Scroll Top
19th Ave New York, NY 95822, USA

Homelia per Enjten e Madhe 2017

Homelia per Enjte e Madhe 2017

(Imzot Angelo Massafra OFM)

Mons. Simon Kulli, Adm. Dioqezan i Sapës,

Atë Aurel , Kustodi i Freterve,

Shumë të dashur sivëllezër në meshtari të Dioqezës së Sapës dhe të Shkodër-Pultit,

dhe ju të gjithë të dashur besimtarë,

Antifona e hyrjes së këtij kremtimi eukaristik shpreh mjaft mirë falenderimin tonë ndaj Hyjit. Ajo, duke i bërë jehonë leximit të dytë, thotë kështu:

Jezu Krishti na bëri mbretëri,

Priftërinj për Hyjin dhe Atin e vet;

Atij i qoftë lavdi dhe pushtet në shekuj të shekujve. Amen.

Po, shumë të dashur vëllezër e motra, “Ai që na do dhe që na ka liruar prej mëkateve tona me gjakun” na ka bërë bashkësi të shpëtuarish, pasi ky është kuptimi i vërtetë i Kishës: jo një bashkësi të përsosurish, por një bashkësi të shëlbuarish.

Gjatë Kohës së shenjtë të Kreshmës, të dielë pas të diele, Jezusi na është zbuluar neve si Shpëtimtari i botës, por në të njëjtën kohë na ka ndihmuar të kuptojmë edhe se kush jemi ne të krishterët.

Në shkretëtirë e kemi parë, të tunduar si ne, duke e larguar tundimin me Fjalën e Hyjit; i shndërruar në mal na është zbuluar si Fjalë, Biri i dishirit të Atit që duhet dëgjuar; te pusi i Jakobit na është paraqitur si i vetmi që mund t’i përgjigjet plotësisht nevojës më të thellë të njerëzimit; duke ia hapur sytë të verbërit të lindur dhe duke i ridhënë jetën Lazrit na ka thënë se Ai është drita e vërtetë dhe jeta e botës.

Kështu, kemi mësuar se për të qenë të krishterë të vërtetë ekziston vetëm një mënyrë: të jemi të bashkuar (një) me Krishtin. Në fakt, vetëm të bashkuar (një) me Të dhe të formuar prej Fjalës së tij mund të jemi fitimtarë kundër të keqes, që vazhdimisht përpiqet të na tërheqë kah vetja; vetëm të bashkuar (një) me Të dhe së bashku me Të mund të jemi “Drita e botës” (Mt 5,14).

Ja se si në këtë fjalë të vogël, “njësi”, është fshehur krejt sekreti i të qenit i krishterë, domethënë nxënës i Jezusit, domethënë anëtar i bashkësisë së atyre që janë shpëtuar. Dhe në këtë “njësi” qëndron edhe të qenit tonë “meshtarë”.

Pra, Kisha, është bashkësia e atyre në të cilën Shpirti Shenjt i Hyjit është gjithmonë në veprim për t’i bërë anëtarët e saj gjithnjë e më sipas Jezu Krishtit: i bën “Krishta të tjerë”. I krishteri është “alter Christus”; nëse nuk është një Krisht tjetër, nuk mund të quhet “i krishterë”.

Të gjithë ne, atëherë, jemi “Krishta të tjerë” kur në mënyrën tonë të të qenit, të të jetuarit, të të sjellurit dhe të të folurit jemi një përfaqësi e gjallë e Krishtit përpara botës dhe e bëjmë të pranishëm Krishtin në botë. Ky, shumë të dashur, është kulti ynë; në këtë qëndron të qenit tonë “popull meshtarak” i lindur prej ujërave të Pagëzimit.

Por sot, të ngushëlluar edhe prej dëgjimit të leximit të parë dhe të Ungjillit, kujtojmë themelimin e meshtarisë mbarështuese, atë që u jepet, prej një thirrjeje të veçantë, atyre që Zoti ka zgjedhur për ta bërë gjithnjë të pranishme në Kishë flinë pashkvnore të Krishtit, me ripërsëritjen sakramentore të fjalëve të shqiptuara prej Jezusit Darkën e Fundit. Nëpërmjet tyre është vetë Zoti Jezus që flet dhe bëhet i pranishëm dhe i gjallë në mesin e popullit të vet; falë tyre është e mundur falja e mëkateve në Sakramentin e Pajtimit. Shumë të dashur Meshtarë faleminderit për faktin se jeni meshtarë dhe për shërbimin tuaj meshtarak.

Dhe nëse ajo fjalë kaq e rëndësishme, “njësi”, vlen për krejt popullin meshtarak të Hyjit, aq më shumë vlen edhe për mbarështuesit e Kishës, që, me sakramentin e Urdhrit, janë bërë ontologjikisht sipas Krishtit për ta përfaqësuar për së gjalli si Bari të Mirë, që nuk e braktis grigjën e vet, por e drejton dhe e ruan atë (krh. Is 40,11).

