Scroll Top
19th Ave New York, NY 95822, USA

HOMELIA E ENJTJA E MADHE 2022

Imzot Angelo Massafra – Arqipeshkev

Shumë të dashur vëllezër në Urdhrin e Shenjtë

dhe të gjithë ju, me të cilët ne Mbarështuesit e shenjtë ndajmë të vetmin Pagëzim që na ka bërë, siç kënduam në fillim të këtij kremtimi, popull mbretëror, asemble të shenjtë, fis priftëror, popull të shenjtë të Hyjit,

Mesha e Krizmës këtë vit (edhe vitin e ardhshëm, në dashtë Zoti) vendoset në kontekstin e rrugëtimit sinodal që po përjeton Kisha, në mbarë botën, përmes takimeve të reflektimit, të dëgjimit, të propozimeve konkrete për ripërtëritjen e jetës kishtare. Kremtimi eukaristik mëngjesin e të Enjtes së Madhe është, si çdo Meshë, shfaqje e sinodalitetit të Kishës, në ato elemente përbërës që shpjegohen mjaft mirë në moton e vetë Sinodit: bashkim, pjesëmarrje, mision.

Në këtë kohë, veçanërisht të shënuar nga tmerri i luftës, e cila, megjithatë, nuk duhet të na bëjë ta humbasim shpresën dhe aq më pak aftësinë për t’i dalluar shenjat e pranisë së Zotit në botë (si edhe shenjat e veprimit të së keqes që gjithmonë sulmon të mirën e njerëzimit), Kisha duhet të rizbulojë rolin e saj amënor, duke imituar Virgjërën Mari, të cilën, në solemnitetin e Ngritjes së saj në Qiell, e quajmë “shenjë ngushëllimi dhe shprese të sigurt”. Mbarë Kisha, në tërësinë e anëtarëve të saj, duhet të jetë si Maria, shenjë ngushëlluese dhe shprese e sigurt: “ngushëllim” në vështirësitë që sjell rruga e zhvillimit njerëzor dhe “shpresë e sigurt” për t’u treguar të gjithë njerëzve qëllimin drejt të cilit duhet të na çojë kjo ecje. …dhe qëllimi është Zoti.

Prandaj, është jashtëzakonisht e nevojshme që të gjithë ta njohim veten në fjalët e mrekullueshme të Isaisë profet, që jehuan në këtë asamble liturgjike në leximin e parë, siç i bëri të jehojnë edhe Jezusi në sinagogën e Nazaretit. Shpirti i Hyjit u derdh me bollëk mbi ne dhe na shenjtëroi si bartës të një “lajmi të mirë për të varfërit“. Ne jemi ajo “mbretëri priftërinjsh” për të cilën Gjoni na foli në leximin e dytë, bartës të një lajmi të Zotit që është “Alfa dhe Omega, Ai që është, që ishte dhe që do të vijë”, drejt të cilit e gjithë bota ka të drejtë të orientohet për të shpëtuar.

Po, shpëtimi i shpirtrave duhet të jetë shumë i rëndësishëm për ne! Për të gjithë njerëzimin, në fakt, Zoti Jezus derdhi Gjakun e Tij në Kryq. Dhe pikërisht nga Kraharori i shporuar lind Kisha, me synimin që të mbledhë trashëgiminë e Krishtit dhe të vazhdojë veprën e tij në kohë dhe hapësirë. Zakonisht lindjen e Kishës e bëjmë të përkojë me dhuratën e Shpirtit Shenjt ditën e Rrëshajëve; por Ungjilli i Gjonit, të cilin do ta lexojmë nesër në liturgjinë e Mundimeve, e vendos këtë dhuratë të Shpirtit Shenjt (dhe për rrjedhojë edhe lindjen e Kishës, të përfaqësuar nga Maria dhe nxënësi i dashur) pikërisht në momentin e vdekjes së Jezusit me këto fjalë: “Uli kryet e dha shpirt” (Gjn 19,30).

Nga e gjithë kjo kuptojmë se sa e nevojshme është që ne si Kishë ta bëjmë tonin këtë mision me anë të atyre mjeteve që Sinodi ka në dispozicion: bashkim, pjesëmarrje, mision.

Duhet ta rizbulojmë bukurinë e BASHKIMIT, në frymën e vëllazërisë së vërtetë. Në fakt, çfarë dëshmie mund t’i ofrojmë botës nëse nuk jemi në bashkësi me njëri-tjetrin? Vetë Jezusi na tha: “Nëse e doni njëri-tjetrin, të gjithë do t’ju njohin se jeni nxënësit e mi” (Gjn 13,35); sepse i vetmi urdhërim që na la Jezusi është pikërisht ai i dashurisë.

Por si vihet në jetë ky urdhërim i dashurisë? Vetë Jezusi na e shpjegon: “Dashuria më e madhe që ndokush mund të tregojë është: të japë jetën e vet për miqtë e vet!” (Gjn 15,13). Bëhet fjalë që të lëmë mënjanë veten tonë, egoizmin tonë, për të favorizuar rritjen dhe të mirën e tjetrit. Tani, të përpiqemi që ta zbatojmë këtë urdhër në të gjitha fushat e jetës sonë: në familje, në fillim. Sa situata do të ndryshonin për mirë nëse çdo familje do të ishte një laborator dashurie! Vetë bota do të ishte ndryshe dhe luftërat do të zhdukeshin brenda një sekonde të vetme.

