Scroll Top
19th Ave New York, NY 95822, USA

Homelia e Meshës Krizmale 2021

HOMELIA E MESHËS KRIZMALE

Shkodër, 20/05/2021

 

Qoftë levduar Jezu Krishti!

Shumë të dashur vëllezër në priftërinë e përbashkët dhe në atë mbarështuese,

Ju falënderoj që keni pranuar ftesën që të prisni shërimin tim për ta kremtuar me solemnitetin e duhur këtë festë të thirrjes dhe të zgjedhjes sonë si popull i shenjtë, vazhdim i Krishtit në kohën dhe në historinë njerëzore.

Kjo festë zakonisht bie midis fundit të Kreshmës dhe fillimit të festës të Pashkës, por duke qenë se e festojmë këto ditë kjo gjë na jep mundësinë e rimendimit të Rrëshajëve në kuptimin e tyre më të vërtetë, domethënë atë të përmbushjes së Pashkës. Me veprimin e tij shenjtërues, në fakt, Shpirti Shenjt realizon plotësisht te besimtarët atë që Krishti bëri për ne me vdekjen dhe ngjalljen e vet, duke na bërë krijesa të reja, në përngjasimin e tij.

Në mënyrë që ta kuptojmë më mirë këtë bërje sipas tij, Mesha e shenjtë e Krizmës na bën që ta përqendrojmë vëmendjen tonë te Krishti, i Lyeri, Mesia, që Leximi i parë na e paraqet si të zgjedhurin, të shuguruarin për përmbushjen e një misioni lirues: fjalë që Jezusi do t’ia atribuojë vetvetes në sinagogën e Nazaretit, siç kemi dëgjuar në Ungjill: “Shpirti i Zotit është mbi mua sepse Ai më shuguroi! Ai më dërgoi t’u kumtoj të vobektëve Ungjillin, t’u shpall robërve çlirimin dhe ta shpall vitin e hirit të Zotit”. “sot shkoi në vend kjo pjesë e Shkrimit shenjt që e dëgjuat me veshët tuaj!”

Autori i Librit të Zbulesës në Leximin e dytë na ka thënë: ai “na çliroi nga mëkatet tona me gjakun e vet” dhe “na bëri Mbretëri, priftërinj për Hyjin, Atin e vet”.

Vëllezër dhe motra, ne jemi ky popull priftëror, profetik dhe mbretëror; ne, përmes bashkëngjitjes sonë me Krishtin Zot kemi trashëguar, nëpërmjet pagëzimit, dinjitetin e bijve me të cilin krenohemi, por që bota nuk e njeh sepse nuk e njeh Krishtin.

Kjo është një kohë përndjekjesh të mëdha për besimtarët në Krishtin në shumë vende të botës dhe, në mënyrë të veçantë, për ne katolikët për shkak të qëndrueshmërisë së parimeve që përfaqësojmë dhe që janë “një provokim-ftesë” për ata që duan të jetojnë sikur Zoti të mos ekzistonte.

Fatkeqësisht, edhe ne jemi subjekt i shpirtit shekullarist dhe shpesh Ati i shenjtë na kujton besnikërinë ndaj Ungjillit, pa të cilin nuk është e mundur një dëshmi e mirë; dhe nëse nuk ka një dëshmi të mirë, nuk do të jemi në gjendje të jemi as lajmëtarë të besueshëm të Krishtit, me qëllim që bota të besojë.

Ky kremtim, ndërsa na rrënjos më shumë në identitetin tonë si ndjekës besnikë të Krishtit Zot, na kujton gjithashtu përgjegjësinë tonë misionare dhe na ofron ato elemente të shenjta, që, falë sakramenteve të Kishës, na forcojnë në luftën kundër të keqes, na ndihmojnë në realizimin e të mirës dhe na lehtësojnë në dobësinë tonë: vajrat e shenjtë që ne do të bekojmë dhe do të shugurojmë pas pak çastesh.

Në këtë kremtim do të lutemi në mënyrë të veçantë për ata që Zoti i ka thirrur nga mesi i popullit të Tij për ta përfaqësuar përmes mbarështimit profetik të Fjalës, atë mbretërore të barinjve dhe të udhëheqësve dhe atë priftërore, që janë ndërmjetësues të hyjnores me njerëzoren: për mua ipeshkvin tuaj dhe për të gjithë priftërinjtë. Më lejoni, atëherë, që t’ju drejtohem juve në këtë moment, shumë të dashur sivëllezër në mbarështimin priftëror për të kujtuar, me fjalët që Papa Françesku i shqiptoi në homelinë e Meshës së shugurimit të presbitërve të këtij viti dhe që do t’jua jap si dhuratë në fund të këtij kremtimi, “që duke ushtruar mbarështimin e doktrinës së shenjtë do të jeni pjesëmarrës të misionit të Krishtit, mësuesi i vetëm. Do të jeni barinj si ai”.

Dhe Papa vazhdon duke folur për katër llojet e afërsisë, që karakterizojnë stilin e bariut: ndaj Hyjit, ndaj ipeshkvit, mes priftërinjve, me popullin. Afërsi me Hyjin përmes lutjes, sepse “një prift që nuk lutet ngadalë shuan zjarrin e Shpirtit brenda vetes së vet”. Afërsi me Ipeshkvin, “sepse te Ipeshkvi ju do të keni njësinë”. Afërsi mes jush, duke u kujdesur që të mos flisni keq për tjetrin. Afërsi me popullin, sepse “ju u zgjodhët, u morët nga njerëzit e Hyjit” në mënyrë që të mos humbni “nuhatjen e popullit të Hyjit”.

Dhe Papa Françesku shpjegon çdo pikë në predikimin e tij, të cilin ju kërkoj që ta lexoni dhe ta rilexoni me shumë kujdes: mua më ka bërë shumë mirë meditimi i atyre fjalëve. Por më e rëndësishmja nga të gjitha besoj se është: “Do të jeni si Ai”. Është një çështje identiteti, që nuk mund të shkëmbehet me asgjë dhe për të cilin duhet të kujdesemi më shumë sesa për jetën tonë.

Pas pak çastesh do të ripërtërijmë premtimet tona priftërore: mos qoftë vetëm një rit! Çdo fjalë që do të shqiptojmë gjeftë jehonë të madhe në mendjen dhe në zemrën tonë, por edhe bashkëngjitje të madhe të shpirtit.

Dhe ju nxis edhe juve, të dashur besimtarë, që të mos lini të kalojë një ditë pa u lutur për priftërinjtë tuaj dhe për thirrjet për meshtari: lutjuni mëshirës së Hyjit për barinjtë tuaj dhe luteni me ngulm të Zotin e të korrave që të dërgojë punëtorë të shenjtë në të korrat e veta. Të dashur prindër, nxitini të rinjtë tuaj që t’ia bëjnë vetes pyetjen nëse Zoti është duke i thirrur që t’i shërbejnë Atij dhe popullit të tij në mbarështimin meshtarak, jo vetëm, por edhe mos i pengoni që të pergjigjen po Zotit!: pa një angazhim serioz dhe pa një dëshmi të mirë të jetës së priftërinjve dhe të besimtarëve nuk mund të shpresojmë të kemi priftërinj të rinj!

Në këtë kremtim t’i lutemi Shpirtit Shenjt që të ripërtërijë mrekullinë e Rrëshajëve duke nxitur dëshmitarë të guximshëm të Krishtit të Ngjallur në bashkësinë tonë dioqezane: një popull të shenjtë dhe, në mes të popullit, priftërinj të shenjtë dhe rregulltarë të zjarrtë për Kishën tonë.  Ashtu kjoftë!