Scroll Top

Homelia për mbylljen e kohës jubilare

25 prill 2008

Shkëlqesi shumë i nderuar Imzot Zef dhe Mons. Giovanni Gasparri, nga Nunciatura,

Shumë të dashur Meshtarë, Rregulltarë, Rregulltare dhe besimtarë të të gjithë Dioqezës dhe ju që na ndiqni nëpërmjet Radio Marisë,

edhe një herë jemi bashkuar këtu në këtë Katedrale për të lavdëruar Zotin dhe për të kujtuar gjërat e mrekullueshme që ka bërë Ai. Së bashku me të gjithë Kishën kremtojmë sot festën e Markut Ungjilltar, atij që nëpërmjet Ungjillit të Tij na ndihmon ta njohim më mirë Jezu Krishtin, duke e paraqitur atë në të vërtetën e tij më të thellë, si Bir i Hyjit. Por me këtë rast jemi këtu edhe për disa ngjarje të veçanta, që karakterizojnë jetën e Dioqezës sonë dhe të Kishës sonë. Në të vërtetë, sot përfundon Koha Jubilare për përvjetorin e 150-të të vënies së gurit të parë të themelit të Katedrales, që ka filluar më 19 tetor të vitit të shkuar, ditë e festës shtetërore për lumturimin e të Lumes Nënë Tereza e Kalkutës, motrës sonë në fe dhe bijës së popullit tonë. Veç kësaj, të mallëngjyer kujtojmë se pikërisht 15 vjet më parë, në këtë Katedrale, gjatë vizitës së tij të paharrueshme në tokën tonë, Shërbëtori i Hyjit Papa Gjon Pali II ka shuguruar 4 Ipeshkvijtë e parë pas rënies së komunizmit. Është i pranishëm sot në këtë kremtim Imzot Zef Simoni, i dobësuar ndoshta në forcat e veta fizike për shkak të moshës e të vuajtjeve të përjetuara, por ende shumë i fortë në angazhimin e tij për të ndjekur Krishtin dhe për t’i shërbyer Kishës. Përshëndes Imzot Rrok Mirditën, Arqipeshkëv Metropolit i Tiranë-Durrës dhe President i Konferencës Ipeshkvore Shqiptare, i cili qe shuguruar ipeshkëv në këtë ditë në këtë Katedrale. Dhe jemi të sigurtë se edhe Imzot Frano Illija dhe Imzot Robert Ashta marrin pjesë në këtë liturgji, në mënyrën përkatëse të atyre që tashmë e kanë arritur takimin përfundimtar me Hyjin Atë. Veç kësaj, sot është edhe 10-vjetori i hyrjes sime në Shkodër si Arqipeshkëv i kësaj Dioqeze. Shpreh falënderimin tim ndaj Zotit për gjithçka që kam jetuar në këta dhjetë vjet, sepse kam bashkëndarë fenë së bashku me ju, sepse jemi rritur me të vërtetë si bashkësi kishtare. Falënderoj përsëri Zotin – dhe të gjithë ju – për gjithçka të bukur që kam marrë gjatë kësaj kohe prej shumë personave, shumë prej të cilëve jeni këtu të pranishëm. Falënderoj edhe për të mirat që si besimtarë të Krishtit në këtë pjesë të botës jemi munduar të realizojmë së bashku.

Nuk është e rastësishme që gjithë këto ngjarje që kujtova kanë pasur kishën Katedrale si pikë qendrore në të cilën janë zhvilluar. Në të vërtetë, Katedralja është qendra e jetës së Dioqezës, e jetës së Kishës, e jetës së besimtarëve. Ajo dëshmon dhe realizon bashkimin që i lidh besimtarët mes tyre, bashkimin që ekziston mes besimtarëve, meshtarëve dhe Bariut të tyre, bashkimin që ekziston mes gjithë Kishës dhe kreut të Saj, që është Krishti. Pikërisht sepse shpreh këtë bashkim, Katedralja është vendi në të cilin jo vetëm kremtojmë Ritet e Shenjta, por në mënyrë të dukshme mund të shpallim me forcë dhe publikisht fenë tonë. Shumë prej jush e kujtojnë me trishtim e dhimbje kohën në të cilën, pasi ishte ndaluar çdo veprimtari fetare dhe ky Tempull ishte shndërruar në Pallat Sporti, ky bashkim i dukshëm nuk mund të jetohej dhe nuk mund të kumtohej me forcë se shëlbimi na është dhuruar prej Hyjit Atë në Jezu Krishtin.

