkremtojnë të Enjten e Madhe në mëngjes me Ipeshkvin e tyre. Pra, kjo Meshë e Shenjtë është shenja e dukshme e bashkimit përreth themelit të vet, që është Jezu Krishti. Ai, dhe vetëm Ai është burimi i bashkimit tonë dhe, në të njëjtën kohë, prej Tij buron forca që lind nga ky bashkim që na bën Kishë. Nuk janë aftësitë tona apo meritat tona ato që e krijojnë këtë bashkim. Nuk është autoriteti ynë apo gatishmëria jonë. Do të mund ta jetojmë këtë bashkim vetëm nëse jemi të gjithë të bashkuar me Krishtin dhe me flinë e tij. Vetëm duke shikuar Jezusin, dhe veçanërisht duke jetuar me Të momentet e Mundimeve, ne do të mund të zbulojmë se është Ai, dhe vetëm Ai, burimi i këtij bashkimi. Vetëm nëse jemi të bashkuar me të do të mund ta përtërijmë këtë jetë tonën dhe të gjejmë forcën për ta dëshmuar fenë tonë.

Jezusi, kur shkoi i vetëm në Gjetseman për të qëndruar në një marrëdhënie më intime me Atin dhe për ta bashkëndarë me të dramën që do të jetonte, i la Pjetrin, Jakobin e Gjonin aq larg sa shkon një gur i gjuajtur. Ne tani nuk jemi larg Jezusit sa një gur i gjuajtur, por jemi afër tij, në altarin e tij. Në këtë altar pandërprerë ia kushton për ne Atit si fli me erë të mirë gjakun e ballit të vet, të fytyrës së vet, të zemrës së vet, të plagëve të veta, të krejt trupit të vet, edhe të tonit që përjetësohet në histori.

Aty ku ndenjën tre apostujt, dëshmitarë të orës së tij që kishte mbërritur, arkeologët kanë gjetur vendin e një shtypësi ullinjsh, që na vë në një marrëdhënie të ngushtë me atë që jemi duke bërë ne sot, tek merremi me vajin që është fryt i ullinjve dhe i punës së njeriut.

Pa humbur sysh mundimet e Birit të Hyjit, që prodhuan gjakun e shëlbimit tonë, ne në vendin e këtij shtypësi ideal, jemi duke prodhuar Vajrat e Shenjtë të shpëtimit.

Dhe prej këtij shtypësi që grin ullinjtë, e duke i grirë prodhon një vaj të këndshëm, dhe për të cilin ka referime të shumta në Shkrimin e shenjtë, ne mësojmë stilin e jetës së çdo të krishteri që, i grirë në shtypësin e Mundimeve të Krishtit, i vajisur, i pastruar dhe i ruajtur prej Gjakut të tij, “shenjë” e të cilit bëhet Ulliri, shkëlqen në llojin e vet si njeri vazhdimisht i shëlbuar.

Dhe ne nuk jemi vetëm njohës ekspertë të këtij shëlbimi, por edhe bartës, pasi secili prej nesh prej këtyre Vajrave të Shenjtë është lyer për shëlbimin. Të lyer në Pagëzim, për të shprehur risinë e jetës, që na është falur, të lyer në Krezmim, për të shprehur vetëdijen për angazhimin dhe përgjegjësinë që kemi në botë, të lyer në urdhrin meshtarak e ipeshkvor, që të mbetet gjithmonë e shënuar dhe gjithmonë e pranishme në shpirtin tonë e në trupin tonë përgjegjësia për të drejtuar kah Hyji, në qiell, grigjën që na është besuar. Dhe Hyji na dhashtë hirin që të mund të lyhemi përsëri kur të jemi të thirrur për të qenë të ngjashëm me Krishtin që vuan në sëmundje, në moshën e shtyrë, në përgatitjen për takimin përfundimtar me Krishtin gjykatës të mëshirshëm, për “ta parë fytyrë për fytyrë, ashtu sikurse ai është”.

Të përtërirë në këtë mënyrë, ndërgjegjësohemi përsëri për atë që jemi dhe për atë që duhet të bëhemi përsëri: krijesa të reja. Kështu, si ullinj të Krishtit, ne grihemi në dashurinë e tij për t’u bërë vaj erëmirë, të bashkuar brendësisht me Krishtin.

Në këtë pikë lind e pashmangshme një pyetje: në çfarë përbëhet kjo risi, në të cilën me gjakun e Krishtit na shndërron ne ky shtypës ullinjsh: laikët e krishterë, meshtarët, burrat e gratë e kushtuar Zotit dhe mua ipeshkvin? Në dashurinë. Një fjalë e thjeshtë dhe e tmerrshme në të njëjtën kohë.

