Scroll Top

Homelia – Lezhë, 17/01/2018

Homelia (Lezhë, 17/01/2018)

(Imzot Angelo Massafra OFM)

Vëllezër e motra,

liturgjia e sotme na vë përballë disa nxitjeve të dobishme për reflektim, përveçse për jetën tonë të krishterë, edhe për të kujtuar ngjarjen që jemi duke kremtuar, pra 550-vjetorin e vdekjes së heroit tonë kombëtar Gjergj Kastrioti Skënderbeu.

Në të vërtetë, Liturgjia e Fjalës na ka paraqitur figurën e Davidit, figurë shumë e rëndësishme për popullin e hershëm të Besëlidhjes, i cili, duke u mbështetur vetëm në Hyjin, arrin ta mposhtë kampionin e Filistenjve dhe, kështu, merr rëndësi para syve të popullit. Ai është mbështetur vetëm në Hyjin dhe kjo ka qenë forca e tij.

Të vëna në gojën e Davidit, fjalët që kemi lutur në psalm, marrin domethënie dhe bëhen për ne angazhim që të mbështetemi vetëm në Hyjin në të gjitha provat e jetës.

Një shembull tjetër guximi na vjen prej Ungjillit, aty ku Jezusi u mbyll gojën bashkëbiseduesve të vet, të gatshëm t’i ngrehin një kurth për të krijuar një rast që ta akuzojnë, duke treguar faktikisht se, para Hyjit, personi njerëzor ka më shumë rëndësi se të gjitha ligjet, edhe më shumë se ai me natyrë fetare.

Ja, vëllezër e motra, dy pole me rëndësi jetësore që duhet të katalizojnë absolutisht gjithë jetën tonë dhe angazhimin tonë si besimtarë në Krishtin: Hyji dhe personi njerëzor. Nga ana tjetër, vetë Jezusi na ka mësuar se urdhërimet që përmbajnë gjithë kuptimin e Ligjit hyjnor janë dashuria ndaj Hyjit, e plotë dhe ekskluzive, dhe dashuria ndaj të afërmit, në masën e dashurisë që secili ushqen për vetveten.

Lutjet e Meshës, pastaj, si ajo para leximeve si ato që do të përdorim në kushtimore dhe pas kungimit, na bëjnë të hyjmë në përkujtimin liturgjik të Shna Ndout abat që sot Kisha e kremton dhe e kujton si atin e monakizmit dhe si luftëtar të madh kundër çdo forme të egoizmit personal dhe kundër çdo forme të pajtimit me të keqen e me mëkatin. Një ushtar i vërtetë i Krishtit që, në tërheqjen e tij në shkretëtirë, kishte kuptuar se lirimi më i madh i njeriut nga ana e Hyjit ndodh vetëm në të qenurit aleatë të Hyjit kundër së keqes. Por kundër cilës së keqe?

Para së gjithash kundër asaj që është brenda nesh dhe që vetëm me luftë e me lutje mund ta largojmë për t’i përkitur krejtësisht Hyjit. Nga ajo përvojë e Shna Ndout Abat, pastaj kanë vijuar në Kishë shumë forma të kushtimit Hyjit, gjithmonë me të njëjtin qëllim, edhe pse me metoda dhe stile të ndryshme.

Le të shikojmë përreth, vëllezër e motra, çfarë krijon kaq shumë të këqija e luftëra sa egoizmi dhe lakmia për lavdi, për pushtet, për pasuri dhe, më në përgjithësi, për kënaqësi? Këto janë elemente që e kanë rrënjën të gjitha tek mëkati i hershëm i njeriut në parrisin tokësore: për të qenë të pavarur nga Hyji, për të qenë Hyji i vetvetes.

Kujtimi i 550-vjetorit të vdekjes së Gjergj Kastriotit Skënderbeut nuk dëshiron absolutisht të jetë kremtim i një lufte fetare, as dëshirë për të arsyetuar lumenjtë e gjakut që kanë lagur Atdheun tonë për shkak të atyre luftërave. Në të vërtetë, Skënderbeu nuk ka bërë një luftë fetare, por vetëm ka mbrojtur Atdheun nga pushtuesi si dhe fenë e krishterë, pjesë e identitetit të popullit shqiptar në atë epokë.

Aq më pak nuk mund ta gjykojmë historinë e kaluar me kriteret e historiografisë së sotme, ashtu sikurse sot mendojnë të bëjnë disa, pasi parimi i parë i historiografisë është pikërisht ky: historia gjykohet me histori.

Nuk duhet të harrojmë: Skënderbeu ishte “atleti i Krishtit”, ashtu siç e ka përkufizuar një Papë, një njeri që, pikërisht sepse jetoi në oborrin e Sulltanit, vendosi pastaj t’i bashkohej kauzës së popullit të vet dhe ta mbronte atë prej qëllimeve ekspansioniste, që, prej etjes për pushtet dhe sundim, kishin si objektiv të pushtonin toka të reja dhe të nënshtronin popuj të tjerë. Pra, nuk kremtojmë thjesht një njeri, por një shembull të fesë së gjallë në Zotin dhe të angazhimit guximtar në shërbim të së mirës së çdo personi të shtypur, që sot do të meritonte të rizbulohej dhe të zbatohej edhe prej shoqërisë së sotme shqiptare.

Prandaj, ky kremtim eukaristik që ne ipeshkvinjtë e kemi dëshiruar pikërisht për t’u lutur për Atdheun tonë, le të jetë rast për t’i lartësuar lutjet tona drejt Hyjit për të mirën e Kombit tonë, që, ndoshta, nuk është duke e kuptuar se largimi prej Hyjit është shkak i shumë të këqijave, dhe të këqijat e shumta që sot është duke përballuar janë rezultati i këtij largimi. Vendin e Hyjit gjithnjë e më shumë është duke e zënë uni, egoizmat personale dhe interesat e kastave.

Kemi një betejë për të përballë, por nuk kemi forcat për ta bërë sepse forcat më të reja janë duke u larguar të gjitha: dhe nëse largohen forcat më të mira të Shqipërisë, këtu kush mbetet? Është e vërtetë se jemi në duart e Hyjit por, siç thoshte i Lumi Charles De Foucauld:

Krishti nuk ka duar,

ka vetëm duart tona
për ta bërë sot punën e vet.

Krishti nuk ka këmbë,
ka vetëm këmbët tona
për t’u prirë njerëzve
në shtigjet e tij.

Krishti nuk ka buzë,
ka vetëm buzët tona
për t’u treguar për veten njerëzve të sotëm.

Krishti nuk ka mjete,
ka vetëm ndihmën tonë
për t’i afruar njerëzit tek vetja sot.

Ne jemi e vetmja Bibël
që popujt lexojnë ende,
jemi porosia e fundit e Hyjit
e shkruar në vepra dhe fjalë.

Duart tona, këmbët tona, buzët tona, mjetet tona, gjithçka le të jetë në dispozicion të Hyjit në mënyrë që Shqipëria të ringrihet e të gjejë në vetvete arsyet e shpresës dhe atë lirim prej së keqes për të cilin ka aq shumë nevojë. Ose, për ta thënë me vetë fjalët e Skënderbeut në Krujë: “Lirinë nuk jua solla unë, atë e gjeta këtu, mes jush”. Jemi ne vetë përgjegjës të së ardhmes sonë dhe, me ndihmën e Hyjit, do t’ia arrijmë.

Por, me kusht që të hedhim tutje çdo formë egoizmi për t’i lënë vend Hyjit, të cilit i qoftë nder e lavd për të gjithë shekujt e shekujve.