Më pëlqen të imagjinoj që, ndërsa Jezusi po tregonte shëmbëlltyrën e vigjilencës, duke folur për shërbëtorin besnik që Zoti e vendosi në krye të shtëpisë së tij derisa ai të kthehej, ai po mendonte pikërisht për atin e tij tokësor, Jozefin e Nazaretit. Dhe ndoshta liturgjisti që donte t’i vendoste këto fjalë që në fillim të kësaj meshe në solemnitetin e Patriarkut të Shenjtë, duhet të ketë pasur të njëjtën intuitë. “Ja, sherbëtori besnik dhe i urtë, të cilin Zoti e bëri kryetarin e familjes së vet”
Dhe pikërisht nga këto dy karakteristika dua të nxjerr mësimin që buron nga Liturgjia e kësaj dite solemne: Jozefi është shërbëtor dhe besnik. Nuk na shqetëson, pasi atij sigurisht nuk i vjen keq, pseudonimi “shërbëtor”. Edhe Maria më e shenjta në “Magnificat” thërret: “Ja ku jam. Unë jam shërbëtorja e Zotit!”, Dhe gjithashtu: “(Zoti) shikoi me pëlqim mbi shërbëtoren e vet të përvujtë“. Dhe sikur të mos mjaftonte kjo, mund të mendojmë se si Mesia përkufizohet si “Shërbëtor” që në këngët e Isaisë profet, faqe të mrekullueshme që do t’i shpallim gjatë Javës së Madhe.
Çdo shërbim është, në fakt, ushtrim i një dhurate të marrë dhe që përdoret për nevojat e përbashkëta. Prandaj madhështia e personit që shërben nuk qëndron aq shumë te vetë shërbimi (që ka edhe ai vlerën e vet), sesa në dhuratën e marrë e cila më pas shndërrohet në shërbim: dhuratë që nuk i përket, por që merret pikërisht nga Zoti dhe që e karakterizon atë si person. Jozefi mori nga Zoti dhuratën e madhe të atësisë dhe ai e mirëpret me përulësi dhe e vë në shërbim të Marisë dhe të Birit të Hyjit, duke e ruajtur, duke e ushqyer, duke e edukuar, duke e çuar gradualisht të njohë identitetin e tij si Bir, i dërguar nga Ati për një mision.
Pranimi i kësaj dhurate nga Jozefi bëhet me frymën e bindjes ndaj vullnesës së Hyjit: një gatishmëri e plotë, e kuptueshme vetëm nga këndvështrimi i fesë. Ashtu si Jozefi, ekziston vetëm Abrahami, të cilin leximi i dytë e lavdëroi… dhe jo rastësisht. Si njeri feje, Jozefi i është përgjigjur ftesës së Hyjit, duke sfiduar dyshimet dhe hezitimet e tij për ndershmërinë e Marisë, por edhe opinionin publik që me siguri do ta kishte sharë atë. Kështu, ai na jep një mësim të madh feje të fortë dhe të guximshme, që nuk i frikësohet kundërshtimeve, por i përballon ato duke i besuar vetëm Zotit. Në fakt, kur Zoti thërret, ai i ngarkon personit një mision dhe i jep atij forcën e nevojshme për ta kryer atë; mjafton që ai t’i besojë plotësisht Zotit dhe jo vetëm forcave të veta.
Dhe për ta kuptuar këtë besnikëri të Jozefit, ndoshta mund t’i referohemi përsëri asaj shëmbëlltyre të Jezusit mbi vigjilencën. Jezusi thotë: “I lumi ai shërbëtor, të cilin, kur kthehet zotëria i tij, e gjen duke vepruar kështu. Përnjëmend po ju them: do ta vërë mbi të gjithë pasurinë e vet” (Lk 12,43-44). Besnikëria konsiston pikërisht në këtë: që secili të gjendet në vendin e vet, duke bërë punën që i takon.
Çfarë “pasurie” i dha Hyji Jozefit? Sipas asaj që na thonë Ungjijtë, Jozefi është një pasardhës i Davidit, të cilit Zoti i kishte premtuar një pasardhës – e dëgjuam në leximin e parë. Një histori e gjatë, kujdestari i së cilës bëhet ky njeri, por që garanton edhe kalimin e stafetës, duke ia besuar Birit dhe të gjithë atyre që janë bërë bij në Birin me anë të Pagëzimit: neve që e kemi marrë këtë trashëgimi dhe që kemi për detyrë t’ia dorëzojnë brezit të ardhshëm, trashëgiminë e fesë.