Ndërsa sot, faleminderit Hyjit, Katedralja e kryen plotësisht funksionin e vet të duhur si Tempull i Zotit. Në këtë kohë jubilare, pikërisht më 12 janar, ajo është edhe rishuguruar, gjatë kremtimit të paharrueshëm të kryesuar nga Kardinal Rodè, të cilin e falënderojmë me zemër dhe përsëri e kujtojmë me gëzim për afërsinë dhe përzemërsinë e tij. Fjalët e Homelisë së tij tingëllojnë ende edhe sot brenda nesh. Ai na ka kujtuar se kjo kishë Katedrale, pas përndjekjes, është kthyer përsëri në vendin në të cilin populli i shenjtë mund të eksperimentojë praninë e Hyjit mes njerëzve. Veç kësaj na thoshte se “ky vend i shenjtë bëhet edhe vendi ku bashkohemi si familje e si bashkësi, vendi në të cilin i komunikojmë njëri-tjetrit fenë që kremtojmë. Në këtë tempull, ditë pas dite, do të jeni të ftuar të thërrisni emrin e Zotit, të ushqeheni me fjalën hyjnore, të jetoni realitetin sakramental: kjo është banesa e lutjes, e zbulimit eskatologjik, e takimit mes Hyjit dhe të vetëve. Në të do të gjeni vendin e shpërblimit, të mëshirës, të solidaritetit të plotë dhe të dashurisë, sepse ky tempull është hapësira konkrete e kremtimit të Eukaristisë”. Dhe të mos harrojmë nxitjen e tij, kur u shpreh kështu: “Fjala e dëgjuar, e lutur, e kumtuar, do t’ju lejojë të rindërtoni, gjithnjë e më me qëndrueshmëri, shtëpitë tuaja, shoqërinë tuaj, Kombin tuaj, sepse, siç thotë Psalmi 126, është Zoti ai që e ndërton shtëpinë”.

Së bashku me Kardinalin Rodè, nuk mund të mos falënderojmë Atin e Shenjtë Benedikti XVI, që për këtë kohë jubilare u ka dhënë edhe ndjesën e plotë të gjithë atyre që i kanë përmbushur kushtet e kërkuara. Marrja e ndjesës së plotë ka bërë që të pasurohemi me faljen. Sigurisht që me faljen e marrë prej Hyjit. Uroj që edhe me faljen që kemi arritur t’u japim të tjerëve. Hiri i Jubileut që kemi kremtuar na nxit ta forcojmë botën tonë të brendshme dhe të japim më shumë, qoftë si sasi (në veprimtaritë që kryejmë, duke punuar në vreshtin e Zotit), qoftë si cilësi (duke u angazhuar vërtete për të qenë çdo ditë e më të mirë, më të gatshëm për të ndihmuar të tjerët, më të aftë për falje e për pajtim). Po, nuk mund ta mbajmë vetëm për veten atë që Zoti na ka dhuruar në këtë kohë. Duhet ta bashkëndajmë me të tjerët, duhet t’ua dhurojmë të gjithëve hiret që kemi marrë. Zoti ka qenë bujar me ne. Kjo na nxit të bëhemi edhe ne bujarë me të tjerët. Në këtë angazhim për ta përmirësuar jetën tonë, dëshiroj t’u drejtohem veçanërisht familjeve. Familja është vërtet bërthama themelore qoftë e jetës së çdo personi qoftë e të gjithë shoqërisë.

Atëherë familjet tona le të jenë më të shenjta dhe plot me zell e me fe. Nëse kjo do të ndodhë, me siguri do të kemi edhe një shoqëri më të mirë. Veç kësaj, nga familjet e shenjta dhe nga bashkësitë famullitare që e jetojnë fenë e vet në mënyrë të gjallë do të lindin patjetër edhe thirrjet për meshtari dhe jetë rregulltare e misionare. Dhe të gjithë jemi të vetëdijshëm se sa të nevojshme janë këto thirrje për Dioqezën tonë dhe për botën në përgjithësi.

