Scroll Top

Homelia për diten e shenjtërimit të klerit

Homelia për ditën e shenjtërimit të klerit

Kremtimi i Zemrës tejet të shenjtë të Krishtit është kremtimi i dashurisë së pamasë të Hyjit për ne. Prandaj nuk mund të mos zhytemi në soditjen e kësaj dashurie dhe të efekteve të kësaj dashurie në jetën tonë.
Në këtë reflektim dua të nis nga fjalët që sapo dëgjuam prej Ungjillit të Gjonit, nxënësit që Jezusi e donte. Ai e përkufizon veten si ai që ka parë dhe që dëshmon: ai që, në ato ngjarje të sapo treguara, ka marrë një mision solemn prej Shëlbuesit të Kryqëzuar, atë që ta pranojë Nënën si bir.
Shumë të dashur, shërbesa jonë meshtarake që e kemi marrë si zgjatje e asaj të apostujve nuk mund t’i lërë pas dore këto karakteristika thelbësore të dashurisë së Jezusit, të të parit (që do të thotë të përjetimit) dhe të dëshmimit; ashtu siç nuk mund të lërë pas dore as marrëdhënien nënë-bir që, e filluar nën kryq mes nxënësit dhe Nënës së Jezusit, vazhdon ende edhe sot mes të gjithë meshtarëve dhe Kishës fryti i parë dhe shenja e së cilës është Maria (Lumen gentium VIII, 53).

Dashuria e Jezusit
Është e njëjta e Atit për njerëzimit dhe që kaq mirë është shprehur në leximin e parë që dëgjuam. Ozeja nuk mund të gjente fjalë më të qarta për ta shprehur dashurinë atërore dhe amënore të Hyjit: një dashuri që nuk merr parasysh nëse gjen përgjigje, si atëherë kur pohon se dëshiron të na mësojë të ecim dhe të na ngrejë si fëmijë deri te mollëzat; por edhe një dashuri që nuk merr parasysh nëse fiton respekt e dëgjesë, si atëherë kur pohon se është Shenjti i cili nuk vjen tek ne në zemërimin e vet, pavarësisht prej tradhtive tona.
Kjo është shkalla e dashurisë së Hyjit për ne. Nuk ka asnjë lidhje me dashurinë njerëzore, që i nënshtrohet gjithmonë degradimit dhe pabesnikërisë. Është një dashuri përballë së cilës edhe zemrat më të ngurta e të pandjeshme nuk mund të bëjnë gjë tjetër veçse të dorëzohen.
Është një dashuri që vetë Gjoni e ka komunikuar gjithmonë në shërbesën e vet apostolike, derisa të thotë: “Shikoni ç’dashuri të madhe na dhuroi Ati sa që quhemi bijtë e Hyjit edhe jemi!” (1Gjn 3, 1). Dhe në Ungjillin e tij: “Vërtet, Hyji aq fort e deshi botën sa që dha një të vetmin Birin e vet” (Gjn 3, 16a).
Kjo është dashuria e Atit që Jezusi ka ardhur t’ia komunikojë njerëzimit dhe që apostujt e tij të shenjtë fillimisht e kanë përjetuar dhe pastaj e kanë shpallur me forcë deri në dhurimin e jetës. Po, sepse nuk mund të duam deri në dhurimin e plotë të vetvetes nëse më parë nuk e përjetojmë këtë dashuri; nëse më parë nuk lejojmë që Hyji të na dojë.
Shpesh mendojmë se të duam është gjëja më e vështirë; në të vërtetë, gjëja më e vështirë në botë është të lejojmë të na duan: është t’i lejojmë tjetrit të hyjë në jetën tonë; është t’i lejojmë tjetrit të na dojë ashtu siç di të bëjë dhe jo ashtu siç do të donim ne; është ta vëmë jetën tonë në duart e tjetrit me një besim të pafund. Por nëse kjo është e vështirë mes qenieve njerëzore sepse ato janë me të meta, le ta imagjinojmë me Hyjin që nuk e shohim e nuk e dëgjojmë dhe përqafimi i të cilit është vështirë të perceptohet sipas kërkesave të njerëzimit tonë!
Por Hyji na ka siguruar pë këtë: Atij mund t’i zëmë besë. Jo vetëm kaq, por edhe na e ka dëftuar këtë aq sa “të japë Birin e vet” të vdekur e të ringjallur për ne, që të na sigurojë një të ardhme lumturie të amshuar.

Të shohim
Thashë më parë se “të shohim” do të thotë “të përjetojmë”. Le ta pyesim gjithmonë veten se çfarë përvoje dashurie të Hyjit kemi bërë në jetën tonë. Ose ndoshta do të ishte më e saktë të themi “çfarë përvojash”, në shumës.
Hyji na do me dashuri të amshuar (krh. Jer 31, 3), pra një dashuri që nuk ka as fillim as fund sepse para Tij jemi të pranishëm që prej amshimit dhe jemi fryt i dashurisë së tij, madje i vetë thelbit të tij, që është dashuria (krh. 1 Gjn 4).
Tani, nëse kjo Fjalë e Hyjit është e vërtetë, sikurse edhe është e vërtetë, është e pamundur që të paktën një herë në jetën tonë të mos e përjetojmë këtë dashuri, sidomos ne që jemi thirrur pikërisht për të dëshmuar dashurinë e Hyjit. Sikurse Gjoni, secili prej nesh duhet të mund të tregojë “orën dhjetë” të vet (Gjn 1, 39).
Të dashur vëllezër në meshtari, në atë orë të takimit me Jezusin, të shkuarjes pas Tij, të të parit dhe të të qëndruarit me Të gjendet i gjithë sekreti dhe e gjithë forca e dëshmisë sonë. Gjithë të tjerat kanë rëndësi relativisht: katekezat tona, homelitë tona, përpjekjet tona baritore, gjithçka është e kotë nëse nuk bazohet në forcën e atij takimi të parë dhe themelor.
Sigurisht, atë takim të parë do ta kenë ndjekur përvoja të tjera, thellime të tjera, që me siguri do të kenë favorizuar rritjen në njohjen dhe në fenë në Të, por nuk do të mund ta zëvendësojnë kurrë atë orë të parë, tek e cila duhet të kthehemi gjithmonë me kujtesë dhe me zemër, sidomos në momentet e vështira, kur zemrës sonë i kërkohet një akt heroizmi për të cilin besojmë se jemi të paaftë.