Në një kishë, në një kryq të madh, është vënë një shkrim që jep kuptimin e kësaj dashurie të re e tipike së cilës çdo i lyer, i shuguruar, duhet t’i referohet vazhdimisht: “Charitas sine modo”, që me fjalë të thjeshta përkthehet: dashuri e pamasë, dashuri e pakufishme.

Është dhurata që Zoti na bën jo vetëm çdo vit në misterin pashkvor që kremtojmë solemnisht, por edhe në çdo Eukaristi në të cilën i gjithë misteri i Krishtit kryhet dhe na komunikohet.

Pikërisht në këtë “dashuri të pamasë” na grin e na shndërron ky shtypës ideal.

Për ne që jetojmë në këtë tokë të Shqipërisë dhe që i kemi ende duart të lagura me gjakun e freskët të ipeshkvijve, presbiterëve, rregulltarëve e laikëve tanë të martirizuar, nuk duhet të jetë e vështirë ta kuptojmë domethënien e kësaj “dashurie të pamasë”, para së cilës zemërimi i përndjekësve bëhej edhe më i egër. Në martirët tanë lulëzoi në një mënyrë krejtësisht të veçantë kjo “dashuri e pamasë”. Dhe nuk qenë dy dashuri, por vetëm një dashuri, e vetme dhe absolute: Krishti, Kisha, besimtarët qenë dashuria e tyre e vetme që i nxiti ta shprehnin këtë dashuri të pamasë, të pakufishme.

Duhet ta themi me krenari të krishterë: jemi bij e trashëgimtarë të këtyre vëllezërve tanë martirë. Ata nuk janë ndalur në shtypësin e të parës të enjte të madhe, por kanë shkuar më tej, të lyer, të shuguruar në vetë mundimet e Krishtit, kanë ndjekur Mësuesin, hap pas hapi, dhe aty ku ka shkuar Ai, kanë shkuar edhe ata.

Ky Vaj i Shenjtë që vazhdimisht na ka lyer e shuguruar, na ka kushtuar krejtësisht Hyjit, dhe që mbajmë në trup, na detyron për një stil tipik jete që në këtë “dashuri të pamasë” gjen kuptimin dhe domethënien.

(Rrëshqitshmëria e vajit na tregon se sa gjë e bukur dhe e këndshme është që vëllezërit të rrinë së bashku në këtë “dashuri të pamasë”: “është si vaj erëmirë që zbret mbi mjekrën e Aronit, mbi teshat e tij”.) Ne meshtarëve Papa na ka thënë: “Ne kemi gjetur, madje jemi gjetur prej dashurisë së Zotit dhe sa më shumë që e lëmë veten të prekemi prej kësaj dashurie në jetën sakramentale, në jetën e lutjes, në jetën e punës, të kohës së lirë, aq më shumë mund të kuptojmë se po, e kam gjetur perlën e vërtetë, gjithë të tjerat janë të rëndësishme në masën në të cilën dashuria e Zotit m’i jep këto gjëra”.

Dëshmia që na kanë lënë vëllezërit tanë martirë zbulohet e tëra në këtë rrugë bashkimi për besimtarët, bashkimi të ndërsjellë, bashkimi me ipeshkvin, me Papën, dhe faljeje për përndjekësit e vrasësit. Fjalët e fundit të seminaristit të ri Mark Çuni para se të pushkatohej, qenë: “I fal të gjithë ata që më kanë gjykuar, dënuar, dhe ata që do të zbatojnë vendimin”. Dhe shprehjet e të tjerëve nuk qenë të ndryshme.

Në shkrimet e martirëve tanë është i pranishëm shpirti i bashkimit të thellë të jetuar “në mënyrë të pamasë”, edhe në kohët e vështira. Del qartë se shpirti i këtij bashkimi “të pamasë” qe ipeshkvi. Çdo martir, veçanërisht meshtarët, në momentet e mira dhe jo të mira, kanë qëndruar të lidhur ngushtë me ipeshkvin e tyre, përveçse edhe me Papën dhe me vetë popullin. Këtë e dëshmon korrespondenca e dendur që kanë pasur, fillimisht me Imzot Lazër Mjedën, e pastaj me Imzot Prennushin e Imzot Frano Gjinin. E dëshmon lidhja e padiskutueshme që kanë ruajtur deri në derdhjen e gjakut me Selinë e Pjetrit, Mëkëmbësit të Krishtit. Shërbëtori i Hyjit Don Shtjefen Kurti i shkruante kështu Papës në momentin në të cilin situata përndjekëse po bëhej gjithnjë e më kritike dhe e ashpër: “Shumë i Lumi Atë, … i vetmi ngushëllim i yni është të mund derdhim në zemrën engjëllore të Atit të Përbashkët hidhërimin me të cilin është i mbushur shpirti ynë i krishterë e meshtarak… po shpreh dhimbjen time se po e hidhëroj shpirtin e ëmbël të Shenjtërisë Suaj me këtë paraqitje të dhimbshme. I shtrirë te këmbët e Shenjtërisë Suaj, që i puth me nderim, po kërkoj me shumë përvujtëri bekimin Tuaj apostolik… për një të ardhme më të mirë dhe sidomos për të na mbështetur në luftën e tashme që pësojmë për fenë tonë dhe për lidhjen e patrandshme me Personin Tuaj Madhështor, pa u mposhtur,”.