Në lutjen që do të themi mbi dhuratat pas pak minutash, Shën Jozefi do të na përshkruhet edhe “i pastër në zemër“: një virtyt tjetër që, në mësimin e Jezusit në mal, bëhet një lumni. Duhet ta sqarojmë mirë këtë lumni, prerogativë e Jozefit, sepse duhet të jetë prerogativë e çdo të krishteri, por fatkeqësisht duhet të pohojmë se jemi shumë larg prej saj. Jezusi thotë se të pastërtit në zemër do ta shohin Hyjin; dhe nëse e marrim për të vërtetë që Lumnitë nuk kanë të bëjnë vetëm me jetën që do të vijë, por edhe me jetën tonë të tanishme, atëherë duhet të themi se është e mundur që ta shohim Zotin që tani.
Por si mund ta shohim Zotin? Shën Françesku na e shpjegon mirë këtë gjë. Ai thotë: “Me të vërtetë të pastërtit në zemër janë ata që i përçmojnë gjërat tokësore dhe kërkojnë gjërat qiellore” (Qortime XVI). Kur zemra shkëputet nga të mirat materiale dhe kërkon para së gjithash mbretërinë e Zotit, atëherë vetë Zoti bëhet çelësi i leximit të realitetit, i vetes dhe i të afërmit. Është ajo që themi: ta shohësh Zotin në çdo gjë dhe të shohësh gjithçka me sytë e Zotit. Jozefi e jetoi plotësisht këtë dimension duke u kujdesur për zbatimin e vullnesës së Zotit për jetën e tij, pa i hequr sytë nga realiteti në të cilin jetonte. Do të ishte kulmi i ekzistencës së një të krishteri nëse edhe ne mësojmë të jetojmë kështu: të shikojmë kah Hyji me këmbët e ngulura fort në tokë.
Në fund, ja antifona i kungimit: “Të lumtë. Sherbëtor i mirë e besnik: hyr në gëzimin e Zotërisë tend” e cila anyifon na paraqet Jozefin, shërbëtorin besnik, që me fjalët e Jezusit të marra nga Ungjilli i Mateut në kap. 25, ftohet që të marrë pjesë në lavdinë e Zotit të tij. Mund të themi se fjalët e Marisë-Shërbëtore, i përshtaten plotësisht edhe Jozefit-Shërbëtor: “që tani të gjitha breznitë do të më quajnë të lumtur/bekuar“. Jozefi hyn në lavdinë e Hyjit i shoqëruar, siç e dikton tradita, nga Jezusi që e ndihmon atë në momentet e fundit të jetës së tij tokësore.
Dhe, siç e kërkon devocioni, madje edhe e shenjtërve të mëdhenj, siç është Shën Bernardinoja i Sienës, Jozefi është ndër ata që ngjallen nga varret për të shkuar në Parriz me trup dhe me shpirt. Sigurisht që nuk është një dogmë feje, siç është për Virgjërën e Bekuar, por as që mund të themi se është e pamundur, pasi ky është fati që të gjithë shpresojmë të kemi dhe të cilin e shpallim te Besojma.
Vëllezër dhe motra, falenderojmë Zotin që në Shën Jozefin i bëri një dhuratë shumë të madhe jo vetëm Jezusit dhe Marisë, por edhe krejt Kishës, e cila është e nderuar që e ka zgjedhur atë si Pajtor/Mbrojtës universal. Qoftë një model jete për të gjithë të krishterët, veçanërisht për ata që kanë përgjegjësi formuese, siç janë baballarët që sot duam t’i kujtojmë në mënyrë të veçantë në lutjet tona.
Në tre ditët që paraprinë këtë festë u lutëm edhe për paqen në Ukrainë dhe në vendet e tjera të botës ku lufta po vret njerëz të pafajshëm; u lutëm edhe për familjet që ndodhen në vështirësi të ndryshme; u lutëm edhe për të marrë nga Zoti dhuratën e çmuar të thirrjeve të shenjta meshtarake dhe rregulltare për Kishën. Jozefi nuk është vetëm një model i jetës së krishterë, por edhe një ndërmjetës i fuqishëm pranë Birit të tij Jezus dhe Marisë Virgjër; aq sa Shenjtes Terezë të Avilës i pëlqente të thoshte: “Në çdo nevojë, sado e rëndë që të jetë, kini besim te ndërmjetësimi i frytshëm i Shën Jozefit; shkoni tek ai me fe të vërtetë dhe me siguri do të merrni përgjigje për pyetjet tuaja”.
Dhe ne, me besim të plotë, o i lavdishmi Shën Jozef, të drejtohemi ty, kaq pranë Jezusit dhe Marisë, për të marrë nga Zoti hiret që na duhen për t’u bërë të krishterë më të mirë, ato që i duhen botës për të jetuar në paqe dhe qetësi, ato që i nevojitet Kishës, Mbrojtës i të cilës je, që t’i kushtohet qetësisht lëvdimit të Zotit dhe kumtimit misionar të Ungjillit të Krishtit, që jeton dhe mbretëron me Atin dhe me Shpirtin Shenjt në shekuj të shekujve. Amen.