Të dashur sivëllezër në meshtari, kjo është fjala që po ia dorëzoj vetes sime dhe juve për reflektim këtë të Enjte të Madhe: njësi. Çdo ditë, çdo veprim yni, publik apo privat qoftë, u bëftë gjithmonë duke pasur përpara syve tanë Jezusin me të cilin duhet të bashkohemi. Ripërtëritja e premtimeve meshtarake që do të bëjmë pas pak çastesh nuk mund të jetë vetëm një rit i Meshës së Krizmës, por një prirje e zakonshme e meshtarit, nëpërmjet të cilës ne ushqejmë dëshirën tonë për të qenë gjithnjë e më të bashkuar me Krishtin, për të qenë totalisht të tijtë dhe totalisht të popullit që na ka besuar, me qëllim që ta kullosim gjithmonë në kullota të gjelbra.

Nëse jemi të bashkuar me Krishtin, si rrjedhojë do të jemi të bashkuar edhe mes nesh, në shpirt vëllazërie të vërtetë meshtarake, që na bën ta shohim sivëllanë në meshtari si një tjetër vetja time, duke ecur në të njëjtën rrugë, subjekt i të njëjtave përpjekje baritore dhe i të njëjtave kufizime njerëzore që nuk mungojnë te asnjëri prej nesh. Por nuk mund të jenë këta që e dobësojnë lidhjen që na bashkon me Krishtin dhe mes nesh.

Në lidhje me këtë më pëlqen të kujtoj atë që thoshte Shën Françesku: “Nëse do të takoja njëkohësisht një shenjt që vjen prej qiellit dhe një meshtar të shkretë (mëkatar), do të përshëndesja më përpara meshtarin dhe do të vrapoja t’ia puthja duart atij. Në fakt, do të thoja: Prit pak Shën Lorenc, sepse duart e këtij prekin Fjalën e jetës dhe zotërojnë një fuqi mbinatyrore!” (FF 790).

Por të mos mendohet që këto fjalë të Shën Françeskut janë një justifikim i mirë i mjerimit njerëzor të meshtarit! Bëhet fjalë, në realitet, për të parë të mirën më shumë se të keqen, një edukim i zemrës që të dijë të shohë pozitiven që është te vëllezërit, me qëllim që edhe ata të arrijnë ta vlerësojnë veten më shumë për pozitivitetin e tyre dhe të ndryshojnë qëndrime të mundshme negative. Papa Françesku thotë gjithmonë: të gjithë jemi mëkatarë… në ecje drejt shenjtërimit me Krishtin dhe për Krishtin.

Dhe përsëri, “njësi” është fjala kyç me qëllim që bashkësia dioqezane të rritet në përmasën e saj si “trup mistik” i Krishtit, ku çdo gjymtyrë bashkëvepron për funksionimin e mirë të trupit sipas misionit të marrë prej Hyjit. Për këtë arsye ju ftoj të gjithëve që të jetoni në njësi: ipeshkëv, meshtarë, të kushtuar dhe laikë duhet të bëjmë çdo përpjekje për të tejkaluar atë që na ndan, sepse ajo që ndan vjen prej të Keqit.

Për këtë arsye, meshtarët të jenë të bashkuar me ipeshkvin në njësi qëllimesh, laikët të bëhen bashkëpunëtorë aktivë të meshtarëve të tyre në çdo bashkësi të krishterë, rregulltarët dhe rregulltaret të jenë model njësie dhe harmonie secili sipas karizmës së vet.

Një Kishë e tillë është një Kishë që me të vërtetë e bën të pranishme Krishtin, që e mishëron në të sotmen historike dhe, e pasuruar me hirin pashkvnor, dëshmon se është shpëtuar prej mirësisë së Hyjit.

Në fund, gjatë këtij kremtimi do të bekojmë vajërat që do të shërbejnë për veprimin sakramentor, që do të zhvillohet në bashkësitë tona. Po çfarë janë tjetër ato veprime sakramentore përveçse mjete që u shërbejnë besimtarëve për t’u bërë të ngjashëm me Krishtin? Edhe një herë, pra, kthehet koncepti i njësisë me Krishtin, objektivi i vetëm i krejt jetës sonë.

Shumë të dashur, prej këtij kremtimi, ashtu si edhe prej kraharorit të shporuar të Krishtit në kryq, duhet të rilindë një Kishë e re, një bashkësi e krishterë e gjallë e përbërë prej “të ngjallurve”, të bërë të tillë prej pjesëmarrjes në misterin pashkvnor dhe prej veprimit shenjtërues të Shpirtit Shenjt.

Vëllezër dhe motra, lutuni për ne Meshtarë që të jemi sa më të shenjtë dhe të shtohet numëri i Meshtarëve për Dioqezat tona dhe Kishën tonë.

Amen.