Por sidomos e dëshmon dashuria e tyre ndaj Eukaristisë, që përbënte qendrën e jetës dhe bashkimit të tyre meshtarak e misionar. Nëse më parë nuk kishin arritur ta vinin në një vend të sigurtë apo ta konsumonin të Shenjtërueshmin Sakrament, ishin në hall deri kur e merrnin vesh se kishin shpëtuar. Shërbëtori i Hyjit Don Dedë Plani në burg nuk gjente paqe dhe nisi dikë për të pyetur shërbyesen e tij Halla Kushën: “Ku gjendet Eukaristia, a është lënë në tabernakull?”. Dhe u qetësua vetëm kur mori vesh se një meshtar tjetër e kishte vënë në një vend të sigurtë. Edhe kur Shërbëtori i Hyjit Imzot Jul Bonatti punonte në vetmi dhe në pasiguri të çdo lloji në Vlorë, ku ishte transferuar prej Durrësit, i shkruante kështu Ipeshkvit: “E kam vënë të Shenjtërueshmin Sakrament [në qelën e rrënuar], ngushëllimin më të madh për një meshtar…”.

Eukaristia është kremtimi i vazhdueshëm i kësaj “dashurie të pamasë”, që nuk është gjë tjetër veçse kremtimi liturgjik i tërë misterit të Golgotës, që në çdo Meshë të Shenjtë e bëjmë të pranishëm në altar dhe në zemrën e botës.

Shumë të dashur meshtarë, unë dhe ju, të grirë sikurse ullinjtë në shtypësin e mundimeve të Krishtit, hyjmë në këtë “charitas sine modo”. Vaji erëmirë i lyerjes së marrë prej Krishtit, nëpërmjet ipeshkvit tonë shugurues, na bëftë protagonistë dhe shpallës të guximshëm të tij.

Shumë të dashur besimtarë, kurrë sikurse sot, në këtë të enjte të madhe, në të cilën prej vullnetit të Krishtit jemi bërë meshtarët tuaj, “i keni pasur sytë të ngulitur në ne”. Por, ju që besoni në “Atë që na do… dhe na ka bërë mbretëri meshtarësh për Hyjin dhe Atin e vet”, ju mund të na mbështetni në këtë angazhim të të bërit të ngjashëm me Krishtin. Forcat tona, sikurse edhe tuajat, janë të dobëta, sepse janë njësoj si ato të çdo qenieje njerëzore, dhe lutja juaj, vlerësimi juaj dhe dashuria juaj janë të domosdoshme për ne, që kemi përgjegjësinë e madhe që t’ju flasim për Krishtin, t’ju japim Krishtin para së gjithash me shembullin tonë.

Ju që i bashkëndani dobësitë tona, mund të na kuptoni dhe mund ta bashkëndani me ne dëshirën për t’u prirur me të gjitha forcat nga Krishti, që na ka “bërë” dëshmitarë dhe ambasadorë “të veprës së tij të shëlbimit” dhe “na ka dërguar për t’ua çuar lajmin e gëzueshëm të varfërve, për tëa fashuar plagët e zemrave të thyera… për të ngushëlluar të gjithë të munduarit”.

Ja tani ne, para Hyjit dhe para jush, i përtërijmë premtimet tona të bëra në momentin e shugurimit tonë meshtarak, dhe me këtë akt i kërkojmë Zotit që të bëjë të rilulëzojë në duart tona ajo Krizëm e Shenjtë me të cilën jemi lyer dhe jemi bashkuar me Krishtin.

Në shpirin e kësaj “charitas sine modo”, të ndihemi të lidhur me njëri-tjetrin dhe prej këtij shtypësi eukaristik të mundimeve të Krishtit të ngjitemi edhe ne drejt Jeruzalemit ku, pas vdekjes dhe varrosjes së Krishtit e tonës, lulëzon e lavdishme Ngjallja Pashkvore. Amen.

Qoftë levduar Jezu Krishti!

† Angelo Massafra