Vëllezër e motra në Krishtin, t’i kërkojmë Zotit që të kemi një shpirt të vërtetë misionar, që të mund t’ua kumtojmë Ungjillin të gjithë njerëzve, që të mund të shpallim, me fjalë dhe me shembullin e jetës, se Hyji është i mirë dhe se Ai e do çdo njeri. Se mund të bëhemi vërtet dëshmitarë të kësaj mirësie e të kësaj dashurie në çdo mjedis në të cilin jetojmë, në familje dhe me miqtë, në shkollë e në punë! Është vetë Jezusi ai që na e kërkon këtë. E kemi dëgjuar këtë në leximin e Ungjillit të sotëm. Jezusi na fton të shkojmë kudo për t’ia predikuar Ungjillin çdo personi dhe na garanton se Ai do të na jetë afër e do të veprojë së bashku me ne, nëse do ta dëgjojmë Fjalën e Tij dhe do ta vëmë atë në jetë. Edhe shën Pjetri, në leximin e parë që dëgjuam, na nxit që ta forcojmë fenë tonë dhe t’u bëjmë ballë sulmeve të djallit, i cili mundohet me të gjitha mënyrat që të na largojë prej të mirës dhe prej të vërtetës, praktikisht, të na largojë prej Hyjit, duke na treguar se mund ta arrijmë lumturinë me disa mjete që pastaj dalin se janë të rreme e të gabuara. Por Zoti, na kujton përsëri Pjetri, do të na bëjë të fortë e të qëndrueshëm nëse do t’i besohemi Atij. Dhe meqenëse hiri i Hyjit nuk punon më kot, mund të themi vërtet se hiri i kësaj kohe jubilare na ka bërë më të fortë e më të qëndrueshëm. Momentet e ndryshme që kemi përjetuar, kremtimet, shtegtimet, takimet, nismat fetare e kulturore… gjithçka ka ndihmuar në rritjen tonë njerëzore e shpirtërore. Le të ruajmë gjithmonë gjithçka që Zoti ka mbjellur në zemrën tonë e në jetën tonë gjatë kësaj kohe! T’ia kërkojmë këtë Hyjit të jetës me guxim por edhe me përvujtëri.

Në përfundim të kësaj kohe jubilare më lejoni të falënderoj edhe ata që në mënyra të ndryshme janë angazhuar me qëllim që e gjithë Dioqeza të mund t’i gëzonte hiret që Zoti na ka dhuruar. Janë shumë persona dhe me siguri nuk mund t’i kujtoj të gjithë. Sidoqoftë, dëshiroj të falënderoj në veçanti Don Gjovalin Sukën, Administrator Famullitar i kësaj Katedraleje dhe Don Gjovalin Simonin, Zëvendës Administrator Famullitar, për praninë e tyre të vazhdueshme e të vëmendshme si dhe për punën e tyre të çmuar. Falënderoj Don Simon Jubanin, për shërbimin e tij të palodhur në rrëfyestore, dhe të gjithë ata që kanë realizuar shtegtimet. Falënderoj koret që kanë kënduar gjatë meshëve Jubilare. Faleminderit të gjithë ju besimtarëve për mënyrën me të cilën e keni ndier dhe përjetuar Jubileun e jashtëzakonshëm të Dioqezës sonë. Në fund falënderoj Bandën Muzikore nga Aradeo (Lecce): Z. Vinçenc Aluisin, Presidentin i Shoqatës  me gjithë muzikantët dhe familjaret e tyre.

Zoti ju bekoftë dhe e forcoftë gjithnjë e më shumë fenë tuaj dhe dashurinë tuaj për Të e për të gjithë ata që kanë nevojë, me qëllim që, duke qenë të mbështetur në Krishtin dhe me hirin e këtij Jubileu, të mund të jeni dëshmitarë të paqes e të drejtësisë.

Zoja e Këshillit të Mirë, dhe “Martirët Tanë”, Shërbëtorët e Hyjit Vinçenc Prennushi dhe Shokët, na ndihmofshin në dëshminë tonë si Kishë edhe pas kohës Jubilare.

† Angelo Massafra

Arqipeshkëv Metropolit i Shkodër-Pult