Scroll Top
19th Ave New York, NY 95822, USA

Homelia e Meshës Krizmale 2020

HOMELIA E MESHËS KRIZMALE

Shkodër, 29/05/2020

Shumë të dashur vëllezër në meshtari dhe ju besimtarë të gjithë, që, me kujdesin e duhur për shkak të pandemisë prej COVID-19, keni dashur të qëndroni afër ipeshkvit dhe meshtarëve tuaj në këtë ditë ku përkujtojmë Krishtin që u jep Apostujve dhe të gjithëve ne meshtarinë e vet, ta jetojmë këtë kremtim me ndjenja lavdi dhe falënderimi për mundësinë konkrete se po përjetojmë sërish bashkë, fizikisht, faktin që jemi populli i shenjtë i Hyjit.

Jemi një popull, një mbretëri dhe meshtarë që Krishti ka krijuar “për Hyjin dhe Atin e Vet”: e kemi dëgjuar në leximin e dytë, gati si përgjigje ndaj atij hapi tjetër që kemi shpallur në leximin e parë: “kurse ju do të quheni “Priftërinjtë e Zotit”, ju do t’ju emërtojnë Shërbëtorët e Hyjit tonë” (Is 61,6).

Dhe nëse kjo është e vërtetë për totalitetin e trupit mistik të Krishtit, Koka dhe gjymtyrët së bashku, është e vërtetë edhe, sipas mësimit të Shën Palit, që në dëgjesë ndaj lëvizjeve të Shpirtit Shenjt, secili brenda këtij trupi kryen një detyrë që është e vetja, që rrjedh prej dhuratës së marrë dhe që jetohet në mbarështim, shërbim.

Mes këtyre detyrave është ajo e meshtarit, në përgjigje të një thirrjeje të veçantë që ka si mision mishërimin e Krishtit Bari i mirë, që gjallëron dhe udhëheq popullin e Hyjit. Në meshtari realizohen fjalët e profetit që Jezusi ia vesh vetes në sinagogën e Nazaretit: “Shpirti i Zotit është mbi mua” dhe “Sot shkoi në vend kjo pjesë e Shkrimit shenjtë” (Lk 4, 18.20).

Po kush është meshtari? Në këtë reflektim dëshiroj të bashkëndaj me ju përmbajtjen e një letre, atë që Papa Benedikti XVI ua drejtoi meshtarëve dhjetë vjet më parë: Meshtari është lajmëtari i Hyjit mes njerëzve. Janë reflektime që mund të na bëjnë mirë ne meshtarëve që i dëgjojmë dhe popullit të Hyjit, sepse, në kuptimin e ndërsjellë mund të rritemi si trup mistik i Krishtit.

Papa emerit, pasi ka treguar për thirrjen e vet meshtarake në një kontekst si ai i pas-Luftës së Dytë Botërore, ku parashikohej se do të kishte pasur shumë nevojë për meshtarë, ashtu siç ndodh edhe sot në epokën tonë të globalizuar, ku ka nevojë për atë që e çon nëpër botë “Hyjin që është shfaqur në Jezu Krishtin dhe që na mbledh në Kishën e gjithëmbarshme, për të mësuar prej Tij e përmes Tij jetën e vërtetë dhe për t’i mbajtur gjallë dhe për t’i bërë të efektshme kriteret e njerëzisë së vërtetë”. Dhe Papa Benedikti thotë: “Hyji jeton, dhe ka nevojë për njerëz që të ekzistojnë për Të dhe që T’ua çojnë Atë të tjerëve. Po, ka kuptim të bëhemi dhe të jemi meshtarë: bota ka nevojë për meshtarë, për barinj, sot, nesër e përgjithmonë, derisa ajo të ekzistojë”.

Pastaj liston gjashtë cilësi të meshtarit.