Por flasim edhe për bashkësitë kishtare, si dhe për marrëdhëniet vëllazërore në kler. Sa dobi do të kishim nëse do të ishim më të aftë që ta vlerësonim njëri-tjetrin në mënyrë të ndërsjellë, të gëzoheshim për të mirën e të tjerëve. Me siguri do të shmangnim rrezikun për të cilin flet shpesh Papa Françesku: klerikalizmin që infekton si priftërinjtë, ashtu edhe laikët. Dashuria, shumë të dashur vëllezër dhe motra! Vetëm dashuria mund ta ndryshojë botën. Dhe ne kemi marrë pikërisht këtë urdhër nga Jezusi.

Pra, dashuria është vend bashkimi që i hapet vëllazërisë universale, edhe në dimensionin tjetër, atë të PJESËMARRJES. Në fakt, pjesëmarrja përjashton absolutisht çdo formë delegimi, por na bën që të gjithë të jemi në linjë të parë në realizimin e mbretërisë së Zotit. Sa shumë pasuri ka në Kishë: shoqata, lëvizje kishtare, përshpirtëri të ndryshme, jetë e kushtuar aktive dhe soditëse! Është një pasuri nga e cila nxjerrim pak, pikërisht sepse ekziston mentaliteti i delegimit. Themi: “kjo i përket Ipeshkvit”, “i përket priftit”, “kjo u përket të kushtuarve”, “u përket laikëve”. Shprehje të tilla kanë të vërtetën e tyre për sa u përket specifikave të secilës, por përmbajnë edhe rrezikun e delegimit dhe atë të përtacisë që na bën statikë, të paaftë për të vlerësuar atë të mirë që kemi në Kishë.

Dhe nëse jemi statikë nuk jemi në gjendje MISIONI; dhe, siç thashë më përpara, është e nevojshme që të shqetësohemi për shpëtimin e shpirtrave. Nëse Kisha nuk është misionare, nuk është Kishë! Dhe nuk po flas për kthimin e të tjerëve në fenë tonë, por për kthimin e vetvetes. Kthim para së gjithash në Fjalën e Hyjit, që fut në ne një shqetësim të shëndetshëm, si te Shën Pali: “I mjeri unë nëse nuk e predikoj Ungjillin!” (1Kor 9,16). Kë të ungjillëzojmë? Jetën: ta çojmë Ungjillin në të gjitha fushat e jetës njerëzore, në mënyrë që ajo të shndërrohet me fuqinë e kësaj fjale, e cila, thotë Zoti, “s’do të kthehet tek unë pa fryt, pa pasë kryer gjithçka më pëlqen dhe pa pasë zbatuar atë për çka e nisa” (Is 55,11). Kjo është njëra nga katër qëndrimet që Papa i quan “afërsi”; afërsia me Zotin, të cilën Papa dëshiron që priftërinjtë ta vënë në veprim në jetën e tyre.

Pastaj kthimi te tjetri, te vëlla dhe te motra: ata që ecin me mua drejt Krishtit dhe ata që e kanë harruar Krishtin; por edhe ata që nuk e njohin Krishtin dhe që meritojnë ta takojnë atë. Rizbulojmë kënaqësinë që t’u japim kohë marrëdhënieve vëllazërore për të nxitur dialogun dhe dëgjimin e ndërsjellë: këtë gjë ua them të gjithëve, por në veçanti JUVE, të dashur meshtarë, që, në ditën e shugurimit i jeni bashkuar një presbitéri në të cilin bëni pjesë dhe duhet të dalloheni për aftësinë për dialog, dëgjim dhe pranim të ndërsjellë. Të dashur meshtarë, në këtë kthim gjejmë edhe dy afërsi të tjera për të cilat flet Papa Françesku dhe të cilat nuk duhet t’i anashkalojmë.

Pas pak do t’i dëgjojmë meshtarët tanë të ripërtërijnë premtimet e tyre meshtarake, për të qenë besnikë ndaj tyre ata kanë nevojë për mbështetjen dhe lutjet e secilit prej jush, të dashur besimtarë. Mos i lini vetëm priftërinjtë tuaj! Bashkëpunoni me ta në rritjen e bashkësisë së krishterë. Nga ana e tyre, ata kanë marrë përsipër angazhimin për t’u lutur për ju dhe për të thyer bukën e Fjalës dhe të Eukaristisë për ju, në saje të fuqisë së dhënë nga lutja e shugurimit dhe e lyerjes së duarve të tyre me atë vaj të shenjtëruar, Krizmën, të cilën do ta shugurojmë pas pak dhe që në sakramentet e fillimit të krishterë ka lyer kokën e secilit prej nesh.

Kjo është Mesha e Krizmës: kremtim i një Kishe sinodale d.m.th: një kishë që ec  më të bashkuar. Uroj të realizohet për Arqipeshkvinë tonë të dashur të Shkodër-Pult. Dhe e uroj:

– për veten time, si ipeshkëv i kësaj pjese të Kishës universale;

– për presbitérin tim, të cilin e ftoj për një bashkësi të përtërirë me mua në udhëheqjen e popullit të shenjtë të Zotit (dhe kjo është një tjetër “afërsi” që dëshiron Papa);

– dhe për të gjithë të kushtuarit dhe per ju: besimtarë laikë.

Dhe po e bëj me fjalët e Shën Palit, që aq mirë shprehin qëllimin që i vendosëm vetes për të arritur: “Një Trup të vetëm, një Shpirt të vetëm – sikurse  një e  vetme është shpresa… Një Zot, një fe, një pagëzim; një Hyj të vetëm, Atin e të gjithëve, i cili sundon mbi të gjithë, vepron nëpër të gjithë e banon në të gjithë” (Ef 4,4-6).

Atij nderi dhe lavdia në shekuj të shekujve. Amen.