Të dëshmojmë
Vetëm prej forcës së atij takimi, pra, është e mundur dëshmia. Dëshmimi pa dyshim kërkon një publik, një bashkësi, ose të paktën një person të cilit t’ia komunikojmë të qenit të dashur prej Hyjit në logjikën e përçimit të fesë.
Por, në më të shumtën e rasteve, “publiku” i parë të cilit duhet t’ia japim këtë dëshmi jemi ne vetë: në heshtjen e mbrëmjeve tona, në dritën e ditëve tona më të mira, në errësirën e tronditur prej stuhive të shpirtit, në gulçimën e lodhur të ngjitjeve më të rrëpira, në gëzimin e pushimit pas mundimit. Çdo moment i jetës sonë meshtarake është momenti i mirë për t’i dëshmuar vetvetes, më parë se të tjerëve, gëzimin se jemi të dashur… pavarësisht nga gjithçka dhe nga të gjithë.
Vetëm pas kësaj dëshmia do të mund të ketë mundësinë të takojë fytyra të tjera, të shëndosha e të kuqe si ato të fëmijëve, të gëzuara dhe të kthjellëta  si ato të të rinjve që i hapen jetë, të lagura prej lotëve të trishtimeve të pashmangshme të kësaj bote, të rrudhura prej mundimit të jetesës dhe prej kohës së rrjedh e pamëshirshme.
Secilës prej këtyre fytyrave do t’i bëjë mirë të takojë fytyrën e priftit; sepse në fytyrën e priftit shkëlqen fytyra e Krishtit, të dashurit, të cilin Ati e ka për zemër (Mt 3, 17) dhe që në Pagëzimin në Jordan është dëftuar solidar me njerëzimin.
Shën Pali, në leximin e dytë, na ka folur për këtë vetëdije shërbestare, pra atë që t’ua zbulojmë të gjithë njerëzve këtë dashuri të Hyjit, plani i të cilit, i realizuar në Jezusin, është që të na pranojë në bashkësinë intime dhe të thellë me Të: qëllimi i jetës së njeriut mbi këtë tokë! Po, sepse ai Hyj që na do që prej amshimit, dëshiron ta bëjë amshimin vendin e banimit tonë me Të dhe të jetë Ai vetë lumturia jonë. Vetëm kur është i dashur dhe do, njeriu është me të vërtetë i lumtur!

Të pranojmë
Atëherë, folja e fundit që na shoqëron në këtë reflektim është “të pranojmë”. Po, sepse ajo përmbledh gjithçka që kemi thënë deri tani: të pranojmë dashurinë e amshuar të Hyjit; të pranojmë thirrjen e tij për ta ndjekur, për të parë, për të ndenjur me Birin e tij; të pranojmë misionin për t’ua dëshmuar dashurinë e tij vëllezërve e motrave tona, shokëve tanë në këtë udhëtim që është jeta; të pranojmë, duke e realizuar, një bashkësi besimtarësh, Kishën Nënën tonë.
Për të lindim vazhdimisht bij të rinj duke ndarë Pagëzimin dhe Përforcimin, kthejmë paqen me Hyjin në Pajtim, e bëjmë të gjallë dhe efikase flinë e Krishtit të vdekur dhe të ringjallur në Eukaristi. E përsëri, e gëzojmë me familje të reja me anë të Kurorës së martesës, e shenjtërojmë me dhuratën e Urdhrit, shërojmë të sëmurët e saj me Vajimin dhe e hapim ndaj amshimit.
Asaj dhe në të dëgjojmë e përsërisim Fjalën e jetës së Ungjillit; falë saj i lartësojmë një kult shpirtëror të pëlqyeshëm Hyjit; në emër të saj, atë të Krishtit të tërësishëm, bëhemi veprues të dashurisë, që është lakimi i dashurisë së Hyjit ndaj krejt botës.

Maria, Nëna e Kishës dhe e Meshtarëve, pranoftë në zemrën e vet dhe i mbrojtë të gjithë mbarështuesit e Kishës. U dëftoftë nënë për të gjithë: duke i forcuar në dashuri të zellshmit, duke i ngushëlluar ata që janë në vuajtje, duke u dhuruar përsëri zell atyre që janë të lodhur, duke u bërë e afërt për ata që e kanë zemrën të plagosur, që të gjithë të mbeten ose të kthehen te zemra meshtarake e Jezusit.

Ndërmjetëso, o Nënë e Mëshirës, pranë Birit tënd Jezusit, që të gjithë meshtarët, të përkrahur deri në fund prej ndihmës tënde, të këndojnë përjetësisht me ty himnin e lavdit në liturgjinë e qiellit. Amen.