Cilësia e parë: Meshtari, duhet të jetë para së gjithash ‘njeri i Zotit’. “Për ne Hyji nuk është një hipotezë e largët, nuk është një i panjohur që është tërhequr pas “big bang-ut. Hyji është shfaqur në Jezu Krishtin. Në fytyrën e Jezu Krishtit shohim fytyrën e Hyjit. Në fjalët e Tij ndiejmë se është vetë Hyji Ai që flet me ne. Për këtë arsye gjëja më e rëndësishme gjatë gjithë jetës meshtarake është marrëdhënia personale me Hyjin në Jezu Krishtin. Meshtari nuk është administruesi i një shoqate çfarëdo, numrin e anëtarëve të së cilës ai duhet ta mbajë dhe ta shtojë. Është lajmëtari i Hyjit mes njerëzve. Dëshiron t’i çojë njerëzit te Hyji dhe kështu të rrisë edhe bashkësinë e vërtetë të tyre me njëri-tjetrin. Për këtë arsye, të dashur miq, është kaq e rëndësishme që të mësoni të jetoni në kontakt të vazhdueshëm me Hyjin. Kur Zoti thotë: ‘Lutuni në çdo moment’, është e kuptueshme që nuk po na kërkon që të themi lutje vazhdimisht, por që të mos e humbasim kurrë kontaktin e brendshëm me Hyjin. Ushtrimi në këtë kontakt është domethënia e lutjes sonë. Për këtë arsye është e rëndësishme që dita të fillojë dhe të mbarojë me lutje, që ta dëgjojmë Hyjin në leximet e Shkrimit të shenjtë, që t’ia themi dëshirat dhe shpresat tona, gëzimet dhe vuajtjet tona, gabimet dhe falënderimet tona për çdo gjë të bukur e të mirë dhe kështu e kemi gjithmonë përpara syve si pikë referimi të jetës sonë. Kështu bëhemi të ndjeshëm si për krejt të bukurën dhe të mirën që marrim dhe që bëjmë çdo ditë, ashtu bëhemi të ndjeshëm edhe për gabimet tona dhe mësojmë të punojmë për t’u përmirësuar”.

Cilësinë e dytë mund ta përmbledhim kështu: Meshtari është njeri i Eukaristisë dhe i Liturgjisë. Dhe Benedikti thotë: “Hyji nuk është vetëm një fjalë për ne. Në Sakramente Ai na jep vetë Veten e Vet, përmes gjërash trupore. Qendra e marrëdhënies sonë me Hyjin dhe e formës së jetës sonë është Eukaristia. Kremtimi i saj me pjesëmarrje të brendshme dhe të takuarit me vetë Krishtin, duhet të jetë qendra e çdo dite. Krishti i ngjallur, që na dhurohet neve në Eukaristi, e plazmoftë me të vërtetë krejt jetën tonë me shkëlqimin e dashurisë së Tij hyjnore. Për një kremtim siç duhet eukaristik, është e nevojshme të mësojmë edhe që ta njohim, ta kuptojmë dhe ta duam liturgjinë e Kishës në formën e saj konkrete. Në liturgji lutemi së bashku me vëllezërit e të gjithë shekujve – e kaluara, e tashmja dhe e ardhmja bashkohen në një kor të vetëm lutjeje.

Cilësia e tretë e përshkruan meshtarin si “njeri i Pendesës”. “Edhe sakramenti i Pendesës është i rëndësishëm”, thotë Papa Benedikti. “Më mëson që ta shoh veten nga këndvështrimi i Hyjit dhe më detyron që të jem i ndershëm me veten time. Më çon drejt përvujtësisë. Është e rëndësishme që të ec gjithë kohën, pa skrupolozitet, me vetëdijen mirënjohëse që Hyji më fal çdo herë, por edhe pa indiferencë, që nuk do të na bënte më që të luftonim për shenjtëri dhe përmirësim. Dhe , duke e lënë veten që tjetri të më falë, do të mësoj që edhe unë t’i fal të tjerët. Duke njohur mjerimin tim, bëhem edhe më tolerant dhe më mirëkuptues ndaj dobësive të të afërmit tim”.

Cilësia e katërt është ajo e studimit: “Feja e krishterë ka një përmasë racionale dhe intelektuale, që është thelbësore për të. Ju të gjithë e njihni fjalën e Shën Pjetrit: ‘Jini gjithmonë të gatshëm t’i jepni përgjigje gjithsecilit që prej jush kërkon arsyen e shpresës që është në ju’ (1 Pjt 3,15). Po jua përsëris: duajeni studimin e teologjisë”.

Cilësia e pestë dëshiron që meshtari të jetë njeri njerëzisht i ndershëm. Dhe e shpjegon me këto fjalë: “Për meshtarin, i cili duhet të shoqërojë të tjerë përgjatë ecjes së jetës dhe deri te dera e vdekjes, është e rëndësishme që ai vetë të ketë vënë në një ekuilibër të drejtë zemrën dhe intelektinarsyen dhe ndjenjën, trupin dhe shpirtin, dhe që të jetë njerëzisht ‘i ndershëm’. Tradita e krishterë gjithmonë i ka lidhur me ‘tre virtytet teologale’ edhe ‘katër virtytet themelore’, Pali ua thotë Filipianëve në mënyrë shumë të qartë: ‘Së fundi, o vëllezër, mundohuni të keni për zemër gjithçka është e vërtetë, gjithçka është e ndershme, gjithçka është e drejtë, gjithçka është e pastër, gjithçka është e shenjtë, gjithçka është e denjë për dashuri, gjithçka është e denjë për lavdi, gjithçka është virtyt’ (Fil 4,8). Është një element thelbësor i ecjes suaj që t’i praktikoni virtytet njërzore themelore, me shikimin e drejtuar kah Hyji i shfaqur në Krishtin, dhe ta lini veten, përherë, që të pastroheni prej Tij”.

Cilësia e fundit e sheh meshtarin si “njeri i aftë për vëllazëri”. “Përvoja e vëllazërisë së jetuar gjatë viteve të seminarit, ju ndihmoftë që ta jetoni sot vëllazërinë meshtarake. Gjatë të jetuarit së bashku, ndoshta ndonjëherë i vështirë, duhet të mësoni bujarinë dhe tolerancën jo vetëm për ta duruar njëri-tjetrin, por për ta pasuruar njëri-tjetrin, në mënyrë që secili t’i bashkëndajë me të tjerët dhuntitë e tij të veçanta, ndërsa të gjithë i shërbejnë të njëjtës Kishë, të njëjtit Zot”.

Kjo është bashkëndarja ime për këtë Meshë Krizmale: mendime të thjeshta, por në të njëjtën kohë të pasura me vlera për atë që, lirisht, ia ka dhuruar jetën e vet Hyjit dhe Kishës së Tij. Të kujtojmë se jemi në Kishë dhe për Kishën, me gjithçka që kjo mbart në terma shërbimi dhe jo pushteti, ashtu siç i pëlqen Papa Françeskut të na e përsërisë shpesh; në terma gjallëruesish shenjtërie në mesin e popullit që na është besuar dhe që udhëheqim jo në emrin tonë, por në emër të Atij që na ka caktuar barinj.

Dhe ju, o popull i Hyjit, mos harroni kurrë që të luteni për meshtarët tuaj, ashtu si ata çdo ditë luten për secilin prej jush në altar, gjatë flisë së Meshës së shenjtë.

Po e përfundoj me vetë fjalët e Papa Benediktit në mbyllje të Letrës së tij: të dashur meshtarë, “Ia besoj Meshtarinë tuaj mbrojtjes amënore të Marisë shumë të Shenjtë. Ju bekoftë Hyji i gjithëpushtetshëm, Ati e Biri e Shpirti Shenjt”.

Amen.